KËRMILLI MBRET


Na ishte njëherë një mbretëri pa mbret. Mbreti kishte kohë që kishte vdekur dhe Princi nuk po kthehej ende nga udhëtimet e tij.Njerëzit ishin të shqetësuar dhe të mërzitur. Pranë mbretërisë së tyre shtriheshin tokat e Mbretit të Zi, i cili mëse njëherë kishte dashur t’i bënte të vetat edhe tokat e Mbretërisë së Diellit. Prandaj, si mund të rrinin pa Mbret? U nisën lajmëtarët në të gjitha anët e mbretërive për të gjetur Princin. U kthyen pas ca kohësh, por pa e gjetur. Vetëm njëri nuk po vinte.  Kaluan shumë kohë, aq sa e kujtuan edhe Princin edhe Lajmëtarin të humbur përgjithmonë.
Kur, një ditë, një re pluhuri u duk nëpër fushën poshtë kështjellës. Ishte Lajmëtari i fundit. I pangrënë, i rreckosur, i mbuluar nga pluhuri i rrugës aq sa mezi i hapte sytë. Turma e njerëzve i doli përpara për të marë lajmin që sillte ai
-E gjeta Princin…! U nis menjëhërë pas meje…- tha ai dhe ra pa ndjenja në tokë.
Kaluan edhe shumë ditë të tjera. Njërëzit po përgatiteshin për ta pritur Princin sa më mirë. Nxorën stolitë më të bukura, vajzat veshën fustanet më të ndritshme, luftëtarët armët më të shkëlqyera, gratë lulet më erëkëndshme. Shtruan sallat e pallatit, spërkatën çdo gjë me parfumet më të shtrenjta, nxorën verën më të mirë, mishin më të njomë…
Do të vinte Princi! Kushedi sa do të ishte rritur e burrëruar! Kushedi sa i bukur do të ishte bërë!
Vajzat ëndërronin dhe secila ndjehej e lumtur kur mendonte se ndoshta do të kishte fatin të flisnin me të!... Të bukurat zbukuroheshin edhe më, ato më pak të bukurat lezetoheshin. Pleqtë fërkonin mjekrat nga kënaqësia. Ditë të bukura i prisnin! Mbretëria nuk do të zhdukej- po vinte Princi! Më në fund të gjitha përgatitjet morën fund, gratë s’kishin më ç’të lanin- gjithçka shkëlqente e shndriste. U shtrua edhe rruga nga Porta e Madhe e Kështjellës, te Pallati, me sixhadenë e shtrenjtë të ceremonive të veçanta. U hapën dyert e Kështjellës. Grupe luftëtarësh mbi  kuaj kalëronin nëpër mbretëri për të pritur Princin.
Askush nuk e vuri re atë kur erdhi dhe nga erdhi. Veçse u çuditën shumë kur e panë tek po rrëshqiste nëpër sixhade dhe akoma më shumë u çuditën kur vunë re që ai sa më shumë i afrohej Pallatit aq më shumë rritej e zmadhohej, aq  shumë i zmadhohej guacka, aq shumë i rriteshin brirëthit, rritej kështu i tëri. Një nga luftëtarët zgjati ushtën e tij për ta goditur, për t’ia thyer guackën, për ta shkelur të tërin vetë, por ushta e tij u thye si të ishte një fije bari dhe vetë luftëtari  u përplas tutje.
-Largojuni atij, ai është i magjepsur!- tha një nga pleqtë.
çast njerëzit iu larguan atij, u mblodhën e u ngjeshën me njëri-tjetrin dhe të çuditur po prisnin se çdo të ndodhte. Kërmilli, se s’ishte tjetër gjë veçse një kërmill, u rrit aq sa mundi të qëndronte në fron. Nxori kokën me brirë që nga guacka, vuri kurorën si një triumfator, vështroi turmën e çoroditur e të trembur nën këmbët e tij. Njerëzit kishin heshtur.
Nga ai trup butaku për çudi doli një zë i qartë dhe i fortë:
-O njerëz! Dëgjoni! Unë jam Princi! Që sot e tutje mbreti juaj do të jem unë! Nga ju kërkoj vetëm bindje, bindje të plotë. Siç e shihni unë jam shndërruar në kërmill. Është hera e parë që në fronin mbretëror ulet një kërmill. Askush nuk do të ketë më të drejtë të shkelë, qoftë edhe pa dashje kërmijtë. Princin me pamjen e njeriut mos e prisni më! Princ e Mbret që sot e tutje jam unë! Ata që s’do t’i binden urdhrave të mi, do të dënohen, siç do të dënohen disa nga ju që tani. Të dalin këtu përpara oborrtarët!
Njerëzit nuk lëvizën fare.
-Mos ta përsëris urdhërin!
Dolën oborrtarët dhe të trembur po prisnin se çdo të ndodhte.
-Dua të më sillni përnjëherë të gjithë dijetarët e mbretërisë. Sa më shpejt, aq më mirë për ju!
Oborrtarët u shpërndanë pa pipëtitur fare dhe filluan të sjellin para mbretit të ri shkencëtarët e filozofët më të mirë të mbretërisë.
-Xhelatët a janë gati? Hiqini ato lule, ç’duhen ato? Hidhini tej!
Lulet u shkulën që të gjitha dhe sheshi u shkretua.
-ç’janë gjithë ato stoli? Derdheni verën! Hidhini mishrat! Po këto armë përse i mbani nëpër duar, tutje edhe ato!
Vera u derdh lumë, mishi iu hodh qenve, burrat dorëzuan armët, gratë hoqën të gjitha stolitë e tyre.
-Më sillni këtu vajzat më të bukura, dua t’i shoh!
Vajzat i shprishën flokët, ngjyen fytyrën me blozë, e u veshën me rrecka. Asnjëra prej tyre nuk desh të quhej vajza më e bukur. Vendi u trishtua, gjithçka u bë e zymtë. Lule s’kishte më, zogjtë ikën larg, dielli u fsheh, vetëm re të rënda gri rëndonin mbi kështjellë. Pleqtë u plakën njëmijë vjet, u kërrusën dhe nuk deshën të flisnin më. Gratë gjatë gjithë kohës rrinin kot, se nuk u lejohej më as të lanin, as të pastronin, as të stoliseshin për vete dhe as për shtëpinë. Fëmijët u mbyllën brenda. Jashtë tani ishte rrezik të luaje. Rrugët ishin mbushur plot kërmij të ardhur nga fushat në të katër anët e mbretërisë dhe po të dilje s’mund të shpëtoje pa ndeshur në ndonjë, apo tufa të tëra. Rrezik të shtypje ndonjë. Faj ky që dënohej me vdekje. Njerëzit qanin në heshtje, qanin për Mbretin e vdekur dhe për shndërrimin kobzi të Princit. Pallati ishte mbushur me kërmij. Ata zvarriteshin kudo dhe s’kishin lënë vend pa jargavitur. Kur u hahej niseshin grumbuj-grumbuj në lëndinat e mbjella me bar. E hanin të gjithin dhe të nesërmen donin bar të ri. Kopshtarët mezi e siguronin atë, përndryshe u ikte koka. Si t’ia bënin? Gjendja sa vinte e rëndohej. Kështu nuk mund të jetohej. Luftëtarët nuk kishin më armë. Të gjithë ata që  kishin provuar ta vrisnin nuk ia kishin dalë dot, aq më tepër që ai kishte vrarë të gjithë dijetarët dhe luftëtarët më trima i kishte mbylllur në qelitë më të errta të kështjellës. Dikur i ishte drejtuar popullit me këto fjalë:
-Sot është dita e mbretërimit të kërmijve. Kemi shekuj o njerëz, që na keni shkelur, thyer, që na keni përçmuar. Sot është dita jonë. Edhe ne ju urrejmë për vdekje, ndaj do t’ju shkelim, do t’ju vrasim pa kursim!
Mbretërisë po i vinte fundi, s’kishte më gaz, s’kishte  më këngë, po vetëm vaj e kujë.
-Princi është gjallë! Dhe është nisur për të ardhur. Një bukuroshe i ka zënë rrugën dhe po e vonon. Por do të vijë! Mbreti që na sundon nuk është Princi ynë, por një kërmill… -kishte thënë orakulli dhe për këtë e varën.
Por …njerëzit e besuan. Kur do të vinte? Edhe sa do të duronin?
Ajo ditë ishte më e trishtuara nga të gjitha. Kërmilli u kishte thënë xhelatëve të tij të varnin Djaloshin Zëëmbël, sepse e kishin dëgjuar të këndonte këngë për kohërat arta kur dielli përkëdhelte pa kursim tokat e mbretërisë dhe njerëzit i gëzoheshin atij. I gjithë populli kishte dalë në shesh dhe vetëm qanin për Djaloshin të cilin që të gjithë e deshnin.
Kur, papritur, kur të gjithë po mbanin frymën dhe vetë Djaloshi po mbushej me frymë për herë të fundit, një re pluhuri u duk. Kush të ishte vallë? Nuk shquhej ende gjë, kalorësit ishin tepër larg.
-Po vjen Princi, po vjen Princi!...- u ngrit si një pëshpërimë nga njerëzit dhe pastaj u  kthye në një klithmë gëzimi. Kërmijtë me të dëgjuar këtë zhurmë të hareshme që mbuloi sheshin e ekzekutimeve dhe pastaj gjithë mbretërinë, filluan të kërkonin vrima të errta për t’u fshehur. Vetëm Kërmilli Mbret vazhdoi të qëndronte në fron pa lëvizur.
Dhe vërtet, pas pak kalorësi filloi të shquhej. Ishte Princi dhe bashkë me të edhe një vajzë e bukur perri, aq e bukur sa edhe vetë E Bukura e Dheut do ta kishte zili. Fytyrat e njerëzve rrëzëllinin prej gëzimit. Retë u larguan si me magji. Doli Dielli. Fushat ndritën. Gratë dhe vajzat fshinë lotët, u krehën e u stolisën, rrugët u fshinë, pleqtë tundën kokat e rënduara nga vitet, fëmijët luajtën në rrugë pa frikë. U shtruan sixhadetë e shtrenjta, luftëtarët rrëmbyen armët, qelitë e kështjellës mbetën bosh.
Kërmilli Mbret vazhdonte tq qëndronte në fron. Në fillim iu zvogëluan brirët, kurora i ra dhe duke u rrokullisur qëndroi tek këmbët e një fëmije:
-Shikoni, shikoni!- bërtiti ai- Kërmilli po zvogëlohet!
Të gjithë u kthyen për ta parë. Ashtu ishte vërtet. Kërmilli po tkurrej me të shpejtë, iu zvogëlua koka, pastaj guacka, brirët dhe erdh’ e u bë aq i vogël sa nuk dukej më në fronin mbretëror. Po në atë çast aty në shesh mbërriti Princi dhe askush nuk u kujtua më as për kërmillin, dhe as për kërmijtë e tjerë. Njerëzit nxituan të venë në vend kohën e humbur. Kurse kërmijtë që nga ajo kohë vazhdojnë të jetojnë nëpër vrima e plasa muresh, të mykyra e plot lageshtirë.


Marre nga vellimi me perralla "Symbrapshti"- Tirane, 1999

Comments

  1. Dr.Agbazara është një njeri i mrekullueshëm, ky mjek më ndihmon ta sjell përsëri dashurin tim Jenny Williams, i cili u prish me mua 2 vjet më parë me hedhjen e magjisë së tij të fuqishme dhe sot ajo është kthyer tek unë kështu që nëse keni nevojë për ndihmë, kontaktoni atë me email: ( agbazara@gmail.com ) ose telefononi / WhatsApp +2348104102662. Dhe zgjidh problemin tuaj si unë.

    ReplyDelete

Post a Comment

ME TE LEXUARAT

GJINKALLA DHE MILINGONA

KRITIKЁ MBI NJЁ PARATHЁNIE

SONTE HARRUAM TЁ BЁJMЁ DASHURI

Poezi nga vellimi "Paqe pa profet", 2012

AINSHTAJNI , ZGJEDHJET SHQIPTARE DHE MENÇURIA IZRAELITE

BIOGRAPHY

Mimoza Erebara was born on 8th March 1963 in Tirana.

She attended and graduated in the University of Tirana ;the Faculty of History-Filology in the profile of albanian language and literature.

After graduation ,she worked for a long time as a journalist and a redactor in "Zëri i rinisë"and "Republika"journals ,in "Zani i Atdheut"radio and also in tv studios such as"Victoria"-Detroit USA,"Lira","Phoenix"etc.

She has been a collaborator with a lot of albanian medias and abroad.

She has already won many international and national prizes.She is honoured with the name of "Peace Ambassador".

Her relation with literature has started early ,publishing time after time in different periodic magazines of the time.

She is the author of:

To give company to a hope"poetry -1993

"Love cry"poetry-1996

"The adventures of 10×10 and the upside down Munuriro" novel-fairy tale-1996

"Mistakenly in love"stories,-1997

"Torn reason"poetry-1998

"Wrongeyed"original fairy tales-1999

"Hired lock"stories-2010

"Peace without a profet",poetry-2012,

He and She,love messages,poetry-2015

"Shalom my tear"poetry-2017

"Soul in the desert"

Antology of hebraic poetry,-poetry -2019