Rrugëtimi im kishte mbaruar aty ku qyteti i përgjumur u shfaq. Nuk kisha asnjë ndjesi, thjesht ndjehesha edhe më bosh se në mëngjes kur mora vendimin për të ikur nga shtëpia ime. Jo, në fakt ndjehesha e çuditshme në atë çast kur qyteti si një qenie e gjallë, kruspullosur nën çati, tela e antena më priste. Mua më dukej se ai ishte në pritje të ardhjes sime. E të mendosh që as që më njihte, nuk e dinte që unë ekzistoja. Vazhdoja të përjetoja atë ndjenjë të çuditshme, e pra më parë, jo më larg se disa orë isha e lidhur me mijëra fije me të shkuarën, me atë që përbënin Unin tim. E ja ku gjindesha në një stacion të mjerë plot me plehra që këmbët e futura nëpër ca taka të tejlarta e me ngjyra të ndezura, e që më bënin me dije se isha në vendin e prostitutave, i shtynin më andej ose shkelnin mbi to. E hodha vështrimin përreth. Ato të nxira nga i ftohti kronik dhe të laturisura si mos më keq mbllaçitnin çimçakiza e ndonjë sanduiç, i fshinin buzët ashpër e me nxitim dhe vraponin pas pleqve, që qeshnin vesh më vesh si budallenj, tek kruanin fort organet e tyre me frikën se mos u iknin. Shoferët e furgonave shkelnin sytë si kodosha dhe vetëm me nga një shenjë mereshin vesh femrat. Prapa kioskës që tregtonte pije freskuese dhe sanduiçe të lëtyrta ishte një si rrugëz, ngjitur me kangjellat e stacionit të trenit. Aty përfundonin shpejt e shpejt për një pazar të vogël, ndoshta 2 euro. Plehrat mbizotëronin në këtë rrugë të mbytur nga pluhuri, tymi dhe era e hashashit. Përballë disa pallate shtremba-shtremba me ballkone të mbushur plot me rroba të lara. Një lulishte e vogël, që vetëm emrin e kishte të tillë sepse ishte krejt e thatë në të cilën tundeshin kot shilarëset e prishura. Grupe burrash që merreshin me lloj- lloj pazaresh çikërrimash dhe një erë e ftohtë përziheshin në këto çaste me ndjesitë e mia. Zymtësia e qytetit i shkonte për shtat gjendjes sime. Ndjehesha sikur e gjithë bota ime kishte vdekur me të vërtetë.
Vazhdimisht përpiqesha t’i mbushja mendjen vetes se më kishte mbetur vetëm një rrugëdalje: të filloja të fitoja besimin tim. Ndjehesha pa të dhe ndjehesha aq bosh, sa ankthi më kapllonte natën e më merrte frymën. Kur dita hapej e më duhej të dilja për në punë mundohesha të ulja kokën e të mos shihja asnjë në fytyrë, mundësisht të mos dëgjoja asnjë copëz bisede të kalimtarëve të rastit, e më tepër akoma të mos i dëgjoja të qeshurat shfrenuese të njerëzve. Por ishte krejtësisht e pamundur. Ato jo vetëm që i dëgjoja por tek unë amplifikoheshin shumëfish dhe më goditnin në të gjithë qenien time. Në ato çaste nuk dija se ç’të bëja, hutohesha dhe vrapoja me sa të mundja drejt zyrës sime, drejt dosjeve të mia plot shifra.Humbisja për orë të tëra mes tyre dhe harroja, harroja dhimbjen time dhe humbjen time. Po pastaj, pastaj më duhej të dilja përsëri në rrugë dhe historia fillonte nga e para. Arrija e dërmuar në shtëpi me pyetje brejtëse të pamëshirshme: Më duhej të kthehesha në besimin tim, në besimin që i kishte mbajtur të parët e mi. Po një pyetje shkatërruese më dërmonte plotësisht: - çfarë kuptimi do të kishte të rikthehesh në besimin tënd, a e zotëroja unë përbrenda këtë lloj besimi të fortë që tashmë e quaja të humbur? Mijëra pyetje gëlonin si peshku në rrjetë përpara meje. Dhe unë nuk dija ç’të bëja. I vetmi mendim që arrija ta formuloja dhe ta kuptoja ishte që të ikja prej aty. Në ato momente as që e mora parasysh që brumi njerëzor është i njëjtë kudo dhe se jeta vazhdon rrugën e saj njëlloj. Ishte një mashtrim i vetes që në ato çaste mua m’u duk si një bekim, si një shenjë. Nuk e zgjata fare por menjëherë u nisa pa lajmëruar asnjë njeri. Fjeta gjatë gjithë rrugës në një gjumë të rëndë dhe ja ku jam, në këtë qytet të humbur gri, plot plehra e prostituta. Po tani kisha ardhur dhe nuk e mendoja kthimin. Në ato çaste nuk arrija të mendoja, përpos gjërave praktike, ku do strehosha me se do merresha …Po këto për mua nuk kishin pikë rëndësie. Këmbët më ndalën përballë një ndërtese të lyer me blu të thellë në tabelën e së cilës shkruhej MOTEL. Hapa derën dhe hyra brenda. Vazja e recepsecionit me përtesë vetëm i ngriti njëherë sytë.
-Më duhet një dhomë për një kohë të pacaktuar- i thashë
-Nuk kemi dhoma çift- më thotë me një zë të çjerrë e të ulët.
-Nuk e dua çift, jam vetëm- i them.
-A,?!...- vetëm kaq tha- dhe shtoi- Dhoma teke që kemi është jo dhe aq e mirë, kushton 25 euro nata.
-Në rregull, do rri- i thashë
-Me çfarë emri?- më pyet.
I them emrin, paguaj, marr valixhen dhe nisem drejt dhomës jo dhe aq të mirë që kushton 25 euro nata. Dhomën e gjej relativisht të pastër por të gjitha pajisjet janë tejet të vjetëruara. Po për mua këto gjëra nuk kanë kurrfarë rëndësie. Shtrihem e drobitur me shpinë në shtratin gunga-gunga dhe i ngul sytë në tavan ku disa insekte të zeza po merren me njëri-tjetrin. Deri në ato çaste kisha shpëtuar nga vetja, nga ato mijëra pyetje torturuese. Po tani muret gri të asaj dhome të humbur në atë motel të humbur po më ngushtonin dhe po vinin drejt meje. Madje për një çast m’u duk se edhe insektet lart në tavan i lanë problemet e tyre insektore dhe erdhën drejt meje për të dëgjuar përgjigjet e mia. Më zuri përsëri paniku. Kisha menduar se këtë e kisha lënë atje, në shtëpinë time, po ai, tinzar, kishte ardhur me mua dhe tani më zgërdhihej në fytyrë. E dija se çfarë kërkonte. Përgjigjen të cilën unë nuk e kisha. Cohem dhe mbi tryezën e thjeshtë kishte një gazetë. E mora dhe për çudi ishte e asaj dite. Pak e habitshme për një motel të lodhur e të humbur! Fillova t’a shfletoj dhe menjëherë e shkuara ime, që unë e kisha mbyllur që në mëngjes kur mora rrugën larg shtëpisë sime, më doli përpara. E flaka me dhunë diku në një cep të dhomës. Gazetë që u lëpihej çdo lloj të vetashtuquajtur idhull, vip, plot me editoriale boshe, lavdërime pa fund të librave idiotë të njëri-tjetrit, opinione të blera, editoriale të blera, vipa të blerë. Madje edhe në faqen e fundit ku jepeshin lajmërimet e vdekjeve apo përkujtimoret, rreshtat ishin të blerë. Vetëm fotot e vdekurve nuk reagonin, po zinin faqen e caktuar me përulësi e në heshtje. Shkrime të gjata për vlerat e jashtëzakonshme të iks drejtuesi, lideri, luftëtari deri në perfeksion dhe as që përmendet diku që personi në fjalë nuk ka qenë fare në atë luftë! Makrabitet! Pa folur për fotot e retushuara sipas simpatisë e antipatisë së drejtuesve. Asgjë reale. Shtyp i lirë, informim i drejtë, ligji në plan të parë…Broçkulla! Asnjë prej tyre nuk e gjeja. Ndryshe njëri e ndryshe tjetri. Kujt t’i besosh? Apo nga mërzia të shkosh e të plasesh në sallën e teatrit të estradës ku llumi artistik ngrefoset e ngrefoset i bindur që po bën art të madh! Apo ta kalosh ditën atje ku përdridhen këngëtaret e mejhaneve nëpër skenat (serioze!!!) !Stonatura që mundohen që dështimin e tyre ta mbulojnë duke u zhveshur, a thua se prapanicat këndojnë! Mjerim! Fotot e politikanëve që buzëqeshin njëlloj, sharjet vulgare të tyre, kisha kaq shumë gjëra prej të cilave unë atë mëngjes tentova të ikja. Po ku t’ia mbathja? Ja ku isha kaq kilometra larg, përtej qytetërimit, sikur e kisha menduar dhe vjen e të gjen vetvetja me gazetën e ditës të përplasur në fytyrë. Nuk kisha bërë asgjë. Nuk kisha ikur nga askush dhe nga askurrkund. Njëlloj. Arratisjen duhej ta bëja nga vetja ime, të ikja drejt besimit tim të humbur. Po ku ishte besimi im? Në çfarë duhej të besoja?
E , ja, tek dolëm tek kryepyetja brerëse e netëve të pagjumta. E dija që nuk mund të bëhesha dot si koleget e mia që adhuronin çdo çmenduri të idhujve mediatikë, duke u besuar iluzioneve që u përkëdhelnin sedrën boshe. As të rrija me orë të tëra para telenovelave dhe të përjetoja orgazëm, ndërkohë që personazhet përkëdhelen e puthen, vetëm e vetëm se burri nuk i shikon më. As bilardo,as bixhoz, as të pija, asnjë prej këtyre iluzioneve nuk doja t’i kisha, e kështu të mbytja ditët e mia e bashkë me të edhe besimin. Por, me gjithë përmbajtjen time, besimin e kisha humbur. Mitet e rreme para të cilëve bota shkrihej fare, qëndronin aty përpara meje duke më grishur drejt besimit të ekzistencës së tyre, duke më premtuar kësisoj shpëtimin tim. Më ofronin atë që unë e kërkoja, por unë e dija që e gjithë kjo ishte një iluzion, ata kurrë nuk do të mund të më jepnin diçka që ata vetë nuk e kishin. M’u kujtuan të gjithë mitet mediatike që nxitonin drejt adhurimit popullor e përmes luftës së gjaktë. Nuk kishte asnjë djallëzi për të cilën këta mite të rrejshëm të mos e kishin nga një justifikim të cilin e paraqisnin si mundimin më të madh ndaj njerëzimit! Pështirosja ime në këtë pikë bëhej e pambërmbajtshme! Devotshmëria e tyre as që ekziston, sepse nuk mundet. Ajo është një gënjeshtër dhe mashtrim që kërkon çdo ditë të më bëjë edhe mua një të devotshme e të vetmashtruar. Në këtë katramujë njerëzore ku adhurohet xhelati nga vetë viktima e tij, në këtë absurd jetësor që ka ngërthyer njerëzimin duhej të ikje sa më parë në të vetmen strehë, besimin. Kishte kohë që unë mendoja rreth këtyre gjërave dhe që isha bosh. Pikërisht që atë ditë, më 24 nëntor të atij viti, kur ti ike pa kthim. Kështu patëm vendosur, që ti të ikje. Po unë nuk e dija atëhere se ti me ikjen tënde do merrje jo vetëm dashurinë, por edhe besimin tek njeriu, besimin tek dashuria. U deshën këto mure gri në këtë qytet gri që unë të kuptoja se isha torturuar kot. Besimi ishte brenda meje, i strukur thellë. Besimi isha unë. Askush, as ti, nuk mund të ma mirrte, po unë vetë isha ngatërruar dhe nuk e kisha parë atë që në të vërtetë e kisha patur gjithnjë. Isha hutuar nga zhurma e tollovia njerëzore dhe nuk i kisha krijuar vetes mundësinë që të shikoja brenda vetes. Isha mjaftuar me imazhin e avionit në ngritje në aeroport ditën që ti ike dhe nuk i kisha parë avionët e mi, shpirtin tim. Sa mirë bëra që erdha në këtë qytet të humbur, ku unë gjeta besimin tim!
U rrotullova në shtrat e lumtur për herë të parë pas kaq kohe, më në fund e kisha një përgjigje. Dhe ajo kishte qenë fare e thjeshtë. Por të fshehtat e jetës, të njerëzimit qëndrojnë të fshehura për ne. Jeta i zbulon pak e nga pak të fshehtat e saj dhe këtë nuk e bën për të gjithë njerëzit. Sot më ishte mbushur mendja se edhe ajo përzgjedh, e ndoshta kriteri duhej të ishte besimi në besim.
U rrotullova përsëri në shtratin plot gunga dhe isha gati për të fjetur. Në një gjumë të paqtë si kurrë ndonjëherë.
Nuk po merrja dot frymë. I hapa sytë po në çastin e parë nuk po merrja vesh asgjë. Ishte gjysëmerrësirë. Një hije e stërmadhe ishte përmbi mua. Lakuriq. Pata ndjesinë se edhe unë isha e zhveshur. Hija me njërën dorë më kishte mbyllur gojën e me tjetrën mbahej. U tmerrova. Desha të thërras. Nuk mundja, dora e Hijes më shtërngonte. Po bënte seks me mua. Nuk po arrija ta besoja!
Nga goja që kutërbonte erë raki e hudhra e dhëmbësh të prishur kumboi një e bërtitur:
-Cfarë kujtove moj kurvickë, se do të të linim vetëm? Hahahahahahhahahhahahahahha….Budallaçka, kujtoi se do flinte si princeshë, në dhomë më vete, e ku? Në shtëpinë time hahahahahahaaa,ohhhhh….-
Hija u shkëput. Gojën e kisha të lirë, po nuk kisha zë. As që pata kohë. Një tjetër hije, kockë këmbë e kokë u hodh mbi shtrat.
Duart e tij si ganxha që më copëtuan krahët dhe dhimbja, dhimbja që vinte përtej meje, ishin gjëja e fundit që arrita të mendoj. Nuk m’u kujtua besimi prej të cilit unë e kisha ndërmarrë edhe atë arratisje nga realiteti im, nga shtëpia ime, nga dashuria ime.
Wow është mirë që të kthehesh me ish tim përsëri, faleminderit Dr. Ekpen për ndihmë, vetëm dua t'ju njoftoj se po e lexoni këtë post në rast se keni probleme me të dashurin tuaj dhe po çon në divorc dhe ju nuk bëni duan divorcin, Dr Ekpen është përgjigja për problemin tuaj. Ose ju jeni tashmë divorc dhe ju ende doni që ai / ajo kontaktoni Dr Ekpen spell caster tani në (ekpentemple@gmail.com) ose whatsapp atë në +2347050270218 dhe ju do të veshur ju bëri
ReplyDelete