BOSHESIA VRASESE

Boshësia, që vjen që nga fundi i rropullive ma merr frymën. Zgavra rropullish bosh të mbushura me asgjë. Jo me asgjë, por me trishtim. Po, po, trishtim. Trishtim bosh.Trishtim bosh që rëndon në krejt trupin tim.Trishtimi është i aftë të të krijojë atë boshllëk vrasës, mundues, kur shpirti kërkon të jetojë, por s’mundet. E shoh tek përpëlitet dëshpërimisht, tek kërkon hapësirën e tij në trupin e vet. Por trishtimi dëshpërimisht e mposht, e largon. I plotfuqishëm, sundues, perandor e diktator i vërtetë ai komandon mendjen dhe trupin tim. Kërkoj një moment qetësie, një moment të vetëm. Kërkoj me ngulm të shkëputem prej këtij trishtimi-vrasës. Kërkoj ta largoj këtë boshllëk që ma merr frymën si pafjetur, si në gjumë. Ky në fakt është torturuesi i vërtetë. Më i pashpirti që kam njohur. Ai nuk di të ndalet asnjëherë, ai nuk ka mëshirë.
Po edhe sikur të ketë, ç’më duhet mua mëshira e tij? Unë mund të qaj vetë dhe mund të qaj shumë bukur. Mund të zgjedh të qaj me elegancë, sikur mund të qaj plot zhurmë, si një fëmijë. Mund ta fsheh të qarën time brenda vetes, por edhe mund të qaj lehtë, butë, ëmbël si një dëborë që bie në nëntor. Unë mund të qaj edhe si një gjethe, të bëhem një e padukshme, të riciklohem Brenda qenies sime. Por mund të qaj edhe si një  guackë e vetmuar. Unë mundem. Por nuk qaj. Nuk qaj sepse nuk e pranoj mëshirën. Pa mëshirë nuk ka qarje trishtimi. Pa mëshirë ka vetëm qarje inati. Po unë nuk kam inat. Kështu që nëse qaj, qaj vetëm prej mëshirës, të cilën nuk e pranoj. Dhe mbetem pa qarje. Me trishtimin tim në boshllëkun vrasës. Dhe fryma më merret. Dhe ajri më mbaron Brenda meje.Unë nuk e di nëse do jem…
Nëse ti nuk do kishe ikur…eh! Nëse ti do ishe këtu…eh!
Trishtimi nuk do kërkonte qarjen që vjen nga boshllëku vrasës…!

Po mendoj që Arta nuk është këtu. Dhe sa mirë ndjehesh kur mendon për dikë që nuk është aty pranë teje, megjithëse e di fare mirë e di që ai është aty dhe po të vëzhgon. Të vëzhgon për të kuptuar se çfarë po ndodh. Nganjëherë ia qëllon dhe nganjëherë  nuk ja qëllon dhe në atë çast, ndodh ajo që në fakt nuk duhet të ndodhë. Po vetëm në kokën time. Megjithëse edhe për këtë dyshoj tani, nuk e di më në është koka ime apo jo. Mbrëmë ishte një kokë mbi supet e mija njëlloj si kjo që kam tani. Edhe dje në drekë më duket se kisha këtë kokë, por edhe pardje një e ngjashme me këtë kisha mbi supe. Kush e di, ndoshta është e njëjta. Po cilado të ketë qenë, të gjitha ato mendojnë njëlloj, sikur kjo sonte. Kështuqë pak rëndësi ka koka e kujt është ajo që lëviz me ngërç  mbi supe dhe që rrotullon ca sy si zgavra e në të njëjtën kohë ngre të gjithë receptorët e nuhatjes, përshtatjes desha të them. Hë… se duhet të them që funksioni i parë dhe i vetëm i saj është përshtatshmëria. E shikon sa mirë është përshtatur Arta! Ajo është edhe kur nuk është. Vazhdon pa u trazuar nga asgjë të të vëzhgojë me ngulm. Do patjetër të kuptojë misionet e fshehura të kokës sime. Po koka ime tani ka halle të tjera dhe është e zënë me qarjen. Ajo e di që ka përpara një proces shumë të lartë dhe fisnik, një proces engjëllor por nuk është ende e sigurt në duhet  të qajë, apo jo. E meqë bëhet fjalë për një proces engjëllor, ajo nuk ia beson kurrkujt tjetër këtë mision kaq të lartë. Fare bukur mund t’ia kishte përcjellë këtë detyrë zemrës. Por kur e thirri para vetes për t’ia komunikuar detyrën e re, ajo iu dhimbs.  Aq shumë ishte tkurrur nga dëshpërimi e trishtimi sa pothuaj nuk kishte mbetur asgjë! Ajo nuk kishte fuqi as për veten e vet, ashtu e mbytur në pusin e hidhërimeve dhe plagëve të thella të dashurive të mohuara, të braktisura, të humbura, të pagjeturave. Kështu që Koka hoqi dorë prej saj. Pastaj mendoi se mund t’ia linte këtë detyrë edhe ndonjë organi tjetër, por të gjitha organet me zorrë e me plënca që të gjithë ishin shumë të preokupuar me ngushellimin e zemrës dhe ata vetë mezi mbaheshin në këmbë. Në fund i shkoi mendja edhe tek trupi por edhe trupi nga mundimet e dashurisë së pashprehur e të parealizuar ishte drobitur dhe mbi të gjitha nuk kishte kurrfarë dëshire për të marrë pjesë në këtë proces ëngjëllor. Si përfundim, Koka e ndau mendjen se të gjithë këtë përgjegjësi do ta kalonte vetë. Duhej të përshtatej, urgjentisht madje! Të imitonte Artën e kishte kollaj, edhe mund ta bënte, por nuk donte. Ajo donte një përshtatje origjinale dhe ëngjëllore. Po edhe këtu ka një problem. Eh, kjo koka ime plot probleme! Si jeta. E para, bëhet fjalë për një qëndrim origjinal. Po sa mundësi kam të jem origjinale? Epokat që kanë kaluar janë një mur gati i pakapërcyeshëm. Dhe kur vjen puna tek ajo Engjëllorja, këtu problemi rëndohet. Rëndohet sepse nuk e di në fakt cili është kuptimi i saktë i kësaj fjale. Në fakt e kam një përfytyrim të vakët, por kjo nuk mjafton për të qenë e saktë në këtë përcaktim. Engjëllore, sipas konceptit më të përgjithshëm, është diçka JOTOKËSORE. Por në ç’trajtë? Ku?  janë pyetje që të mundojnë me papërgjigjet e tyre. Engjëllore është një njeri i paqtë, i mirë, i butë, i ëmbël, i urtë. Nga ana tjetër engjëjt sillen nëpër qiej në formën e Kerubinëve bukuroshë. Me krahë e sytë të butë plot mëshirë. Kjo është ajo që e bën një qenie engjëllore - mëshira. Mëshira për vete dhe për të tjerët. Një mëshirë solide, për të gjithë e për gjithçka. Si nuk e kisha vënë re më parë? Një mëshirë mbytëse. E përse e gjithë kjo mëshirë prej syve të tyre? Çfarë fshihet pas saj? Mos ndoshta ata e dinë se sa i mjerë është njerëzimi në zhvillimin e vet që shumë pak ndryshon nga kohërat të ashtuquajtura të egra. Ndoshta  ata e dinë se çfarë ka pas asaj perdeje të padepërtueshme në Kozmos dhe ndoshta tallen me ne.  Ashtu, thjesht tallen me pafuqinë tonë për të kuptuar. Tallen me kornizat tona të civilizimit, moralin, etikën, etj, etj, etj,… Sytë tanë i ndjekin me adhurimin e sinqertë të foshnjes kur pi qumësht në gjirin e nënës së saj me sytë e ngulur në ninëzat e nënës me besimin se ajo është e vetmja pikë e sigurt e besueshme, e ekzistencës së vetë asaj. Sigurisht e gjithë kjo në formën e një instikti të pastër. Të paktën ne mendojmë kështu. Ëngjëllore  janë të gjitha ëndrrat  tona. Edhe ato të këqiat, të tmerrshmet, prapë janë ëngjëllore. Po ëndrra dhe mëshira nuk shkojnë bashkë. Atëhere cilën prej tyre të zgjedh: mëshirën apo ëndrrën? Mund të mos zgjedh asnjërën. Mëshirën nuk e pranoj e ëndrrën nuk e besoj. E mbetur pa mëshirën e pa ëndrrën time sillem me Kokën time rrugëve të botës në kërkim të një pike besimi. Më duhet patjetër një pikë besimi, më duhet një element i pranueshëm. Është  kthyer në një kërkim jetik. Përndryshe në këtë botë ndjehem krejt vetëm në një vetmi të frikshme që i ka kaluar çdo kufi edhe ata të frikshëm për nga largësia me botën reale. Dhe sa mundësi kam në këtë rast të mbijetoj kur mbi Kokën time ndjej peshën e kësaj vetmie kozmike? Asnjë! Sa mirë bëre që ike, sepse në një kohë tjetër nuk do të kisha rast të meditoja rreth këtyre gjërave sepse do isha krejtësisht e zënë me ty dhe jetën tënde dhe interferimin e saj me jetën time! Sa mirë bëre që ike! Ndryshe nuk do kisha tentuar të njihja veten time sepse e gjithë dita dhe e gjithe mbrëmja do më ishte e mbushur me ty me qeshjen tënde, fjalët e tua, aromën tënde dhe puthjet. Vetëm tani kur i hedh sytë në pasqyrë shoh vetëm veten time, pa ty, siç më ndodhte atëherë kur ishim bashkë dhe ti nuk kishe ikur. Vetëm tani po i shoh sytë e mi të trishtë që më shohin mua  ngultas, bosh, të akullt, të huaj, të frikshëm, vetmitarë. Sa mirë bëre që ike! Kurrë nuk do të kisha mundur të vëreja këto gjëra tek vetja ime e zënë çdo sekondë me zbulimin e gjërave të tua. Të mrekullueshmet gjëra! Që tashmë nuk janë më. Vetëm sillen rreth meje dhe Kokës sime të ajërta, të mjegullta, të pakapshme, të dëshirueshme por që treten tutje në hapësirat e pafundme që shtrihen pamëshirshëm para meje. E di që përpjekjet e mia janë të kota por nuk bëj dot ndryshe. A nuk kanë bërë kështu me mijëra të tjera kur mbetën vetëm, krejt papritur? Në kohën kur mes syve dhe ëndrrës nuk kishte asfarë kufiri,  ato ishin shkrirë e bërë një. Ëndrra ishte bërë e prekshme, kishte marrë trajta të prekshme, ëndrra ishin sytë tanë dhe ritmi i njëjtë i zemrave. Ishte çasti kur Kupa Qiellore ndriçonte nga një dritë e shkëlqyeshme edhe në netët e gjata kur rrokulliseshim mbi bar nën vëzhgimin e reptë të yjeve. Kur gjithçka bëhej e arritshme, kur muret e larta të  moskuptueshmërisë zhdukeshin, sikur kështjellat tona me rërë në buzën e detit që na këndonte këngën e tij të mistershme. Oh! Kjo dhimbje që më shkallmon gjoksin! Sa mirë bëre që ike! Nuk e dija që isha e aftë të ndjeja dhimbje shkallmuese dhe të ndjehesha bosh! Dhe në këtë boshllëk dhimbjeje e trishtimi të vras përditë një copëz tonën. Kur ëngjëjt ëndrrat kanë shkuar në Qiejt e tyre, pasi e bënë dëmin më të madh, na treguan se çfarë jemi të aftë të jemi, e që nuk jemi. Tani nuk je më as në ëndrrën time, duke e thelluar honin e boshësisë vrasëse në përmasa të pakthyeshme. Po nuk je as ëngjëll, në Qiellin tim nuk të shoh, edhe ai është bosh, mban vetëm banorët e tij natyralë. Sa mirë bëre që ike sepse nuk do të kisha patur mundësinë të vëreja që ëndrra ime nuk të mbante më kular rreth vetes! Dhe nuk do kisha vërejtur që Qielli mbetej shtëpia e banorëve të vet, ku as unë e as ti nuk banojmë dot! Po, sa mirë bëre që ike! Ndryshe si do e njihja Boshin? Si do mësoja të shihja në këtë boshësi vrasëse? Si do e ndjeja që shpirti im kishte ikur prej meje duke ia lënë vendin Boshësisë vrasëse. E kishte lënë të lirë të vriste çfarë të donte e kur të donte, ose më saktë asaj që kishte mbetur për të vrarë. Percipitohej deri në fund të shpirtit tim të plumbtë duke u përpjekur të kuptoj shenjat e ajrit, të kuptoj nëse ka mbetur ndonjë pjesëz nga ty. Sa mirë që ike! Ndryshe si do e kuptoja që ajri kishte qenë i mbushur vetëm me frymëmarrjen tonë dhe me imazhin tënd? Ndryshe si do e kuptoja që e gjithë kjo ishte thjesht një kohëndaluese e mendimit. Po, koha ndali për ne, i humbi nocionet e përditshme të mëngjesit  e mbrëmjes. Nuk kishte kufij mes ditës e natës në Gjendjen tonë. Nuk kishte stuhi, nuk kishte erë, nuk kishte vapë, nuk kishte ftohtë në Gjendjen tonë kur ne rreshqisnim në borë apo rrëzoheshim nëpër shpate e lugje malesh apo humbnim në pyjet enigmatikë. As kur zhyteshim në gjelbërim apo humbnim thellësive të kaltra të detit duke u bërë vetë valë puthjesh. As kur Dielli shkonte e vinte e ne nuk e vërenim, as kur yjet shkëlqenin me ngulm drejt nesh, as kur Hëna herë rrinte me ne e herë mërzitej, e ne prapë nuk e vërenim, sepse ne ishim gjithçka që donim, gjithçka që preknim, gjithçka që ëndërronim, ne ishim ëngjëjt e ëndrrës sonë dhe të pasionit tonë. Ne kishim dalë nga identiteti ynë formal dhe gëzonim energjinë e vlerave tona njerëzore.

Comments

  1. Isha një njeri shumë i vetmuar ... Në janar, Dr. Obodo hodhi një magji për të gjetur një zonjë Austriake për mua. E diela e parë në mars takova një grua të mrekullueshme vietnameze. Ishim të angazhuar për gjashtë javë dhe u martuam vitin e ardhshëm. Dr.Obodo më ka dhënë zonjën e ëndrrave të mia.visit Dr. Libero Via:
    (templeofanswer@hotmail.co.uk)
    (whatsapp +234(815) 542-5481) Bloomington, MN

    ReplyDelete

Post a Comment

ME TE LEXUARAT

GJINKALLA DHE MILINGONA

KRITIKЁ MBI NJЁ PARATHЁNIE

SONTE HARRUAM TЁ BЁJMЁ DASHURI

Poezi nga vellimi "Paqe pa profet", 2012

AINSHTAJNI , ZGJEDHJET SHQIPTARE DHE MENÇURIA IZRAELITE

BIOGRAPHY

Mimoza Erebara was born on 8th March 1963 in Tirana.

She attended and graduated in the University of Tirana ;the Faculty of History-Filology in the profile of albanian language and literature.

After graduation ,she worked for a long time as a journalist and a redactor in "Zëri i rinisë"and "Republika"journals ,in "Zani i Atdheut"radio and also in tv studios such as"Victoria"-Detroit USA,"Lira","Phoenix"etc.

She has been a collaborator with a lot of albanian medias and abroad.

She has already won many international and national prizes.She is honoured with the name of "Peace Ambassador".

Her relation with literature has started early ,publishing time after time in different periodic magazines of the time.

She is the author of:

To give company to a hope"poetry -1993

"Love cry"poetry-1996

"The adventures of 10×10 and the upside down Munuriro" novel-fairy tale-1996

"Mistakenly in love"stories,-1997

"Torn reason"poetry-1998

"Wrongeyed"original fairy tales-1999

"Hired lock"stories-2010

"Peace without a profet",poetry-2012,

He and She,love messages,poetry-2015

"Shalom my tear"poetry-2017

"Soul in the desert"

Antology of hebraic poetry,-poetry -2019