“Dialogu s’është veçse një
nga format, ndoshta më e larta e simpatisë kozmike”(O.Paz). E thënë
ndryshe dialogu është një nga mjetet që
njeriu përdor për të realizuar ekzistencën e vet.Kështu ka ndodhur prej mijëra
vjetësh dhe kështu ka ecur njerëzimi.Të ekzistosh, të jesh, të gjallosh , të
jetosh në jetën që na është dhënë do të thotë të pohosh në çdo çast vetveten
dhe ata që janë rreth teje. Të pohosh do të thotë të pranosh Botën, të përpiqeësh
ta njohësh atë dhe më tej akoma të përpiqesh ta ndryshosh, gjithnjë në të mirë
të vetvetes. Ta zhvillosh atë dhe njëkohësisht edhe vetveten. Historia na mëson
se sa herë që njerëzimi ka qenë pohues, pra e ka pranuar Botën si të tillë, dhe
sa herë që njeriu ka kërkuar më të mirën prej saj, Bota dhe vetë ai, ka përparuar.
Këto janë gjëra të njohura. Siç është e njohur edhe e kundërta e saj . Kur
njeriu ka mbajtur një qëndrim mohues ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve, ndaj Botës
dhe vetë ekzistencës njerzore, kjo ka ardhur si pasojë e mohimit dhe e mos
dialogimit. Duke mos dialoguar me të ngjashmin e vet, duke mos dialoguar me institucionin
e politikës, si pjesa më e rëndësishme e ecjes së njerëzimit, në këtë mënyrë
njeriu nuk bën gjë tjetër veçse sa mohon veten, të tjerët dhe Botën.Vetë
historia është një dialog që herë ushton nga zhurmat e luftës e herë nga
monologjet e udhëheqësve duke mbërritur në përfundime aspak të këndshme, që në rastin kur përdoret dhuna kjo na acaron
dhe na pengon të flasim me njëri-tjetrin, si dhe në rastin kur kemi vetëm një
monolog që është edhe pjesa më e keqe e ekzistencës, sepse në një rast të tillë
monologu e përjashton tjetrin plotësisht. Shqiptarët për fatin e tyre të
mbrapshtë, vijnë nga dhuna dhe monologu.Pretendohet se e kemi kaluar këtë
periudhë dhe me vrap jemi hedhur të
kapim kohën e humbur, nxitojmë të bëhemi pohues pasi kemi qenë mohues.
Pretendohet se ne tashmë dialogojmë e në këtë mënyrë krejt apriori pranojmë se kemi hequr dorë nga
totalitarizmi dhe gjithë pretendimet despotike shoqëruese.E thënë thjesht, pretendohet
se pohojmë se çfarë jemi në të vërtetë dhe në të njëjtën kohë e pranojmë edhe
tjetrin ashtu siç është, unik e të patjetërsueshëm, e pranojmë në spiralen e
zhvilimit e të vetëzhvillimit. Pra ne e dëgjojmë atë, të përngjashmin tonë, ne
dialogojmë.Po a dialogojmë me të vërtetë?
Është fakt historik që ka udhëheqës kombesh e shtetesh që megjithëse u
gjendën në mesin e luftrave, ata sërish ishin pohues, sepse ata vërtet bënë
luftë dhe ishin pjesmarrës në të, qoftë si prijës të mirëfilltë, qoftë si
strategë të mëdhenj, por në asnjë rast ata nuk u nisën nga urrejtja, ata
luftuan por nuk urryen.Siç është fakt edhe përpjekja e tyre titanike për
dialogim, hapi i parë drejt demokracisë dhe paqes.Të ashtuquajturit udhëheqësit
tanë nuk dialogojnë.Ajo çka bëjnë është një lojë në shilarse, sa nga dhuna , e
sa nga monologu duke u lëkundur brenda gjysëm harkut të madh të totalitarizmit
të kulluar që për frymëmarrje ka urrejtjen.Kuptohet që veshja e këtij manekini në vitrinë është e
shkëlqyeshme dhe na shitet për vlerë të mirëfilltë demokracie e paqeje.Si një
vlerë e vërtetë lirie.Duke “harruar”se liria është gjithnjë brenda nesh, dhe nuk mund të vijë prej atyre që vetëm
mohojnë të pamohueshmen - ekzistencën tonë.Kjo është një e vërtetë e padiskutueshme,
absolute, por ka ardhur koha që t’u bëjmë me dije të ashtuqujturve udhëheqësve
tanë se kjo e vërtetë absolute, nuk është “Ata”, nuk ka të bëjë as me ta , as me gjithë besimin që mbartin me
vete, besim që ata shumë shpejt e kthejnë në një dogmë llahtarisht shkatërruese
e rrënuese. Mohuese.Nga një set në tjetrin topi i zgjedhjeve fluturon në të njëjtën
fushë mohimi, dhune e monologu.
Po liria që ne e mbartim brenda vetes na pohon fort se vërtet risku i
rrezikut është i madh, se influencat mund të jenë realisht shkatërruese për
kombin e për ne vetë, por pohimi është kaq i fuqishëm sa ne të gjithë këtë e
shohim si diçka të përkohshme, kalimtare, sepse tek e fundit, kjo nuk është e vërteta
absolute, ky nuk është pohim,nuk është dialog. E vërteta absolute, pohimi dhe
dialogu janë aty ku ne jemi.
Comments
Post a Comment