MALLKIMI




 Nuk pritën as sa të  shkonin brenda,por filluan të puthen me zjarr, duke mos parë më asgjë. Burri e tërhoqi brenda dhomës së madhe e gati të zbrazur. Gruaja ishte përhumbur aq shumë nga ky shfrim i papritur e i pazakontë i atij që tashmë do të ishte ashtu siç e kishte dashur gjithnjë të ishte, burri i jetës së saj. Kishin ikur nga dasma e tyre pa pritur të përcillnin njerëzit siç e donte zakoni. Gruaja po klithte nën zë duke u përpjekur të çlirohej nga palat e shumta të fustanit të bardhë e të vellos, pas së cilës u bënë merak të gjithë gratë e fisit.As kërcitjen e tegelit në copën e brishtë nuk e dëgjuan . Burri vazhdonte ta puthte me ngulm dhe po me ngulm kërkonte edhe trupin e saj të fshehur mes palave të bardha.
            -Je e imja…je e imja…imja…- mërmëriste mbytyrazi burri mes buzëve e frymës së të dyve. Sytë u ishin mbyllur dhe duart e të dyve lëviznin me shpejtësi duke përkëdhelur ç’t’u dilte përpara. Më në fund gruaja arriti të çlirohej nga lumi i kopsave e karficave dhe ashtu, epshore, e njomë, me një lëkurë për të patur zili ishte shtrirë në shtratin matrimonial, i vetmi trashëgim, i shenjtë gati, i familjes së burrit.Ishte me të vërtetë një shtrat supergjigand, a thua se ata që e kishin përdorur   do të kishin qenë njerëz jo të kësaj bote. Ishte kthyer gati në një traditë të cilën deri më atë ditë nuk e kishte shkelur askush nga pjestarët e shumtë meshkuj të fisit, që për hir të së vërtetës duhet të themi se ishte tepër i madh e i fuqishëm.. Me të vërtetë dukej si shtrat mbretërish, me gjithë ato simbole të gdhendura në atë dru arre të rrallë. Dikur ua dinin edhe kuptimet e atyre simboleve, por tani pasi kishin kalur  shekuj, askush nuk i mbante mend me hollësi e saktë se çfarë tregonin ato. Por  po t’i shikoje me vëmendje, aty-këtu të shfaqeshin portrete njerëzish. Po kjo nuk i ndodhte kujtdo. Për shumicën e çifteve që ishin martuar dhe kishin  fjetur natën e parë të martesës në këtë shtrat, që i kishin ngjizur fëmijët e tyre po aty, ato ishin thjesht disa motive lulesh e kafshësh amorfe, ku herë dukej një bri, herë një turi, herë ca çaponj. Kurse për ata që arrinin të shihnin të tilla gjëra thuhej se ndillnin fatkeqësi Në  traditën e familjes së tyre, po  të ndodhte që fëmija i ngjizur mbi këtë shtrat të ishte mashkull, çifti që e kishte sjellë në jetë lejohej që të flinte në këtë shtrat derisa një çift tjetër t’i zëvendësonte. Po kështu, nga plaku i fisit, i cili me fanatizëm ruante drejtimin dhe organizimin e gjithë pjestarëve të familjes, çiftit fatlum i njiheshin edhe disa shpërblime. Për atë fis që rrënjët i kishte tepër larg këtyre brigjeve ku fati i hodhi dhe i mbrojti prej asgjësimit të plotë, vazhdimësia, ishte çështja më e prekshme prej të gjithë anëtarëve të vjetër dhe po kështu edukoheshin edhe të rejat që hynin nuse në këtë shtëpi të madhe e me emër, jo vetëm në trojet e tyre, por edhe më larg. Të dy, edhe për burrin , edhe për gruan ishte hera e parë që ndodheshin në këtë dhomë e në këtë shtrat. Dhe ata po rrotulloheshin e po rrotulloheshin kaq shumë në krahët e njëri –tjetrit dhe kaq shumë ishin përhumbur në thellësitë e frikshme të ndjenjës, sa për ta  në ato minuta u jetua  krejt jeta. Koha e humbi nocionin e saj praktik. Hapësira gjithashtu. Po lundronin në ndjenjën e tyre.Burri, një trupmadh  me shpatulla për t’u patur zili nga çdo mashkull, qëndroi një çast të vetëm i drithëruar nga trupi i lëbyrtë që kishte nën vete. Deri më atëherë, ai nuk kishte nxjerrë zë, duke respektuar ritin e familjes , të cilin ia kishin bërë të qartë burrat e tjerë: asnjë fjalë, asnjë klithmë! Burri duhej të ishte i fortë dhe nuk bënte të dorëzohej para trupit të një gruaje.
            -O Zot!- klithi ai- Çfarë bukurie që kam!
Sytë e kaltër të gruas u errësuan  si qielli nga reja. Ata kishin kaq shumë jetë, ishin kaq të thellë, kaq të mistertë…
            -Ç’bën? – pëshpëriti ajo- harrove që s’duhet të flasësh ?
            Burri nuk dëgjoi por filloi të pikturonte me fjalë bukurinë që kishte nën vete ,  atë bukuri që e kishin lakmuar kaq shumë të tjerët, por që tani, sot, ajo do të ishte e tija, krejt e tija dhe e askujt tjetër. Burri ishte i ngazëllyer, njëlloj si gruaja  që e dhe ajo po e përjetonte këtë çast po ashtu. Edhe për të ishte gati-gati një mrekulli që e kishte,sepse në kohën në të cilën jetonin, të martoheshe me njeriun që dashuroje ishte një ëndërr, thjesht një ëndërr, njëlloj sikur ajo, e mjegullt, e pakapshme.Për të dy ky ishte një fat i pazakontë.Prandaj në ceremoninë e dasmës së tyre u shkul i madh e i vogël për të marrë pjesë. Nuk ngeli vajzë pa ardhur dhe në sytë e ëndërrt të të gjithave lexohej e njëjta dëshirë për të patur të njëjtin fat sikur edhe  shoqja e tyre.Edhe gratë e fisit të burrit e lakmuan një martesë të tillë të rrallë. Apo s’ishin që të dy njëri më i bukur se tjetri!. Por  të heshtura, ashtu siç e deshte zakoni, askush nuk e mori vesh në u gëzuan me të vërtetë, apo plasën nga zilia, sepse asnjëherë çifti problemet mes vete nuk i përfliste me askënd. Nuk dihej në ishin të lumtura apo jo, por gratë e tjera të fshatit thanë se një shkëlqim sysh  nga një lumturi e paparë, në sytë e gruas nuk e kishin parë në asnjë prej nuseve të tjera të fisit.
            Por ata të dy në ato çaste me të vërtetë nuk ishin aty.
            Burri dhe gruaja  heshtën vetëm një çast dhe pastaj nuk përmbaheshin më. Filluan t’i shtojnë  klithmat e epshit e pasionit sepse për herë të parë ata të dy po bashkonin trupat e tyre,t’i shtojnë aq shumë sa ato filluan të dëgjoheshin nëpër të gjithë shtëpinë, duke i mundur madje  edhe zhurmat e ahengun e dasmës.
            Haka , lënesha e familjes, që deri atëhere kishte qëndruar e ulur në gjunjë dhe po i përgjonte nga vrima e çelësit, kërceu e trembur dhe mezi u mbajt pas mureve të gurta, ashtu dyllë e verdhë, kur pa plakun e shtëpisë në korridor dhe pas tij një shpurë e tërë me burra të fisit e tek-tuk ndonjë grua a ndonjë kokë fëmije. Heshtja e tyre e çmeriti. Priti ndëshkimin. Ishte kapur duke përgjuar. Gratë e fisit e kishin përfolur prej kohësh nën zë një gjë të tillë, sepse shpesh herë u bëhej si hije  që shkon e vjen vjedhurazi nëpër shtëpi, dhe shumë herë vetë ato nuk ndjeheshin rehat. Mirëpo burrat e kishin kaluar me indiferentizëm këtë gjë, dhe i kishin akuzuar gratë e tyre se ishin bërë me hije. Vërtet Haka ishte shëndetligë dhe thartuqe, por nuk ishte e keqe, prandaj ato do bënin mirë të ulnin kokën e të merreshin me punët e tyre dhe të mos merreshin me llafe të kota. E kështu Haka kishte shpëtuar paq. Nderi i familjes nuk ishte cënuar. Prandaj tani kur i pa të gjithë bashkë mendoi se i erdhi fundi. Por plaku s’e pati mendjen tek ajo. Me hapa të ngadaltë u çapit drejt derës , e hapi dhe shtangu.           
            Burri ishte shtrirë mbi  atë që mund të quhej qylym, mbulesat e shtratit ishin hedhur në tokë, jastëkët me qëndisjet qindravjeçare kishin fluturuar në një cep,dhe mbi të kishte hypur gruaja e cila hepohej herë andej e herë këndej e gjitha në ekstazë, me sy të mbyllur, dhe që po i thoshte burrit të saj:
            -Shpirt, bëmë ç’të duash…puthmë… gjithandej puthmë…shpirt …-dhe në të njëjtën kohë zgjatej të puthte e të kafshonte burrin dhe kur s’e arrinte dot kafshonte gjinjtë e vet. I ngriti duart e burrit rreth qafës së saj dhe ofshau fort duke mos e lënë atë të lëvizte më. Burri nga ana e tij kullonte në djersë dhe vetëm bërtiste.Flokët e verdhë e të ndritur si ari shkonin sa andej –këtej duke vezëllitur, lëshoheshin mbi fytyrën e tij dhe pastaj papritur gjendeshin në atë kurriz të brishtë, ku dukshëm dukej rrethi i hollë i belit.Ata as që e vunë re derën që ishte hapur dhe njerëzit që kishin mbetur të pagojë nga ajo që po shihnin dhe që i kalonte të gjitha caqet e fantazisë së tyre.
            Haka ishte bërë e bardhë, gati e tejdukshme. Kishte përpara syve atë që e kishte dëshiruar gjithë jetën dhe që kurrë nuk e kishte pasur. Kishte përpara një dhomë  në të cilën kishte kaq shumë dashuri.Zemërimi filloi ta kaplonte rrufeshëm dhe ajo u betua se do të merrte hak për fatin e saj të mbrapshtë, do të merrte hak për dashurinë e munguar.  Ajo foli:
            -Unë do t’ju mbys në dashurinë tuaj!Mallkuar qofshi!
            Në heshtjen e varrit që kishte rënë në atë çast, mërmërima e saj kumboi si të ishte zëri i priftit në meshën e së dielës.
            Kaq u desh. Plaku flaku bastunin e tij drejt nipit të zhburrërruar. Se për të, ky ishte zhburrërrimi më i madh që mund të pësonte një mashkull i fisit të tij.Nipi i shtagur edhe ai nga kjo e papritur që e pllakosi kaq lemerishëm, nuk i kundërshtoi burrat e tjerë të cilët në heshtje e tërhoqën ashtu, ende ujë në djersë dhe ende me gulçimat e pasionit nën vete,cullak, drejt asaj që ai e dinte- Fundit. Pati kohë të  kthente kokën edhe njëherë për të parë gruan e tij, por veç ca kaçurrelave të arta të ndera në dysheme nuk arriti të shohë gjë tjetër.

            Dasma u kthye në mort. E, sa për Hakën, për të nuk u kujtua më njeri, por  të gjithë i  ruheshin si kafshimit të gjarpërit. 

Nga vellimi "Gabimisht dashuruar"

Comments

ME TE LEXUARAT

GJINKALLA DHE MILINGONA

KRITIKЁ MBI NJЁ PARATHЁNIE

SONTE HARRUAM TЁ BЁJMЁ DASHURI

Poezi nga vellimi "Paqe pa profet", 2012

AINSHTAJNI , ZGJEDHJET SHQIPTARE DHE MENÇURIA IZRAELITE

BIOGRAPHY

Mimoza Erebara was born on 8th March 1963 in Tirana.

She attended and graduated in the University of Tirana ;the Faculty of History-Filology in the profile of albanian language and literature.

After graduation ,she worked for a long time as a journalist and a redactor in "Zëri i rinisë"and "Republika"journals ,in "Zani i Atdheut"radio and also in tv studios such as"Victoria"-Detroit USA,"Lira","Phoenix"etc.

She has been a collaborator with a lot of albanian medias and abroad.

She has already won many international and national prizes.She is honoured with the name of "Peace Ambassador".

Her relation with literature has started early ,publishing time after time in different periodic magazines of the time.

She is the author of:

To give company to a hope"poetry -1993

"Love cry"poetry-1996

"The adventures of 10×10 and the upside down Munuriro" novel-fairy tale-1996

"Mistakenly in love"stories,-1997

"Torn reason"poetry-1998

"Wrongeyed"original fairy tales-1999

"Hired lock"stories-2010

"Peace without a profet",poetry-2012,

He and She,love messages,poetry-2015

"Shalom my tear"poetry-2017

"Soul in the desert"

Antology of hebraic poetry,-poetry -2019