Një kulturë
ndodh që të mbijetojë qoftë edhe e cunguar. Kjo i ndodhi letërsisë shqipe në
vitet 1944-1990. Jemi dëshmitarë të cungimit të kësaj kulture, sidomos në fushën
e artit. Mjaft të kujtojmë Plenumet e herë pas hershme të PPSH-së të cilat vetëm sa përpiqeshin të
prisnin që në rrënjë çdo kërkim artistik
që mund të bëhej për hir të artit. Sikur nuk u lanë të lulëzonin edhe shumë
vepra dhe shkrimtarë të kësaj kohe, të cilët padyshim që kishin një vizion të
qartë për strukturat letrare si dhe për funksionin e artit si i tillë. Ky grup
autorësh veç të tjerash kishte edhe një këndshikim tjetër për kategoritë
estetike dhe rrymat letrare. Ishin një grup që përkundër kufizimeve të shumta,
në kushtet e ndalimit pothuaj të plotë, arritën të merrnin të rejat e zhvillimit
të artit dhe letërsisë botërore, gjë që sapo filloi të pasqyrohej edhe në veprën
e atyre vetë. Ishte një përpjekje që mbeti për fat të keq në kuadrin e një përpjekjeje
dhe aq, sepse nuk arriti të mbizotëronte dhe të mbijetonte në këto kushte. Ishte
një përpjekje e cila si fillesë kishte padyshim kundërvënien ndaj klisheve të
artit të importuar nga Bashkimi Sovjetik dhe nga imitimet servile dhe tejet të dobëta të asaj letërsie me të cilat
shteti Shqiptar i kohës ushqente popullin e tij. Fakti që në fund të viteve ‘80
dhe në fillim të viteve ‘90 patëm shkëndijimet e një letërsie “ndryshe”, nuk bën
gjë tjetër, veçse na vërteton edhe njëherë se kjo letërsi që po vinte, nuk
vinte nga një hiç, nga një boshllëk letrar, por ishte një pasardhëse e një të mëparshmeje.
Kemi lexuar në shënime të shkurtra kritike apo edhe studime që janë bërë për këtë
periudhë që kjo ishte një letërsi që karakteristikë kryesore kishte përdorimin
e simbolit. Një veçori që nuk zhvillohej vetëm brenda kufijve të Shqipërisë por
edhe jashtë saj, në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni. Pothuaj ishte një veçori e përbashkët
e kësaj letërsie, pavarësisht qëllimit deri diku të ndryshëm, pasojë e kushteve
jo të njëjta politike. Për këtë periudhë përdorimi i simbolit dhe alegorisë,
sikur edhe përdorimi metaforik gati i drejtpërdrejtë, pa shumë nënkuptime e
shtresëzime semantike të mbivendosura njëra mbi tjetrën shumë herë në formën e
metaforave, u bë për pak “zyrtar”. Dhe kjo e ka një shpjegim: 1) në Kosovë u zhvillua si një kundërvënie ndaj të huajit;
2) si pasojë e ndikimit të letërsisë botërore e sidomos asaj franceze,italiane;
ndërsa në Shqipëri, u zhvillua si pasojë e një kundërshtimi ndaj regjimit
politik të kohës dhe monopolizimit të mendimit dhe unifikimit të ndjenjave, apo më keq akoma të drejtimit të
detyruar në hullitë e politikës e ideologjisë komuniste, por edhe si një
tregues i qartë i ecjes para me ritmin e letërsisë më të mirë botërore. Por ajo
çka është më e rëndësishme, mendoj, ka të bëjë me të vetëndjerit e brendshëm, e
cila vinte si një kërkesë e brendshme e këtyre autorëve që kërkonin hapësira të
shprehuri dhe laryshi procedesh artistike.Por është naivitet shkencor të thuhet
e të trumbetohet, sikur edhe ka ndodhur, që kjo letërsi erdhi krejt papritur. Kjo
letërsi, gjithësesi e kishte një bazë të mirë, që po ta shtrinim në kohë,
ndoshta do të na duhej të shkonin deri në vitet ‘30. Por objekt i shkrimit nuk është kjo shtrirje kohore kaq e gjatë,
por një periudhë e fokusuar rreth viteve të fundit të ‘70 dhe fillimit të ‘80 e
në vazhdim deri në shndërrimin e sistemit politik të 1991. Është një periudhë
interesante në të cilën u përvijuan qartazi dy qëndrime ideoestetike që gjithësesi
bënin pjesë në të njëjtin drejtim letrar, në atë të realizmit socialist. Qëndrimi
i parë padyshim ishtë ai i shkrimtarëve mediokër dhe altoparlantëve të prishur
të të gjitha fjalimeve nëpër kongrese e forumet e ndryshme, nga të cilat lëshoheshin
direktivat. Ishte një letërsi
manifestiste, pa asnjë vlerë letrare. Thjesht ca ilustrime me dialogje e
personazhe skematikë të “vdekur”që pa lindur akoma. Ishte një letërsi më e keqe
se telenovela më e keqe. Skematike, pa kurrfarë gjetjeje artistike, pa
figuracion (ai edhe kur gjendej ishte si një mballomë e madhe e qepur trashë në
trungun e letërsisë), e mbushur me citate të kamufluara në dialogjet e
personazheve anemikë. Një letërsi që botohej me 20.000 kopje dhe që pushtonte
tregun, për të cilën bëhej e gjithë propaganda e duhur përmes shtypit të
specializuar të kohës sikur gazeta “Drita” dhe “Nëntori”. Ishin modelet që u
ofroheshin letrarëve të rinj të cilët pushtonin faqet e shtypit dhe këndet
letrare nëpër shkolla dhe ku diskutohej
me zjarr për partishmërinë proletare, për dashurinë për Partinë dhe Atdheun,
dhe ku nuk diskutohej pothuaj fare për vlerat e pritshme letrare, për procedetë
artistike, për rrugën që do të zgjidhte shkrimtari, rrymën, figuaracionin, për
qëndrimin e tij ideoestetik. Vetkuptohet që të ishe kundër kësaj rrjedhe në atë
kohë ishte çmenduri. Diheshin dënimet. Por, prapëseprapë edhe brenda kësaj
kornize vdekjeprurëse dhe asfiksuese për letërsinë, pati shkëndija. Këto shërbyen
edhe si një fillesë për një qëndrim të dytë të kësaj periudhe. Dihen faktet dhe
unë nuk do të ndalem në to. Edhe kaq sa përmenda u kërkoj ndjesë bashkëkohasve
të mi të cilëve u mora kohën me gjëra për ne, të njohura. Por m’u duk e
nevojshme për të vazhduar më tej. Kështu
preket një pikë e “nxehtë” e një diskutimi që vazhdon ende, një pikë
themelore, përmes qëndrimit që mbajmë ndaj saj, përcaktojmë edhe besnikërinë që
ne kemi ndaj vetes sonë, dinjitetin profesional e intelektual aq të domosdoshëm
për të qenë të vërtetë dhe të besueshëm në këtë mënyrë edhe për lexuesin e çoroditur.
Në rradhët këtij shkrimi do të përpiqem të jem brenda një kritike sa historike,
aq edhe estetike. Dhe kur paracaktoj drejtimin tim në këtë analizë kam parasysh
që kjo kritikë të jetë me të vërtetë historike, pra të zbulojë faktet dhe
rrethanat, si të brendshme ashtu edhe të jashme të autorit dhe të personazheve.
Po ashtu të hulumtojë edhe ndryshimet apo reagimet edhe nga pikëpamja estetike.
Besoj se është një detyrë morale ndaj së shkuarës dhe më shumë ndaj së ardhmes,
një kritikë e vërtetë. Ishin disa autorët që guxuan të jenë më shumë vetvetja në
këtë kohë. (Gjithnjë sipas pikëpamjes sime vetanake!)
“Mbama pak
pallton, çun!” i Faik Ballancës, (“Mbasdite
të lagura”, 1971, Tiranë), është një nga
tregimet që jo vetëm tërhoqi vëmendjen në
atë kohë, por nëse e rimerr në këtë kohë, vazhdon të të pëlqejë.Kemi një
personazh i cili edhe pse gjendet në mesin e ideologjisë së kohës dhe në tregim
ai është një funksionar i administratës,
është një personazh i mbushur me dashuri dhe thjeshtësi, një personazh
karizmatik që të kujton padashur rrëfimet e Mitrush Kutelit. Ndërkohë që nëqoftëse
do të duhej t’i shkonte për shtat ideologjisë së kohës duhej të ishte një
personazh i fryrë me veten, arrogant, bosh, i pazemërt. Por Ballanca zgjedh të
flasë për atë kategori njerëzish që pavarësisht regjimit të imponuar mbetën
njerëz dhe i ruajtën vlerat njerëzore, pa pyetur shumë për kundërshtitë që mund
të sillte një qëndrim i tillë. Shpërfaqja e këtij karakteri përmes marrëdhënies
së tij me djaloshin e ri të indoktrinuar, është thjesht simbolike.Të mbetet në
mendje (në fakt as shefi, as çuni,) por thjesht ajo pallto që rri sikur në ajër
e varur, duke pritur që dikush t’ia shkojë krahët. Silueta e saj e madhe e errët,
e butë, me dritë-hijet e pasderës kthehet gati-gati në një personazh më vete.
Ajo pallto flet shumë më tepër me heshtjen e saj prej palltoje se sa flasin ato
pak personazhe dhe ato pak dialogje lakonike. Në fakt mund ta interpretosh në
disa forma këtë figurë. Gogoli apo Buzati e kanë trajtuar këtë simbol secili
sipas vështrimit dhe qëllimit të vet, krejt origjinal. Po aq origjinal vjen
edhe palltoja e Ballancës. Dhe të mendosh që as njëri dhe as tjetri autor,
pavarësisht përkatëisë kohore dhe etnike nuk shiheshin me sy të mirë nga
regjimi, thënë shkurt ishin shkrimtarë të ndaluar. Por e theksoj se “personazhi
i palltos” i Ballancës është krejt i ndryshëm nga palltot e Gogolit dhe
Buzatit, por në një rast të tillë asosacioni është i pashmangshëm. Por mua më pëlqen
të theksoj atë që më godet më shumë: është marrëdhënia që krijon çdo individ me
vetveten. Është lufta e përhershme që bën trupi me shpirtin, zemra dhe arsyeja,
dinjiteti dhe servilizimi. Jeta është një pallto që mund ta veshë kushdo. Ajo
rri ashtu, e patrazuar në pritje për t’u veshur dhe duke nënqeshur fshehurazi nën
astar. Por jeta nuk është një pallto që mund ta veshësh e ta zhveshësh sa herë
të duash-thotë mesazhi i Ballancës. Nënteksti është i kuptueshëm. Në botën kur
propagandohej me të madhe njeriu i ri, personazhi i Ballancës del jashtë kësaj
kornize. Të njëjtin qëndrim mban ai edhe në tregimin tjetër të tij, “Kaleidoskop”,
ku simbolika prezantohet që në titull. Zbërthimi i karakterit të Cetkës, pikëpyetjet
që ajo shtron më shumë si një nënshtresë e nënkuptuar, pikëpytje që kanë të bëjnë
drejtpërdrejtë me marrëdhënien njerëzore, me atë që është vlerë dhe më atë që
nuk është e tillë, me modelin që duhet të ketë njeriu për moralin, etikën,
mendimin, për lirinë. Është një tregim që të mbërthen me ato pak mjete
artistike, ku e gjithë figura sillet rreth kaleidoskopit dhe njëlloj si ai na bën
prezent shumëllojshmërinë e jetës e cila për fat të keq gjendet e mbyllur brenda
ca pasqyrëzave që vetëm e marrin sa në një anë në tjetrën copëzat e letrave
shumëngjyrëshe (jeta), pa i lejuar të dalin jashtë, dhe pa i lejuar të zbulohet
e vërteta e hidhur: e gjithë ajo bukuri figurash e trajtash shumëngjyrëshe që të
hutojnë nuk janë gjë tjetër veçse ca letra të thjeshta, nuk janë fare ato që
duken, është thjesht një mashtrim i bukur, por gjithësesi mashtrim. Ideja e
mbylljes gjithashtu na çon menjëherë në jetën që bëhej në Shqipëri në atë kohë-
një jetë po aq e mbyllur. Cetka pohon me të madhe që ajo që mungon më shumë në
këtë jetë është Liria, gjë të cilën e zbulon po vetë. Pasi ka besuar në bukurinë
unike, pasi ka besuar në mrekullinë e lojës që ka në dorë, çasti kur ajo
gjendet para të vërtetës është pothuaj tragjik. Ajo kupton ç’është në të vërtetë
kjo jetë në të cilën jeton, kupton boshësinë dhe absurditetin, kupton
mashtrimin e madh dhe manipulimin e madh, kupton shpërbërjen e njeriut si vlerë.
Personazhi tjetër që prezantohet vetëm si Margariti, është përfaqësimi më i mirë
i kësaj shpërbërjeje dhe i kotësisë dhe mashtrimit jetësor, një model i rëndomtë
ndërkohë për periudhën për të cilën bëhet
fjalë. Copëzat e letrave që sillen e rrotullohen brenda copëzave të pasqyrave të
Kaleidoskopit janë një paralele shumë e gjetur që tenton drejt një metafore
krejtësisht të lexueshme.Copëza letre brenda copëzash pakë më të mëdha pasqyre:
lidhja është e dukshme. Është një raport
që nuk funksion pa njëri-tjetrin. Aq sa mund të ekzistojë Jeta si e tillë pa jetën e gjithësecilit! Analogjia është e qartë.
Sikur janë të dukshme të gjitha zgjedhjet fizike që ofron një kaleidoskop!Cetka
nënkupton gati hapur dëshirën për anti- njeriun e ri, dhe vëllai i saj- (uni-autorial)-,
realitetin e vrazhdë -pamundësinë për të qenë një anti-njeri i ri. Të dy
tregimet, por tek “Kaleidoskop” më shumë, simbolika është shumë e pastër. E
krahasuar me letërsinë tjetër që botohej e cila sikur edhe e përmendëm nuk i përdorte
këto figura, e sidomos simbolin nga frika e rënies në letërsi dekadente (!) dhe
etiketimit si një letërsi simboliste(!), tregimet e Ballancës spikatën dukshëm
dhe treguan edhe njëherë se shpirti dhe mendja njerëzore nuk mund të burgosen
dhe se njeriu mund t’i ruajë vlerat e vërteta të tij si një qenie e kompletuar,
nëse do, nëse ka guxim. I njëjti qëndrim duket edhe tek tregimi tjetër
“Mbasdite të lagura”, pavarësisht se nën një temë tjetër, qëllimi është po i njëjti
dhe po njësoj procedohet. Autori zgjedh mjete të pakta, narracion të qetë, dialog
po aq të pakët, përshkrime “flash”, ku përsëri emocioni realizohet me shumë pak
mjete, dhe ku rëndësi i jepet nëntekstit, nënteksit në përshkrim, në dialog, në
zbërthimin e karakterit të personazheve. Është kjo mënyra që zgjedh Ballanca për
të përçuar mesazhet e tij përmes këtyre tregimeve. Duket qartë qëndrimi
opozitar që ai ka ndaj regjimit dhe papajtueshmëria e tij me këtë regjim. Gjë që
ai e vërtetoi shumë shpejt. Për fat të keq ai kreu vetëvrasje në moshë shumë të
re.
Tjetër
procede artistike na afron Vath Koreshi.
Ai na paraqet një tjetër stil. Përmes dialogjeve të shumtë, përmes
konfiguracionit të personazheve dhe përshkrimeve të pakta të mjedisit, por të
shumta të gjendjeve shpirtërore, ofron kështu një letërsi tjetër. Në vëllimet Dy të shtunat e Suzanës apo edhe tek
romani Mars tema i krijon komoditetin që të flasë pikërisht për
atë pjesë të jetës njerëzore që nuk para nxitej nga qëndrimi zyrtar- për
dashurinë. Marrëdhëniet që ndërthuren përmes personazheve dhe situatat që
ndjekin këta personazhe është një mënyrë e suksesshme e tij. Sensualiteti i përshkrimeve
të marrëdhënieve intime, herë- herë e bën të “rrezikshëm” për regjimin, i cili
apriori i kishte përjashtuar këto lloj përshkrimesh. Koreshi i thyen këto
korniza për të na kumtuar më shumë. Marrëdhëniet mes çifteve thjesht janë një
simbolikë e asaj që kërkohet dhe synohet të thuhet: ai pranon dhe këtë na e kërkon edhe ne, që njeriu është
një qenie komplekse, ka dritë- hijet e tij dhe ka të gjithë të drejtën e botës
që të ndjehet i lirë, të ndjejë fort dhe të dashurojë, që ta çojë veten e tij
atje ku vetëm dashuria mund ta çojë dhe liria ta presë. Njeriu i ri i
trumbetuar me të madhe nga propaganda e kohës mbetet thjesht një karikaturë e
vlerave të vërteta të njeriut. Nuk ka shumë penelata në përshkrimin dhe ndërtimin
e këtyre personazheve. Ata në shumicën e rasteve janë të thjeshtë, njerëz të
punës. Është shtjellimi që i bën kësaj të fundit (një shtjellim i detyruar!) që
të ngatërron. Sepse mund të tërhiqesh nga e zakonshmja që mbart ajo mbi vete
dhe kështu të mund të mos shohësh dot mes rreshtave dhe të kuptosh ironinë e
hollë dhe dhimbjen e thellë që në të vërtetë është në prozën e tij. Herë- herë
këto dy veçori e “nxjerrin kokën” në situata të caktuara nëpër fabul. Thjesht
duhet të jesh i vëmendshëm dhe ta duash prozën e Koreshit që të kuptosh në të vërtetë
mosthëniet e saj. Si pa dashur “shpëtojnë” tek
Mars, fjali të tëra jashtë
klisheve e parafabrikateve të letërsisë zyrtare. Në vetvete Mars-i është një simbol, simboli i ripërtëritjes
dhe i vazhdimësisë së jetës, simboli i ruajtjes së vlerave, i kërkimit të
pandalshëm, i revoltave, i erërave të ngrohta dhe ringjalljes së shpirtit,
simboli jetës. Kështuqë nuk është e rastit që ngjarjet zhvillohen në Mars, në mjedise krejt të zakonshme.
Edhe ky autor përmes kornizave të detyruara e gjen mënyrën për të folur pikërisht
për të ndaluarën.Por nëse thellohemi në simbolikën që mbart Marsi, atëhere duhet të kujtojmë që ai është edhe perëndia e luftës
për romakët. Mitologjia na e paraqet të kuq dhe ndjellës të luftës. Po nga
shikimi zyrtar jeta nën pushtetin komunist nuk mund të ishte e kuqe dhe as
ndjellalufte. Komunizmi luftoi vërtetë, por solli paqen dhe njerzit, më saktë
njeriu i ri, jetonte në paqe e gëzim. Edhe nga ky kontekst Koreshi bën një
“blasfemi” me përcaktimin estetik si të ngjyrës ashtu edhe të funksionit. Dhe në
këtë mënyrë krijon mundësinë për të qenë një “shtrat” i mirë për letërsinë që
vjen pas. Gjë që ai e vërteton po vetë, në librin e tij të pas ‘90: Requem për një grua, në të cilin ai e
vazhdoi linjën e tij të sensualitetit dhe të lirisë së shpirtit. E gjithë proza
e Koreshit është e prirur nga përpjekja e pashterur e tij për të zbuluar
shpirtin njerëzor, është një tendencë drejt një
proze psikologjike më shumë se sa një prozë e veprimit. Megjithëse përshtypja
e parë është krejt e kundërta. Është një efekt që na e krijojnë dialogjet e tepërt.
Por menjëherë pas tyre e ndjen që nuk janë thjesht ca dialogje dhe aq. Në pamje
të parë ruhen parametrat e një proze klasike, duke iu përshtatur rregullave të
saj, por ne e ndjejmë që gjithësesi është një prozë ndryshe. Personazhet janë
ata që na e përforcojnë këtë ndjesi. Bota e brendshme e tij që e ndjek fabulën.
Sikur ndodh edhe me vëllimin Dy të shtunat e Suzanës, që në fakt, pikërisht
për këtë liri dhe sensualitet për të cilin folëm më lart, u quajt një libër jo
shumë i denjë, sepse të rinjtë nuk kishin përse të lexonin histori me dashuriçka!!!
Aq më tepër me luhatjet e kësaj dashurie! Dashuria duhej të ishte unike, solide
dhe e partishme! Në fakt, nëse përqëndrohemi
tek novelat e tij si Dasma e Sakos, do
të vërejmë që stili i tij bëhet më fleksibël, dhe procedetë artistike ndryshojnë.
Duke u kthyer tek e kaluara ai gjen hapësirën e nevojshme për të folur për të
tashmen që e mundon. Në këtë mënyrë ai na paraqet një letërsi agresive por të
fshehur bukur shumë në histori, duke ia lënë të gjitha “mëkatet” asaj. Është një
metodë e njohur dhe e suksesshme që është përdorur në letërsi, të cilën edhe
Vath Koreshi e përdor me sukses.
Ndërsa Zija Çela me Pëllumbat
e janarit, paraqitet disi më ndryshe. Letërsia e tij është “më e butë”. Dhimbja
e thellë dhe trishtimi janë dy elemente që bien në sy. Edhe ky qëndrim
ideoestetik binte ndesh me qëndrimin zyrtar të kohës. Sipas saj letërsia duhej
të ishte vetëm e gëzuar, njeriu i ri i Partisë nuk e njihte dhimbjen, as disfatën,
as varfërinë, as mosdijen, as … Çela me prozën e tij ngrihet “butësisht” egër
kundër këtij qëndrimi. Tregimi i tij “Bisedë për familjen”, nuk të ikën kollaj
nga mendja. Edhe ai është i kyrsyer në mjetet shprehëse. Fraza e tij është e
shtruar. Gjërat thuhen ngadalë. Hap pas hapi ne zbulojmë personazhet, dhimbjen
dhe trishtimin e tyre.Tek Çela kemi më shumë elemente të rrëfimit klasik.
Dashuria njerëzore është ai fill që i lidh të gjithë tregimet e Çelës. Gjyshe
Gonxheja, apo dhe pëllumbat e janarit, megjithëse janë dy të porsalindur
mbartin në vetvete një simbolikë të fortë. Pëllumbi gjithnjë është identifikuar
me Paqen, që në kontekstin shkrimor të Zija Çelës merr edhe një nënkuptim tjetër:
atë të dashurisë njerëzore, në kuptimin më të thellë dhe më të pastër që mund të
mbartë kjo fjalë, jashtë çdo kornize ideologjike. Edhe Çela e përçon të plotë. Çela
është prova me të cilën ne bindim veten në analizat tona se mund të bësh një
letërsi antikonfromiste edhe duke përdorur mjetet e imponuara nga regjimi i kohës
dhe i përdorimit me sukses të një fraze në dukje të shtrirë e të thjeshtë por që
mbart në veteve një kontekst krejt tjetër dhe një simbolikë të plotë, herë të
dukshme e herë të fshehur. Është prova më e mirë që kemi për të vërtetuar qëllimin
e këtij shkrimi, që letërsia që pasoi nuk erdhi në një terren bosh, nuk erdhi
nga hiçi. Elementet shkrimorë të Çelës i
gjejmë edhe tek autorë të tjerë, sikur edhe kjo vlen për Ballancën e Koreshin.
Të tre këta
autorë krijuan një model, që dashur pa dashur u ndoq nga autorët e mëvonshëm.Vitet
1980 -1990 ishin vite në të cilat autorët gjithësesi patën pak më shumë liri të
shprehuri. Kjo liri i çoi ata detyrimisht drejt kërkimit të formave të reja, ku
një rol të rëndësishëm pati përdorimi i simbolit, jo vetëm si një figurë e
mbartur për hir të një figuracioni, por si një qëndrim estetik i mirëpërcaktuar.
Natyrisht koha, sistemi politik ishte po ai, dhe ndërmarrjet apo kooperativat
vazhdonin të ekzistonin sëbashku me punëtorët dhe brigadierët e burokratët. Por
në këtë prozë të këtyre viteve iu dha përparësi pikërisht qëndrimit që duhej të
mbanin shkrimtarët me këtë figurë (në fakt një karikaturë) e njeriut të ri. Jemi
në vitet kur letërsia ishte ngopur me letrarë që vinin nga fushëzat dhe arëzat,
nga ndërmarrjet e mëdha industriale, gjë që e përjetoje si lexues deri në
titujt shoqërues të këtyre shkrimeve (“Buzëqeshje nga furrnalta”, “Gëzimi i
minatorit”…).Ndërkohë që letërsia tjetër
në këtë periudhë u gjend bosh. Sigurisht që botime kishte sepse ende punohej me
plane vjetore dhe ende ishte një Shtëpi e vetme Botuese. Por kjo letërsi po
fliste për gjëra të njohura, në një farë mënyrë ajo po përsëriste veten nën
petkun e emrave të autorëve të ndryshëm. Të kësaj kohe janë përpjekjet për të
thënë diçka ndryshe gjë që filloi me një seri romanesh që pati një jehonë të
menjëhershme për vetë temën që ata trajtuan. Por këtu ne kishim një risi
ndoshta vetëm në tematikë. Ishte ajo që e udhëhiqte autorin, personazhet dhe
fabulën. Për hir të saj, këto romane e tregime patën sukses për kohën, por deri
këtu…Në se e shohim sot pas gati 30 vjetësh do vërejmë se në të vërtetë ka mbetur pak. Por kjo prozë pati meritën e padiskutueshme që e hapi rrugën
për të trajtuar tema të ashtuquajtura jo të përshtatshme, ndryshe nga
orientimet partiake. Gjë që u pasua menjëherë nga disa romane e vëllime me
tregime.Të akuzosh sot nga pozitat e sotme autorët e atyre viteve për shumëçka
që na shkon ne nëpër mend, e veçanërisht për një letërsi përjashtuese, është një
shtrembërim i madh historik. Pavarësisht nga natyra trashëguese e kësaj përzgjedhjeje,
konvertimi në rryma të reja letrare dhe doktrina gjithë aq të reja filozofike është
një e drejtë e mundur për të gjithë ata që dëshirojnë të konvertohen. Është një
proces që nëse kryhet zhvillohet mbi baza krejtësisht vullnetare, pra nuk
nxitet. Dhe kjo është edhe një arsye më shumë për të kuptuar natyrën e ndërlikuar
të kësaj përzgjedhjeje, e cila në shumicën e rasteve shoqërohet me një proces
vuajtjesh shpirtërore dhe fizike që mund të shkojnë deri në lëndime. Që të shpëtojmë
qëndrimin tonë dhe mendimin tonë nga një qëndrim i tillë dhe nga një interpretim
i gabuar na duhet të hartojmë disa rregulla dhe më pas t’i zbatojmë ato. Parimet
për të shqyrtuar traditat e të tjerëve në kohë janë të thjeshta. “Krahaso të
ngjashmen me të ngjashmen dhe lejoi të tjerët të përcaktojnë vetveten”. Në këtë
mënyrë kemi dhënë edhe rregullën e parë. Apolegjetët e përhershëm të
ideologjive e kanë parë të udhës që të bëjnë krahasime joshëse për ta, duke u
nisur nga forma gati-gati e idealizuar e letërsisë së asaj periudhe. Ata i dhanë të drejtë vetes
që të mund të lëvdonin veten duke pohuar
se letërsia që ata përfaqësojnë është letërsia e së vërtetës dhe e artit të
kulluar, të ndriçuar kuptohet, nga mësimet e marksisizëm-leninizmit dhe të
PPSH. Dhe e gjithë kjo kundrejt letërsisë së errët, dekandetizmit kapitalist dhe
imoralitetit modernist revizionist. Dhe e gjitha kjo e paraqitur sikur letërsia
e realizmit socialist të mos ketë qenë kaq parimore dhe e ideoligjizuar apo
sikur letërsia Perëndimore të mos e njihte fare kthjelltësinë që buron në të vërtetë
nga arti i kulluar!
Dhe vetëm
pasi ne të kemi përcaktuar këtë qëndrim, mund të vazhdojmë më tej me analizën
tonë.
Teodor Keko është një nga shkrimtarët e kësaj
periudhe i cili solli një prozë ndryshe. I nisur fillimisht nga simboli e
pastaj duke u përpjekur të luajë edhe me figura të tjera që padyshim do të
sillnin tema të patrajtuara më parë në Atë
Mënyrë. Fjala është për Lajmëtarin e
vdekjeve (1991). Është një vëllim me tregime i cili ka në qendër vdekjen e
cila nga ana e saj na vjen si një personazh
i kompletuar, në plotësinë e vet. Është hera e parë që vdekja shihet në letërsinë
shqipe në këtë përmasë. Keko tallet, Keko luan, Keko bëhet sarkastik, Keko e
do. Ke përshtypjen se hera- herës ke një personazh real përpara, një të dashur
dhe -jo, një njeri, me të cilin autori do të ndajë mendimet e veta, dhe pastaj
tërhiqet duke ia lënë rradhën lexuesit. Një person me të cilin Keko do të flitrojë
deri në fund. Një personazh që ai nuk luhatet ta dojë dhe të luajë me të dhe
pastaj të tërhiqet në një cep të mendjes së vet dhe të presë se çfarë është në
gjendje të bëjë, Ajo- Vdekja. Deri ku shtrihet ajo, si depërton tek mendja dhe
shpirti i njeriut, si e nanurit dhe si e merr me vete. Në ç’fazë njeriu është me
të vërtetë i vdekur? Dhe a është më mirë që ai të ndjehet i tillë? A është më
mirë që njeriu ta dojë vdekjen? A mund njeriu të mësojë prej Vdekjes? A mund
njeriu të bashkëjetojë me vdekjen? A është Vdekja pjesë e ekzistencës së vetë
atij? A mund të kuptohet njeriu pa këtë
bashkëjetesë? Dhe në të tilla rrethana a nuk do të ishte më mirë që ta bëje
mike vdekjen, se sa armike? A nuk do të ishte një çlirim i pastër energjie
mentale e shpirtërore nëse do t’i kishe shumë mirë marrëdhëniet me Vdekjen? E nëse
do duam ta kuptojmë vërtetë duhet të sjellim në kujtesë vitet kur u shkrua ky
libër. Janë vitet 1990, vitet e shndërrimit të madh të sistemit politik në
Shqipëri. E parë në këtë kontekst vepra e Kekos mund të ripërmasohet. Nga koncepti
filozofik ekzistencialist i jetës dhe vdekjes dhe i qëndrimeve që janë për to
dhe posaçërisht të qëndrimit që mban Keko në raport me këtë temë, dashur pa
dashur tregimet e tij interpretohen edhe me një veshje tjetër- atë të një
simboli e alegorie therrëse, deri në sarkazëm. Dhe në frazën tjetër ai bëhet
thjesht i dhembshur, sensual, zhbirues i thellë i ndjenjës dhe i luhatjeve të
saj. Personazhet femërore në kërkim të së vërtetës mbi veten dhe meshkujt në
thonjëza të fortë,hyjnë në marrëdhënie dhe të dy palët përpiqen të japin
kuptimin e vetvetes. Kemi kështu personazhe tejet të emancipuara për kohën, është
ajo gjeneratë e cila në kërkim të të vërtetave mbi veten gjeti më pas dhe të vërtetën
më të gjerë, atë të vendit dhe të zhvillimit të tij, të rrugës që duhej ndjekur
për të ardhur deri aty. Vdekja në këtë rast është një sistem politik në ikje. Meritë
e drejtpërdrejtë e të cilën e “fiton” përmes stilit të tij. Sepse në fakt këtë ndjesi e marrim përmes një përkëdheljeje
që ai i bën pikërisht Vdekjes. Kjo është një veçori specifike e prozës së
Kekos, tepër e vështirë për t’u realizuar, por Keko si intuitivist dhe
improvizues e sjell natyrshëm. Vetëm në përfundim të librit kupton atë që në të
vërtetë qëndron e të shoqëron gjatë gjithë kohës në heshtje, duke të krijuar
edhe oaze iluzore të qëndrimit dhe interpretimit. Që do të thotë : nëse në letërsinë
shqipe të mëparshme për të cilën folëm pak më lart kishte përpjekje të dukshme
për të kuptuar të vërtetat mbi njeriun dhe kjo realizohej duke e nisur shikimin
dhe analizën nga jashtë, pra autorët vëzhgonin dhe përfundimet e tyre ne i
merrnim përmes veprimeve të personazheve, tek proza e Kekos situata ndryshon:
Keko na tregon të vërtetat e po këtij njeriu por duke u nisur nga brenda tij, së
pari nga vetë ai, e pastaj edhe nga vetë personazhet. Ky ndryshim këndshikimi
mendoj që përbën edhe esencën dalluese mes dy periudhave. Zgjidhja që I jep
Keko ngjarjeve dhe personazheve, rruga që bëjnë ata dhe bashkë me ta edhe ne
drejt zbulimit tonë si qenie, gjetja e kufijve të emancipimit tonë, zgjidhjet që
na ofrohen në fund janë në fakt ndryshimet për të cilat është folur edhe më parë
por pa i hyrë detajeve. Personazhet e Kekos
janë “lubi”-sikur shprehet diku, në një nga tregimet e tij që për syrin
e kohës ndoshta mund të ishte një absurd i vërtetë, por real. Një tregim si një
tango, herë zjarr, herë akull, por gjithnjë shpirt, shpirt i humbur, shpirt i
gjetur, shpirt në vrapimin final, shpirt në qëndrim, shpirt i lirë, shpirt i
robëruar, nga dridhjet e dilemat e veta. Shpirt humbës, shpirt fitimtar. Keko është
shkrimtari që e krijon Vdekjen dhe Jetën atëhere kur ai e dëshiron dhe u jep
hapësirën që ai do, pa pyetur shumë se ç’thonë ato, duke u bërë kësisoj shumë
herë më këmbëngulës se vetë ato, duke i sfiduar bukur ato thjesht me FJALËN. Ekziston
një Keko që e ka kuptuar burgosjen e saj, Fjalës, në atë masë që ajo nuk na i
ka dhënë të gjitha dëshirat njerëzore dhe epshet e ndryshme të njeriut. Ai
niset në udhëtim me Jetën e Vdekjen në kurriz duke u drejtuar drejt qëllimit
final- të vërtetës mbi njeriun, qenien. Dhe kur mbërrin tek një i ngjashëm me
veten ai ulet e qan për ato epshe e dëshira të brendshme kaq shumë tekanjoze që
e vërtitin atë drejt brigjeve të kuptimit. Një kuptim potencialisht racional që
na rregullon tek e fundit jetën tonë.
Si përfundim,
proza e Kekos na vë përballë një pesimizmi, të pashmangshëm për kohën. Është një
prozë që vinte nga një shtrat i Realizmit Socialist dhe shkonte drejt dy
alternativave:
1)drejt
drejtimeve e rrymave letrare që bota Perëndimore i kishte të njohura, pavarësisht
jetëgjatësisë, frymës filozofike,të suksesshme apo jo;
2)drejt
drejtimeve e rrymave të reja, të panjohura apo të pakonsoliduara, as në letërsitë
Perëndimore dhe as në ato Lindore.
Bruno
Fogelman e quan Realizmi I Ri. Mendoj ta huazoj këtë përcaktim. Ky është një vështrim
i një mendimi dhe i ndjesive të kthjellta dhe kërkon qetësi e përgjegjësi të të
menduarit. Ky është një Realizëm që I njeh të gjitha përpjekjet e shkrimtarëve
paraardhës në emër të drejtësisë artistike e njerëzore dhe po në emër të saj ai
i pranon dhe nuk i dënon ata, sepse e di që në thelbin e tyre shumica e tyre
shkruanin sepse mendonin se kishin të drejtë të shkruanin në atë formë. Duke
menduar e analizuar në këtë mënyrë në të njëjtën kohë mësojmë se instrumenti më
i mirë dhe i vetëm i së vërtetës artistike është një baraspeshë e vështirë mes
artit si altoparlant i pushtetit dhe artit si art, që për hir të vërtetës duhet
të themi, se është një baraspeshë e vështirë e gati-gati e pamundur, e paqëndrueshme,
mbi të gjitha, dhe shumë herë shkatërruese.
Letërsia
mbijeton përmes këtyre rrugëve. Ekzistenca e letërsisë së viteve 1980- 1990,
megjithëse me modesti e brishtësi e përmes plot problemeve të të kuptuarit e
veçorive të stilit, e vërteton këtë mbijetesë.
Comments
Post a Comment