Gjëma që ra në
shtëpinë e tyre ishte me të vërtetë e
rëndë, shumë e rëndë dhe në morinë e vrasjeve të shumta që po ndodhnin në atë
vit la gjurmë dhe tronditi të gjithë krahinën. Familjes Suati
i vdiq djali i vetëm i familjes dhe i
gjithë fisit të tyre plot me femra.
Ishte 35 vjeç djalë, komisar policie në skuadrat e antidrogës, i emëruar në
këtë post për ndershmërinë që kishte treguar edhe në kryerjen e detyrave të tjera
në polici. Ishte i bëshëm, i gjatë, flokëkaçurrel e sykaltër, shkurt një djalë shumë i pashëm që e kishin zili të
gjitha vajzat e krahinës, pa folur pastaj për ato të fshatit që linin kokën për
të dhe gjithësecila ëndërronte ta kishte
të sajin. Ishte i hedhur, i
shkathët, dhe kishte një intuitë në kryerjen e detyrave të caktuara. Dinte se
si të sillej me të gjithë dhe për këtë arsye ishte në gojë të të gjithëve. Në
ato kohë të turbullta qenia e tij dhe përkushtimi me të cilin drejtonte një nga
komisariatet më problematikë në vend, ngjallte besim e siguri.
Kështu që lajmi i vrasjes së tij
tronditi jo vetëm dy pleqtë e shkretë,
por të gjithë krahinën. Ceremonia e varrimit iu bë madhështore dhe ai u përcoll
për në banesën e fundit si një hero i vërtetë. E qau nëna, e qau babai, e qanë
të kushërirat, e qanë miqësia, shokët dhe e dashura. Pas ca kohësh, ashtu siç
ishte edhe rregulli i pashkruar që ndiqej nga të gjithë banorët, pra pasi mendohej
që mishi ishte ndarë e tretur përfundimisht dhe prej gjithë atij trupi të bukur
kishte mbetur tashmë vetëm skeleti, të kushërirat dhe shokët e ngushtë
porosisin një skulptor dhe ai i bën një përmendore "alla Linkoln", me
përmasa gjigande, e gjitha e derdhur në bronx dhe me një bazament mermeri të
kuq të ardhur posaçërisht nga Italia. Monumenti doli me të vërtetë i hatashëm,
dhe për ta parë atë njerëzia bënte rrugë të gjatë më këmbë, por pa e parë nuk e
linte. Emri i tij si një legjendë edhe njëherë pas gjithë asaj kohe, sillej e
përsillej nëpër bisedet e banorëve, të cilët edhe kështu e kishin ngritur aq lart, sa shumë gjëra që edhe mund të mos
kishin qenë të tijat, filluan t'ia vishnnin atij, dhe për çudi duke vepruar
kështu njerëzit ndjeheshin sërish të
sigurt, paçka se drogën për të cilën edhe u vra komisari, vazhdonin ta
kultivonin po njëlloj,"sa për bukë goje"-siç thoshin rëndom.
Askush nuk i kishte vënë re në
fillim dy pleqtë e komisarit, të cilët të mbetur vetëm, nuk po gjenin ngushëllim për gjëmën që u kishte rënë dhe që
për ta, më e rëndë nuk kishte se si të bëhej. Ata dy qyqarët nuk përziheshin me
muhabetet, me të thënat e të pathënat e njerëzve, ishin mbyllur në vetvete aq
shumë saqë harronin të dilnin të blenin edhe bukë sa për të mbajtur shpirtin e
copëtuar gjallë. Grilat e shtëpisë nuk ngriheshin kurrë dhe askush nuk e dinte
se ç'ndodhte përtej tyre. Le që të zënë me punët e tyre dhe me tjerrjen e
legjendës për të vdekurin, njerëzia kishte harruar krejt të gjallët e gjorë, të
cilët vuanin dhimbjen e tyre të paskajshme në vetminë e pafund.
Por s'kaloi shumë kohë dhe Selmani, fqinji i tyre më i afërt, kur po
pinte kafenë e pasdites në lokalin Gëzimit , biznesmenit, tha diçka që i habiti
burrat
-E dini ju se ç'bëjnë pleqtë e
Komisarit? Dalin përnatë dhe shkojnë në varreza, i kam parë vetë me sytë e mi.
Rrinë tërë natën aty dhe kthehen vetëm në mëngjes, kur këndojnë gjelat e dytë.
-Rri Selman për kokën tënde, mos fol
kot, pse çfarë bëjnë ata, hanë darkë me fantazma?- foli Aliu, mik i pleqve dhe
kushëri i largët i tyre.
-Ju betohem që i kam parë vetë, jo njëherë por disa herë të nisen natën dhe të
shkojnë në varreza dhe po ashtu i kam parë kur janë kthyer më të gdhirë. Po të mos i kisha parë përse do të thoja një gjë të
tillë, aq më tepër që ju më njihni dhe besoj se nuk më njihni për gënjeshtar,
apo jo?
Burrat mbetën pa fjalë, nuk dinin ,
të besonin Selmanin i cili njihej për njeri i drejtë dhe pa dredha, apo zërin e
arsyes që e kundërshtonte një gjë të tillë. Vazhduan të rrufisnin kafetë dhe
konjakun e pasdites në heshtje gjithë duke menduar për ato që sapo dëgjuan
dhe për atë çka kishte ndodhur më parë.Pesha
e gjëmës që kishte ndodhur dhe që mund të ishte e gjithësecilit në atë
fshat, si dhe pesha e tisit të legjendës me të cilën ishte veshur tani kjo
ngjarje i bëri të heshtur edhe më burrat, të cilëve u iku dëshira për të
biseduar, kështuqë nxituan të iknin secili në punë të vet.Boll u përpoq Gëzim
biznesmeni t'i ndalte po ata ikën.
-Eh dreq, po këta ç'patën? Sikur i
kafshoi gjarpëri! E ç'të bëj unë vetëm me një shishe konjak e dhjetë kafe?
Edhe atë natë si të gjitha netët e
tjera që kishin kaluar më parë, pleqtë e Komisarit, kështu kishin filluar t'i
thërrisnin në fshat Suatajt, dolën dhe në heshtje morën rrugën për në varreza,
siç kishin bërë qëkur biri tyre i vetëm u preh aty. Kur mbërritën, Nasimeja, me
një shishe ujë dhe me një pece të pastër filloi të pastronte statujën e të birit duke mërmëritur me zë të ulët
fjalë që i dinte vetëm ajo. E kalonte dorën ngadalë mbi trupin e bronxtë duke e
përkëdhelur si dikur, kur ishte ajo që e
mbante në krahët e saj dhe e mbulonte me të puthura dhe e përkëdhelte atë
fëmijë që për të gjithnjë kishte qenë si
një dhuratë e çmuar, tepër e çmuar. E
ndërsa ajo kryente ritin e përnatshëm, i
shoqi ndërkohë vazhdonte punën e tij. Të dyve u kishte thënë mendja të rrinin
sa më afër të birit.Ata kurrë nuk e kishin besuar se biri i tyre i vetëm të
kishte vdekur. Boll ishin përpjekur të afërmit e tyre t’ua mbushnin mendjen,
por ata i qëndronin besimit të tyre.
-Jo-thoshte
Plaka- nuk ka vdekur,unë flas përnatë me të.
-Si flet? -e pyesnin të kushërirat
-Po, ja ashtu, si
gjithmonë, i flas, më përgjigjet.
-E çfarë të thotë?- ngulmonin ato
-Të gjitha, njëlloj, krejt njëlloj- thoshte plaka dhe
mblidhej një grusht në vete e s'fliste më Po
edhe të kushërirat nuk e ngacmonin më. Ngriheshin e iknin në punët e hallet e
tyre që s'ishin të pakta, duke tundur kokat me keqardhje për të kushërirën që kishte roitur krejt. Pleqtë pa u diktuar nga njeri kishin hapur një
vrimë të madhe sa për të hyrë në të një njeri nga mbrapa statujës, dhe po aty
gjatë natës, plaku kishte hapur një
gropë që të çonte brenda varrit të djalit. Të dy ndjeheshin mirë të rrinin aty,duke biseduar me djalin e tyre,
pa të cilin jeta nuk kishte më kuptim.Dhe kishin kohë që punonin për këtë, pa
rënë në sy të tjerëve, deri më atë natë.Atë natë burrat që dëgjuan fjalët e
Selmanit nxituan të shikojnë vetë me sytë e tyre atë çka dëgjuan.Dhe panë se si pleqtë humbën
nën statujë, sikur i përpiu dheu.
Të nesërmen fjala mori dhenë në
fshat.Edhe kështu në shtëpinë e tyre nuk shkelte më kurrkush, e aq më tepër
tani, që lajmi se pleqtë e Komisarit kishin roitur, se shkonin natën në varreza
dhe kuvendonin me të vdekur bëri që jo shumë vonë,që Lumturia dikur e dashuruar
marrëzisht me Tefikun, të atin e Komisarit,të mos ia falte refuzimin e tij për
hir të dashurisë që ai kishte shtënë për Nasimenë.Ajo nuk u mendua dy herë për
të përhapur gjëmën përmbi gjëmë e ta quante shtëpinë të mallkuar,pa u bërë
merak fare për dhimbjen që vetëm do t’u shtohej dy pleqve të rëgjuar. Dhe
njerëzit si njerëzit. E besuan në çast. Tashmë pleqtë mbetën vërtetë krejt vetëm
aq sa edhe bukë kur blinin në dyqanin e vetëm të fshatit tek Gëzim biznesmeni,
ky i fundit i shihte sa me keqardhje, aq edhe me frikë
-Eh dreq, ç'më zuri! Edhe kjo më
duhej t’u jap bukë fantazmave!
Me thënë të drejtën të dy pleqtë
ishin kthyer me të vërtetë si dy fantazma, ishin ligur e dobësuar,aq sa çudi që
arrinin të qëndronin ende në këmbë. Dhe ç’është më e çuditshmja vazhdonin të
këmbëngulnin se ata flisnin për natë me birin e tyre dhe se ai nuk kishte
vdekur. Por tani askush nuk i dëgjonte më. Për fshatin ata ishin dy mjeranë të
pafat.Boll u vinte keq njerëzve po nuk kishin se çfarë t’u bënin. Sa herë që
tentonin të flisnin me ta dhe t’ua mbushnin mendjen që të hiqnin dorë nga ky
rit i pakuptimtë dhe i rrezikshëm për shëndetin e tyre, ata ngurtësoheshin dhe nuk pranonin asnjë lloj arsyetimi, përveç
atij, që djali i tyre ishte gjallë dhe se ata flisnin me të për çdo natë. Pasi
dhanë e morën për një kohë të gjatë e pa rezultat, njëra nga kushërirat e
Nesimesë u kujtua të lajmëronin një nga mbesat e pleqve atë që dihej se ata e
dëgjonin dhe e çmonin më së shumti, por që kishte vite që ishte larguar nga vendi.Fatbardha nuk vonoi të
vinte. Nga të gjitha mbesat e plakut ajo kishte qëlluar më e përkushtuara ndaj
pleqve. E
ndihmonte Nesimenë në punët e shtëpisë që e vogël dhe Nesimeja e quante si vajzën e vet. Kur ndodhi
gjëma Fatbardha ishte në Amerikë. E kishte marrë vesh dhe kishte qarë me lot të nxehtë. Ajo e dinte
se sa të nxehtë kishin qenë lotët e saj, sepse thellë-thellë ajo e kishte
dashur të kushuririn, e adhuronte atë, e ëndërronte, por e dinte mirë që ai
kurrë nuk mund të ishte i saji. Po tek e fundit për sa kohë që kishte qëndruar
në fshat e kishte gjetur një zgjidhje për ta pasur më shumë para syve,
ndihmonte pa u kursyer Nesimenë dhe e ndihmonte me gjithë shpirt, sepse asgjë e
keqe nuk i vinte prej asaj gruaje të urtë dhe të dashur. Ishte një lidhje e
fortë, që pavarësisht asaj ndjenje të thellë e të fshehtë që ajo kishte ushqyer
për Artanin, qëndronte e fortë pavarësisht kohës që kishte rrjedhur, e bashkë
me të, edhe jetës së asaj vetë. Nuk mund të thoje se nuk e deshte burrin me të
cilin ishte martuar por gjithmonë, gjithmonë, i dukej se diçka mungonte në
dashurinë e saj për të, diçka të cilën ajo e dinte fare mirë se çfarë ishte,
por që kurrë nuk do të mund t’ia jepte atij. Ajo ishte thjesht e saj dhe vetëm
e saj. Dhe tani vdekja e kushëririt ia
kishte vjedhur jetën, atë të vërtetën. Brenda shpirtit të saj ajo përditë ishte
në një funeral pa njeri, në heshtje të
plotë, më të plotë se netët kur fillonte
ai, dhe vetja në ato çaste i dukej si një tokë e çarë drejt e në zemër. Por
dinte të përmbahej mirë, sepse askush nuk e kishte pikasur ndjenjën e saj për
të kushëririn dhe në fshat nuk e hiqnin nga goja duke e lëvduar për
përkushtimin dhe sakrificën që ajo kishte bërë duke ardhur menjëherë që nga
Amerika e largët dhe duke rrezikuar vendin e punës dhe qëndrimin atje, vetëm e
vetëm që t’u gjendej pranë pleqve të drobitur e të ligështuar. Ishte e vetmja
që mund të hynte brenda shtëpisë së tyre dhe të dinte me saktësi se çfarë ndodhte pas atyre grilave
të ulura. Ishte e vetmja që kishte
mirësinë dhe durimin t’i dëgjonte përçartjet e tyre dhe të dëgjonte
gjithmonë se Artani nuk kishte vdekur. Dhe ndodhi që pas ca kohe edhe ajo vetë
filloi të besonte se Artani nuk kishte
vdekur. Nuk e kuptoi se nga i erdhi ky besim aq përnjëherë por dinte që ishte
një besim aq i fortë, aq i kthjellët sa edhe vetë u pataks dhe në çastin e parë
dyshoi se mos nuk ishte mirë nga trutë e kokës.Por pasi i kaloi dalldia e rradhës dhe kur iu duk se
ishte qetësuar dhe e kthjelluar e mendoi vërtetë këtë gjë dhe përfundimi ishte
-"E pse jo? Mund të jetë e vërtetë".
Të
nesërmen pa u thënë fare pleqve Fatbardha u nis për në qytet me shpresën për të
takuar një nga shokët e shkollës së saj që tashmë siç kishte dëgjuar ishte bërë
prokuror.Nuk u lodh shumë për ta gjetur.Agroni nuk e përmbajti dot habinë dhe
lumturinë që ndjeu kur ajo iu shfaq në derë. Për çudi, megjithë vitet ndjenja e
tij nuk kishte ndryshuar asfare. Ndjeu për të njëmijtën fraksion të sekondës se
ai e deshte si i çmendur dhe se asnjëherë nuk kishte rreshtur së dashuruari. Po
brenda atij çasti, atij iu kujtua vetja, që sa herë që ishte në zgrip, apo
kishte një vendim të rëndësishëm e delikat për të marrë, ajo do të ishte
gjithnjë aty duke e parë me sytë e saj të butë, që ai kurrë nuk e kuptoi pse
s’u bënë dot të tijat. Pasi pinë kafenë e përshëndetjes Fatbardha nisi t’i thotë
edhe shkakun e vizitës së papritur.
-Në
fakt ajo që do të të kërkoj është një diçka përtej nderit të zakonshëm. E mban
mend, Agron, vrasjen e komisar Artanit?
-Po,
sigurisht-iu përgjigj tjetri gjithë sy e veshë nga ajo hyrje misterioze-dhe me
vete shtoi:-“Edhe i vdekur s’po më le të qetë!”
-Artani
ka qenë edhe kushëriri im,apo e di? Prindërit e tij besoj se ke dëgjuar që kanë bërë
një gropë brenda në varr dhe shkojnë e rrinë për tërë natën atje dhe kuvendojnë
me të, të paktën kështu thonë ata. Kurrë nuk e besuan se djali i tyre ka
vdekur. U bënë dy vjet dhe ata po njësoj si ditën e parë nuk besojnë. Dhe të
mendosh se trupi i Artanit doli me ceremoni të madhe po nga kjo shtëpi dhe u përcoll
po nga ata prindër!
-Po,
po e di kam qenë pjesmarrës në varrimin e tij, po ç’lidhje ka kjo me nderin që
po më kërkon?
-Duro,
problemi është se tani nuk besojnë vetëm prindërit e tij por edhe unë. Kam një
parandjenjë të fortë që s'po më le të qetë se ai është gjallë.
-Çfarë
thua? Kjo është e pamundur!
-E
di që kështu tingëllon por të lutem më çliro
nga ky ankth, si mua ashtu edhe ata të gjorë.
-Ti…po thua që…- u përtyp
prokurori
-Po,
ashtu po them. E di që është procedurë e vështirë, por të lutem!
-Mirë
do të mendohem dhe do të të njoftoj.
Kështu
u ndanë.Asnjë fjalë më shumë. Atë e prisnin në Qendër dhe duhej të nisej
urgjent. „-Të paktën e pashë!”-e ngushëlloi veten teksa hapte derën e makinës
që po e priste poshtë tek shkallët e Prokurorisë. Fatbardha u kthye në fshat
por nuk e bëri për fjalë me asnjë bisedën që kishte bërë me prokurorin. Nuk
kaloi shumë dhe në rrugën e fshatit një mëngjes të vrerët dimri u duk një makinë me targa zyrtare. Autoritetet e fshatit
nxituan të merrnin vesh se kush ishin vizitorët e shtetit. Makina ndaloi para
shtëpisë së pleqve. Prej saj zbriti
prokurori dhe disa burra të tjerë. Trokitën. Derën ua hapi Fatbardha. Nuk pati
nevojë të pyesë, nga vështrimi i shokut
të saj e kuptoi që kërkesa i ishte pranuar. Lajmi mori dhenë. I gjithë fshati u
shkul para shtëpisë së mallkuar së cilës deri më atë ditë i kishin ndenjur larg
si djalli nga temjani. Njerëzit vetëm sa vinin e shtoheshin. Padyshim që po qe
se do të ishte e vërtetë ajo që përflitej, kjo do të ishte ngjarja më e
pazakontë dhe më e rrallë, më misterioze dhe më e dhimbshme njëkohësisht, jo vetëm në fshat, i cili për të dytën herë po
hynte në histori falë Komisar Artanit por edhe në gjithë krahinën, në mos në të
gjithë vendin. Megjithëse ishte një ditë e vrërët dimri njerëzit ishin
grumbulluar dhe nuk lëviznin. Edhe ata më llafazanët kishin mbetur pa fjalë. Një
heshtje që prishej vetëm nga gjallesat e
tjera, edhe ato të rralla, kishte pushtuar gjithë sheshin.Pas kaq e kaq kohësh
u panë të dy pleqtë të dilnin ditën nga dera e shtëpisë së tyre të shoqëruar
nga Farbardha dhe nga Prokurori i Shtetit. Ishte me të vërtete e habitshme se
si arrinin të qëndronin në këmbë!
Ashtu të gjithë në heshtje u nisën
për në varreza. Askush nuk ua vuri veshin mërmërimave të plakës. Ishin mësuar
me to dhe për një çast iu duk si të gjitha herët. As plakun nuk e vunë re që
ishte mpirë krejt dhe ishte një çudi që arrinte të ecte. Të dy nuk dukeshin
fare sikur ishin në botën e të gjallëve, thjesht kishin kaluar matanë, vetëm
trupat, apo ajo çka kishte mbetur nga ata, kalamendeshin rrugës për në varrezë.
Ishte kortezhi më i heshtur që mund të mbahej mend.Të gjithë ishin pushtuar nga
një ankth e mpirje dhe mezi po prisnin të shikonin se ç’do të ngjiste.
Prokurori me shpurën e tij mbërritën të parët. Patën kujdes ta rrethojnë
monumentin me një shirit të verdhë që u ndalonte të tjerevë të afroheshin. Por
ishte një masë e kotë. Turma ishte ndalur vetiu dhe ashtu e palëvizur, e
pushtuar nga ankthi, frika, kurioziteti, tmerri, priste. Pleqtë i lanë pak mënjanë
nën kujdesin e Fatbardhës. Kjo, ishte zvogëluar përnjëherësh dhe ishte zbehur
krejt, me sytë e veshët drejt grupit të Prokurorit.Ky i fundit nuk po ia ndante
sytë.Kaluan minuta të tëra pritjeje.Njerëz të tjerë që e kishin marrë vesh
ngjarjen veç sa vinin e shtoheshin, po
kjo gjë nuk mirrej vesh se ata njëlloj, sikur turma e fshatarëve, vinin në
heshtje dhe po në heshtje rrinin në pritje. Lajmi kishte marrë dhenë.Për çudi
burrat nuk po dridhnin as duhan, që në të tilla raste është shoqëruesi i
zakonshëm.
U
dukën kokat e specialistëve që kishin hyrë brenda monumentit. Ishin zbehur
meit.U drejtuan nga Prokurori.
-Gjetëm këtë-i thanë , duke i zgjatur një letër.
Prokurori e mori dhe menjëherë filloi ta lexojë.Megjithëse
kishte goxha eksperiencë në punën e tij, u pataks.Njerëzia e ndjenë dhe të
gjithë si me një komandë të padukshme zgjatën qafat për të mos iu shpëtuar as
edhe një fjalë.
-Hë, ç’është?-pyeti Fatbardha.
Pleqtë ishin mbledhur një grusht dhe as që i
ngrinin sytë. Do të kishin dashur më mirë të mos ishin aty.As frymë nuk
merrnin.Ata e dinin pak a shumë ç’mund të kishte në atë letër, por ajo që
s’dinin ishte ç’vinte pas. Dhe kjo i kishte bërë të dëshironin me gjithë shpirt
të ishin të padukshëm,të ishin tym, frymë, ajër.
- „Byreku
ishte shumë i mirë, të lumshin duart, mama. Mos harroni trikon blu, atë me shirita
të verdhë.Mos u mërzisni. Ju puth, së shpejti,Artani”.Kaq.- Prokurori nuk foli
më.Askush nuk e prishi heshtjen pas tij. Të gjitha shikimet ranë mbi pleqtë.
Nuk ishin më ato shikimet e mëshirshme e të dhimbsura, në to kishte doza të
forta mospajtimi. Thellë-thellë njerëzit ndjeheshin të fyer,iu duk se ishin
tallur keq me ta.Nga ata të dy, vështrimet e tyre u përqëndruan tek
Prokurori.Ai vazhdonte të mos fliste. E palosi letrën dhe mori për të ikur.
-Do
ta shqyrtojmë-tha dhe u largua duke harruar të përshëndetej edhe me Fatbardhën.
Kjo e fundit
nuk dinte ç’të mendonte më.
Nga "Dry me qera"
Comments
Post a Comment