KOHËKRUAJTJEJE - cikel poetik nga "Paqe pa profet",2012
KUFIJTË
Pshurrin kafshët
Dhe territorin caktojnë,
Presidentët
Me gotat e uiskit në duar
Kufijtë ndajnë,
Fatet e kombeve,
Globit vetë.
EKUINOKS
Kur,
Universi cakton kufijtë e Ekzistencës,
Dhe,
Ekzistenca i cakton kufij Vetvetes,
Aty, unë sillem, pa e gjetur
Kufirin tim
Kësaj vije torturuese në mendje !
LËKURA IME
Lëkura ime më vesh,
Më mbron nga shiu
Dhe në luftë është,
Në luftë të përjetshme
Se era e nxehtë vjen nga shkretëtira
Po ajo qëndron si Pema-Mbret
Në udhëkryqin e Mistereve
Lëkura ime është në luftë me trupin që vesh
Se kur Shpirti bie në Paqe,
Trupi e ka rrëgjuar atë trishtueshëm,
E ka sulmuar me rrudha
si të çara ugari në dheun e butë,
Dhe ajo çirret e vajton për atë që ishte, shkoi…
Lëkurën time,që ende më mbron,
Duan të ma heqin qafe
Si një peliçe dhe aq,
Po nuk ka një trup pa lëkurë.
Mbi të cilën
lakmia duart i djeg
Në lojën e Vdekjes
Kur faqen çik me Djallin.
Pa kuptuar kurrë Misterin,
E Rrënjës,
E të Pemës-Mbret,
që në trupin e Idesë, ku Fjala hapet
mua më preh…
Lëkura ime më mban të gjallë,
mes të gjallëve,
Atje, ku Trupi,
si kovë pusi në oaz, do jetë zbrazur,
Prej së njomtës,
të sertës,
times Lëkurë!
ATA JANË KËTU
Gërdec 2008
Vrasësi nuk ka tabelë
Ku mund të trokasësh,
Të hysh
E të kërkosh:
"-Dua "kaq" të vrarë të freskët"
Krimineli nuk ka kartvizitë
që ta lëshon në dorë
në festën e "x" ambasade
Vjedhësi nuk bërtet në treg:
"-Vjedhje të mira, të lira",
e duart nuk t'i mbush me xhevahirë.
Po,
Ata, janë aty,
Tek kjo grua që priste të ishte nënë
Prej të cilës,
s'mbetet asgjë,
as foshnje,
as sy, as duar, as trup
vetëm qiell që qan
nën zhurmë megafonësh
ku vrasësi, krimineli, vjedhësi,
na bëjnë me dije
se kanë gjetur "një mbetje njerëzore" !!!
LULËZIM
...edhe kallami lulëzon
...në kënetë...
TE VRASËSH NJË ZOG VRASËS
Të vrasësh një zog vrasës
Nuk mjafton një krrabë
Fshehur në rrip pantallonash
As llastikat me tel të butë
Të vrasësh një zog vrasës
Duhet një pemë
Ku ai të qëndrojë
Dhe të të përqeshë
Duhet pema të jetë e zhveshur
Cupullak,
Pa asnjë gjethe,
Që ti ta dallosh mirë
Kur ai përqeshet
me të gjithë e me gjithçka
Duhet që pema të jetë e vetmuar
Në një peizazh gri,
Të ftohtë, të dhertë
Si kufomë
Dhe ku retë si dhëmbë të shkulur pleqsh
Rrotullohen kot mbi degë
Të vrasësh një zog vrasës
Është më e vështirë nga ç’duket
Duhet…
Duhen shumë gjëra,
Dhe ti nuk e di në i ke të gjitha
Të vrasësh një zog vrasës
Duhet vdekjen ta qëndisësh vetë me dorë,
Të kesh kujdes që
Çdo gjë të jetë në kohën e vet,
Dhe të mos turbullohesh në çastin e mbramë
Nga retë në qiell
E klithjet e palcës së pemës
Cupullake, të vetmuar,
Të vrasësh një zog vrasës duhet të shpallësh
Në fillim
Vejaninë tënde me veten.
PRAPANICË QENI E NDRIÇUAR
Dielli,
kur ndriçon
ndriçon për të gjithë
dhe kurrë nuk e di
kë përkëdhel
si sot,
që në prapanicën e një qeni
rrezja i mbeti!...
NË TREN
Fusha të djerra
Kasolle të mjera
Qen endacakë
Dhe plehra,
pafund plehra
burra të bjerrë
gra shpirtçjerrë
fëmijë skelete
të pabukë,
kutërbim,
duhmë
mishi të kalbur
mishi të ngjethur
prej epshit të etur
në shtrate të mardhur
Trena që shkojnë
Trena që vijnë
Qenie mjerane
Që mishin pështyjnë
Rrugëve pa frymë
AKUAREL
Dhoma të ndyra
Vasale të përunjura
Të pisllëkut,
gjakrave,
mizave,
maceve e qenve fodullë
dhoma të mbushura
me shtrete-skelete
po aq të ndyrë
mbi shtrete-skelete
kocka të leckosura,
irrnosura,
në rradhën e gjatë
ku jeta përpëlitet
dhunshëm,
trishtueshëm,
ndër duar xhahili
të mbushura me gjak,
të mbushura me para
që rrjedhin,
si gjaku i pakët,
i zbërdhylët,
prej trupit të mpakttë
prej trupit të drobitur
NË KONCERT
Si një copë mishi
Harruar në dritare
Për t’u shkrirë
Dëgjon muzikë klasike
Gruaja,
Krah burrit-kolltuk
Që gjithë kohës
Shtrëngon-liron kollaren
E orën vështron
Teksa nëpër duar
Ftesën rrotullon
KORRUPSION
Dha e mori
E dha e mori
Prej mijëra vitesh
Me këtë njerëzim primitiv
Nuk ia doli.
E,
në fund,
Zoti,
hapi kazino për engjëjt.
NJË QEN MBRETËROR NË RRUGICËN PAS
VILËS PRESIDENCIALE
Ha një kockë mbretërore
Dhe nën këmbët e tij
Një tjetër qen
-jo mbretëror!
Që pret me durim
Të lëpijë
Ç’mbetet
E duke gërryer me përulësi
Lutet
Që pleshti të kërcejë
Pikërisht në atë çast
Që ai ta kapë, ta shtrydhë, ta mbllaçisë,
E prej tij të mos mbesë gjë,
Vetëm që mbreti i tij qen,
të pushojë,
i pasur,
i nderuar,
i mbytur në kënaqësitë e buçes
-predhë gjithë vrima
ku duhmat
e zhulanjosërve
me certifikata princërore
presin me durim e epsh në rradhë.
DITË HIGJENE DHE BREKË
Ditë higjene është sot
Me ballkone të mbushura plot
Brekë
Që thahen nën diell
Renditur sipas sërës në tela
Një tel për plakun nuk del
Janë të gjëra, të ashpra,
Si zhguall,
Brekët e plakut,
Mezi mbahen me kapëse.
Brekë gruaje,
Si tepsi byreku ndarë në mes
Dhe breçkëza të vockëla,
Gjithë ngjyra-ngjyra krekosen
Në rradhë të parë
Sot,
Është ditë higjene
Dhe ballkonet janë plot brekë,
Leckat,
Me të cilat fshehim
Lakuriqësinë tonë
Të higjenizuar.
REFORMË ARSIMORE PËR PAPAGALLË
Nga lajmet, edicioni i orës 19.30, dt.18.12.2008
Nga gëzimi
Që sot u bëmë
Me kryetar
KONTRAVERS
Shtrihem
Në shtratin tim
KONTRAVERS
Rrotullohem
Kontraversisht,
gëzohem,
kontraversisht,
duke shfaqur në
fytyrën time kontraverse
një qeshje po aq
kontraverse
që vesh kontraversisht
pemët me rrënjë
kontraverse
tek qëndron
në pjatën e çorbës
mrekullisht
të kontraversuar,
servirur
nga kryetari ynë i ri,
KONTRAVERS!
FLAMUJT E INTELEGJENCËS
Me flamuj e rrethoj veten,
Me flamuj intelegjence
Në njërën dorë
-flamurin e Arsyetimit
Në tjetrën
-flamurin e Logjikës
Në gojë
-flamurin e Retorikës
Nën këmbë
-flamurin e së Vërtetës
Dhe kur s’kam ku t’i mbaj
Atëherë,
Shtroj një tjetër flamur,
Të madh,
Që Tokën si mantel e vesh
Oh! Sa i madh është
Flamuri ynë intelegjent
Për qenie intelegjente!
Këtu lind pyetja:
a jam, (je)
intelegjent?
SHI NË DURRËS, 2008
I plasën ujrat qytetit
Po foshnjë s’ka
Veç kutërbim e duhmë
Kopeje të çmendur
Që instikti e shtyn
Drejt foshnjes së dlirtë
E rrugës plot diell,
por ajo rrotullohet pa pra
e verbër
e pafrymë
në mitrën e shkallmuar
në barkun e fryrë
si kope e trembur qyteti
shtyp e përtyp
nën ngjethje rrugësh
e dhimbje metropoli
veten e tij
i shkreti qytet,
metropol,
mitërplot,
barkfryrë,
iluzion i marrë!
KUAK- KUAK
I ngjirur
Jo ndër vesh,
por në kënetë,
jo në kënetë
por ndër vesh’
vjen
kori i bretkocave
fodulle,
kaplloqeve ngjitëse
solisteve histerike,
të rreckave
që tunden krenarisht
pellgjeve të demokracisë,
për lirinë,
për shkëlqimin,
e riprodhimit,
autentik,
seksual,
ngadhnjimtar,
bretkocar,
kuak-kuak,kuak- kuak...
plluq...
MËNGJES NË AUTOBUSIN E LINJËS Plazh-Durrës
Reminishencë nga Faik KONICA
Hyp në një autobus gërdallë
Për të shkuar...ku?
Në Gërdalloland
Ku pleq të konvertuar
Në njëzetë vjeçarë shesin mend
Për trurin e çalë
Rrënjët e dalë
Jetën pa fjalë
Që thjesht i zdërhallë
Pa ndalë’
Në gërdallë...
DEJA VU
Në projektor
Shfaqen figurat e majmunëve
Që na përqeshin të lumtur
Duke u përpjekur të na thonë
Sa të ngjashëm jemi
Një leksion për ju, O.K?
Ju s’jeni majmunë,O.K?
As të mësuar,ama, por majmunë
Majmunë të vegjël, lojcakë, të bukur,O.K?
Fillojmë të mendojmë
O.K.?
Fillojmë vërtetë të mendojmë
O.K.?
Rrofsh!
O.K.
Kafe?Një kek?
Një kafe?
O.K.?
Leksion?
O.K?
Majmunët qeshin të lumtur
Lëkurëbananet,
O.K?
Buzëqumësht,
O.K
Papagalli puplosh që flet , flet,
e vetëm flet
Atë çka ka lexuar
O.K?
Po truri i tij ku është?
Nuk është.
Truri i ka ikur
Tutje në rrafsh
Po fryn bulçitë
Për vetveten
O.K?
NJË KAFE?
Një kafe?
O.K?
Leksion?
O.K?
Majmunët presin që tu bashkohemi
Në qërimin e bananeve
Por ne, O.K/
Jemi duke dëgjuar leksion
O.K
Për evolucionin njerëzor
O.K!
Papagalli shpuplon puplat
O.K.
Fillon leksionin, O.K!
Për të cilin paguhet, O.K.
Fjalim për ndryshimin e zhvillimit
Të evoluimit majmunëror
O.K!
Në njerëzor
O.K?
NOW,
WE ARE HAPPY!
ARE YOU HAPPY?
YES, YES, WE ARE HAPPY!
PAPAGALLIZËM KOMBËTAR
Kjo farë papagalli
Gërthet
Këlthet
Çirret
Bërtet
Për puplat plot ngjyra
Për zërin e çjerrë
Për trurin e zënë nga zgjyra
Se ai është i prerë
Për zhvillim, përparim
Se ai është vetë përparimi
I lyrës,
i zgjyrës,
në tru,
në çjerrje
dhe s’bën gjë tjetër
veç na çon ne në bjerrje,
në humbje,
në vdekje,
në vdekje, (të bukur??)
në tretje
TË VDEKURIT
Të vdekurit
Vijnë nga të gjitha ngjyrat
Po veç në një mbesin
Në ngjyrën e Dheut
Ku mishin dhe kockat
Tresin.
REFUZIMI
Pranoj të jetoj
Brenda gjysëmvezës sime
Filloj të kërkoj
Diçka të plotë
Që të bindem që jam
Jetoj,
por çdo gjë,
më mbetet përgjysëm
përgjysëm gjymtyrët,
argumentet,
era
ëndrra dhe imazhet e fëminisë
kufomat fluide të fluturave
stinët,
ajri që peshon në gjoks
më shumë se malli
lufta e dashurisë për mbijetesë
ngrin
përballë pellgjeve
llokoçitës
dhe fjala, pergjysëm më mbetet
në gjysëm vezën time
që është më mirë
se Asgjëja!
NGA STACIONI NË STACION
Njerëz me kohë të plotë
Brenda në gotë
Rrokullisin orët e kohës
Unë rrokullis stacione
Autobusësh,
-e pakohë,
nën ritme minutash.
E BRAKTISA DITËN MIZORISHT
E braktisa ditën mizorisht
E lashë
Nën kthetra nate
Dhe për çudi,
u ndjeva mirë!
Rrija përballë saj
Dhe e dija
Shikoja se si afrohej nata
Shikoja se si lumturohej ajo
Dhe nuk i thashë,
po e lashë
nën kthetra nate
le të vuante edhe ajo nga humbja,
harrimi,
-Të paktën nuk do të isha
Më vetëm!
Comments
Post a Comment