Në këtë fund viti, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, TKOB, shfaqi për publikun operën “La Traviata” të Giuseppe Verdit në datat 17,18,19,dhe 20 Dhjetor. Sigurisht që duke ju referuar konferencës për shtyp, prezantimi i Operës dhe vënia në skenë e saj ishte tepër premtuese.Pritshmëria ishte maksimale si nga ana skenike, ashtu dhe ajo muzikore. Fakti që punohej mbi një vepër e cila ishte vënë në skenë edhe në TKOB, më shumë se njëherë duke njohur cilësi interpretimi të denja për të gjitha skenat prestigjioze në botë (kujtojmë debutimin brilant të sopranos Inva Mula në fillimet e saj, pikërisht me “La Traviata”), e rrit shkallën e përgjegjësisë së prezantimit të cilësisë artistike, sidomos në atë të interpretimit muzikor. Sipari u ul, vepra u quajt e suksesshme dhe autorët vrapuan të marrin lavde pas lavdesh duke krijuar imazhin e një arritje të paparë artistike! Në fakt jemi brenda një dukurie që po e shoqëron jetën artistike shqiptare prej shumë kohësh dhe në të gjitha sferat e artit, qoftë kjo muzikore, qoftë në artet figurative po ashtu edhe në letërsi. Pas çdo panairi libri, pas çdo galerie apo pas çdo produksioni muzikor nga tallavaja e deri tek opera, përpara publikut serviren vetem gjeni të artit! Një qëndrim pothuaj i institucionalizuar që nuk bën gjë tjetër veçse e largon publikun artdshës, prish shijet dhe keqinformon me modelet që afrohen plot bujë. Askush nuk ndalet të shikojë rrugën në të cilën u ec, e cila natyrisht nuk është e shtruar. Perfeksioni i veprimtarisë njerëzore është një utopi, por ne duartrokasim pa e vrarë mendjen për të evidentuar cilësinë artistike. Sipas parimit “I pari në fshat dhe i fundit në qytet”! Është logjike që një qëndrim i tillë që ne mbajmë ndaj vetes sonë, si një shoqëri që kërkon të barazohet me artin botëror, ky qëndrim të na kthehet po ne si një boomerang, duke na lënë jashtë asaj që ne e duam e trumbetojmë më shumë: njëjtësimin e cilësisë artistike ndërkombëtare.
Opera u vu në skenë nga regjisorja gjermane Magdalena Fuchsberger e shoqëruar nga imazhet e projektuara të Aron Kitzig. Ajo paraqiti një koncept interesant të ndërtimit të marrëdhënieve mes personazheve paçka se mbetej filozofike dhe jo shpërthyese në momentet më kulmore të veprës. Është rasti të themi se në skenën tonë mungon ende interpretimi i personazhit, personazh pas personazhi ku secili prej tyre ruan individualitetin e vet dhe ka ngjyrën e vet të dallueshme gjë që është detyrë e artistit, këngëtarit në rastin tonë, ta sjellë në mënyrë origjinale dhe individuale. Kjo gjë bie tepër në sy, pasi shohim gjithmonë të njëjtët artistë të nderuar, por asgjë të re në karakterin e tyre dhe përqasjen me rolin. U punuan me mjeshtëri kostumet nga kostumografi Ardi Asllani, i cili solli një klas dhe elegancë në çdo personazh. Drejtimi muzikor ju besua dirigjentit spanjoll Ricardo Casero Garrigues, i cili solli ndjeshmëri në muzikë dhe në të njëjtën kohë temperament dhe akcent në momentet e duhura duke respektuar stilistikën e autorit. Një meritë e veçantë për dirigjentin qëndron dhe në mbajtjen e ekuilibrave, gjë që ndihmoi solistët në vështirësi dhe me limite vokale. Preludi i Aktit të parë dhe të tretë pati në ndërthurjen e tij interpretimin e ndjerë të balerinëve Enada Hoxha e Gert Vaso. Opera këtë herë pati një dopiokast, si në rolet kryesore, ashtu dhe në ato dytësore. Në rolin e Violetta Valery në premierë dhe në natën e tretë interpretoi soprano Eva Golemi, e cila sigurisht tashmë është e konsoliduar si artiste e TKOB dhe vjen thuajse në çdo vepër. Zotëron shumë mirë intensitetin e rolit edhe pse mbetet pak e ftohtë skenikisht. Ajo këndoi me intonacion, fraza dhe legato të qartë e të pastër. Diksioni le ende për të dëshiruar, por ajo ka një kontroll shumë të mirë të frymës.E ekuilibruar dhe pse ndonjëherë notat e regjistrit të poshtëm krijonin një shkëputje timbrike të panevojshme për të bërë frazën ekspresive. Po gjithësesi, në të përgjithshmen e saj, ajo u paraqit mirë dhe e pëlqyeshme nga publiku.Në kastin e dytë, pas një pjesëmarrje në festivalin Operistik “Marie Kraja”, për herë të parë në Shqipëri, në një rol të plotë, vjen sopranoja franceze Perrine Madoeuf. Ajo u paraqit me një vokal të zbehtë dhe pa asnjë shpërthim. Absolutisht i papërshtatshëm për një kryerol si Violetta! Diksion që linte tepër për të dëshiruar edhe pse u përpoq të sillte diçka skenikisht. Depërtimi dhe fokusi i saj vokal nuk kishte dritën e një Violette. Perrine Madoeuf u prezantua si një prurje internacionale. Sigurisht arti nuk njeh kufij, është universal, arti i thyen kufijtë politikë, të religjionit dhe të identiteteve. Në këtë këndvështrim, pjesmarrja e artistëve jovendorë në realizime madhore sikur është edhe vënia në skenë në TKOB të “La Traviata” të Verdit, një vepër që hyn në repertorin e çdo teatri serioz, nuk ka asgjë të keqe.Kjo mënyrë vetëm sa ndihmon në interferimin artistik, ku padyshim që cilësia është primare dhe e padiskutueshme. Pra është ajo që duhet të bëjë diferencën. Nuk mund të quhet një vepër “internacionale” vetëm se në të ka ndërthurrje aristësh me kombësi të ndryshme! Internacionale një vepër e bën vetëm cilësia e saj universale. Edhe në këtë shqyrtim jemi përpara një fenomeni artistiki cili është kthyer në dukuri për shoqërinë tonë, shqiptare në këtë rast. Vetëm se bëhen pjesë të botimeve antologjike në Shqipëri shumë poetë, bie fjala, të panjohur në vendet e tyre dhe me cilësi nën mesataren e përbotshme, shiten për publikun, lexuesin shqiptar, si të jashtëzakonshëm, gjeni! Dhe vetë botimin e këtij lloji e paraqesin si një nga kulmet e internacionalizmit kulturoro-letraro-poetik! Po duke iu kthyer shfaqjes sonë lind pyetja : A na duhen vërtetë këta “Internacionalë” që bëjnë në TKOB debutet e tyre në një nivel të tillë? Besoj se na mjaftojnë mediokrit tanë! Gjatë shfaqjes u vu re se roli i Violetës u përballua me vështirësi nga soprano Madeouf, e cila pati probleme të shumta intonative pas zonës së pasazhit. Kulmin e saj e pati në leximin e letrës, para aries “Addio del passato”, shoqëruar kjo me një zë të folur, pa ekspresivitet, dhe ku nuk u kuptua asnjë fjalë përveç një “e tardi” të çjerrë. Ky fakt na la të gjithë me gojë hapur(!!!), pasi pritshmëria po edhe dashamirësia e traditës së mikëpritjes shqiptare, ishte për diçka të madhe, por që në fakt rezultoi e një niveli mediokër.
Në rolin e Afredo Germont në premierë interpretoi tenori italian Giuseppe Tommaso, i cili nuk të linte aspak indiferent me timbrikën e tij lirike dhe të bukur. Një diksion tepër i qartë. Mund të them më i miri në tërë kastin në këtë pikë. Vokal i shëndetshëm dhe i mirë fokusuar dhe pse akoma jo i mirëstabilizuar në pasazhe të ndryshme të veprës, gjë që solli herë pas here luhatje intonative. I rafinuar në momente tepër delikate muzikalisht, aq sa dhe i pa kuruar në gjëra më të thjeshta. Një pamje e admirueshme dhe prezencë skenike e mirë. Në kastin e dytë gjejmë tenorin Armaldo Kllogjeri i cili rikthehet në skenën e TKOB pas dy viteteve shkëputjeje. Sigurisht që pritshmëria si e publikut, ashtu dhe e drejtuesve të institucionit, pas lënies së veprës “Rigoletto” nga ana e tenorit, ishte e madhe, por nuk rezultoi e tillë, për fat të keq. Edhe pse me një rol të bërë, gabimet muzikore ishin trashanike dhe flagrante. Sensi muzikor inekzistent dhe mbi të gjitha, zëri i zbehur. Në fakt në këtë pikë, kombinimi i gabimeve të Madoeuf dhe Kllogjerit kishin pika të përbashkëta: Mosdepërtimin në sallë, problemet intonative, sidomos në duete dhe momentet e kadencave që ishin të dukshme. Në regjistrin qendror vihej re një mosekuilibër timbrik, i cili të linte në çdo moment të pasigurt në atë që dëgjoje. Pas zonës së pasazhit tenori humbiste çdo tingull duke “shitur” fallcitetin për një pseudo -akut. Duke “shijuar” nga skena probleme kaq flagrante sigurisht që nuk është e nevojshme të vazhdohet me analizën muzikore të mëtutjeshme. Nuk mund të mos e përmend personazhin e Giorgio Germont i cili u interpretua në premierë nga baritoni gjeorgjian Gocha Abuladze, i cili rikthehej në skenën tonë. Vokal i ngrohtë dhe depërtues.Tepër muzikal dhe inteligjent në drejtimin e frazës. Sigurisht një realizim mjaft i mirë i personazhit. I ndjerë dhe ekspresiv. Në disa pasazhe, ndërrime pozicionesh, Germoni i tij ishte totalisht i besueshëm dhe i mirërealizuar. Në kastin e dytë gjejmë baritonin e TKOB Ylber Gjini, i cili sjell për të disatën herë rolin e Giorgio Germont. Timbrikë e padiskutueshme në përshtatshmëri me rolin, por muzikaliteti le ende për të dëshiruar. Vokal i shëndetshëm dhe një figurë bujare dhe pse pak ekspresive në skenë. Në rolin e Flora Bervoix dëgjuam Shpresa Bekën,soprano në rol dhe me një prezencë të mirë skenike. Ndërsa Ivana Hoxha, mezzosoprano, solli një Flora prezente dhe elegante me vokal të bukur. Rolet e tjera u interpretuan nga: Simona Karafili si Annina, e saktë dhe vokal të mirë; Sidrit Bejleri e Ogert Islami si Barone Douphol; Edvin Kastrati e Ogert Islami si Marchese d’Obigny; Sokol Hidersha si Doktori Grenvil,etj.
Kori i TKOB përgatitur nga Dritan Lumshi interpretoi me profesionalizëm dhe saktësi në këtë vepër. Një mesazh i padiskutueshëm për publikun i cili sigurisht që ngrohet kur shikon se ka cilësi, tek e fundit, për të cilën ai edhe vjen në sallë! Dhe përsëri pyetja që shtrohet është : a përmbushi “La Traviata” këtë kërkesë të ligjshme të publikut?
E për ti dhënë përgjigje do na duhet të cekim edhe një problem që mesa duket merr karakter parësor. Bëhet fjalë për përzgjedhjen e solistëve të cilët do të mbajnë gjithë peshën e veprës. Mësojmë se solistja franceze është përzgjedhur nga prurjet e Festivalit Operistik “Marie Kraja”. Deri këtu çdo gjë është në rregull dhe nuk ka asgjë të keqe. Kushdo mund të marrë pjesë me shpresën për të fituar. Por si çdo konkurs edhe ai ka kritere dhe një nga kriteret ndërkombëtare (meqë po flasim pikërisht për këtë ndërkombëtarizim), është paraqitja e pjesmarrësve me 5 arie të kompozitorëve të ndryshëm. Dhe si çdo konkurs interpretimi është live. Po sa u përmbushën këto kritere në edicionin e fundit? Së pari, këngëtarët lirikë u paraqitën vetëm me 2 arie dhe 1 kenge. Së dyti, ky konkurs u zhvillua me mikrofon gjë që e përjashton automatikisht vërtetësinë e tij. Dhe sopranoja franceze ishte pikërisht prurje e këtij Konkursi!. Ka një mijë arsye për të realizuar një Konkurs, mbi të gjitha edhe Ndërkombëtar, dhe që në këtë çast, ka më shumë se një mijë arsye që ky konkurs të zhvillohet me seriozitet dhe brenda parametrave të cilësisë botërore, për t’iu afruar sa më shumë të vërtetës. Po në momentin që këto anashkalohen për hir të asaj se mendohet se zhvillohet në Shqipëri, për hir të interesave klanore të qarqeve artistike, ai është i destinuar të dështojë, sikur kthehen në dështim dhe pseudofituesit e tij, që pretendojnë të sjellin pseudorole në vepra brilante të muzikës botërore.
“La Traviata” është po aq e njohur sa për profesionistët të cilët dinë të bëjnë mjaft mirë diferencën midis rutinës së të dëgjuarit, madhështisë së titullit dhe kualitetit artistik që servir teatri si një Tempull Elitar Lirik, po ashtu edhe për publikun e thjeshtë që nuk ka përgatitjen teorike muzikore por thjesht e dashuron skenën dhe muzikën. Kështu që sot përtej konjukturave, artistit dhe publikut nuk mund t’u hidhet më hi syve. Është e trishtueshme, padyshim, kur vihet re se si Led Wall transformohet në Video Projeksion duke u spostuar nga “Show” i Mikrofonuar “Marie Kraja”, në një skenë Opere të vërtetë. Ishte vërtetë sopranoja franceze (mund të ishte nga çdo vend tjetër i botës, dhe është krejtësisht normale) fituese e këtij Show Lirik ? Dhe pyetja tjetër që lind natyrshëm: A është e domosdoshme që fituesit e këtij Konkursi të marrin role kryesore në produksionet e TKOB, ndërkohë që po ky institucion, i vetmi në vend, e ka një strukturë të artistëve ku përfshihen edhe këngëtarët lirikë?
MIMOZA EREBARA
Gazetare, Kritike Arti,
Nën Kryetare e Akademisë Europiane të Artit, Sesioni Kombëtar Shqiptar
https://www.voal.ch/tkob-dhe-nje-la-traviata-zhgenjyese-nga-mimoza-erebara/
Comments
Post a Comment