Është folur shumë për kritikën e letërsisë shqipe dhe gjithnjë është pohuar
që ajo mbart mjaft mangësi. Këto mangësi shtrihen në dy rrafshe, në atë të të
trashëguarit dhe në pamundësinë për të menduar ndryshe. Ndërkohë që jeta
letrare ka evoluimin e vet të pashmangshëm. Është një evoluim si të gjithë
evoluimet, me uljet dhe ngritjet e veta, por gjithësesi është një proces në
lëvizje e sipër. Jemi dëshmitarë të botimeve të panumërta të letërsisë shqipe,
si brenda kufijve të Republikës, ashtu edhe jashtë. Sigurisht nuk luhet me
shifra si, dhjetëmijë kopje në ditë që hyjnë në Bibliotekën e Kongresit
Amerikan, apo të vendeve të tjera të zhvilluara. Por le të bëjmë një krahasim
të dobët me vendet në zhvillim, ku sipas statistikave (që vijnë nga vëzhgimet e mia individuale, në shërbim të këtij studimi-M.E.), rezultojnë disa dhjetra botime në javë, diku aty tek tridhjetë-dyzetë
botime, të të gjitha kategorive. Është një shifër që lehtësisht “konkurron”me
botimet në shqip. Kaq botohen pothuaj për një muaj. Në këto botime sigurisht
përfshihen edhe ribotimet, sidomos të letërsisë së përkthyer e cila ka edhe më
shumë tërheqje nga lexuesi. Por nuk është ky objekti i studimit tonë. Diçka
tjetër më ngacmon. Është niveli i kritikës për këto botime. Nëse i vërejmë me
vëmendje ato shkrime të pakta serioze të kritikës së mirëfilltë, do shohim se
që të gjitha pothuaj, ndërtohen me ca “parafabrikate”, klishe të gatshme, ku
rëndom ndryshon vetëm emri i autorit dhe titulli i librit në fjalë. E gjithë
pjesa tjetër më pas është vetëm një përsëritje dhe ripërsëritje e të njëjtave
“të reja, origjinaliteti, mënyre të shprehuri, figuracioni, personazhesh të
skalitur mirë, të njohjes së thellë të realitetit historik në të cilin
jetojmë”, etj, etj… Dhe për fat të keq aspak ose fare pak gjejmë me të vërtetë
një analizë të plotë të veprës, të kontekstit të saj, të mesazhit që ajo
përcjell, qoftë estetikisht, qoftë edhe nga pikëpamja kuptimore. Por nëse do
duam të bëjmë me të vërtetë një portret të kohës letrare shqipe, dhe do të duam
vërtet të shohim linjat e këtij portreti do e kemi gati të pamundur. Në fakt do
gjendemi para vështirësish të paimagjinueshme kërkimi. Çdo epokë më parë ka
ekzistuar në mendjen e dikujt, dhe pastaj edhe në mendjen e dikujt tjetër e
kështu me rradhë. Po nëse shumë mendime bashkë
i mbledhim dhe ia parashtrojmë vetes gjatë kërkimeve tona për të zbuluar çka
ndodhur më parë me ne, atëhere kuptohet që mund të kemi një imazh, një portret
të asaj epoke. Sepse ka një lidhje mes orëve të jetëve tona dhe të kaluarës.
Dhe kjo e kaluar nuk shpjegohet tjetër veçse nga veprat e ndryshme, nga
qëndrimet kritike që mbahen për to, nga aprovimi dhe mosaprovimi që u bëhet
atyre. Për epokën pasardhëse e gjitha kjo nuk është gjë tjetër, përpos një
skaneri të pastër. Në këtë mënyrë edhe aftësia jonë investiguese, abstraguese
dhe faktuese rritet. Në këtë mënyrë, padyshim që kemi një portret të kohës.
Vepra në një anë, dhe analiza për veprën nga ana tjetër, janë çelësi i vetëm që
shpjegon epoka të caktuara letrare dhe historike, kulturore dhe sociale,
psikologjike dhe shpirtërore. Kjo mënyrë është dhe e vetmja rrugë për të
kuptuar kush jemi, përse jemi, dhe çdo jemi, është filli i vetëm lidhës me të
shkuarën tonë, qoftë kjo edhe letrare.
Për të mos rënë në përsëritje, (kujtoj: gjithnjë është folur për mangësitë
e kritikës shqipe), dua të theksoj një aspekt të rëndësishëm të nivelit në
të cilin sillet kritika jonë. Padyshim që ajo që na bie në sy më parë është
unifikimi i saj. Nuk mund të dallosh një kritik, nga një tjetër. Po e njëjta gjuhë, po e njëjta strukturë, po të njëjtat
koncepte, gati-gati të njëjtat fjalë. Gjithnjë kemi përpara një autor brilant,
gjeni të letrave shqipe dhe botërore(!), me një origjinalitet të spikatur(!). E
gjitha kjo në fakt ka të bëjë me konceptet e ngurosura, me fosilizimin e tyre.
Nëse je pjesmarrës në një promovim gjithnjë para teje latohet një identitet që
vjen nga hiçi, dhe që pas dy orësh kur ka mbaruar edhe euforia e fundit e
kokteijlit, ky identitet i spikatur letrar, ky zbulim i kohës që do ndryshojë
rrjedhën e plakur dhe kokëforte të letërsisë, humb dhe kthehet përsëri në hiç.
Për të mos thënë që pas tre ditësh nuk arrin të kujtosh as emrin e sebepçiut të
rradhës, për të mos folur për pjesë nga vepra. Por po t’i referohesh kumtesave
etike të rastit dhe atyre që botohen në shtypin periodik dhe të përditshëm, do
lexosh patjetër për një gjeni! Mund të provohet fare kollaj: - Merrni një
shkrim kritik, i cili mund të jetë edhe thjesht informues, për një nga autorët
nobelistë, ndërroni emrin dhe titullin e veprës dhe ca retushe të tjera të
vogla, si pastrimi i vetullave tek parukieri, dhe ja tek e ke gjeniun-hiç të rradhës, -që kritika e
ngriti dhe e vendosi aty. Po kështu edhe me
tjetrin, edhe me tjetrin… Një unifikim. Po të
shtyhemi më tej në kërkimin tonë do vërejmë pa shumë mundim se ky unifikim
është edhe segmentar. Ç’kuptojmë me këtë? Që ky unifikim nuk ekziston si një i
tërë por si pjesë e veçantë. Ky unifikim ka lidhje dhe shpjegon autorë të
ndryshëm të cilët trajtohen në të njëjtën mënyrë nga kritika. Por
gjithësesicili prej tyre qëndron më vete në pjesën e segmentit që i japin dhe i
caktojnë kritikët. Janë ata që caktojnë “gjatësinë” e segmentit dhe janë po ata
që caktojnë vendndodhjen e tyre. Në këtë mënyrë ne orientohemi krejt gabim duke
mbërthyer mendjen tonë tek mënyra se si këta kritikë na e ofrojnë vlerën dhe
jovlerën, duke anashkaluar rrethanën, që nënkupton analizën e plotë dhe
serioze. Nga ky këndvështrim themi që kjo lloj kritike është e unifikuar dhe
segmentare. Kjo padyshim na pengon që të bëjmë portretin e epokës që duam.
Natyra është e ndryshueshme, njeriu
është i ndryshueshëm. Epoka të ndryshme ofrojnë ngjarje, zhvillime, ligje,
tradita të ndryshme, kanë portrete të ndryshme. Letërsia shkruhet nga autorë të
ndryshëm, veprat janë të ndryshme. Kritika duhet të çajë përmes gjithë këtyre
gjërave për të na dhënë të vërtetën, portretin e vërtetë të veprës dhe të
autorit, dhe padyshim një fillim i mirë do të ishte një perceptim krejt tjetër
për veprën letrare, autorët , për realitetin në përgjithësi. Në këtë mënyrë unë
nuk rri të mas me vizore gjatësinë e segmentit “AB” dhe të rri ta krahasoj me
gjatësinë e segmentit “CD”, si një filloriste e devotshme. Një perceptim
ndryshe do më kursente kohën e kujtimit të mësimit të alfabetit- thjesht do të
lexoja, dhe ajo çka është më e rëndësishme, do filloja të mendoja për çka
lexova nga kritika ime që më çon kështu, pashmangësisht drejt linjave të
portretit që dua të bëj.
http://www.tiranaobserver.al/unifikimi-segmentar-kritike-mbi-kritiken/
Comments
Post a Comment