AI:
Një mesazh = një premtim
Një premtim = një jetë
Një jetë-
Dhënë ty
04.06.2007-24/07/2008
AI:
Të shtrirë -shkrirë
në një
Presim agun të na
kthejë
- rrezëllejë
këlthitjen e trupave tanë
14/06/2007/ 02:58
AI:
Malli për ty,
Si puhizë deti veron
Mbi trupat tanë, aromë jete
Dhe ne,shtrirë, gjymtyrëngërthyer
Dehemi krejt me të!
08/10/2007/ -06:50
AJO:
Në ajër jam me ty,
E bashkë me të,
Thellë të hyj në mushkri
- e ti pa të s'bën dot!.
.08/10/2007/ -08:16
AJO:
Të dua, të dua, të dua!
Atje ku trishtimi zë pritë
Dashuria çel jetë
Dhe
shpirti nga ty, tek unë vjen.
29/11/2007/ 09:11
AJO:
A jam diku në orbiten tënde?
-se Universi në Kaos tani po vërtitet
I çmendur krejt Ai zhytet, ngrihet,
Shpërthen,ngjizet
Çelësin e Kohës tutje e vërvit
Ku ëndrra ime për ty
Një tjetër Kaos shpik,
Një tjetër orbite
19/12/2007
AJO:
Aroma e ëmbël
Lirinë e
ndjell
Fatin kur shpërndan
Reve ndër qiej
Endet për ty zemra ime
Dhe
shpirtjetë të sjell!
09/06/2008
ora 23.34
AJO:
Fshij,
Faqen tënde me diell
Laj
Sytë e tu me ëndërr
Dëgjoj zogjtë
Ti më thërret
Gatuaj
Zemrën time me shpirt
Për ty-
…dhe shtëpia shkëlqen
Si ti, brenda meje…
20/06/2008
ora 10.20
AI:
Vetmia prodhon enigmën,
E, kjo, kuriozitetin
17.07.2008, ora 18.56
AI:
Mbas shfaqjes humbi zëri,
E mbas tij edhe shkrimi.
Al--zi nga “Mohikanët”
mendohet të jetë i fundit
17.07.2008 ora 18.45
AJO:
Larg teje
Me temperaturë,
-Reale-!
Digjem.
Me kompresa në ball e në duar
mundohem të të afroj
17/07/2008 ora 19.01
AJO:
Si një trishtim oriental
Lëshohet dielli mbi det,
Pa dashur të shkojë vetëm
-si unë që në breg të pres ty
Shenjat të kuptosh
22/07/2008
ora 13.49
AJO:
Nga Dajti sytë i tres
Ty të kërkoj…
Ai më sjell shkulma pafund resh,
Si lëng
shpirti
Që për ty e grumbulloj…!
24/07/2008
ora 21.39
AJO:
Sa shumë ajër,
Sa shumë det,
Plot ninulla,
Sa shumë….sa shumë
ti….që nuk je….
27/07/2008 ora 23.58
AJO:
Janë një palë sy që janë kudo
Sytë e shpirtit janë
-nuk mund të fshihet e vërteta!
28/07/2008
ora 01.17
AI:
Malli për ty,
Ngulç kohëndalues e shpirt kaplues,
Lind
Sytë tanë
Që sot
Rigjetbashkë
janë
02/08/2008 ora
21.51
AJO:
Hapat e mi kumbojnë në ajrin e plumbtë
Dhe unë me duar e largoj
Për t’i lenë vend frymës tënde
…atë dua të thith
Që në sytë e tu më pas të humb…
04/08/2008
ora 18.23
AJO:
A shkon e vjen si dallgë dëshira ?
Zhytur thellë në oqeanin e ndjenjes
Nuk kam nevojë të rri në breg e të pres
Valën, atë, të duhurën
-se, ty të kam
14/08/2008
ora 20.28
AJO:
E burgosur nga jeta ime
I
gëzohem orës së ajrimit,
Dhe
harroj ku jam dhe kush jam,
Po çelësi
i kohës më plas tek vetmia,
Shpirt
ngrënësja skërmitëse e pamëshirshme.
23/08/2008 ora 21.09
AJO:
Si nata
me ditën
Jeta ime
me ty
Kur vjen
njëra
Tjetra ka
shkuar
01/09/2008 ora
21.05
AJO:
Si
skifter le të nisë fluturimi,
E gjithçka
jetës le ti marrë,
I sigurtë
se krahët e tua e mbajnë.
04/09/2008 ora 12.13
AJO:
Të dua shumë shpirti im,
Dhe
me ty do te shtrihem,
të fle
gjumin e dëshirës
19/09/2008 ora 22.18
AJO:
Dashuria
është si era,
Nuk sheh
por ndjen,
Dashuria
është uragan,
Që prapë
nuk e sheh,
Veç kur
veten gjen,
Të zhytur
thellë,
Në
vorbullën shkatërruese të tij.
23/09/2008 ora 0.51
AI:
Si sizifi
shtyj orët-gurë të natës,
Për të
parë dritë-agimin e kurmit tënd,
E ti
përgjumësh “gjes” më thua,
E krahun ndron
A thua
dita kufij të rinj ka.
24/09/2009
ora 10.02
AJO:
Shpirti
im,
Ajri
është plot me ty,
Dhe unë e
thith,
Krejt
mushkritë ti hap,
Që zemra
për ty të jetojë.
(Sapo u nisëm me
Nikon dhe Xhem katunarin për Dr.- - puç)
24/09/2008.
ora 11.24
AJO:
Veshur me mungesën tënde,
Shtrihem të fle,
Natën,
Përshpërima jote ma valëvit veshjen,
Dhe gjumin ma përze.
02.10.2008
ora 00.29
AJO:
Tani
si fillim tre ditë
Pastaj tre javë
Pastaj tre muaj
Pastaj tre vjet
Pastaj treqint vjet
Pa ty s’figuroj as në listën e tollonit të
telefonit
Helbete, e syrgjynosura
Ju përshëndet
05.11.2008; 0:31
AJO:
Thyhet heshtja e natës
Nga kjo zile telefoni
Vetmia natën më të gjatë e bën
E dashuria ime – shtrigë
Që ty të merr
E mua më ha
08.11.2008 18:34
AJO:
Si ndjehesh nga telefoni në telefon,
nga zëri në zë, nga raportimi në raportim,
nga të puth, në të puth ?
- unë shumë keq!
9/11/2008/ 23:33
AI:
Si jeta e pajetuar
Si fjalët e pathëna
Si puthje e ngrirë
Këto zile vetmitare
12.11.2008; 00:21
AJO:
Më kot
kërkoj
zërin tënd
ai u ndryshk
nga kripa e oqeanit...
12/11/2008/
01:26
AI:
Ti ëndërr, frymë, buzë,
symbyllazi luan me mua
zjarri yt mbi sheshtrupin tim
rreket,
më pas si dallgëdëshirë deti
kapërthendez në delir
trupshpirtrat tanë
19/12/2008/ 16.01
AJO:
E shohim përnatë Hënën
Dhe kujtojmë se e njohim
I jemi dhe mirnjohëse për dritën e vjedhur
Që ne sikur na ndriçon
Dhe gjithnjë harrojmë çka fsheh
ajo me xhelozi të përjetshme
Që rregullat kurrë s’i ndërron.
AJO:
Nuk
shpëton dot nga fati
Siç
e nis vetëm
Po vetëm e
bitis
I rëndë
kapaku i arkivolit,
e jetës
Që imja
s’është
01.01.2009; 17:33
AJO:
U rreshtua
dhe ushtar – dita e fundit
Toga e javës
nisi marshimin e pakthyeshëm
Atje, larg times frymë…
14.01.2009; 23:45
AI:
shpirt,
jam
në punë
Të
pres me padurimin e një çilimiu
Që
ka ditë pa ngrënë e pa buzëqeshur
27.03.2009,17:28
AJO:
Të jesh
krejt e dikujt
Është
shumë ëndërr
Gati një
mrekulli!
29. 03 . 2009, 23:01
AJO:
Çilimiu im,
Mbaj erën e kurmit tënd
Pranë gjoksit tim
Që vetëm s’do të jetë
Dhe fjalë që kurrë s’ti thashë
Ty të pëshpëris,
çilimiu im!
30.
03. 2009, 21:06
AI:
Flalë
e frymë jotja
mbështjellë
e ngrohtë
Më mbajnë
Buzët
e tua
zot
sa shumë të dua!”,
trupit
ia thonë
e
duart rreken të rrëmbejnë
atë
çka ato mund të lenë
31.03.2009, 23:48
AI:
Si mund të fle
Kur nën buzët e epura
Gjumi tretet si ëndërr
E gishtat ndër flokët tanë
Kanë kohë të përkëdhelen
Si në ditët e lume
1. 04. 2009, 00:22
AJO:
Sikur të futem në përrenj
Ku muzgu nxin
Ku nata nxin,
Patjetër diellin do ta gjej
Në shpirtin ,
Thesarin tim
- - -
Veç ty të puth.
2. 04. 2009, 8:48
AJO:
Shpirt, shpirt,shpirt,
Të them deri në frymën e fundit
3. 04. 2009, 7:39
AI:
Si
dallgë në stuhi
Trupi
yt rreket e kapërthehet
Trupit
tim
Mendje
i ndërron
Me
shkumë-valëdeti më përkëdhel
E
stërkala arome më mbulon
Si
kreshtë vale gjoksi sipër del
E trupat tanë
nën të shpërhapen
3. 04 .2009, 00:40
AI
- AJO :
.
-Mos
e zgjat po eja,
Se mua më këputi
malli...
-Këputi?
–sa keq!...
-E
çfarë mbeti për mua?
7.04.2009,
18:45
AI:
Pritja
zgjat një jetë
Po
takimi?
7.
04. 2009, 19:02
AJO:
Jeta mbetet
Takimi tretet- çilimiu im
7. 04. 2009, 19:13
AI:
Filozofia, kjo qene,
Nuk e di çështë dashuria ime për ty,
si koha që shkon
duke më lënë barrën e mallit
që zemrën ma shkallmon
7. 04.
2009, 19:46
AJO:
Unë jam për ty
Se natën tek yjet janë sytë e mi,
se ditën tek rrezet është malli
Se e lumtur,
E brengosur me ty jam,
Veç për ty, gjithnjë
JAM
7. 04. 2009, 19:59
AJO:
Të puth të gjithin shpirt,
Sa dua të strukem në krahët e tu
Dhe me puthje të
të mbuloj !...
8 . 04. 2009, 9:42
AJO:
Buzët e tua ve për jastëk
Me sytë e tu mbulohem,
Me të kaltrit e mi
Krahët më mbajnë ngrohtë
Dhe shpirti yt gjallë
8.04 . 2009, 00:30
AI:
Unë si pendë
Shkruaj e përkëdhelem me ty
E trupin tënd
10. 04. 2009, 15:24
AI:
Endrra nuk shahet
Por lartësohet
Dielli nuk fyhet
Por bekohet
E tillë je ti,
Dashuria ime,
E parë dhe e fundit.
11. 04. 2009, 23:07
AJO:
Ku je?
AI:
Ç’pyetje?!... Në shtëpi
AJO:
Kur ti më thua nisu
Unë fluturoj krejt e papeshë
Si frymë drejt teje vi,
Po ti?
12. 04. 2009, 22:59
AJO:
Nga parajsa,
nuk dua te vuaj,
që frymën ma merr,
se ç’më degdis,
drejt e në ferr,
se ti nuk je,
se ti veç shkon,
atje ku puthja ty të kërkon.
13. 04. 2009, 23:03
AI:
Të puth fort,
e shtrova në dru shpirtin rebel,
dhe si nje qen tashmë të rrahur,
i dhashë urdhër
te këmbët e mija të rrijë
Nuk e di se fama vjen prej vetmisë ?
21. 04. 2009, 23:58
AJO:
Më mungon kaq
shumë,
Si stuhia e verës që më shumë e ndez tokën,
takimi me ty,
Re përvëluese,
qiellin idiot tani
mbërthejnë
AI:
22. 04. 2009, 00:18
Të mëdhenjtë
Nuk kanë nevojë
për hije (-na )
Të dua!
Përtej shikimit
Të frymës time të
fundit!
23.
04. 2009, 00:10
AJO:
Rruga është bosh
Ti ku je?
AJO:
27. 04.2009, 13:16
Korbi u bë pëllumb
Bleta
shqiponjë,
Macja
qen,
Dhe
pellgu i bretkockave gërnjare – oqean,
Ditën kur
të desha
Zemërshpirti
im,
Të puth.....
29.
04. 2009, 15:33
AI:
Kafenë ngadalë gjerb
Pëshpërima gjallesash
Më këmbë e ulur,
Rrethuar më kanë.
Dielli cullufe shprishur
Nga ndëntavolina shfaqet
Gotën e ujit ve në buzë, dhe
Shpirtin tënd le të më freskojë.
30. 04. 2009, 8:19
AJO:
Puthje të çoj në vend të shplodhjes
Dhe jetë
Dhe bulëzat e
shpirtit
një nga një në
gotë i mbledh
mbyll sytë - tek ty jam
4. 05. 2009, 16:44
AJO:
I dashuri im,
Ka sy të kaltër,
Shikimin përvëlues si rrufeja mbi det
E herë liqen në perëndim maji
Shpirtin krejt për mua
Dhe zemrën
të madhe
Sa mua me gjithë shpirt të më nxejë
I dashuri im më do.
A s’është kjo ëndrra
nga e cila nuk duam të zgjohemi ?
8.
05. 2009, 18:59
AI:
Kafe dhe
shpresë
Mëngjeset
përcjellin
Ashtu si
nata agimin kërkon
Vetminë
të na përçojë
E dita
dritëz gërnjare
Në turmën
shumëkëmborëshe
Të na
shpërbëjë
11.
05. 2009, 7:36
AI:
E zezë nata pa ty
Pa dritë mëngjesi vjen
Terrdita në natë më përcjell
Pa ty, pa ty, jam sot...
11.
05.2009, 9:06
AI:
Zonja ...
e nderuar,
A mund të
kem nderin
Të lexoj
ndonje msg
Tepër të
rrallë
Dërguar
nga Fortlumturia Juaj
Me
përunjësi të thellë
Për Ju
mbretëreshë e Diellit dhe e Hënës,
Erës,
Shiut dhe e Borës,
Gjithçkaje
mbi, e nën tokë,
Mbi, e
nën Ujë,
E jetës, por jo e vdekatarëve,
I
Gjalluari mbi Ty,
UNE...
28. 05. 2009, 12:25
AI:
Shtrihem
në krevat i zhveshur
Për
të thënë që jam aty
Kur
ngrihem nuk është e njëjta gjë
Zilja
në realitet më sjell
Sikur
ty,me të njëtën me zile të përcjell
Këmbët
në ritet qenësore
Bartin
mishrat tanë
E
ne pafundësisht
tek
njëri tjetri jetojmë
28. 05. 2009, 13:59
AI:
Dhe hëna turravrap
diellin
kaloi,
Thua
diçka mbrëmë harroi,
Diku nën
jastëk a tek këmb’ e krevatit,
Nxitoi ta
marrë,
Por
dielli përgjumësh
Kokën
nën jastëk mbështeti,
E hëna në
nxitim prapë ta marrë harroi
29. 05. 2009, 18:36
AI:
Dhe drurët i pushuan
Fjalët e tyre
-u lodhën së thirruri
Dhe retë e ndaluan
Vozitjen e tyre
-u lodhën së kërkuari
Dhe dielli u lodh
Së ndriçuari
-perëndoi
Veç unë pres,pres,pres
Ti do të vish, e dashur,
Patjetër,
Do të vish.
30/05/2009- 17:01
AJO:
Unë nuk jam perëndi
Që erërat t'i mbyll në kacek
Dhe stuhinë kur të dua ta ndez
Po për ty,
Do të bëhesha perëndi mbi perëndi
E natën do ta tretja në Gjithësi
Globin duke rrotulluar me vërtik
Boshtin t'ia anoja pak
Që sythet të bulëzonin përsëri
Të vinte qershori
E unë,
Tek ti të vija.
30/05/2009-
17:30
AI:
Në rast se qielli lot me ty
Herë të lag, e herë të nxin
Ti, mos u dëshpëro,
Hyr në shpirtin tim
Në rast se deti lot me ty
Herë me dhele e herë me zemërim
Ti, mos u gabo,
Hyr në shpirtin tim
Në rast se njerëzit për ty flasin
Herë me zë e herë nën zë,
Ti, mos i dëgjo,
Hyr në shpirtin tim
Unë , ty të pres.
3/06/2009-
13:45
AJO:
Mos eja sonte, shpirt,
Mos eja!
Si nuk e kupton
Sa e rrezikshme është që ti të vish,
Ç'marrëzi e ëmbël është?
Si ?Përsëri nuk kupton?
Mos eja sonte, mos eja,
Se sonte unë do bëhem e magjishme
Dhe sapo të të shoh do të të nguros
Apo
jo…do të të mbyll në një kafaz të artë
E më s'do të të lëshoj, njëlloj si
në përrallë
Ndaj nxito të vish, i dashur,
Por jo sonte, shpirt !
3/06/2009/- 22:17
AJO:
Sonte për herë të parë jam me ty
Mund të qesh, të qaj, të bërtas,
Të vrapoj, të rrokullisem në bar,
Të t'i shkul pakëz flokët
E sërish të qesh, të këndoj sa të
dua!
Sonte i ndjej plotësisht të miat
Këtë natë të kthjellët, drurët
fletëtrazuar,
Edhe këta gjembaçë të shëmtuar
…më mjafton
kokën te mbështes në supin tënd
dhe e ngazëllyer të rri e ty të të
mendoj…
5/06/2009/-
23:11
AI:
Të kujtoj dhe dridhem si gjarpëri
Dëshira për ty më pushton të tërën
Këtë natë të vetmuar
Dëshirë e vrulltë si lumi,
Tinzare si lumi,
E thellë si lumi
Dua të të kapërcej
Të kapërcej këtë natë mizore
Tmerrësisht të gjatë, të kthjelltë
Të kapërcej dashurinë
Që të qetësohem
T'i mbyll pakëz sytë e të fle
Në një gjumë ëngjëllor.
7/06/2009/- 14:30
AJO:
Kujtoja se bëje shaka me mua
Se diku aty pranë do të ishe fshehur
Por era po vrapon pa mëshirë
E ti s'po vjen
Autobusët ndërohen me njëri-tjetrin
Dhe gjithçka bëhet blu
Blu qielli që rigon shi
Blu pemët që të fshehin
Blu dritat e makinave
Blu njerëzit
Blu mendimet
Blu sytë e mi të zinj
Blu,blu,blu sytë e tu
Që më mungojnë
(O Zot, po pse sonte?)
blu ti,
ti,ti,ti,
Ku je ?
Mos je çmendur që nuk vjen?
Ç'është kjo shaka
Me fosforeshencën e orës blu ?
Eja pra,
Edhe unë jam bërë blu,
Dhe bie një shi
blu…
10/06/2009/-
21:36
AI:
Paçka,
Se sytë e tu janë të zinj
Si netët e majit,
Për mua,
Ngjyrën e bukur të detit e kanë.
10/06/2009/-
21:53
AJO:
Sot jam jotja, plotësisht
I dashur më kupton ?
Të tjerat s'kanë rëndësi
Presidenti takohet me z. President
XZY…
Dollarët e ndihmave vërshojnë
rrëmbyeshëm
Në xhepat e qeveritarëve tanë të
përvuajtur
Të gjithë të tjerët vrapojnë të
gjejnë diçka
Diçka të tyren të kenë
Ç'rëndësi ka sot, kur unë jam e
jotja ?
13/06/2009/-
15:11
AI:
Poshtë po pret makina
Lart të gjitha të paketuara,
Sendet e qelqta
Sipas të gjitha rregullave
Në arka me tallash
Librat nëpër thasë
Të gjitha i mbyllëm,të gjitha
Edhe sytë tanë
Para
mureve të zhveshur
Që aq papritur u bënë të huaj
Memecë.
Apartament bosh.
Zbresim
Në pamundësi për t'i marrë të gjitha
Një pjesë të kujtimeve e lemë aty.
23/06/2009/
14:21
AJO:
Sot nuk dua të flas me njeri
As drurët e sapozgjuar nuk dua t'i shoh
Dhe qiellin flokëpakrehur ta shoh
nuk dua.
Sot dua të rri
T'i mbyll sytë dhe të rri me veten
time
Pa asnjë mendim, pa asnjë vegim.
Po
më është e pamundur
Mendimet shtyjnë njeri-tjetrin me rëmujë
Vegime të largëta, të harruara
prej kohësh
Rishfqen të gjalla, plot ngjyra e
jetë
…Dhe në të gjitha
këto mendime, vegime
-ti dhe fjalët e tua
që pamenduar i the në mëngjes…
28/06/2009/ 13:01
AJO:
Për shkak të syve
të mi të zinj
Që vetëm ty të shohin
Për shkak të buzëve
Nga të cilat ti, vetëm puthje
kërkon
Për shkak të flokëve
Që vetëm ty të të fshehin në muzg
Pra,
Për të gjitha këto,
Mos kërko më
Që të dua.
30/06/2009/-
16:21
AI:
I zgjata duart drejt teje- m'i
preve,
Dhe sytë e tu kërkova- s'm’i dhe
Veç fjalë vazhdove të bluash në
heshtje
-mendime asnjë.
2/07/2009/-
12 :25
AJO:
Retë ngatrrestare rrëshqisnin në
qiell
Shiu si një fjalaman i mërzitshëm
në tren
Vetja dhe ti më humbën, m'u tretën
Gjithçka e keqe ç'm'u duk- e sytë
përdhe.
2/07/2009/-
12 :31
AJO:
Sikur më mungokan kaq gjëra sot
Dhe dita më duket e zbrazët,
përvëluese
Dhe qielli i pamatë i tëri në
gjoks më rëndoka
Dhe zogjtë dhe retë, të gjitha të
pangjyrta
Të akullta, të largëta,
Si ca mbresa të vjetra ëndrrash,
ç'më duken!
Sot që më mungon zëri yt i
zhurmshëm,
E qeshura jote, duart e tua fëshfëritëse,
Sytë e tu asnjëherë të qetë,
Sot,
Kur për herë të parë
Do më mungosh kaq gjatë.
15/07/2009/ 23:1
AJO:
Dhoma të ngushta
Qiell i ngushtë
Si pantallona doku
Mbretëri e paanë
Lugësh, pjatash, rrobash,
Dhe vetja e vogël, e vogël
Krejt e pafuqishme para tyre
18/07/2009/ 20:45
AI:
Shtretër të ngushtë
Ditë të ngushta
Dhe zogj fjalamanë
Si ngjelkat në sofa mbrëmjeve
Në rrugicat me kalldrëm
Fjalë të ngushta
18/07/2009/20:47
AJO:
Mundim i kotë për të hyrë në vargje
Tepër ,tepër, të ngushtë
Dhe unë që vij rrotull gjithë ditën
Me një peshë të madhe në gjoks.
18/07/2009/20:52
AI:
Unë
jam thjesht një abazhur
në kënd të dhomës
qëndroj i heshtur
sikur të flisja
do të tregoja
...ah! c'do të tregoja...!
23/07/2009/-23:23
AJO:
po më mirë
po ruaj stastusin tend
thjesht, si
një abazhur
i ëmbël,
i heshtur.
23/07/2009/-23:27
AJO:
Rrufetë mbi det ndezin valët
era në tokë ngre c'gjen
qielli i zi
stuhi
...edhe pak do fillojë këtu,
në Durrës…
dritat e anijeve duken e zhduken
nën dritë rrufesh…
Ti je
rrufeja ime?
Ti je
stuhia?
13/11/2009/-22:05
AI:
Une jam anija.
13/11/2009/- 22:06
AJO:
Në
rrugë të ngushtë
plot hije resh fluturake
dhe minaresh
buzët vrapojnë kuturu
të ikin, të ikin, vec të ikin duan
22/11/2009/ 23:11
AI:
që pastaj të hidhen në sulmin e
pandalshëm
të egërëmbëlit të pafund.
22/11/2009/-23:15
AJO:
Ah, buzët në këtë rrugë të ngushtë
me minare
e re fluturake,
c'mbetën vetëm!
22/11/2009/-23:35
Pas kesaj date, djali iku ne emigrim, larg, shume larg,
ndersa vajza
vazhdoi te jetonte ne te njejtin qytet.
Libri u botua si format liber xhepi ( Livre de poche) si homazh
per dashurine e vertete.
Comments
Post a Comment