
Fatet e shkrimtarëve dhe të artistëve janë të ndryshëm, ashtu siç është
edhe i ndryshëm edhe rrugëtimi i tyre. Pavarësisht se mund të jetojnë në
të njëjtën epokë dhe në vija të përgjithshme mbajnë të njëjtin fat
kolektiv mbi vete, sërish rrugëtimi individual mban ngjyrë të ndryshme e
njërit prej dikujt tjetër, pavarësisht talentit, përkrahjes dhe famës.
Kjo m’u ndërmend tek sa si një vëzhgues i mprehtë i jetës shqiptare të
këtij çerek shekulli dhe natyrisht si një lexues i vëmendshëm, teksa po
kujtoja fatet e mjaft shkrimtarëve të njohur, më erdhi ndër mend Mimoza
Erebara, një prej zërave më origjinal të letërsisë shqipe, e cila u
shfaq bindshëm e tillë, prej vitit 1993 e këtej. Rrugëtimi i saj ka qenë
shumë i luhatshëm, pak a shumë ngjashëm me të autorëve të tjerë që kanë
jetuar ne epoka të turbullta krizash e dilemash:
shfaqje-tërheqje-rishfaqje-sërish tërheqje-rishfaqje sërish.
Qysh në botimin e vëllimit të saj të pare me poezi “Duke kërkuar një
shpresë”, Mimoza Erebara u shfaq si një poete e mirëfilltë, me një stil
të vetin dhe e pa ndikuar prej askujt. Këtë ajo ka mundur që ta ruaj, e
madje t’a evidentojë edhe më së shumti edhe në vëllimet e mëpasme
“Klithëm dashurie” (1996), “Arsye e grisur” (1998) dhe “Paqe pa profet”
(2012). Poezia e Erebarës është e thellë, intelektuale, shqetësuese,
është brenga dhe dilema për ekzistencën, është rrugëtimi drejt vetvetes,
sfida e njeriut që gjithnjë përpiqet të ndalë të keqen, dhunën, të
tejkalojë të pamundurën. Poezia e saj kalon kufijtë dhe temat nacionale,
duke u shndërruar vetvetishëm në një poezi universale.
“Kërkoj lotin,
-rrëmoj në kockat e mia
Dhe aty e gjej thellë të tulatur”
RIGJETJE
“Përmbi Vdekjen,
Qëndron Dashuria,
Dhe mbi Dashurinë,
Shpresa,
Se një ditë
Do të Dashurojmë
Dhe s’do të Vdesim...!”
RRADHESA
Kjo filozofi krahas poezisë shoqëron edhe prozën e saj. Tregimet e saj
rrokin një spektër të gjerë temash dhe vendesh, hapësirash gjeografike
dhe religjionesh, çka i shohim të pasqyruara në vëllimet “Gabimisht
dashuruar” (1998) dhe veçmas “Dry me qera” (2010), ku dallohet një
shkallë më e vështirë kompozicionale dhe një përsosje më e lartë e
stilit të autores. Tregime të tilla si: “Lotët nuk e dinë nga dalin”,
“Ushëkryqi”, “Njerifatiim”, “I pakalluri”, “E pakoha”, “Një mëngjes si
gjithë të tjerët”, “Kokëpreri Natan Zalter”, “Mallkimi”, etj., dëshmojnë
jo vetëm për një njohje më të thellë të autores për temat që shkruan,
por edhe për ndjeshmërinë e saj artistike. Brenda ngulfatjes që shoqëron
situatat dhe personazhet, ndihet vibrimi i jetës, sfida ndaj vdekjes,
gjithçkaje e çdokujt. Personazhet që Erebara na shpërfaq, mbajnë vulën e
krijimit të saj dhe si të tillë ata mbeten të skalitur në kujtesë,
secili brenda tipologjisë së vet. Gjithësecili është rob i botës së tij,
mentalitetit, zakonit, të shkuarës dhe relitetit. Personazhet e
Erebarës nuk moralizojnë, ata thjesht rrëfejnë vetveten brenda ngjarjeve
që ndodhi në jetët e tyre.
Si pak autorë shqiptarë opusi letrar i Mimoza Erebarës përfshin edhe
krijimtarinë në gjininë e përrallës. Përrallat e shkruara prej saj mund
t’i quajmë edhe rrëfenja për çdo moshë. Jemi mësuar që përrallën ta
kategorizojmë si gjini për të vegjël, por ashtu si edhe mjaft autorë të
sukseshëm modern që kanë eksploruar në këtë gjini, edhe Erebara ua
adreson atë edhe të rriturve. Në këtë zhanër, mbitë gjitha ajo spikat në
romanin “Aventurat e 10x10 dhe Munuriro Kokëposhtit” (1995), për të
cilin është nderuar me çmimin “Viktor Eftimiu”. Dy personazhet kryesore
të këtij romani, të cilët ende në një vorbull ngjarjesh dhe situatash,
janë të ndërtuar me mjeshtëri dhe në këtë rast jam në të njëjtin mendim
me shkrimtarin Odhise Grillo, i cili në atë kohë shprehej se “këta dy
personazhe qëndrojnë denjësisht në letërsi me orgjinalitetin e tyre”.
Është vështirë që të gjesh një shkrimtar që brenda një harku kohor kaq
të shkurtër të ketë sjellë një larmi kaq të madhe zhanresh, temash,
ngjarjesh dhe karakteresh. Në laboratorin krijues të çdo shkrimtari ka
gjithnjë vend dhe kohë për eksperimente, por kryesorja është që ato të
jenë sa më të suksesshme. Mimoza Erebara është një prej tyre, e cila hyn
në familjen e atyre shkrimtarëve dhe artistëve rebelë që krijojnë art
të mirëfilltë, por që qëndrojnë të tërhequr larg mediave dhe zhurmës.
KLITON NESTURI
Comments
Post a Comment