BESIMI – ENGJELLI MBROJTES I SHPIRTIT HEBRAIK



(“Tempulli i vetmisë”, Svika Szternfeld)

Ngaqë i përket një tribuje të hershme, Svika Szternfeld, poet i njohur i letërsisë hebraike, di që në gen tre gjëra: 1. Besimin e vjetër; 2. Shpresat e dikurshme; 3. Iluzionet-dhe që të treja së bashku,janë ato që e bëjnë një letërsi të ekzistojë.
Në fakt për botën letrare johebraike, është pak e vështirë të kuptohet kjo letërsi në thelbin e saj të vërtetë. Kjo vjen pikërisht prej ndryshimit konceptual që në gen dhe të trashëguar me shekuj, pikërisht të këtyre tre pikave të rëndësishme. Me këtë nuk dua të them që në etni e kombe e tribu të tjera nuk ekzistojnë. Po janë. Por janë të ndryshme. Ështe i ndryshëm filli që i lidh dhe që përbën pikërisht këtë diferencë në shumë raste, të madhe. Mund të pretendojmë se e kemi kuptuar, por besoj se është një iluzion i pavullnetshëm dhe i pafajshëm i yni. Ndoshta ajo “që na ngatërron” më shumë në të kuptuarit e kësaj letërsie është më shumë pika e parë- Besimi I Vjetër. Se sa për dy të tjerat, shpresën dhe iluzionet, ato janë të pranishme më shumë si ekzistencë universale humane.
“Kinat sofrim tarbeh chocmah – Mosmarrëveshjet ndëmjet dijetarëve bëhen shkak për shtimin e dijes”- Talmud
Në rastin tonë nuk kemi mosmarrëveshje por le ta quajmë mos-informim.TALMUD me orienton drejt të kuptuarit të thellë e real të atij procesi që ndodh në mendjen e poetit, besimit të të cilit i përket. E lexoj poezinë e Zvika Szternfeld dhe përballem me simbole, metafora, alegori, ironi, që fillesën e kanë pikërisht në këtë pjesë të rëndësishme të besimit hebraik. “Judaizmi kërkon prej njeriut bindjen dhe ndjekjen e një sërë besimesh dhe vlerash që shkojnë përtej autoritetit të shtetit dhe kufijve të tij politikë”. (Henry Siegman, Bashkësia e besimit dhe rendi botëror në këndvështrimin e Judaizmit,- Trialog i feve Abrahamike, fq.121, 2009, Tiranë). Dihet tashmë fakti historik, që në të vërtetë përbën edhe një nga diferencat e mëdha, i të jetuarit të hebrenjve në toka e vende johebraike, madje në shumë raste jomiqësore. Kjo i ka shtyrë hebrenjtë edhe më shumë drejt ruajtjes me fanatizëm të besimeve të vjetra. Në fakt kjo është vetëm një shtysë, sepse ky besim i vjetër anon më së shumti pikërisht nga vjetërsia e tij e cila ruhet në tekstet e shenjta me të cilat edukohet çdo hebre, qoftë banor në vende të krishtera, qoftë banor në vende islamike. Jetojmë në një kohë kur jeta e përditshme ka një ritëm tjetër dhe ku mendimi elitar botëror gjithnjë e ka shtruar për diskutim ekzistencën e këtyre vlerave të ruajtura me xhelozi, përballë ritmikës së ndryshimit të mentalitetit. Natyrisht që Szternfeld është i informuar më së miri për këtë gjë dhe padyshim që është protagonist në zgjedhjen e qëndrimit të tij ndaj këtyre vlerave, pra besimit. Siç thotë edhe shkrimtari Nobelist, i cili gjithashtu vjen nga kultura yidish, Isaak Bashevis Singer: “…besimi tek Zoti dhe tek Providenca është vetë thelbi i letërsisë…Letërsia është një histori dashurie dhe fati përzier bashkë, një përshkrim i uraganit të çmendur të pasioneve të njeriut dhe i luftës që ai bën me to.” 
Po le të kthehemi përsëri tek çështja tejet e ndjeshme e besimit. Si është ky besim tek poeti Zvika?
Nëse në periudhën e parë moderne të zhvillimit të letërsisë hebraike, ky besim është mundësia e vetme e ekzistencës, është amaneti, gjaku, e shkuara dhe e ardhmja, është vetë ekzistenca, gjë që ndjehet pothuaj në të gjitha botimet e asaj kohe si tek Rahel, Naim Bialik, Yosef Agnon,Yosef Brenner, është lajtmotivi i i veprës së tyre. Ata gjallojnë përmes këtij besimi i cili do t’i çonte në Tokën e Premtuar, në brezin pasardhës të poetëve të pas Luftës së Dytë Botërore, tashmë Toka e Premtuar është aty, e gjitha për ta, kështuqë kjo bën që edhe qëndrimi ndaj besimit të ndryshojë kah. Tashmë bëhen më të ndjeshme e më të dukshem elemente të tillë si shpresa dhe iluzioni artistik. Por pa e anashkaluar asesi ruajtjen e këtij territori të cilin e kanë tashmë. Në këto kushte edhe letërsia pëson ndryshime. Sidomos kjo fillon të duket rreth viteve 1960, kur autorë si Yehoshua, Amos Oz, Yoram Kaniuk e Yaakov Shabatai, sjellin forma të reja të shkrimit të vjetër hebraik ku ndërthurrin bukur shumë simbolin, alegorinë zbërthimin psikologjik me mësimet nga shkrimet e shenjta të Torah, Kabalah e Talmud- ku përsëri çështja e besimit mbetet primare. U krijua kështu një traditë e cila u zhvillua më tej me autorët e viteve 1980- 2000, pjesë e të cilëve është edhe Zvika Szternfeld. Tendenca kryesore e teksteve të tyre është hapja ndaj kulturave e formave të reja artistike, gjë që vihet re qoftë nga përzgjedhja e temave, po ashtu edhe nga forma artistike. Pasues i denjë i Avraham Shlonski, Natan Alterman, Lea Goldberg dhe Uri Grinberg, bashkëkohës po aq i denjë i Asher Reich, Arieh Sivan, Ronny Somak, Naim Aradi, Moshe Dor, Szternfeld sjell një poezi “tepër simbolike dhe të ngjeshur me metafora konceptuale”( A. Velaj –parathënie e botimit shqip, 2016, Tiranë).
Duke qenë i lindur në Poloni ai nuk mund t’i shpëtonte as qëndrimit të besimit të dyfishtë- një dukuri që i preku të gjithë shkrimtarët e poetët hebrenj të lindur në vende të tjera johebraike. Së pari, Zvika ruan dhe evokon besimin e genit e përkatësisë etnike të tij. Së dyti, po ashtu ruan dhe evokon besimin e vendit nga vjen, në këtë rast Polonisë. Dashuria për vendlindjen ndahet në dy rrafshe: a) de facto vendi në të cilin ka lindur dhe që është e pamundur të mos e duash për shkak të atyre mijëra fijeve të kujtimeve të jetës që kalon, b) de juro vendi në të cilin ai kishte ëndërruar të ishte dhe që është në të njëjtën kohë edhe vokacioni i të parëve, i genit të cilit gjithashtu nuk mund t’i shmanget. Në këtë pikë kjo bëhet interesante. Kemi pra një dashuri, një Atdhe, dhe dy vende. Një besim i cili po të referoja terma, është në të njëtën kohë edhe konveks edhe konkav, një gjëndje që vetëm matematika e shpirtit mund ta krijojë. Ai vetë pohon:

Para se të thosha ABA (hebr.-baba)
Unë kam thënë TATA (pol.- baba)

Dhe ripohon më poshtë:
I përgjigjem që të ulet në shtrat në polonisht
Ai ka dhembje në hebraisht 
Polonisht, fq.19

Ky është njëri qëndrim që Zvika përçon për besimin e tij. Por veç kësaj vërej edhe qëndrime të tjera. Le të përmendim ndonjë syresh:

Njeriu jo vetëm që është një qenie komplekse, por :

Unë kam qenë një anije
Aftësitë e mia ishin të shumta si erërat
Baba, dora imë është e ngrohtë dhe e gjerë, fq.17

Kemi dy figura, anijen dhe krahasimin e aftësive me erërat. E para ka një simbolikë të lexueshme kollaj, mund të jetë UNI, Kërkimi, Aventura, Eksplorimi, Besimi në Shpresë, Ikja- po gjithësesi kuptimi më i dukshëm mbetet ai i Liderit/Unit. Në këtë rast, besimi identifikohet me Unin dhe kur themi Besim është fjala për besimin në Zot- Zoti nga e tij na përcjell qëndrimin ndaj së Kaluarës, Traditës, Etnisë, Genit, Nacionalitetit. Është i vetmi vend unik në botë ku Besimi identifikohet me Nacionalitetin. Nëse une them hebre, në të njëjtën kohë kam kuptuar nacionalitetin dhe fenë. Poeti e cilëson si të kaluar këtë gjendje, pra …ka qenë , që do të thotë që nuk është më. A mos vallë u zbeh Besimi i tij gjatë rrugës? Apo na e ka lënë ne, si një mundësi të kuptojmë heshtjen që le pas e kaluara? Erërat në të shpjeguarit klasik të figurave artistike simbolizojnë pikërisht etapat historike. Po këtu nuk përmenden drejtpërdrejtë ato, por ai fokusohet te zbulimi i vetvetes, i qëndrimit të brendshëm të Unit të tij në raport me Kohën, në raport me Besimin, të cilat padashur na shfaqen të unifikuara. Vërejmë që ky besim është guri i themelit, ashti i identitetit të Unit Poetik lehtësisht i ngjashëm me Besimin tek Zoti.Dhe më mirë se sa në një tempull Besimi nuk ndjehet i sigurt. Zvika në asnjë rast nuk përmend sinagogën që është vetëm për hebrenjtë, diçka që padashur ngushton konceptin për Besimin vetëm në një lloj Besimi, pra hebre. Ai i referohet Tempullit. Tempujt janë më të pranishëm në botën antike e moderne e jo vetëm për një lloj besimi. Budizmi, hinduizmi, krishtërimi, paganizmi më herët, të gjithë kanë tempuj- është një fakt më universal. E dimë që në tempuj kryhen ritet e blatimit, të pranuara prej të gjithëve si një mundësi për t’u afruar me Zotin. E parë në kontekstin tim, edhe poeti ynë po blaton diçka- shpirtin, drejt asaj që është më e afërt për të gjithë. Në titull ai thotë : Tempulli i vetmisë. Pra tani e di pse tempull, por shtesa i vetmisë me çon në një dimension tjetër: në tempull meditohet, veç të tjerash. E për cfarë mund të meditojë një poet pos enigmave e mistereve të Krijimit? A nuk është kjo një tjetër mënyrë për të qenë më pranë Providencës, atje ku çdo gjë ndodh në Vetmi? Është vetmia e shpirtit dhe e mendimit ajo që bën lartimin intelektual, që me jep disa nga përgjigjet Biblike.
Szternfeld rigjallëron kështu traditën e poetit si mjeshtër i plotë i kontureve të veçanta të një kulture të tërë në kohët moderne. Pyetjet akademike: se çfarë duhet të mbajmë nga e kaluara; sa peshë duhet të zërë ajo në jetët tona; qoftë edhe artistike; cili është mesazhi i kësaj së kaluare dhe çfarë roli mund të luajë ajo në konfigurimin e së ardhmes- janë të pranishme në një formë a në një tjetër tek poezia e Zvikës:

Kryqi zbret nga kisha
Merr një fshesë
Dhe nis të fshijë
Për Maayan në 14-vjetorin e lindjes, fq.31

Nuk është gjë tjetër veçse përshtatja e besimit të vjetër në kohët moderne. Metaforat në këtë rast na qartësojnë qëndrimin e poetit ndaj besimit në kohën e teknologjisë. Ai, Besimi, /Zoti, bëhet më njerëzor sepse tek e fundit misioni i tij është pikërisht lumturia dhe paqja e njerëzve. Akti i thjeshtë i përditshmërisë sonë në këtë rast na çon tek meditimi se historia, njerëzimi duhet të fshijë nga kujtesa ndoshta gjërat e panevojshme të cilat e pengojnë të shohë qartë. Është një qëndrim i moderuar, një risi, nëse e krahasojmë me interpretimin tradicional të figurës së Zotit në letërsinë hebraike. 
‘’Elohim gadol’’/ Zoti është i madh- është shprehje që të shoqëron në çdo moment në botën hebraike. Zvika nuk përmend Zotin, por Kryqin, duke vendosur kështu një shkallë mes vetes e besimit të tij dhe vetë atij- Zotit. Gjithësesi ai, Zoti, mbetet gjithnjë ELOHIM GADOL, por të tjerat edhe mund të ndryshojnë e të përshtaten me kohën.

Shpirti im kërkon një shkallë
Jo për ngjitje
Jo për zbritje
Një shkallë krejt ndryshe
Një burrë, fq.55

Po cila do jetë kjo shkallë? A është kjo aty ku:
Lutja e shkëputur prej qiejve
U kthye rishtas pasi zbuloi
Se deti është më i mirë
Parapëlqim, fq.49

Këtë poeti Zvika Szternfeld nuk na e zbulon.

Si përfundim, them se kam një poet tepër interesant i cili krahas tematikave të tjera më sociale, një vend të rëndësishëm i kushton pikërisht Besimit, sepse përmes tij na përçon mesazhin se njeriu i sotëm nuk duhet ta humbë këtë besim dhe se ky besim duhet të mbetet promotor i gjithë veprimtarisë së njeriut. Vetëm kështu ne mund të afrohemi më shumë drejt njohjes së vetes sonë, njohjes së raporteve që ne vetë i krijojmë me botën dhe orientimet tona drejt Paqes dhe lumturisë të përbotshme.



Mimoza Erebara


26/08/2016,
Durrës 


http://www.tiranaobserver.al/besimi-engjelli-mbrojtes-i-shpirtit-hebraik/





Comments

ME TE LEXUARAT

GJINKALLA DHE MILINGONA

KRITIKЁ MBI NJЁ PARATHЁNIE

SONTE HARRUAM TЁ BЁJMЁ DASHURI

Poezi nga vellimi "Paqe pa profet", 2012

AINSHTAJNI , ZGJEDHJET SHQIPTARE DHE MENÇURIA IZRAELITE

BIOGRAPHY

Mimoza Erebara was born on 8th March 1963 in Tirana.

She attended and graduated in the University of Tirana ;the Faculty of History-Filology in the profile of albanian language and literature.

After graduation ,she worked for a long time as a journalist and a redactor in "Zëri i rinisë"and "Republika"journals ,in "Zani i Atdheut"radio and also in tv studios such as"Victoria"-Detroit USA,"Lira","Phoenix"etc.

She has been a collaborator with a lot of albanian medias and abroad.

She has already won many international and national prizes.She is honoured with the name of "Peace Ambassador".

Her relation with literature has started early ,publishing time after time in different periodic magazines of the time.

She is the author of:

To give company to a hope"poetry -1993

"Love cry"poetry-1996

"The adventures of 10×10 and the upside down Munuriro" novel-fairy tale-1996

"Mistakenly in love"stories,-1997

"Torn reason"poetry-1998

"Wrongeyed"original fairy tales-1999

"Hired lock"stories-2010

"Peace without a profet",poetry-2012,

He and She,love messages,poetry-2015

"Shalom my tear"poetry-2017

"Soul in the desert"

Antology of hebraic poetry,-poetry -2019