Intervistë e shkrimtares Mimoza Erebara, dhënë për gazetën “Tirana Observer”
Shkrimtarja Mimoza
Erebara në një intervistë për gazetën “Tirana Observer”
rrëfen për letërsinë, angazhimet e saj jashtë fushës së letrave. Gjithashtu ajo
tregon edhe mbi Çertifikatën e Nderi –“Plaque d’Henneure”. Çertifikata kjo që
është dhënë shkrimtares në korrik të këtij viti, nga Akademia Europiane e
ARTIT, me qendër në Bruksel e Luksemburg për aktivitetin e saj në përhapjen e
prezantimin e vlerave artistike të kapaciteteve krijuese, si brenda vendit
ashtu edhe në Europë e më gjerë.
Ne vitet ’90 ju u përvijuat si një shkrimtare me profil të lartë artistik.
Botuat poezi, tregime dhe një roman për fëmijë. Para tre vitesh më 2010,
shënuat rikthimin me një vëllim me tregime dhe vitin që shkoi, më 2012 me një
vëllim poetik. Pse kjo mungesë e gjatë?
Ka mundësi që kjo pyetje të mos ketë lidhje me kohën fizike që në fakt
shkon, por me kohën e vetmisë së qenies. Çdo qenie njerëzore të paktën njëherë
në jetë e provon pikërisht vetminë, po flas për atë vetminë e frikshme, të
zgjatur dhe gllabëruese, posesive dhe xheloze. Aq më tepër krijuesit të kujtdo
fushe të artit qofshin e provojnë më shumë se njëherë këtë gjendje fluide, që
po aq sa është tokësore, po aq është edhe hyjnore. Koha kalon dhe vetmia vazhdon
të jetë me ty, përpiqet në çdo çast të të komandojë dhe duke të të komanduar të
të tjetërsojë. Shumë artistë bien pre e kësaj lufte që fillon si një nevojë e
brendshme e procesit të krijimit, historia e artit botëror na e vërteton herë
pas herë këtë gjë. Një qëndrim i tillë për mua personalisht ka lidhje edhe me
qëndrimin tim rreth krijimit. Mendoj se të shkruash është një bekim dhe të
duhet që këtë bekim të dish ta çmosh. Mënyra më e mirë për të çmuar këtë bekim
e dhuratë është të mos e shpërdorosh fjalën dhe shenjtërinë e saj, në çdo kohë
e në çdo vend. Sigurisht po flasim në një terren ku nuk ka receta të cilat të
duhet t’i respektosh, por në qëndrimin tim unë kam dëgjuar zërin që vjen nga
lashtësia. Në një tregim timin të botuar në vëllimin “Gabimisht dashuruar”,
(1997), Tiranë, të titulluar “Dokrrat”, trajtoj pikërisht këtë qëndrim, a do
jemi në gjendje që të themi diçka të mençur që të mbetet, apo do flasim shumë e
për lumë? Është si sëmundje dëshira për të shkruar pa pushim për çdo gjë, dhe
kjo e favorizon deri në ekstrem dëshirën tjetër të egos për të qenë të
pranishëm në shtypin e përditshëm pothuaj përditë, nëpër formate televizive,
duke marrë përsipër rolin e mentorit për çdo çështje që e shqetëson shoqërinë
civile, nga përdorimi i hudhrës dhe vlerave të brokolit, e deri tek
investigimet alla kafegazetaembrëmjes, për armët kimike, biologjike, fashion…
et tout…
Këtë vit për ju, nga Brukseli, erdhi një çmim prestigjioz. Ç’është ky çmim?
Po është e vërtetë, por më lejoni t’ju korrigjoj, nuk është një çmim por
një Çertifikatë Nderi –“Plaque d’Henneure”. Çertifikata është dhënë ne korrik
të këtij viti, nga Akademia Europiane e ARTIT, me qendër në Bruksel e
Luksemburg për aktivitetin tim në përhapjen e prezantimin e vlerave artistike
të kapaciteteve krijuese, si brenda vendit ashtu edhe në Europë e më gjerë.
Duke qenë anëtare aktive e Akademisë Europiane të Artit, dhe duke mbajtur edhe
detyrën e Sekretares së Përgjithshme Për Seksionin Shqip kam patur mundësinë që
këto vlera t’i prezantoj shumë bukur në Europë. Në fakt kjo Akademi deri vitin
e kaluar, pra 2012, ka funksionuar me seksionin shqip po ku përfshihej
kryesisht vetëm Kosova dhe shqiptarët në Maqedoni e Mal të Zi. Këtë vit e pamë
të arsyeshme dhe i kemi bërë një propozim edhe Brukselit, qendra prej nga
drejtohet kjo Akademi, e cila është një organizim serioz ku secili vend anëtar
përfaqësohet me artin e tij dhe e gjitha kjo ne kuadrin e integrimit
ndërkulturor Europian, që Seksioni Shqip të jetë më vete. Kjo për Artin
Shqiptar do të thotë shumë. Për shumë arsye, prej të cilave unë po veçoj: 1.
Artistët shqiptarë të Shqipërisë do të kenë sallonin e tyre të artit, sallon i
cili mbahet çdo vit në një nga vendet anëtare, me rrotacion. Në këtë sallon
paraqiten piktorë, skulptorë, poetë dhe artistë të tjerë. 2. Artistët shqiptarë
do të kenë mundësinë të prezantohen drejtpërdrejtë dhe të ballafaqohen po ashtu
me zhvillimin e artit bashkëkohor. 3. Natyrisht që është një krenari kombëtare
të kesh sallonin tënd përfaqësues në të cilin padyshim artistët shqiptarë
prezantohen me shumë dinjitet. Për hir të së vërtetës kjo Akademi Europiane e
Artit, (AEA), sivjet bën 10 vjetorin e aktivitetit të saj. Vetëm në prezantimin
e sivjetëm, i cili u realizua ne verën e këtij viti u prezantuan 53 artistë
shqiptarë, si nga Shqipëria, Kosova dhe nga Diaspora. Në edicionin e sivjetëm,
që është edhe faza e parë e këtij prezantimi, morën pjesë me punime piktorë e
poetë si të afirmuar ashtu edhe fare të rinj, të cilët performuan ne Bruksel e
Luksemburg. Sa më me seriozitet e përkushtim përzgjidhen artistët shqiptarë, aq
më shumë sukses mbërrijnë në Europë. Por e gjithë kjo nuk arrihet lehtë, sado e
thjeshtë të duket në pamje të parë. Po gjithsesi, marrja e kësaj çertifikate
është një vlerësim i lartë që i bëhet pasionit dhe punës sime. Fakti që vetëm
26 artistë janë vlerësuar me këtë çertifikatë, më emocionon dhe më ve përpara
përgjegjësish më të larta. Kjo ka qenë shtysa për të inicuar disa projekte për
të cilat do ruaj surprizën për në çastin e duhur.
Ndërkohë, veç si shkrimtare, ju jeni angazhuar edhe në projekte dhe nisma
të ndryshme jashtë letërsisë. A duhet të përfshihen shkrimtarët në projekte të
tilla?
Mendoj që po. Po argumentoj sipas pikëpamjes sime: Shkrimtarët nuk janë
qenie të veçuara dhe që ju mjafton laboratori i tyre krijues dhe botimi i
veprave të tyre. Shkrimtarët më mirë se kushdo tjetër janë dhe duhet të jenë në
pararojë të të gjitha zhvillimeve dhe emancipimit të shoqërisë njerëzore.
Shkrimtarët më shumë se kushdo tjetër duhet të jenë në pararojë të luftës për
Paqe, paqe për shpirtrat njerëzorë si fillim, dhe Paqe për shoqërinë.
Shkrimtarët më mirë se kushdo tjetër duhet të jenë vigjilentë dhe të
paralajmërojnë rreziqet e mundshme nga keqdrejtimi, nga politikat e gabuara,
apo abuzimet e të gjitha llojeve, që nga perversitetet e veseve njerëzore e
deri tek perversitetet politike, morale e etike. Misioni i shkrimtarit është i
shenjtë, por shenjtëria e këtij misioni nuk është diçka inekzistente, e paformë
apo e ajërt. Ky mision është i prekshëm përmes fjalës, përmes qëndrimeve që
shkrimtari mban për çështje të caktuara. Fjala e tij, gjithsesi, dëgjohet.
Historia e letërsisë shqipe ka shembuj në këtë drejtim, po kujtoj Poetin
Kombëtar Shqiptar, Naim Frashërin. Mjaftoi një “Bagëti e Bujqësi”!
Si i shihni zhvillimet dhe tendencat në letërsinë shqiptare?
Pyetje interesante. Për këtë problem jam prononcuar pak përmes një studimi
i cili është botuar në shtypin letrar shqip. Letërsia shqipe, sipas meje dhe me
aq sa e njoh unë atë, është një letërsi në kërkim. Dihet që ajo vjen nga një
eksperiencë e gati-gati shkatërruese e një letërsie socrealiste apo e realizmit
socialist. Pasojat e saj ndihen ende sot kur në tregun e librit sot gjejmë
tekste që ende udhëhiqen nga principet e realizmit socialist, gjë që ndjehet në
të dy rrafshet, si në atë tematik, ashtu edhe në atë strukturor. Mospërputhja
mes mendimit që me raste mund të jetë i përparuar, me formën është një element
që i heq pikë kësaj letërsie. Ngarkesa e panevojshme me figuracion në emër të
modernitetit nuk bën gjë tjetër veçse e largon këtë letërsi nga cilësia.
Imitimi i rrymave të ndryshme, për shumë vite të ndaluara, edhe kjo është një
mangësi e kësaj letërsie, sikur janë edhe trajtimi i vakët i temave të forta.
Por dihet që çdo gjë do kohën e vet të “të pjekjes”, e me sa duket, kjo kohë
për letërsinë shqipe është duke ardhur, që do të thotë që nuk ka ardhur ende.
Ka një mal me probleme përpara kjo letërsi, dhe problemi më i madh padyshim që
është ndryshimi i koncepteve mbi lëndën, pra letërsinë. Në librin tim me
studime mbi letërsinë “Filozofi në Metaforë”, (në proces botimi) merrem gjerë e
gjatë pikërisht me këtë problem. Të ndryshosh këto koncepte nuk është e lehtë,
sepse tradita shkrimore dhe mendore është e ngulitur thellë në brezin e para 90
dhe është e rrëmujshme, konfuze në brezin e pas 90. Sot më 2013, kemi disa
zhvillime që shkojnë në të mirë të barazitjes së letërsisë shqipe me vlerat
europiane e botërore. Me sa kam vërejtur unë pikësëpari këto vlera duken në
trajtimin e teksteve te gjata, pra shtimin e botimeve të romaneve. Janë romane
që tentojnë dhe pretendojnë shumë si në pikëpamje të stilit, po ashtu edhe të
fabulës apo të mesazheve që përcjellin. Kjo padyshim që përbën një risi në
letërsinë shqipe, kur kujtojmë që kreun e vendit gjithnjë e ka mbajtur poezia.
Fakti që tashmë eksperimentohet, qoftë edhe duke imituar, është diçka e mirë
sepse vetëm kështu mendoj krijohet padashur edhe tradita alternative e shkrimit
ndryshe. Dhe e gjithë kjo përbën një shkallare shumë të sigurt për një letërsi
të mirë në të ardhmen.
Flitet shumë për një letërsi të unifikuar mes Shqipërisë dhe Kosovës. A
kemi vërtet një unifikim, sipas optikës tuaj, apo vazhdojmë të ecim ndaras?
Shqipëria dhe Kosova ndoshta “kanë” gjëra të tjera për të unifikuar, por
për sa i përket letërsisë nuk mendoj se kjo është një problem. Letërsia shqipe
është shkruar njëlloj në të dy anët e kufirit politik, por kurrë shpirtëror.
Këtë qëndrim unë e kam shpërfaqur që më 1985, kur mbrojta temën time të
diplomës universitare, në mesin e një lufte shumë të fortë institucionale të
kohës, dhe po këtë qëndrim vazhdoj ta kem edhe tani. Nuk mendoj se ecim ndaras.
Po, kemi preferenca subjektive, dhe te karakterit të formimit studimor, pasojë
e kushteve të imponuara politike, por letërsia shqipe flet për të njëjtin
konstitucion shpirtëror, për të njëjtat probleme, për të njëjtën trashëgimi
historike, gjenetike, gjuhësore. Po të ndjekim llogjikën e pyetjes suaj mund të
përgjigjem për analogji sipas këtij mendimi: që në Elbasan i pëlqejnë të
ëmblat, ndërsa në Korçë i pëlqejnë turshitë, e në Gjilan e pëlqejnë mishin, pra
çështje shijesh krahinore dhe aq. Në Kosovë pëlqehet dhe ndiqet më shumë
simbolizmi, në Shqipëri ende vazhdojmë me realizmin plot bishta socialist, po
kjo për mua nuk përbën NDARJE. Letërsia shqipe si në Shqipëri, si në Kosovë, si
ndër shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi, Arbëreshëve të Italisë, Arvanitasve
të Greqisë, Mërgimtarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australi, Europë,
Ballkan, në gegërisht apo toskërisht qoftë, kudo ku ka shqiptarë, flitet dhe
shkruhet shqip, është letërsi e unifikuar shqipe. Vetëm letërsi shqipe.
VEPRA TË AUTORES
-Për të shoqëruar një shpresë, 1993, poezi
-Aventurat e 10×10 dhe Munuriro Kokëposhtit, 1995, roman/përrallë
-Klithëm dashurie,1996,poezi
-Gabimisht dashuruar, 1997, tregime
-Arsye e grisur, 1998, poezi
-Symbrapshti, 1999, përralla
-Dry me qera, 2010, tregime
-Paqe pa Profet, 2012, poezi
Botuar në gazetën “Tirana Observer’, 23.11.2013
http://www.tiranaobserver.al/mimoza-erebara-te-shkruash-eshte-bekim-kjo-dhurate-nuk-duhet-shperdoruar/
Comments
Post a Comment