Amos Oz- I keqinterpretuari në gjuhën shqipe


Të marrësh përsipër të përkthesh një vepër që nuk është e gjuhës dhe e kulturës tënde, është një përgjegjësi e madhe profesionale dhe morale. Shumë nga përkthyesit profesionistë mendohen mirë para se të bëjnë publike veprën e tyre. Që në  këtë rast është më shumë se sa një krijim origjinal! Por kjo nuk ndodh gjithmonë. Për fat të keq, në letrat shqipe në turravrapin e ethshëm për të fituar sa më shumë përkthimi përballet me shumë  anomali. Në këtë shkrim dua të ndalem në një nga përkthimet e fundit të hedhura në treg. Pikërisht për “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën” të shkrimtarit Izraelit, Amos Oz. Një roman për fat të keq, i keqkuptuar dhe si rrjedhim dhe i keqinterpretuar. Dy elemente që shtrembërojnë informacionin për lexuesin shqiptar që pak e njeh këtë letërsi të një kombi nga më të lashtët në Botë. Konkretisht:
Në kopertinën nga pas jepet një përmbledhje e shkurtër, një miniprezantim për lexuesin se çfarë përmban ky roman. Një praktikë e njohur moti dhe me mjaft sukses. Një reklamë e një tipi të veçantë që e ndjell lexuesin drejt leximit të  tekstit. E pra, që këtu fillojnë  “shtrembërimet”, të cilat mund të jenë bërë per shumë arsye. Për t’i rënë shkurt dhe për të mos i rënë në qafë përkthyesve(!!!), paramendoj mosdijen, mosinformimin nga ana e tyre. Fabula e këtij romani sigurisht që ka nota të thella autobiografike. Si e tillë kjo është padyshim një nga veprat më të bukura të këtij zhanri.
Po a është vetëm një vepër e tillë, thjesht autobiografike? A mbetet autori vetëm në përshkrimin e ngjarjeve dhe emocioneve të tij dhe të familjarëve të vet? A mund ta etiketojmë këtë roman thjesht  dhe vetëm autobiografik? Nëse do të kishim mbetur në këto ujra, sikur na propozohet me shumë bujari në kopertinë, atëherë ky roman nuk do të kishtë atë ndikim që ka pasur në letërsinë hebraike, në letërsinë moderne hebraike. Por që të kuptojmë atë që përçohet në këtë roman, e më tej akoma, për të kuptuar Amos Ozin, një nga figurat më të rëndësishme të shkrimit e kulturës hebraike, duhet të njohim atë vetë. Po sa e njohin botuesit e veprës së tij këtë autor? Sa e njohin ata mendësinë e veçantë, atë mendësi që ata i ka bërë të dallueshëm  në historinë e njerëzimit? Aty thuhet: “…Është historia e një fëmije të rritur në një qytet të ndarë nga urrejtja, siç,(kjo e fundit është edhe një gabim drejtshkrimor!- me të cilat ky roman është i tejmbushur!)Jeruzalemi i mesit të shekullit të kaluar në një apartament të ngushtë”. Kush është në një apartament të ngushtë? Jeruzalemi?! Dhe ky gabim, le ta quajmë formal, pasohet nga një më i madh. “…qytet i ndarë nga urrejtja…”. ËSHTË NJË FAKT HISTORIK të cilit nuk i shmangemi, fakti që Jeruzalemi ka qenë gjithnjë një qytet i lakmuar dhe i pretenduar nga shumë, por që tek e fundit mbetën vetëm dy kampe të fuqishëm në vijë të parë, hebrenjtë dhe palestinezët. Në fund e gjithë mosmarrëveshja historike dhe aktuale deri në ditët e sotme përfshin vetëm këta dy kombe. Sigurisht që ky problem është shumë më kompleks se sa kaq dhe rrethi i interesave dhe pretendimeve është shumë më i madh, por në fokus të të gjitha përpjekjeve diplomatike izraelito-palestineze, në rradhë të parë, por edhe e diplomacisë botërore, janë vetëm këta të dy. Shteti hebraik u formua më 1948, pra relativisht vonë, ndërkohë që ata ishin aty që në Gjenezë. Po ndalem pak më gjatë në një çështje në dukje krejt politike dhe pa lidhje me një roman artistik, aq më tepër vetëm autobiografik!, sikur pretendohet, por e kam një qëllim. Çdo letërsi në fillimet e veta drejtohet nga e kaluara, e ndriçon atë, e ngre në piedestal atë, heronjtë e saj, virtutet e kombit, flet me patos, me një stil gati emfatik. Dhe kjo është e kuptueshme për qëllimin për të cilin edhe shkruhet. Letërsia hebraike ka lindur me MITE, janë Mite që e kanë tronditur botën dhe vazhdojnë ta trondisin sot e kësaj dite. Bëhet fjalë për një letërsi sa heroike, aq edhe religjioze. Kjo ishte edhe arma sekrete e mbijetesës së këtij kombi të cilit iu desh përgjatë historisë së tij gati 4000 vjeçare të shpërndahet nëpër të gjithë botën. Dhe në vendet ku mbeti të zhvillonte vetveten, të mos humbte në rrjedhën e politikave asimiluese të Evropës dhe në rastin më të keq mosaprovuese, mospranuese. I duhej në rradhë të parë të mos humbte  besimin e fortë dhe  ndërgjegjësimin e të qenurit hebre. Gjë që e realizoi me sukses. Por për ta në çdo cep ku fati i hodhi, Jeruzalemi mbeti kopshti i tyre i dashurisë, mbeti ëndrra dhe dëshira, mbeti jeta dhe pafundësia. Brezat ia përçuan këtë dashuri njëri-tjetrit duke e ruajtur me kujdes dhe duke e kultivuar me besnikëri tek brezat e tjerë. Jeruzalemi mbeti shpëtimi i shpirtrave të tyre të degdisur tutje. Ata e deshën fort dhe vazhdojnë ta duan me të njëjtin përkushtim sikur të parët. Jeruzalemi  është simboli i vërtetë i dashurisë. “Jerushalyim shel-ze hav”-Jeruzalem i artë! Dhe si mundet që një qytet-simbol i dashurisë të karakterizohet që në hyrje si një “… qytet i ndarë nga  urrejtja”? Dhe këtë ta thuash tani, më vitet 2000! E ndërkohë që vetë Amos Oz nuk e thotë. Në asnjë rast. Madje edhe kur flet drejtpërdrejtë për lagjet arabe nuk ka urrejtje : “Ky ishte  JERUZALEMI tjetër…që fsheh sekrete të rrezikshme, enigma, një qytet hijerëndë dhe i heshtur, i mbarsur me një qetësi që ende vërtitej mbi tërë këto lagje veriore…nën një armiqësi të ndrydhur”. ( fq.383). Dhe ky përcaktim bëhet për ditët menjëherë pas shpalljes së shtetit Izraelit dhe të provokimit të luftës nga Arabët në po këtë ditë! Por lufta është luftë qoftë kjo edhe e provokuar nga njëmijë faktorë të cilët nuk janë objekt i këtij shkrimi. Në fakt e rëndësishme është të kuptohet që Jeruzalemi tërheq rreth vetes Hapësirën dhe Kohën, njëlloj sikur Universi tërheq rreth vetes edhe vetë planetin tone, Tokën. E interpretuar  në kontekstin e këtij romani dhe të rrëfimit të Amos Ozit, kjo tërheqje, gati gravitacionale, pra  e pashmngashme, Hapësira dhe Koha ndërrojnë vendet njëra me tjetrën duke u shtyrë gjithnjë në një realitet të ri ku bashkëjetojnë në të njëjtën kohë e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja. Jeruzalemi më shumë se çdo qytet tjetër në botë jeton kështu. Ku vetë autori e paralajmëron përmes një metafore shumë të bukur: “Dy shpata të kryqëzuara vareshin në mur mbi kokat tona në cepin ku u ulëm” (-në vilën e arabëve për vizitë- M.E)-(fq.384).Romani i tij flet vërtet për një fëmijë që rritet në një nga lagjet e vjetra të Jeruzalemit, po  në asnjë rresht nuk ka urrejtje. Kujtojmë personazhin e atij burri arab me atë erën e çuditshme dhe me ëmbëlsinë e zërit, një ëmbëlsi e patjetërsueshme, kur duhej të ishte krejt e kundërta! Fakti që Amos Oz është një personalitet sot në botën hebraike, si në atë të letërsisë, ashtu edhe të mendimit dhe të strategjive dhe iniciativave politikave aktuale nuk e “detyron” atë na tregojë një qytet që zien nga urrejtja! Përkundrazi! “Është një aromë e këndshme pluhuri që ka thithur shumë vesë, aromë bajgash dhe gjembaçësh dhe zjarresh të shuara kampi. Kjo është aroma e Tokës së Izraelit qëkur s’mbahet mend. ..Qëndroj aty duke thithur heshtjen si  aromë…”. (fq,366). Dashuria e pamatshme për Tokën e të parëve, dashuria për Jeruzalemin është lajtmotivi kryesor i këtij romani. Dashuri pa kushte. Që kur ai ishte thjesht një fëmijë :“…E të më kthenin mua në një komb që lufton. Që edhe jeta ime të shndërrohej në një këngë të re, si një gotë uji në një ditë të nxehtë”. (fq.11).Një Dashuri që ekziston sepse mbrohet: “Kishim pritur 2000 vjet për ta hedhur atë këmbë në Jeruzalem e nuk kishin aspak qejf ta lëshonim. Po ta ngrinim këmbën mund të vinte dikush tjetër e të na e rrëmbente atë copë tokë.” (fq.12). Po të lexohet me kujdesin e duhur do vëresh lehtshëm se nuk cilësohen vetëm arabët palestinezë si mtuesit e vetëm të Jeruzalemit, por kjo lihet të kuptohet se kushdo tjetër lakmitar, mund të ishte pushtuesi i rradhës, sikur edhe pati ndodhur përgjatë historisë së Jeruzalemit. Dhe libri  të ofron bujarisht shumë të thëna të tjera që vetëm dëshmojnë për Dashurinë  e vetëm për Dashurinë. “ Në Judaizëm, ta mërzitësh dikë, është më keq se sa ta gjakosësh.”(fq.208). Dhe ky është edhe qëllimi dhe realizimi i ekzistencës së hebrenjve si në Jeruzalem, ashtu edhe kudo ku ata janë. Ky qëndrim e shtyn në mënyrë të pashmangshme Amos Ozin të jetë racional dhe vizionar dhe të tregojë me paanshmëri çka ndodhur në të vërtetë mes hebrenjve dhe palestinezëve, ku pas një analize të detajuar dhe koncize të na vërë në tavolinë përfundimin se të dy palët janë produkt i politikave që nuk janë luajtur nga ata vetë, ku ata  kanë qenë po njëlloj viktima dhe të persekutuar të forcave më madhore, që padyshim patën si “dhuratë” luftën me të gjithë egërsitë e mizoritë e saj. Sigurisht ai na tregon një histori, edhe familjare. Por gjysh Aleksandri, nuk është thjesht gjysh Aleksandri.
“Ama të vdesësh në moshën time- kjo po që është tragjedi!...Edhe të jetoj- është një zakon për mua,nu, çfarë, pas njëqind vjetësh kush mund t’I ndryshojë ndonjëherë të gjithë zakonet?”(fq.147). Që të thuash një përkufizim, aq më tepër të orientosh lexuesin drejt  një qyteti të shenjtë,  me urrejtje, kjo është e papranueshme. Sepse është krejt e kundërta. Por që të arrish në një përkufizim të saktë duhet së pari të kuptosh dhe pastaj edhe të ndjesh simbolikën e një letërsie. Letërsia hebraike karakterizohet nga një simbolikë shumë e ngjeshur dhe në shumë raste, krejt e veçantë dhe me prerje vertikale historike. E që të flasësh për këtë simbolikë duhet me patjetër të njohësh konstitucionin shpirtëror dhe të ndjesh po njëlloj si një hebre i përkushtuar, madje. Kjo letërsi dhe Amos Oz, e përjashton përkthimin e thjeshtë. Vetëm sikur kaq, këtë fjali që citova më lart të kishin pasur parasysh  shkruesit, interpretimi do të ishte krejt një gjë tjetër. Gjyshi është Plaku, është Historia, Vendi, Populli që vjen nga kjo Histori e në këtë vend. Dhe Vendi nuk tjetërsohet, dhe Historia nuk zhbëhet. Ai thjesht vazhdon të Jetojë ashtu sikur është mësuar dhe kurrë nuk ndërron. Ai po njëlloj e do Diellin e tij, Lulen, Gurin, Pemën…Njëlloj dashuron Vendin, deri në sakrificën e fundit, deri në sakrificat “e vogla”, të përditshme, gjithnjë në emër të asaj që është një AND-që vjen që nga Gjeneza. Një ADN Historike që tregon me shumë përulësi përballë Dashurisë Hyjnore e të Përjetshme se sa stoikë jemi dhe se sa shumë dashurojmë njëri-tjetrin, dhe gjithçka që është jona.Tokën e Shenjtë së pari. Ku është urrejtja në Jeruzalem? Në cilën fjali dhe në cilin kontekst Amos Oz ofron urrejtje? Në asnjë! Në të gjithë tekstin e tij ka vetëm Dashuri. Dhe mbi të gjitha figura e Plakut është e Shenjtë, e thënë kjo dhe e kuptuar në të gjitha kuptimet, sa reale aq edhe profetike.Sikur janë të shenjtë edhe hebrenjtë, edhe arabët, qenia njerëzore në thelbin e ekzistencës së saj është e shenjtë, jeta është e shenjtë, dashuria është e shenjtë- dhe është kjo që orienton qenien njerëzore, është kjo që e zbut atë dhe i ofron atë çka ajo, qenia e ka më të të nevojshme-kuptimin e ekzistencës së vet.Nga kjo pikëpamje ndoshta do të mund të thonim që kemi të bëjmë me një letërsi tipologjikisht të hapur për heroin, qenien, që ajo nga ana e saj i kalon caqet e një letërsie autobiografike të thjeshtë me një histori familjare dhe aq, por e parë nga ky këndvështrim mendoj se kjo letërsi dhe ky roman është një vepër e mirëfilltë homocentriste. Një letërsi që nuk fillon sigurisht me Amos Oz, por është pjesë e një tradite më të hershme. Mjaft të kujtojmë këtu prozatorin dhe romancierin Singer, i cili në qendër të veprës së tij vuri qenien, të shkëputur nga përkatësia e një nacionaliteti të ngushtë dhe në të njëjtën kohë foli pikërisht me fuqi për këtë nacionalitet që në kohën kur ai shkruajti, duhej ruajtur dhe mbrojtur. Letërsia e AMOS Oz lundron në këto ujra, njëlloj sikur edhe pothuaj e gjithë letërsia hebraike. Është një veçori e saj, është unikale në raport me letërsitë e tjera. Dhe nëse nuk e kuptuar këtë kuptohet që nuk ke kuptuar asnjë nga mesazhet që vijnë prej saj. Kjo përbën edhe një veçori stilistikore në të cilën procedeja artistike të çon drej nënshtresave që nuk janë pak, dhe kur çdo episod në dukje I thjeshtë, apo çdo përshkrim I mjediseve që përshkruhen aty nuk janë thjesht vetëm përshkrime që tregojnë jetën e një një njeriu, qoftë ky fëmijë, adoleshent apo burrë. Të gjitha të para nga ky këndvështrim marrin një tjetër vlerë dhe përçojnë një tjetër mesazh. Midis dy kodeve dhe dy  ligjërimeve, homocentrizmit dhe thjeshtnjeriut ky roman na ofron një përpjestueshmëri në raport mes letërsisë  sikur ajo është në të vërtetë, e ndërtuar me besimin, moralin,botëkuptimin, filozofinë, duke u shkëputur kësisoj dukshëm nga thjeshtnjeriu, dhe duke u bërë kështu një letërsi, edhe autobiografike. Kjo e fundit del në plan të dytë.Duke i dhënë kësaj letërsie vlerën e vërtetë të mbështetur fuqimisht tek të përfytyruarit e vetes, historisë, kombit, fesë, atdheut. Kode që kërkojnë të çkodifikohen e që një letërsi vetëm autobiografike, nuk e ofron. Në fakt himnizimi që i bëhet historisë dhe njeriut hebre, apo figurave biblike është një trashëgimi që vjen që nga fillimet e shkrimit hebraik. Madje sikur vërejnë studiuesit e kësaj letërsie në Mesjete dhe në shekullin e 19-të, sidomos , kjo ishte shumë më e dukshme. Mbizotëronin tekstet liturgjike, ose edhe kur kishte letërsi të mirëfilltë edhe kjo ishte tejet  e ndikuar nga këto tekste. Dhe kjo është e kuptueshme për kushtet në të cilat ajo zhvillohej dhe për qëllimin e lartë që mbartte me vete. Me shumë vështirësi kjo letërsi “u shkëput “ nga kjo mënyrë të shkruari. E thënë më saktë, ajo e ruajti thelbin e këtij shkrimi vetëm se gjeti forma të reja dhe më moderne për t’iu përshtatur kohës dhe mentalitetit filozofik të saj. Duke u bërë kështu më “pragmatiste”. Por në të gjitha rastet u ruajt si e shenjtë simbolika dhe e zhvillua po njëlloj. Kjo trashëgimi e ardhur nga Shenjtërimi i këtyre teksteve të lashta  përcakton edhe shkrimin e Amos Ozit. Pothuaj në të gjithë letërsinë hebraike, si në prozë ashtu edhe në poezi kjo është një frymë që ndjehet fuqishëm dhe është shumë përcaktuese. Mjaft të sjellim ndër mend disa vargje: “Ne e ndërtuam këtë qytet/ne e ndërtuam këtë qytet  nga liria/…Ne e ndërtuam këtë qytet nga kurajo/Ne besojmë në këtë qytet ku sakrificat dhe gjaku i fëmijëve na thërret/Ne e ndërtuam këtë qytet pas të tjerëve…këtë qytet të Një Zoti / Ne e rindërtuam Ir Shalem-in/ për t’u ndarë njerëzve lirinë/dhe dëshirën për t’u lutur për Paqe/…Gjithmonë ne do e rindërtojmë Jeruzalemin/”- Brodly Burston.
Vazhdojmë më tej: Thuhet: “…Jeruzalemi fatal…”Edhe kjo për mendimin tim është gabim. Jeruzalemi nuk është fatal.Në Fjalorin e Gjuhës Shqipe kjo fjalë përcaktohet kështu: “1.Që gjoja është përcaktuar nga fati dhe është i pashmangshëm, që përcakton fatin e të ardhmen e njerëzve; 2.Që sjell dëm të madh e pasoja të rënda, një fatkeqësi të madhe, vdekjeprurës, i pandreqshëm”. Në cilin prej këtyre përcaktimeve hyn Jeruzalemi që u ofrohet lexuesve të  gjuhës shqipe? Po, Jeruzalemi është i shenjtë.Por ai është një qytet si gjithë qytetet e tjera hebraike. Ka fatin historik që është më i lashtë se shumë prej tyre, ka fatin të ketë më shumë luftra në rrugët e tij, luftra që nuk janë bërë vetëm për të, por për të gjithë vendin dhe duke patur kaq shumë histori, sigurisht që ka edhe viktima. Jeruzalemi nuk ka qenë i vetëm në fatin e tij historik, shumë qytete-shtete kanë përjetuar dhe pësuar të njëjtin fat. Historia e dëshmon qartazi këtë. “Ka ardhur pushtues pas pushtuesi, ka sunduar për një farë kohe, ka lënë pas ca mure, një grusht dokumentash dhe është zhdukur. Zhdukur si mjegulla e mëngjesit poshtë faqeve të një kodre.” (fq.36) A s’është kjo historia e çdo qyteti të rëndësishëm? Dhe aq më tepër në kontekstin e këtij romani, ku asnjëherë Amos Oz, nuk bën as aludimin më të vogël të këtij fataliteti!Jemi pas 1948, viti i krijimit të shtetit hebraik, dhe ky vit përveç të tjerave DUHEJ të linte prapa shumë gjëra dhe të shikonte përpara, vetëm përpara. Kjo hollësi është harruar kur është nxituar të thuhej ai përcaktim “Jeruzalemi fatal”. Madje romani i tij thotë të kundërtën. “Kur shteti i lirë hebre më në fund të ngrihet asgjë nuk do të jetë më si më parë. Madje edhe Dashuria nuk ka për të qenë ajo që ka qenë më parë.”-Zalman Shazar,që u zgjodh President i shtetit. (fq.152). Ai përçon një mesazh Dashurie dhe Paqeje duke ngulur këmbë që jeta në Jeruzalem është pothuaj e njëjtë me atë në çdo qytet tjetër në botë, sigurisht me ato dallimet e vogla që i shohim edhe ne këtu në Tiranë, kur duam të flasim për Durrësin! Historia shkoi, lufta e bëri të vetën dhe ja ku është Jeruzalemi sërish me njerëz që ndërrohen sipas ciklit të përcaktuar jo nga fataliteti i gurëve dhe rrugicave të Jeruzalemit, por nga vetë Jeta, Natyra, që punojnë dhe gëzojnë po aty pa përjetuar asnjë fatkeqësi vdekjeprurëse dhe as të pandreqshme! Kjo miqtë e mi, në fjalorin tim quhet papërgjegjshmëri profesionale! Dhe i abuzuari është lexuesi i cili informohet krejtësisht gabim!Dhe gabimi vetëm sa thellohet duke  vërtetuar plotësisht mosnjohjen, për të mos thënë ndryshe.
Për të vazhduar më tej: “…nëpër sagën e kombit të tij me dashuri – urrejtjen ndaj Evropës dhe cinizmin e dashuri – urrejtjes me arabët”. Është e qartë që kemi përsëri një keqinterpretim. Që hebrenjtë e kanë dashur Evropën ky është një fakt i cili mbështetet edhe nga historia. Ata ishin pjesë e saj, ata u rritën me kulturën e saj, e njohën mjaft mirë atë, kontribuan në përparimin e mendimit të saj, dhe ngjallën zilinë proverbiale  të po kësaj Evrope. E cila nuk mënoi të merrte masa ndëshkimore të papara ndonjëherë, një genocid në krejt kontinentin. Brezi i Amos Oz janë të mbijetuarit e parë, vullnetarët e parë që mbërritën në Izrael, pas shumë peripecish e tragjedish njerëzore. Por hebrenjtë nuk e urryen Evropën, ata që mundën thjesht u larguan prej saj, zemërlënduar por me shpresa të reja. “të gjitha rrugët të çonin në vuajtje. Nuk ka bishë të keqe. Asnjë bishë nuk është e aftë të bëjë keq. Bishat as që e kanë shpikur të keqen ende.” (fq.182). Nisur nga ky qëndrim Amos Oz nuk pengohet aspak të bëjë një analizë të detajuar të kësaj marrëdhënijeje tejet të ndërlikuar si nga pikëpamja teorike, pra e filozofive që mbart në vetvete, po ashtu edhe nga ana praktike, nga bashkëjetesa e përditshme me gjithë laryshinë e saj. “…isha një deng argumentash” dhe le të përmendim nja dy prej tyre sa për ilustrim. Amos Oz thekson: “Gjëja e fundit që donin popujt e Evropës ishte që ne të vërshonim prapë në Evropë. Dhe meqë europianët ishin shumë më të fuqishëm se arabët, kishte gjasa që të na linin këtu. Ata do t’i detyronin Arabët që të gëlltisnin atë që Evropa po përpiqej të villte…Evropa është e njëjta si për arabët edhe për hebrenjtë. Por kur arabët na shohin, ata nuk shohin një tufë të mbijetuarish, por një syth të ri që me zgjuarsi është kthyer në Lindjen e Mesme, këtë herë me petkun sionist, për të shfrytëzuar e dëbuar nga e para. Por edhe për ne, ata arabët, janë akoma vrasësit tanë të dikurshëm me mendje vetëm për t’u therrur hebrenjve fytin për qejf.”(fq.406). Pra edhe nëse vazhdojmë me pasazhe të tjera nga libri do të dalim po në të njëjtin përfundim që hebrenjtë e kanë dashur Evropën sepse dashur pa dashur ajo ishte bërë një pjesë e identitetit të tyre intelektual dhe jetësor. Dhe përfundimi tjetër tepër i rëndësishëm dhe i keqkuptuar është raporti me konceptin e urrejtjes, e cila nuk duket në mendimet dhe rrëfimin e Amos Ozit. Dhe aq më tepër të etiketosh marrëdhënien historike me palestinezët si një marrëdhënie plot cinizëm!!! “Së afërmi do t’i nxjerrim jashtë, jo me urrejtje, mes vëllezërve, jo me përmbysje të dhunshme, por me përçmim të ftohtë-ata që shesin dheun e Atdheut!” “...Se duhet të na dorëzojnë me respekt çelësat e gjithë truallit, vetëm ngaqë paraardhësit tanë patën jetuar këtu?”-kjo është edhe pyetja që ai shtron, por sikur shihet e theksuar dukshëm madje- pa urrejtje! Po atëherë, ç’u bë cinizmi i këtij raporti? Ai pohon që “isha ende një produkt konfromist i edukimit sionist” (fq.519), sikur pohon : “Pushteti është yshtja e Djallit dhe ne me dinakëri kemi zaptuar gjithmonë e më shumë tokat e tyre…Por s’ka për të më dëgjuar që të përdor fjalën “vrasës” për arabë që kanë humbur fshatrat e tyre. Të paktën jo aq lehtë!” (fq.519).Pra në të gjitha rastet as që bëhet fjalë për urrejtje dhe thirrje për urrejtje dhe vrasje, masakra etj. Kështuqë edhe ky përcaktim që i vishet Amos Ozit në parathënie del i gabuar dhe i keqinterpretuar. Për të mos përmendur faktin që Amos Oz  është nga të parët që kanë hedhur idenë e krijimit të dy shteteve, si atij hebre, ashtu edhe atij palestinez!
Dhe për ta përmbyllur këtë qëndrim që në të njëjtën kohë është tejet delikat dhe ka nevojë vërtetë për saktësi, që të mos fyesh në rradhë të parë popullin hebre me devijime qëndrimesh e politikash reale, dhe së dyti për të mos fyer popullin shqiptar me një orientim krejt të gabuar në kulturën dhe historinë e hebrenjve, do të citoj vetë Amos Ozin i cili sikur njofton media izraelite, më mars 2011, shkruan në kopjen e përkthyer në arabisht të këtij libri Rrëfim për Dashurinë dhe Errësirën, drejtuar me nje dedikim personal në hebraisht për liderin e Tanzim Marëan Borghaiti: “Kjo histori është historia jonë. Unë shpresoj që ju ta lexoni dhe ta kuptoni atë që ne kuptojmë, t’ju shoh ju jashtë dhe në paqe”, I juaji Amos Oz.
Më poshtë thuhet: “…ende sot (Izraeli) jeton një histori të turbullt.” As kjo nuk është e vërtetë. Sepse Izraeli tashmë është një shtet i konsoliduar dhe jeton jetën e tij plotësisht. Sigurisht që probleme ka si çdo shtet tjetër në botë, por në asnjë rast nuk është brenda nje historie të turbullt. Përkundrazi ai ka një mendim të kthjellët dhe plot vizion. Ai jeton, studion, punon, dhe padyshim që arritjet e tij janë mbresëlënëse. Meqë jemi në sferën e letërsisë le të përmendim që vetëm fitues të Çmimit Nobel, për letërsi janë 13 shkrimtarë! Kjo është një nga të shumtat, por e rëndësishme dhe e admirueshme është pikërisht historia që po jeton tani shteti i Izraelit, një histori me një strategji afatgjatë dhe të mirëpërcaktuar. Realizimi i  “4 Sfidave” pasyshim që e konsolidon edhe më tej këtë shtet relativisht të ri. Sa për të krijuar një ide këto “4 Sfida” janë: 1.Vendosja e sigurisë kombëtare; 2.Përthithja e një numri të madh emigrantësh; 3.Krijimi i një infrastrukture moderne; 4. Oferta e shërbimit publik në nivele shumë të larta e të zhvilluara.
Konflikti me palestinezët sigurisht që ekziston, por jo në atë masë sa të turbullojë jetën dhe përditshmërinë, por me sa duket edhe ky po shkon drejt zgjidhjes përfundimtare. Kështuqë edhe ky “informacion i pretenduar” bie poshtë, njëlloj si të tjerët dhe pohon edhe njëherë mosdijen e shkruesve.
Dhe pasi na kanë “sqaruar!” me problemet e mëdha të pranishme në roman dhe me qëndrimet e vetë AMOS OZ-it hidhen edhe në ca probleme më të vogla dhe më të thjeshta, rikthehen tek “saga familjare”, për të na tënë se ai Amos Oz, është : “si preja në martesën e ferrit!”. Por nëse e ke lexuar romanin padyshim faqet më të bukura, më të ndjera, të shkruara me një dashuri që nuk ka turp të shfaqet e plotë, e mbushur, gati hyjnore, janë faqet kur ai shkruan dhe flet për nënën e tij, kur flet për babain, për gjyshërit dhe të gjithë pjestarët e tjerë të familjes. Në këto faqe shkrimi i tij hapet njëlloj sikur zemra e tij, është një dashuri pa kufi. Ajo është një martesë si të gjitha martesat, me uljet dhe ngritjet e saj por që gjithësesi “rezistoi mes kërcitjeve të dhëmbëve…ky dëshpërim u mbajt gjithmonë i kyçyr me dry e çelës”(fq,181). Edhe kur flet për moskuptimet me babain, që janë brenda një normaliteti jetësor, asnjëherë nuk të krijohet ideja se kemi përpara një Pre, dhe aq më tepër një martesë ferri! Ata, prindërit e Amos-it duheshin sipas mënyrës së tyre dhe fryti i tyre, fëmija i tyre i vetëm nuk ishte nje pre, por një ëngjëll, një mrekulli dhe si i tillë rritej. Kështuqë ky konstatim nuk qëndron, sikur nuk qëndron edhe  përcaktimi : “I një babai nervoz dhe të arsyeshëm dhe  një nëne romantike, ëndërrimtare”, kur vetë Amos Oz në faqet e romanit thotë kështu: “Babai ishte rritur me një dietë të koncentruar romantizmi operistik, nacionalist e luftëdashës, majat e sheqerosura të saj qenë spërkatur si me cikle shampanje, e me furinë burrërore të Niçes. Nëna rronte me kanunin tjetër romantik, menuja melakonkolike e vetmisë në akord minor, e zhytur në mundimin e zemrës së thyer” (fq.303). “Isha një farë Jezusi i përmbysur, i lindur prej një burri të virgjër nga një frymë e padukshme”(fq.535). Marrëdhënia e tyre nën këndvështrimin e një fëmije thënë ne gojën e një burri të rritur tashmë është me të vërtetë interesante dhe mjaft e sinqertë. Ndoshta i vetmi përkufizim i saktë në të gjithë atë parathënie! Amos Oz kërkon me ngulm të dijë se kush është, nga vjen, cili është misioni i tij në jetë, sa mundësi ka ai për të realizuar këtë qëllim dhe mision, cilat do të jenë prioritetet e tij dhe sa ato do të ndikojnë në të gjithë marrëdhëniet me të tjerët, sa është ai përfaqëesues tipik i kombit të vet, dhe sa mundësi reale ka për t’u përshtatur me të gjithë jetën dhe mënyrën e organizimit të saj, sa është i gatshëm të pranojë teoritë e reja njëherë sioniste dhe mëpastaj antisioniste, sa është e përgatitur filozofia dhe mendimi teorik për të përballuar këtë, sa janë bashkëpunues prindërit në gjithë këtë histori dhe cili është funksioni dhe qëllimi i tyre si një brez në kapërcyell të epokave, sa janë të gatshëm ata të përgatisin njeriun e ri që do të ndërtojë Tokën e Ëndërruar, Tokën e Shenjtë, mendime dhe pyetje që i jep përgjigje po në faqet e këtij romani. “I vetmi udhëtim prej nga ku nuk kthehesh duarbosh, është ai brenda vetes”. (fq.241)
Ndoshta mund të vazhdonim më tej edhe faqe për faqe me pasaktësitë e ndërtimit të fjalisë në gjuhën shqipe, në të cilën nuk respektohen rregullat e sintaksës së saj së pari, dhe ka plot gabime drejtshkrimore, së dyti. Por kjo është një temë që kërkon një studim të vecantë prej profesionistëve të përkthimit. Me këtë rast unë I ftoj ata të thonë fjalën e tyre në këtë drejtim. Por sa më sipër e quajta të domosdoshme të sqaroj publikun e interesuar për keqinterpretimet, keqleximin dhe keqkuptimin që I është bërë Amos Ozit në gjuhën shqipe.
Amos Oz nuk e meriton këtë. Letërsia hebraike, gjihashtu.

Botuar ne gazeten Nacional

Comments

ME TE LEXUARAT

GJINKALLA DHE MILINGONA

KRITIKЁ MBI NJЁ PARATHЁNIE

SONTE HARRUAM TЁ BЁJMЁ DASHURI

Poezi nga vellimi "Paqe pa profet", 2012

AINSHTAJNI , ZGJEDHJET SHQIPTARE DHE MENÇURIA IZRAELITE

BIOGRAPHY

Mimoza Erebara was born on 8th March 1963 in Tirana.

She attended and graduated in the University of Tirana ;the Faculty of History-Filology in the profile of albanian language and literature.

After graduation ,she worked for a long time as a journalist and a redactor in "Zëri i rinisë"and "Republika"journals ,in "Zani i Atdheut"radio and also in tv studios such as"Victoria"-Detroit USA,"Lira","Phoenix"etc.

She has been a collaborator with a lot of albanian medias and abroad.

She has already won many international and national prizes.She is honoured with the name of "Peace Ambassador".

Her relation with literature has started early ,publishing time after time in different periodic magazines of the time.

She is the author of:

To give company to a hope"poetry -1993

"Love cry"poetry-1996

"The adventures of 10×10 and the upside down Munuriro" novel-fairy tale-1996

"Mistakenly in love"stories,-1997

"Torn reason"poetry-1998

"Wrongeyed"original fairy tales-1999

"Hired lock"stories-2010

"Peace without a profet",poetry-2012,

He and She,love messages,poetry-2015

"Shalom my tear"poetry-2017

"Soul in the desert"

Antology of hebraic poetry,-poetry -2019