Gjithësecili prej nesh është mëse i ndërgjegjshëm se ndonëse
ne kemi një angazhim të përbashkët në besimin ndaj Letërsisë, përsëri gjenden
dallime të konsiderueshme në mënyrën se si vetë ne përballemi, si me veten tonë,
ashtu edhe me të tjerët (që nënkupton nga ana e saj, së pari, lexuesin, dhe së
dyti, shtetin).
Letërsia dhe Arti në përgjithësi e njeh atë që mund ta quajmë
një besëlidhje mes shkrimtarit,
krijuesit, dhe lexuesit. Operatorët e komunikimit në këtë rast janë të drejtpërdrejtë
dhe filtrohen vetëm prej shpirtit (e thënë
kjo në kontekstin etik dhe artistik).Intensiteti me të cilën kjo besëlidhje godet pikërisht në shpirtin e
lexuesit, e bën këtë të fundit aktiv, pra të interesuar. Ky është edhe momenti
magjik kur një lexues pasi ka përjetuar pikërisht këtë goditje intensive etike
e artistike, sjell në ndihmë edhe mekanizma të tjerë vetjakë, ku padyshim,
arsyeja zë kreun e rradhës. Lexuesit besojnë se arti është magji, se fjala është
magji, sugjestionohen prej saj, dhe po prej saj, kërkojnë misterin, të pamundurën,
irealen. Sidoqoftë të gjitha këto e marrin një veshje. Dhe veshja në këtë
rast është thjesht përgjigjja e pyetjeve të tyre, sa individuale, po aq edhe
universale, por që tek e fundit përmblidhen në një fjali: Kush jam unë? Pyetja
që na I zmadhon mendimet tona përtej hapësirave të imagjinueshme (Paskal,-
Mendimet, Tiranë, 2005), qëndron aty sovrane, ndjellëse. Dhe neve nuk na
mbetet gjë tjetër veçse të përballemi me vetveten.
Një përballje e kushtueshme. Ku vihen në lojë shtyllat e
Besimit tonë vetjak, Kornizat e Moralit, Etikës, Besimit. Ku vihet në peshojë
Dija dhe Mosdija. Ku qëllimet tona relevante janë gjithnjë në konflikt me Kohën,
por ne gjithnjë e anashkalojmë këtë fakt jetësor, duke pretenduar dhe duke i
atribuar vetes vlera, që mendojmë se vijnë nga Dialogu që ne krijojmë me
Universin. Kjo na krijon ne një STATUS. Ky Status në të njëjtën kohë është
Ekzistenca jonë (e shkrimtarëve), po në të njëjtën kohë është edhe Mburoja jonë,
ku ne strukemi jo rrallëherë. Në çastin që ne bëhemi të vetëdijshëm për
ekzistencën e këtij statusi brenda nesh, ne nuk ndalemi më. Jemi gjithnjë në kërkim
gjithëpërfshirës, pa harruar për asnjë çast qëllimin final- lexuesin. Mësohemi
të respektojmë të drejtat tona që vetë Statusi ynë na i ofron, e në të njëjtën
kohë, mësohemi të respektojmë gjithnjë, edhe të drejtat e tjetrit, që po ashtu,
po vetë statusi ynë i ofron. Brenda vetes sonë marrim përsipër të zbulojmë Statusin
tonë, ta zbërthejmë atë në të gjitha komponentët e tij, sikur marrim përsipër
ta edukojmë atë, e nëpërmjet atij, edhe veten tonë. Është sikur të kesh një
vetvete gjithnjë përballë vetes. Ku sigurisht roli ynë është tejet kompleks, për
vetë faktin e dualitetit të përmbajtjes: në të njëjtën kohë ne jemi krijuesit e
këtij statusi dhe në të njëjtën kohë, po ashtu, jemi zbatuesit.Përpiqemi, meqë
jemi brenda një besëlidhjeje, të
betohemi e përbetohemi ndaj besnikërisë me veten tonë, duke harruar kësisoj
faktin e thjeshtë që ne nuk mund të
betohemi! Ne thjesht mund të themi një fjalë, shumë fjalë…por jo betime.
Dhe nga ana tjetër po ne, nxitojmë t’i bëjmë
këto betime duke vulosur kësisoj, mungesën e vizioneve të qarta.Për sa kohë ne
bëjmë betime vetëm me veten tonë dhe për vete, ne e kemi mundësinë për të
ruajtur status quo-në e statusit tonë.
Por në momentin që këtë betim e adresojmë jashtë nesh, pra tek të tjerët -lexuesi,
në këtë rast ne e kemi prishur ekuilibrin e Statusit tonë. Që ne të jemi në
gjendje gjithmonë të vrojtojmë madhështinë e ekzistencës sonë është e domosdoshme
që të ruajmë Statusin, i cili për të gjithë ne, është qendra e besimit tonë
artistik. E dimë që në botën shpirtërore
gjithnjë kontakti ndodh në qendër, ndryshe nga bota fizike, e cila kontaktet e
saj i realizon përmes kufijve mes objekteve.(C.S.Lewis). Për këtë arsye mund të pohojmë se bota e artistëve e
shkrimtarëve, lidhet e takohet në zemër të këtij besimi (besimi tek fuqia e
artit dhe tek magjia e tij), të përbashkët. Kjo është përballuar me vështirësi
dhe do të ishte e pandershme nëse nuk do ta pranonim këtë fakt, por megjithatë
historia e letërsisë së përbotshme na tregon gjithnjë shembuj të mirëkuptimit të
ndërsjelltë, po edhe të bashkëpunimit.
Le të mendojmë për shembull, për rrugën që kemi përshkruar
deri më sot dhe le të argumentojmë pak vetëm çka lidhet me mendimin tonë, pa
harruar se kjo në vetvete është një objekt studimi tejet i gjerë e i
specializuar, por që nuk është synim i këtyre rradhëve. Ajo çka na bie në sy është
Statusi i Shkrimtarit si i veçantë. Në
secilën Epokë Historike që të ndalemi, shkrimtarët gjithnjë evidentohen si të
tillë, të veçantë, me një Status të
mirëpërcaktuar. Aq sa të gjithë e dimë që Epoka të caktuara historike,
evidentohen bukur shumë me emra të veçantë shkrimtarësh. Sigurisht që ky është
një argument, por do të thosha i jashtëm, sepse ne nuk e dimë me siguri sa
evidentohen këta shkrimtarë të epokave të ndryshme, në kohë të ndryshme, me Vetstatusin
e tyre? Cilat kanë qenë në të vërtetë dilemat, keqkuptimet, keqinterpretimet,
mosmarrëveshjet me veten? Përmes veprës së tyre ne vetëm mund të skicojmë
shtylla të së vërtetës, por në asnjë rast nuk do të mund të pretendonim se i
dimë të gjithë të vërtetat e beslidhjes
së tyre.Ne mund të ngazëllehemi kur fillojmë të zbulojmë disa nga këto të vërteta,
vetëm në çastin kur para nesh ndriçon qëllimi ynë, i cili padyshim, është i
nxitur për të përmbushur misionin tonë artistik. Për sa kohë Vetstatuset e këtyre
shkrimtarëve na shërbejnë ne sot, si një mjet, për të kuptuar më mirë vetpërmbushjen
e profecisë vetjake, (duke e vendosur veten jo rrallë, në kushtet e një
diskutimi imagjinar, me qëllim që po ne vetë, të arrijmë të luftojmë, ndoshta
me të njëjtat mjete e instrumente,- tundimet e vetes për superlavdi,) ne i mirëpresim ata. Në këto kushte, rruga më e
mirë është zgjedhja në mënyrë të vendosur, për hapjen tonë mentore e shpirtërore
me veten përmes dialogimit, po me veten, pa autocensurë, por përmes dashurisë së
ndërsjelltë. Kjo besoj që është e vetmja rrugë përmes të cilës ne kemi mundësi
të vështrojmë përpara, dhe më pas të shohim pikënisjen më të mirë për të
filluar, duke pohur besëlidhjen tonë. Po nëse vështrimi ynë ndalet aty dhe
imagjinata shkon përtej, do të jetë ajo që do të pushojë së menduari, para se
natyra të rreshtë të furnizojë me lëndë. (Paskal, po aty,)
Kjo vetpërcaktueshmëri e Statusit tonë, me të gjitha dilemat
dhe ngazëllimet e pritshme, në të vërtetë na përcakton ne në Statusin tonë.
Duke e realizuar një gjë të tillë ne jemi të gatshëm të krijojmë marrëdhëniet
me të tjerët, pra me lexuesin dhe administratën shtetërore.
Le të ndalemi shkurt në të dy aspektet:
Statusi ynë në asnjë rast nuk e përjashton lexuesin, sepse
tek e fundit ai është edhe një nga qëllimet
finale. Po lexuesi, le të themi, është kapriçoz. Nuk kënaqet lehtë. Mund të
shkrish gjithë jetën tënde, dhe prapë të mbetesh në periferi të vëzhgimit të
tij. Mund të shkruash mijëra faqe, e mund të botosh dhjetra vëllime, e përsëri
të mbetesh jashtë tij. Por mund të shkruash vetëm një varg, apo vetëm një
tregim apo roman, a dramë, e të mbetesh i ngulitur tek ai. Dhe kësisoj ai të referohet, e para, duke të të kujtuar me
perifrazime nga teksti yt, në jetën e përditshme, dhe e dyta duke krijuar në këtë
mënyrë bazamentin e trashigimisë së veprës. Është thënë e pranuar nga
studiuesit e letërsisë që lexuesi i ka disa kërkesa rigoroze prej të cilave përmend
sinqeritetin e shkrimit, sinqeritetin e ndjenjës, qëndrimin vizionar, dashurinë
që ti ushqen për të, dashurinë në përmasa edhe më të mëdha, ato që zakonisht ne
i emërtojmë primordiale, pra toka, vendlindja, atdhedashuria, humanizmi. Nëse
ai e ndjen se vepra i zotëron këto cilësi, të pranon. Ai në të tilla raste
pranon edhe shkrimtarë që në jetën e
tyre private apo politike kanë treguar qëndrime kundër qëndrimeve të lexuesit.
E kundërta ndodh kur ai e ndjen që teksti shkrimor është i ftohtë, cinik, pa
dashuri, jo i sinqertë, shërbyes i doktrinave politike diktatoriale, kur autori
kërkon pompozitet përmes asaj që lexuesi
e urren më së shumti- hipokrizisë. Në të tilla raste ai mund të marrë dy rrugë:
ose të tregohet indiferent dhe të të shpërfillë megjithë statusin tënd (që për
hir të së vërtetës, në një rast të tillë më shumë është një status i imponuar
mediatik), ose të zemërohet keqas me ty dhe të të sulmojë, pa të kursyer dhe pa
i zgjedhur mjetet. Po përgjithësisht, përvoja ka treguar që lexuesi ka zgjedhur
rrugën e parë, indiferentizmin. Heshtjen. Mospranimin. Sigurisht që një qëndrim
i tillë i tij prish ekuilibret e Statusit, sepse e bën lexuesin dyshues,
mosparanues dhe paragjykues. Ai ngre pikëpyetje për vërtetësinë e Statusit të
shkrimtarit, sepse atij i lëkunden shtyllat e Besimit, Moralit, Etikës. Kjo nga
ana tjetër, është e kuptueshme që e largon lexuesin. Dhe ky nuk është misioni i
shkrimtarit. Secili prej nesh ndien përgjegjësinë tmerruese, por njëkohësisht
mahnitëse të të qenit shkrimtar në besëlidhje,
duke qenë të bindur se duke qenë të tillë, do jemi në këtë mënyrë, edhe miq të
vërtetë të të tjerëve, pra lexuesit. Në këtë mënyrë, gjithashtu do të kemi mundësinë
të bëhemi njësh me të tjerët përmes shpirtit të vetë atyre. Dhe lexues të tillë
bota ka me miliona. Ata zotërojnë një thellësi të tillë shpirtërore sa janë në
gjendje në mënyrë mistike të të drejtojnë edhe ty në kërkimet e tua për qartësimin
e Vetstatusit.
Mendoj se ka edhe një aspekt që nuk duhet lënë pa përmendur
në favor të trajtesës sonë. Bën pjesë në një nga pikat themelore të misionit të
shkrimtarit: të bëjë sa më shumë lexues! Sipas qëndrimit tim, dy janë mënyrat përmes
të cilave ne e vemë Statusin tonë në shërbim të këtij qëllimi sublim e human:
Hapja e rrugës drejt veprave artistike përmes një mirëkuptimi
të parëlindur mes lexuesit dhe shkrimtarit. Por kjo nuk do të thotë që ta
imponosh atë. Ajo duhet ë vijë natyrshëm, sipas atyre mekanizmave që i cekëm më
lart në punim. Kjo besoj është rruga drejt qartësimit të ideve e qëndrimeve drejt arritjes e promovimit të paqes së vërtetë.
A s’kërkojnë shpirtrat njerëzorë pikërisht paqe? Dhe as e kemi ne për detyrë t’i afrojmë drejt
saj?
Dhe a nuk iu duket e drejtë që bashkëveprimi konstruktiv mes
shkrimtarit dhe lexuesit, jashtë hallkave shtetërore, është ai që arrihet duke
bashkuar së pari zemrat e pastaj mendjet?
Nuk do të thotë që lexuesin ne duhet ta trajtojmë si të huaj
dhe ta largojmë shpirtërisht e fizikisht nga ne dhe nga vepra jonë artistike.
Sepse kështu do bënim një ndarje mekanike duke e kategorizuar lexuesin si jodashamirës
e jopasues të Statusit tonë artistik. Nuk është kjo mënyra, sepse kështu shkatërrojmë
pa kthim, shpirtin artistik si të tij,
edhe tonin. Dashuria për të, lexuesin, mendoj se është çelësi i bashkëveprimit,
dialogut dhe reciprocitetit, edhe intelektual, edhe shpirtëror.
Kështu mbijeton Statusi edhe përkundër pengesave të hallkave
të ndryshme shtetërore. Në Shqipëri problemi qëndron në mungesën e njohjes së
Statusit të shkrimtarit nga instancat kulturore. Në kushtet e mosnjohjes,
indiferencës, injorimit nuk mund të flasim për kurrfarë strategjie shtetërore në
lidhje me ardhmërinë e shkrimtarëve dhe lexuesve. Dhe hallkat pasojnë njëra-tjetrën.
Kjo mungesë sjell në në një çoroditje të dyanshme: nga njëra anë vetë shkrimtarët
të cilët nuk e kanë të qartë pozicionin e tyre, por edhe kur e kanë, nuk iu shërben,
nga ana tjetër, lexuesi që edhe ai nuk e ka të qartë Statusin e shkrimtarit. Mëndjemadhësia
hierarkike shtetare është dëmi më i madh që i kanoset Statusit të shkrimtarit.
Kushdo mund të bëhet shkrimtar. Po, e vërtetë, potencialisht,
po. Po në kushtet e sotme thuhet që kushdo që paguan bëhet shkrimtar, duke bërë
në këtë mënyrë shërbimin më të dëmshëm në kulturë. Deformimi i Statusit në këtë
mënyrë nxit padyshim keqinformim, keqinterpretim, armiqësi.
Një shtet social dhe largpamës, me vizione të qarta edhe në
këtë drejtim, plason platforma
strategjike, afatgjata dhe afatshkurtëra, duke vlerësuar, pikërisht Statusin e
shkrimtarit si të tillë, në gjithë madhështinë e humanitetin e tij. Në të njëjtën
kohë ai e ka mundësinë të zhvillojë talentet, përmes koordinimit dhe menaxhimit
të vlerave të vërteta artistike.
Si përfundim, gjykimi i thelluar rreth Statusit mund të hapë
rrugë të reja për të gjithë ne. Hulumtimet serioze na çojnë padyshim në përfundime po aq serioze, në dobi ruajtjes dhe
zhvillimit të artit dhe letërsisë.
Unë jam e ndërgjegjshme deri në dhimbje për gjendjen aktuale
të shkrimtarit të sotëm në trojet shqiptare dhe e ndjej nevojën e hapjes së një
diskursi shkencor dhe mediatik në dobi të promovimit të artit dhe letërsisë.
Kumtesa eshte lexuar ne aktivitetin e "Drini poetik",ne Sesionin Shkencor te tij, organizuar nga LSHK- PRISHTINE, Kosove. Gjithashtu eshte botuar ne revisten Metafora, organ i kesaj LSHK-je. Qershor 2015, Prishtine.
Wow është mirë që të kthehesh me ish tim përsëri, faleminderit Dr. Ekpen për ndihmë, vetëm dua t'ju njoftoj se po e lexoni këtë post në rast se keni probleme me të dashurin tuaj dhe po çon në divorc dhe ju nuk bëni duan divorcin, Dr Ekpen është përgjigja për problemin tuaj. Ose ju jeni tashmë divorc dhe ju ende doni që ai / ajo kontaktoni Dr Ekpen spell caster tani në (ekpentemple@gmail.com) ose whatsapp atë në +2347050270218 dhe ju do të veshur ju bëri
ReplyDelete