BYTHËGUDULISURI


Paqja zotëronte në fundin e oborrit nga më të vjetrit në qytet, Ishte një fund oborri  që rrezatonte paqe, lumturi, dritë. Ishte i rrethuar me një rrjetë teli të tendosur mirë ku nuk mund të shihje asnjë të çarë. Duke përfshirë brenda tij edhe një fik të madh që kur vinte koha bënte ca kokrra që të shkriheshin vetë në gojë. Në fakt i gjithë oborri rrezatonte këtë mirësi gati-gati hyjnore, këtë paqe të shenjtë, që nuk e prishnin as të lehurat  pa kuptim dhe gjithë forcë mashkullore të qenve nëpër oborret e tjera edhe ato të paqta e gjithë dritë. As zënkat e përhershme të maceve e maçokëve që vetëm nxirrnin ca mjaullima të çjerra nuk e prishnin këtë paqe e dritë hyjnore. Në fund të oborrit me rrjetë teli qëndronin rëndë-rëndë ca pula të mëdha të kafta që i kishin marrë thjesht se ua  kishin lëvduar se bënin vezë. Po deri më atëherë ato vetëm suleshin si të marra drejt kokrrave të misrit dhe ishin gjithnjë të uritura, po vezë nuk kishin bërë, as edhe një kokërr të vetme për be. Po vinin rrotull për t’i therrur. Po kush do ta kryente atë akt në atë oborr të paqtë gjithë dritë hyjnore? Qëkur një nga pulat, në çastin që thika ia kishte ndarë kokën prej trupit të saj, dhe ajo kishte fluturuar ashtu, pa kokë, nëpër oborr dhe kishte arritur të kalonte edhe përtej tij, mbi avllitë e gurta e të larta që ndanin shtëpitë njëra nga tjetra. Kishte kapërcyer mbi oborrin e Nafarit, edhe mbi oborrin e Greidnibergëve, krejt në liri të plotë,  duke spërkatur me gjak të gjithë muret , ndërkohë që koka e mbetur përtokë  se ç'thoshte në gjuhën e saj prej pule, dhe përpëlitej e përpiqej të gjente trupin që kishte marrë arratinë përtej avllive. Sytë e saj të rrumbullaktë dhe si gjithnjë pa shprehje nuk ishin më të tillë. Ata pyesnin se ç'ndodhi me kokën dhe trupin e saj ashtu krejt papritur. Ishte e çuditshme që ajo pulë të kishte një shprehje në sytë e saj. E çuditshme dhe e frikshme. A s'na kishte mësuar pedagogu i psikologjisë në leksione se pula nuk ka psiqikë? Atëhere kishim qeshur me të madhe kur Etani e kishte pyetur Profesorin e nderuar në kishte gjeli psiqikë? Dhe që Profesori iu përgjigjej krejt seriozisht dhe filloi  të shpjegonte me hollësi se edhe gjeli nuk kishte psiqikë. Dhe kur Etani e kishte ngarë më tej talljen dhe kishte kërkuar nga Profesori i nderuar që të shpjegonte se si ishte e mundur atëhere që gjeli merrte cilën partnere të tij të seksit që donte dhe kur donte, dhe nëse bënte seks me të vërtetë një gjel, e pra nëse një gjel ndjehej vërtet gjel, e nëse e bënte, si ishte ky akt, me psiqikë apo pa psiqikë? Dhe që përsëri Profesori ynë i nderuar pa e kuptuar fare talljen, po duke e marrë krejt seriozisht i përhumbur nga studimet e veta psiqike për shpendët, mori përsëri të shpjegonte me hollësi e të jepte përgjigje të detajuara. Vetëm kur më shumë se gjysma e kursit të stundetëve kishte filluar të qeshte me të madhe mu në mes të leksionit, vetëm atëhere, profesori ynë i nderuar e kishte kuptuar që e gjitha kjo kishte qenë një tallje. Por i mirë prej natyre, nuk u hakmorr, kurse ne pas kësaj jo vetëm që nuk qeshëm më por na erdhi dhe keq për Profesorin e nderuar që në fushën e tij ishte i pari, por në jetën e përditshme nuk i kalonte caqet e një tuhafi të rëndomtë. Aq i hutuar ishte sa kishte ndodhur që kishte ardhur në leksion me bizhamat e natës nën pallton e tij të gjatë e të zezë. Ose jo rrallë kishte ndodhur që vishte çorape të ndryshme, për të mos folur për atë herën që e la në historinë e fakultetit, kur erdhi me këmishën e natës së gruas së tij nën xhaketën me kuadrate të mëdha bardh e zi. Atëhere ne vetëm qeshnim e talleshim pa e vrarë mendjen më gjatë dhe kështu do kishte mbetur përgjithmonë në kujtimet tona. Dhe me siguri që do të kujtohej gjithnjë në ato takimet që organizoheshin pas 10 vjetësh, 20 vjetësh, 30 vjetësh vetëm me këto tuafllëket e tij që tek e fundit nuk i bënin keq askujt.Vdiq shpejt duke i lënë studimet e tij përgjysëm dhe gruan e tij të re, të ve. Zërat thoshin se kishte vdekur nga marazi i tradhëtive të të shoqes. Gjithësesi iu bë një varrim dinjitoz dhe ne ish-studentët ishim të gjithë aty për ta nderuar Profesorin tonë  që vetëm në fund e kuptuam se e kishim dashur. Aty kishte qenë edhe gruaja e tij e bukur e rrethuar nga të afërmit e saj që përpiqeshin ta ngushëllonin dhe që ajo i priste ngushëllimet gjithë finesë e klas. Ishte me të vërtetë e bukur dhe nuk dukej shumë  e prekur. Mesa duket fjalët nuk kishin dalë kot dhe ajo me siguri  nuk e kishte dashur Profesorin e ngratë. Nejse këto kishin kaluar, dhe koha tregoi se Loreta e Bukur, gruaja e Profesorit tonë të psikologjisë nuk e zgjati shumë me zinë për të shoqin. Ajo u pa menjëherë të frekuentonte të njëjtët bare nate që kishte frekuentuar edhe më parë nën shoqërinë e shumë meshkujve që e dëshironin dhe e lakmonin. Trupin e saj e gjetën dikur të masakruar barbarisht në një nga kazanët e plehrave, kurse koka i ishte zhdukur.
-E paskan therrur keq, si një pulë-tha atëhere inspektori i zonës.
Megjithë përpjekjet e policisë dhe megjithë numrin e madh të të dyshuarve për këtë vrasje makabre, policia nuk arriti në asnjë përfundim dhe koka e Loretës së Bukur nuk u gjet. E varrosën trupin pa kokë, pranë të shoqit, pa shumë ceremoni. Në varrim nuk ishte kurrkush. Hija e vrasjes së tmerrshme dhe aludimet se përse mund ta kishin vrarë  kishin sjellë këtë braktisje prej të gjithëve. Askush prej dashnorëve të zjarrtë që ç'nuk kishin bërë për ta patur një natë ndënë vete, dhe që pastaj të nesërmen, në orarin e pushimit të drekës, kur të gjithë nëpunësit nxitonin të merrnin pak ushqim, të mburreshin me të madhe dhe të tregonin detaje nga seksi i një nate më parë, nuk i shkoi në varrim. I vetmi që mund të merrte pjesë në varrimin e saj dhe do të vdiste nga dhimbja përmbi arkivolin e drunjtë, kishte vdekur. Për më tepër, vdekja e saj i kishte bezdisur ish- dashnorët që tani u duhej t’u jepnin përgjigje edhe grave të tyre, sepse policia herë pas herë u kishte kërkuar dëshmi e fakte, dhe kjo, si për ta, ashtu dhe për gratë e tyre kishte qenë një makth i vërtetë. Koka e saj u gjet shumë vonë, vetëm atëhere kur kishin filluar punimet mes Ganei-Avivit dhe Lodsit të vjetër për ndërtimin e një blloku të madh banimi. Pranë shinave të trenit. Ai që e kishte groposur aty nuk e kishte ditur me siguri që dy pëllëmbë më andej kalonte kanalizimi kryesor i Tel-Avivit. E gjetën të mbështjellë me diçka që duhej të kishte qenë copë, të vendosur në një tavë të zakonshme gatimi, dhe rreth e rrotull të rrethuar me figurina zemrash në miniaturë, nga ato që shiten tek çdo shitës ambulant. Edhe njëherë shtypi vrapoi të mbushte faqet e para dhe të gjitha gjërat që ishin thënë edhe më parë të thuheshin edhe njëherë duke mos sjellë asnjë pistë të re në hetimet që misteri po i mbështillte gjithnjë e më shumë. E meqë askush nga të afërmit nuk ishte interesuar për të mësuar të vërtetën e vrasjes edhe policia e arkivoi çështjen. Askush nuk u mor me të dhe ngjarja u harrua. Nëpunësit e përkushtuar vazhduan të nxitojnë në vaktin e drekës dhe të bëjnë të njëjtat thashetheme për “ Loretën e Bukur” të rradhës. Pikërisht në këtë kohë pula e kotecit  të oborrit të paqtë e hyjnor, kishte fluturuar pa kokë deri mbi avllinë e katërt nga oborri i saj në të cilin ajo kishte hyrë një zogëz e parritur, e brishtë dhe plot ëndrra prej pule të mbushura plot cicërima zogjsh pushëverdhë. E kishte kaluar edhe oborrin e madh të Grednibergëve. Si kishte mundur?! Oborri  ishte aq i paqtë! Aq i pastër! Aq hyjnor! Gruaja dhe i shoqi i saj i ushqenin ato gjithë përkushtim dhe prisnin me durim një shpërblim të vogël, thjesht një kokërr vezë të freskët. Po ato si zonja të rënda nuk denjonin t’i gëzonin me një kokërr të vetme veze. Vetëm trashnin tulet e tyre prej pule, ndanin territorin mes njëra-tjetrës dhe e shkonin gjithë ditën duke ledhatuar puplat e tyre. Ishin vetëm 4.
-Po sikur t’i bëjmë tre, meqë treshi është numër me fat- tha një ditë gruaja e shtëpisë dhe pa e zgjatur kishte marrë thikën, më të madhen që kishte në guzhinën e saj, dhe i ishte avitur të parës prej tyre. Ato të mësuara me të që i pastronte përditë dhe po për ditë u hidhte për të ngrënë, nuk reaguan, kështuqë ajo nuk e pati të vështirë të mbërthente njërën prej tyre. Kakarisjet e saj çmendën krejt lagjen. Duart e gruas e kishin mbërthyer fort dhe ajo po përpiqej ta vinte nën këmbë, duke ia kapur krahët. Pula përpëlitej me të gjitha forcat e saj prej pule. Gruaja e çuditur nga forca e pulës e mblodhi se duhej të përdorte më shumë forcë. Ndaj e ngriti këmbën e saj dhe ia vuri me forcë pulës mbi kurriz dhe me dorën tjetër e kapi për qafe, e ktheu gjysëm nga vetja dhe për të qindtën e sekondës sytë e saj u ndeshën me sytë e rrumbullakët të pulës, që për çudi, kishin marrë një shprehje gati njerzore. Gruaja u çmerit. Por nuk e lëshoi.
-Le ta mbarojmë këtë punë. Çështë kështu? S’më ka ndodhur ndonjëherë më parë. Edhe më parë kam therrur, por si kjo jo! Çfarë ka kjo? Sikur nuk do ti dalë shpirti! Po pula a ka shpirt? - Thika e përshkoi me forcë qafën e përdredhur të pulës dhe koka ra tek këmbët e saj duke hedhur drejt e në fytyrën e gruas një rrëke gjaku të ngrohtë. Gruaja klithi e tmerruar, bëri mbrapa duke bërë ca lëvizje krejt si prej të çmendure dhe duke u përpjekur të heqë diçka që i ishte mbështjellë rreth krahut. Ulërinte e piksante aq shumë sa nuk ngeli njeri pa ardhur. Më në fund e hoqi atë gjë që s'kishte qenë gjë tjetër veçse qafa e përdredhur e pulës. E hutuar nga sytë e sumbullt të pulës ajo nuk e kishte vendosur mirë thikën dhe kështuqë qafa u përdrodh rreth krahut të saj duke çmendur jo vetëm atë vetë, që mallkonte çastin që kishte vendosur ta therrte atë pulë ogurzezë, por edhe të gjithë banorët e oborreve përreth. Ndërkohë e kishte lëshuar pulën e cila hovi përpjetë dhe ashtu pa kokë e mori oborrin mbarë, deri sa kërceu mbi avlli drejt e në oborrin e fqinjit. Kakaristjet e pulës dhe ulërimat e gruas kishin mbledhur rreth oborrit të shtëpisë të gjithë fqinjët të cilët sigurisht që nuk e aprovonin therrjen e pulës.
-Duhej ta kishte çuar tek kasapi, nëse duhej ta therrte, pastaj gjithë këto pula kujt i duhen? - vërejti Nafari
Të gjithë në atë shtëpi atëhere e interpretuan si një shenjë ogurkeqe. Bile disa nga fqinjët , përfshirë edhe Nafarin,e cila njihej si një cmirëzezë.
-Çoç u duket se kanë një oborr me dritë, të pastër dhe të paqtë, sikur ne s'kemi!-thoshte herë pas here nëpër fqinjë kur i takonte. -Nuk e duroj dot që janë kaq të mbarë, nuk kanë një derë fatkeqësie ata? Dhe dihej që ajo bënte edhe magji. Gruaja e shtëpisë ruhej shumë prej saj, se e dinte që kishte një gojë të keqe. Por atë ditë të jashtzakonshme, kur lagjia ende nuk i kishte mbledhur kockat prej zallamahisë së vrasjes të Loretës së Bukur, edhe Nafari u bashkua me ata që iu sugjeruan që ti hiqnin fare pulat sepse një tersllëk i madh po i avitej shtëpisë së tyre. Bile disa shkuan edhe më tej duke i bashkuar të dyja ngjarjet e panë si një shenjë ogurzezë për të gjithë lagjen e tyre të vjetër, por të paqtë. Ishte zona më e preferuar e Tel-Avivit, lakmohej sidomos për qetësinë dhe atë dritë gati hyjnore që përçonte. Kështuqë të gjithë banorët ranë dakort që  kjo mirësi që vinte nga Zoti duhej mbrojtur dhe atyre nuk do t’u kushtonte pothuaj asgjë po t’i hiqnin ato pula ogurzeza.
- As e pësoi Loreta e Bukur? Me siguri prej pulave dhe psiqikës së tyre e pësoi - vërejti Nafari.
- A se morën me vete edhe Profesorin ato pula? - mbështeti plaku Greidenberg - Ju mund të thoni çfarë të doni, po për mua që të dyve atyre ua hëngrën kokat pulat.
-E si paska qenë e mundur kjo? - tha një nga fqinjët e pranishëm
-Ti mendon se ka gjëra të pamundura? E ke shumë gabim çdo gjë mund të ndodhë. Përderisa rruga u hap për Moisiun, përse të mos ndodhin ato që ne i mendojmë si të pamundura?
-Sepse vërtet ka gjëra të pamundura - këmbënguli fqinji
-Ti, i nderuar zotëri, nuk kupton. Po e përsëris, ka shumë gjëra të fshehta në këtë botë të cilat janë aty pranë e rreth nesh, por ne jemi shumë mendjeshkurtër dhe ç'është më e keqja, ne nuk përpiqemi të kuptojmë thelbin e të gjitha ngjarjeve dhe të të thënave të lashta. Secila prej tyre e ka një mesazh me vete për ne. Por ne i anashkalojmë ato, sepse na pëlqen më shumë të jetojmë sipas jetës, dhe nuk duam të jetojmë sipas mendjes.
- Kuptuat të nderuar zotërinj, mos e zgjatni por hiqini ato pula prej këtu - foli Greidenbergu.
-Po s’i hoqët ju, do t’i heq unë me duart e mia - mbështeti Nafari - Boll fatkeqësi kemi kaluar. Nuk duam më. Duam që ditët që na kanë mbetur ti kalojmë në qetësi, larg tmerreve të luftës.
-Shkojmë, zotërinjtë e kuptuan. Kjo ishte e tepërt pas asaj që i ndodhi Loretës së Bukur, eh!
-Po ne nuk duam t’i heqim pulat, i duam ato, jemi kujdesur për to përditë – tha papritur Gruaja që ende ishte e përlyer gjithë gjak pule. –Të gjitha do t’i rregullojmë dhe oborri ynë do jetë përsëri po aq i paqtë, sa ishte më parë.
-Zoti të çoi një shenjë, moj grua, dhe nuk është mirë të anashkalosh shenjat e Tij. Sepse nëse ndodh kështu, fatkeqësitë nuk do kenë të rreshtur. Nëse juve ju është shkallmuar truri, neve jo. Doni a s'doni ju, ato pula duhet të hiqen - foli plaku Greidenberg.
-Dhe ne një shenjë po prisnim, një kokërr të vetme veze. Po këto pula nuk na bënë dhe unë mendova se meqë janë katër, t’i bëj tre meqë treshi është numër me fat, po ja se ç’ndodhi!...
-Na kanë thënë se kur pulat do të fillojnë të bëjnë vezë, Gruaja ime do të bjerë me barrë. Ju e dini, kemi kaq shumë vite martuar dhe nuk kemi fëmijë, po ç'e do jetën pa ta? Për kë punoj unë? Për kë lutem unë? Kujt do t'ia mësoj lutjet dhe përkushtimin, nëse zërat e tyre nuk e mbushin këtë oborr që edhe pse i paqtë, i pastër, me një dritë gati hyjnore, prapë i zbrazët? - foli Burri me zërin e tij të zvargët
Gruaja kishte lëshuar krahët krejt si e zënë në faj. E kishte pisk, fajtore para fqinjëve, por edhe nëse i detyronin t’i hiqnin pulat, fajtore edhe para burrit që nuk kishte mundur t’i jepte një fëmijë, një fëmijë të vetëm. Dhe e dinte që ai këtë nuk do t'ia falte kurrë. Në këtë rast, për të, më mirë do të ishte të vdiste, se sa të rronte dhe të shihte përbuzjen që do i përplasej çdo ditë në fytyrë si shuplakë ndëshkimi. Sytë e Nafarit shkrepëtitën.Po dëgjonte atë  që kishte kërkuar të dëgjonte prej kaq kohësh. E pra, edhe oborri i paqtë nuk na paskësh qenë krejt i paqtë dhe me dritë gati hyjnore. Dhe ata të dy që hiqeshin aq të përkorë dhe me të gjitha punët e njeriut dhe të Zotit në rregull, nuk ishin asgjëkundi. Më keq akoma ishin në një luftë të egër që do t’i gërryente pak e nga pak, si uji që gërryen gurin, për këtë Nafari nuk kishte pikë dyshimi. Nuk e përmbajti një qeshje ironike në cepat e buzëve të saj të holla.
-Ju lutem, na lini ta rregullojmë këtë punë, nuk do t’ju shqetësojmë më, edhe për ne është një shenjë, na lini të kuptojmë se çfarë na kërkohet me të vëretë-foli Burri
-E po, mirë, po iu lemë njëfarë kohe t’i zgjidhni punët tuaja- mërmëriti plaku Greidenberg. Ai nuk e kishte të drejtën t’u bënte keq atyre. Nafari u nxi nga inati. Për të kjo ishte një çështje që duhej mbyllur po atë ditë. Po nuk guxoi të kundërshtonte plakun Greidenberg. Gruaja vazhdonte të rrinte me krahë të lëshuara, krejt e mpirë nga tmerri, turpi, inati e tërbimi. 
- "Sikur nuk di unë si bëhen fëmijët!"
 I kishte provuar të gjitha ç'kishte dëgjuar, por fëmijë nuk kishte. Të më pyesin mua fajin nuk e kam as unë, as pulat me gjithë vezë, por e ka ai, flashkaxhiu, im shoq. Dhe iu luta babait të mos ma jepte. Por ai i shkreti lakmoi shtëpinë dhe pasurinë dhe mendoi se vajza e tij do të ishte rehat. Rehatzeza! I shoqi nuk ishte për gjë. Shyqyr që kishte trashëguar një pasuri të mirë dhe nuk i duhej të punonte për bukën e gojës. Rrinte gjithë ditën mbi libra, por kurrë nuk fliste për to dhe me askënd. Ishte vetmitar, nuk kishte shokë, nuk merrej me asgjë, sigurisht, veç librave. Po ai kurrë nuk fliste për to. E përse i duheshin  nëse nuk fliste për to, në mos me të, me kolegët e vet, apo me dikë? Shtëpia mbahej vetëm në sajë të kujdesit dhe punës së saj. Nga mëngjesi në mbrëmje, çdo ditë, pa pushuar kurrë, veç ditëve të festave që ata i festonin gjithnjë. Por pastaj hiç. Një hiç i madh! Darkave, pasi ajo kishte shtruar dhe ngritur tavolinën dhe kishte larë e pastruar enët e darkës dhe çdo gjë e kishte vendosur në vendin e vet, qëndronin të dy pa fjalë, secili në kolltukun e vet. Ai përsëri me një libër në dorë. Ajo pa asgjë, thjesht duke pritur që ai ta linte më në fund librin dhe të kujtohej se ajo ishte aty e gatshme për t’i dhuruar kënaqësinë që pret çdo burrë nga gruaja e tij. Por ai indiferent vazhdonte i përhumbur në kënaqësinë e leximit. Rrallë, tepër rrallë seksi i tyre ishte si një kopje letre e lagur nga shiu e atij, seksit të vërtetë. Një zvragëtirë që sillte një boshësi brenda saj, një boshësi që nuk mund ta mbushte më me asgjë. Kishte çaste kur ajo as që nuk mund ta prekte trupin e tij, kaq shumë krupë kishte filluar ti ngjallte ai me gjithë librat e tij dhe me trupin e tij si brumë flete libri. Por shpresa se një ditë mund të gëzohej me një fëmijë e shtynte të bënte seks. Por në brendësi te vetes së saj ishte bindur se në atë mënyrë se si bënin seks ata, ai fëmijë nuk do të vinte kurrë. As njëri dhe as tjetri nuk jepej, nuk ndjenin, thjesht zhgarraviteshin në shtrat. Bile, shpesh e më shpesh u ndodhte që edhe çarçafi as që lëvizte fare nga vendi, sikur mbi të bënin dashuri hije dhe jo ata të dy - burrë e grua!
- Kur të mbaroj së pastruari dua të shkoj në shtëpi, tek im atë - kaq i tha atij dhe nxitoi të pastronte gjithë atë katrahurë pasditeje. 
Nxitoi të mbaronte punë me ditë. I shkuan kërbishtet skiç nga lodhja, krejt punën e bëri vetëm, zaten si gjithmonë. Pa shkëmbyer as edhe një fjalë të vetme, ajo dikur ra si e vdekur në shtrat, pasi kishte bërë gati edhe çantën për të nesërmen. I ati jetonte larg, diku në veri, gati në kufi. Do i duhej të udhëtonte gjithë ditën. Por asaj i duhej të shkonte patjetër. Në fakt kur qafa e pulës i ishte përdredhur rreth krahut seç pati një këputje përbrenda vetes dhe menjëherë mendoi për të atin, që shtynte ditët e pleqërisë së thellë. Diçka do kishte ndodhur, ose do të ndodhte. Por pas asaj që kishte bërë i shoqi, ajo preferoi që këtë ndjesi ta mbante krejt për vete. Pa shkëmbyer as edhe një fjalë doli nga dera e shtëpisë. Nuk mund t'ia falte atij që problemin më intim të sajin, ai e bëri publik, pa e vrarë mendjen fare se sa shumë e fyente atë dhe veten e tij para atyre të panjohurve. I kishte shkruar një pusullë ku e njoftonte se do të rrinte një javë tek të vetët. Kaq. As edhe një fjalë më shumë. Të nesërmen u nis që pa gdhirë. Nuk e kishin gënjyer parandjenjat. Të atin e gjeti në çastet e fundit, arriti t'ia marrë dorën e plakur ndër pëllëmbë dhe të shiheshin për ca çaste në sy. Kaq. Iku i qetë. I bënë një varrim të thjeshtë. Nuk deshi të lajmëronte Burrin. Krupa që kishte filluar të ndjente për të i kalonte të gjitha kufijtë, i dukej sikur prania e tij do ta përdhoste atë varrim dhe trupi i tij i flashkët do të ndehej mbi fshat duke flashkëritur çdo gjë. Ndejti vetëm tre ditë. Nuk kishte më arsye. Nuk kishte njeri dhe moshataret e saja të gjitha ishin larguar prej andej drejt qendrave të mëdha të banimit ose kishin vdekur. I hodhi edhe një vështrim shtëpisë që kishte filluar të rrënohej dhe iku me një sëmbim të fortë në zemër. Nuk e ndante dot mendjen prej asaj që kishte ndodhur. E mundonte ideja se e gjitha kjo mund të ishte një shenjë, por çfarë shenje ishte? 
Kur të mbërrinte në Tel –Aviv do të ndalonte në një sinagogë dhe do të pyeste një Rabin. Por edhe nuk donte më të pyeste, edhe ata nuk kishin ditur t’i japin përgjigje  dëshirës së saj për një fëmijë. Nganjëherë i dukej se ishte në gjokset e dy burrave njëkohësisht, dhe asnjëri nuk ishte i saji. Njëri që e ftonte drejt një foshnjeje buçkane dhe tjetri që e ftonte në faje, që ajo nuk donte t’i bënte. Për të, të gjitha këto ishin shenja të qarta se diçka vërtitej mbi kokën e saj dhe  shtëpisë së saj, por ajo nuk e dinte kuptimin dhe as që i zbërthente dot kuptimet e fshehta të tyre. 
Përse  duhej ti shfaqej Loreta e Bukur pa kokë dhe me një gisht të ngritur lart, e ti bënte shenjë të shihte atje ku ajo shihte? Po me çfarë shihte ajo, kur kokën s’e kishte me vete? Apo ata të përtejbotës kanë rregulla të tjera që ne nuk i njohim dhe nuk kemi të drejtë t’i njohim. Njëherë iu duk se ajo e kishte gishtin të drejtuar drejt një figure që asaj i vinte si e njohur. Po, po i tregonte Profesorin. Po ç'kuptim kishte e gjitha kjo, dhe përse ajo duhej të jetonte me ankthin e së vdekurës? Ajo as që e njihte atë, thjesht kishte dëgjuar ngjarjen kur ajo kishte ndodhur. As Profesorin e psikologjisë nuk e njihte, megjithëse ishin gati fqinjë. Ata kishin banuar në hyrje të rrugës ku ata banonin. Vetëm me një ndryshim, shtëpia e tyre nuk kishte oborr. Dhe ç'kuptim kishin fjalët e plakut Greidenberg se ata i hëngrën pulat megjithë psiqikën e tyre? Mos edhe atë do ta hanin pulat me atë psiqikën? Po ç'ishte kjo? Ndoshta Burri e dinte, aq shumë sa lexonte ai, patjetër që duhej ta dinte, por ai nuk denjonte të fliste. Por edhe ajo nuk pyeste. Deri atë ditë nuk kishte asnjë përgjigje. I kishte dhënë karar që këto vegime t’i mbante vetëm për vete. 
Kështu udhëtoi deri në Tel-Aviv. Nuk ndali në asnjë sinagogë siç e kishte menduar në fillim të udhëtimit, por shkoi drejt e në shtëpi. Ishte e bindur që pulat ishin lënë pa ngrënë. 
Hapi derën dhe me të vërtetë ato ishin aty, të uritura. La çantën në një cep të oborrit të paqtë, me dritë gati hyjnore dhe iu gëzua faktit që falë punës së saj gjithçka ishte kthyer si më parë. Oborri shkëlqente si njëherë e një kohë. Dhe pulat ishin aty. Pasi u hodhi ushqim u ul edhe vetë pranë tyre dhe filloi t’i shohë me kujdes siç nuk i kishte parë kurrë më parë. Po kërkonte psiqikën. Po nëse arrinte dhe e shihte mos kjo do ta vriste, siç kishte vrarë edhe Loretën e Bukur dhe kishte çuar në varr para kohe edhe Profesorin e psikologjisë? Ishte përqëndruar aq shumë, sa nuk e vuri re se koha kishte shkuar dhe muzgu po shtrinte krahët e tij të butë duke marrë me përkëdhelje çdo cep të oborrit, pulat dhe atë vetë. Mendoi se natën do e kishte të kotë të kërkonte psiqikën, me siguri nuk do të dukej në errësirë. 
-Nesër që me mëngjes! - i tha vetes dhe pasi hoqi këpucët e hyri  brenda. Dyert e dhomave ishin të hapura. Në dritë -  hijet e muzgut iu duk se në shtëpi nuk ishte vetëm. Po, në dhomën e tyre të ndenjes Burri i saj nuk ishte vetëm dhe po bënte dashuri ashtu sikur me të nuk kishte bërë kurrë. Ata kurrë nuk kishin bërë dashuri në dhomën e ndenjes, për të mos përdhosur besimin dhe bashkëshortësinë. Gjithmonë vetëm në shtrat, gjithmonë natën, pothuaj gjithnjë në errësirë. Dukej krejt i transformuar. Ai trupi i tij i flashkët papritur ishte bërë i lidhur, i fortë, i shkathët. Me krahët e tij të gjatë kishte mbështjellë trupin tjetër pranë vetes dhe po e puthte në qafë, nga pas. Ajo qëndroi. Nuk dinte se çfarë të bënte. Nuk kishte rëndësi edhe sikur të dinte të bënte diçka në ato çaste. Dukej një tip e gjatë, bjonde që flokët i kishte lidhur prapa bishtalec. Ajo vazhdoi të qëndrojë në pragun e derës me kokën rrëmujë nga mendimet prej të cilëve nuk dinte kë të merrte më parë. Burri i saj po qeshte! A s'kishte qenë ai që i kishte thënë se ishte turp të qeshje në shtrat ndërkohë që bën dashuri? Edhe sikur të gudulisesh, një burrë i vërtetë duhej ta duronte dhe të mos e lejonte një gjë të tillë. Ai ishte gjeli, ajo pula. Përndryshe edhe ai bëhej një pulë dhe aq…! Ishin të qeshurat e dikujt që guduliset, dhe fort bile. Ishin klithma kënaqësie e përkëdheljeje që i vinin me të vërtetë nga të gudulisurat e trupit tjetër. Pasi u përqafuan edhe njëherë fort, u puthën gjatë, e u përkëdhelën gjithë afsh u ngritën. Ajo ngriu për së gjalli. Burri i saj ishte me një mashkull dhe ishte ky që e kishte transformuar  dhe që qeshte me të gudulisurën e tij të papërmbajtshme, që vetëm ai e dinte se nga ia nxirrte.
-Shenjat…shenjat…Loreta e Bukur…Pulat e mia…Fëmija im…Vdekje…Psiqika…Ah, kjo qenka psiqika, oh, pula ime pa kokë si Loreta e Bukur…ah, ti, flashkanjos, bythëgudulisur …! – ra e plandosur në tokë pa mundur të marrë më frymë.E varrosën të nesërmen fqinjët e saj. Burri nuk ishte në varrim. Ishte zhdukur. Zërat me gojën e Nafarit thanë që ai ishte një bythëgudulisur dhe kishte shkuar në qymezin e vet.
Nga vellimi me tregime "Dry me qera"

Comments

ME TE LEXUARAT

GJINKALLA DHE MILINGONA

KRITIKЁ MBI NJЁ PARATHЁNIE

SONTE HARRUAM TЁ BЁJMЁ DASHURI

Poezi nga vellimi "Paqe pa profet", 2012

AINSHTAJNI , ZGJEDHJET SHQIPTARE DHE MENÇURIA IZRAELITE

BIOGRAPHY

Mimoza Erebara was born on 8th March 1963 in Tirana.

She attended and graduated in the University of Tirana ;the Faculty of History-Filology in the profile of albanian language and literature.

After graduation ,she worked for a long time as a journalist and a redactor in "Zëri i rinisë"and "Republika"journals ,in "Zani i Atdheut"radio and also in tv studios such as"Victoria"-Detroit USA,"Lira","Phoenix"etc.

She has been a collaborator with a lot of albanian medias and abroad.

She has already won many international and national prizes.She is honoured with the name of "Peace Ambassador".

Her relation with literature has started early ,publishing time after time in different periodic magazines of the time.

She is the author of:

To give company to a hope"poetry -1993

"Love cry"poetry-1996

"The adventures of 10×10 and the upside down Munuriro" novel-fairy tale-1996

"Mistakenly in love"stories,-1997

"Torn reason"poetry-1998

"Wrongeyed"original fairy tales-1999

"Hired lock"stories-2010

"Peace without a profet",poetry-2012,

He and She,love messages,poetry-2015

"Shalom my tear"poetry-2017

"Soul in the desert"

Antology of hebraic poetry,-poetry -2019