Si një gëllboqe
plaku që thahej mbi gur nën një diell rrenc, digjej vendi nga një diell i pazakontë . Ishte me të vërtetë
i pazakontë, sepse ishte edhe i nxehtë, përcëllues, por edhe i plumbtë. Të
krijonte përshtypjen e një qielli pa diell, e ndërkohë ti e dije mirë se diell
kishte, sepse e para, e shihje, dhe e dyta, të përcëllonte lëkura. Po një qiell
i tillë, pa diell, ditën me diell, me të vërtetë ishte i frikshëm. E frikshme
ishte ajo si ndarje që mund të vërehej nëse përqëndroheshe pak. E frikshme sepse
ishte diçka e panjohur më parë. Dukej sikur Dielli rrinte kot dhe ishte krejt i
rastësishëm në atë copë qielli që rrinte i rëndë mbi kokat e njerëzve që ishin
mbledhur për të pritur deputetin e zonës
që kandidonte përsëri. Avujt ishin të mbushur plot erë djerse të athët. Njerëzit
kishin ardhur drejt e nga puna e fushës, ashtu
siç kishin qenë, ku veshur, e ku pa veshur. Një pjesë e tyre shfrytëzonte
rastin për të ngrënë atë copë bukë me qepë e ndonjë dromcë djath, të marrë me
vete që pa gdhirë. Uria ishte gdhendur përgjithnjë në fytyrat e tyre. Uria dhe
padituria përziheshin në gojët pa dhëmbë që mbllaçitnin me bulçitë plot, bashkë
me fletët e qepës e thërrimet e bukës së fortë, politikën. Prisnin me durim të
kryhej mitingu.Herë pas here dora futej vetë në xhepat e thellë të pantallonave
të pista dhe ashtu, përkëdhelte lekët që kishin marrë për të qenë aty në pritje të deputetit. Pse të
mos vinin ? Ishte pagesë e mirë më shumë se një ditë pune e mirë dhe me fat.
Kurse këtu, vetëm se rrinin aty,
paguheshin.Pluhuri ngrihej duke marrë me vete edhe gjithë qeset e letrat të
hedhura me shumicë nëpër kanalet anësore të asaj që mund të quhej rrugë. Forcat
e rendit ishin aty, të vaposura e të pluhurosura, por tashmë ata ishin mësuar
me këtë lloj pritjeje dhe vetëm sa gogësinin të dembelosur e indiferentë. Turma
shtohej me gulçe. Sapo vinte një autobus apo furgon me nëpunës të bindur, drejtuesit
e mitingut nxitonin t’i vendosnin në pjesën e buzëkanalit që u kishin caktuar për
atë ditë. Dhe ata kokëulur dhe të kujdesur që askush të mos lexonte e kuptonte
ndjenjat dhe mendimet e tyre, shkonin pa zë dhe zinin vend në mes të pluhurit e
dherave. Suvaja e re e ndërtesës që sapo do të inagurohej përpiqej të shkëlqente,
si e re që ishte, por nuk ia dilte dot. Pocaqia ishte zotëruesja e vërtetë e
atij mitingu, me njerëz e ndërtesa bashkë. Ngado që ta sillje, ajo të dilte përpara
sunduese, kërcënuese.Të vetmit që e prishnin këtë qetësi indiferentësh ishin fëmijët
e shkollës aty pranë. Për ta ishte një ditë më shumë pushim. Çantat i kishin
hedhur pa kujdes rrëzë kangjellave dhe si milingonat shkonin pas njëri-tjetrit,
shpërndaheshin, bashkoheshin, gjithnjë në lëvizje. U kishte ardhur zogu në dorë
që të fitonin diçka. Jepnin dhe merrnin flamurë. Më i shkathti e kishte shitur
e rishitur një flamur nja pesë e gjashtë herë
dhe tani i lumtur numëronte paratë.Diku më tutje kameramanët e
televizioneve hezitonin të hapnin diafragmën e kamerave prej pluhurit, i cili
hynte kudo. Gjithësei ata ishin gati në pritje të deputetit. Gazetaret e reja të
terrenit hargaliseshin me ndihmësit e dorës së dytë e të tretë, i joshnin dhe para syve të tyre fluturonin me naze,
byzylykë, bileta avioni, pishina, motele, konferenca shtypi nëpër Europë, shefllëqe,
llogari bankare. Edhe shëmtira më e madhe në ato çaste atyre u bëhej e bukur,
madje tepër i lakmueshëm. Njëlloj si kafshët vinin rrotull tyre dhe caktonin
territoret. Nuk kalonte shumë dhe grepat ishin hedhur. Si padashje ngriheshin
fundet edhe ca gishtë më lart, dhe po si padashje gjokset fillonin të dukeshin
gati të plotë. Ndonjëra nën xhaketën “e
kameras” siç thuhej rëndom, fshihte lakuriqësinë e vet me ndonjë këmishë tyli të
bardhë, veshur drejt e në mish , pa sutjena. Prapë si padashje, terrenistet përkuleshin
drejt presë së rradhës, kinse për të dëgjuar me vëmendjen më të madhe
xhevahiret e arsyetimeve të forta se përse duhej seksi dhe si bëhej ai, duke ua
futur gati në gojë thithkat kapriçoze të gjinjve, syve të zgurdulluar e epshorë
dhe “mollëve të Adamit” që kërcenin rrok në fytet e tharë. Madje ato bënin
kujdes që të tregonin qartë rripin e tangave të tylta nën ca zgërdhirjeje të
bojatisura me nja dy gisht buzëkuq e shkëlqyes, ton e pudër, rimel e laps, që në
atë vapë e pluhur transformohej duke i
kthyer fytyrat e tyre, si ca kopertina të zhubravitura, si ato që shtrohen nëpër
bufe nën shishet e vajit.
Ishte një zonë jo shumë larg kryeqytetit, por dukej se
Mesjeta ishte shtruar këmbëkryq. Pothuaj asnjë shenjë civilizimi. Ca kasolle me
zhuka e baltë, ca gardhe të shtrembër, aty-këtu të rrëzuar, ca mjete pune të
lashta që çdo muzeum do t’i kishte zili, ndonjë lopë, ca dele, pula të zeza, të
kafta, të bardha që lëviznin lirisht, ndonjë stivë e vogël drush zjarri në
ndondonjë cep oborri. Rrallë e tek ndonjë shtëpi me tullë dhe me çati me
tjegulla. Kopshtet vende-vende ishin të punuar, dhe vende-vende ishin lënë në mëshirë
të fatit. Mundoheshin të mbillnin ndonjë rrënjë qepë e hudhra, sa për të lagur
gojën dhe në rastin më të mirë ndonjë hardhi shtrembanike rriste kokrrat e
rrushit që burrat mezi prisnin t’i shtrydhnin e t’i zienin e pastaj, të uleshin
me një copë misërnike, qepë, e hudhra nga të kopshteve e me nga një filxhan pa
bisht, të lagnin fytin dhe të hutonin mendjen.
Në fakt punonin, po toka, vendi,
nuk jepnin bereqetin e pritur. Po tani kur
paratë u kishin ngrohur xhepat e thellë të pantallonave të baltosura, ata s’po mendonin më për të
gjitha këto. Ishin futur në hesape e ç’hesape dhe ende nuk e kishin zgjidhur se
për çfarë do t’i shpenzonin ato të shkreta para. E pasi bindeshin se ato ishin si një vrimë
në ujë, psherëtinin me vete dhe binin të gjithë në një mendje “se sa mirë do
ishte sikur të vinin përditë deputetë me qese plot!”
Ajri vazhdonte të ishte i
ngarkuar me pluhur dhe me erën e athët të
djersës, të parfumeve të lira, qepëve dhe hudhrave, plehut dhe naftës së djegur
keq. Dielli vazhdonte diegien e tij të çuditshme, vazhdonte të ishte sikur nuk
ishte, një ngjyrë po aq e çuditshme e qiellit shtrihej sat ë hante syri. Ishte
pothuaj e pamundur të ngrije sytë lart për të parë se verboheshe, por jo nga
drita, por nga ajo ngjyrë e rëndë, e
plumbtë, as blu, as gri, as zi. Zërat e vetëm të fëmijëve sikur vinin edhe ata
nga larg. Një ndjesi e pashpjegueshme gati kozmike sillej mbi kokat e njerëzve.
Por ata vazhdonin të ishin indiferentë, për ta thjesht ishte vapë, po që ia
vlente prej parave që kishin marrë dhe për premtimet për të tjera më pas. Dhe
kaq. Gjithçka tjetër nuk ishte pjesë e tyre, nuk u interesonte. As që e dinin
se cili do të vinte. Nuk u bëhej vonë. Për ata nuk do ndryshonte asgjë, dhe këtë
tashmë ata e dinin mirë.
Truprojat filluan të lëvizin më shumë dhe të bëjnë
shenja me njëri-tjetrin duke rregulluar kufjet në vesh. Filluan të flasin me zë
të ulët dhe u zhvendosën më përpara. Shenjë e sigurt që Deputeti i shumëpritur,
kandidati për president, ishte duke ardhur. Një re pluhuri u ngrit në fillim të
rrugës dredharake. U dukën dhe makinat e zeza qeveritare. Turma filloi të lëvizë
duke u përpjekur të shohë nga po vinin partiakët. Dihej, deputeti lëvizte me
eskorta të mëdha. Kërkonte siguri maksimale. Frika e ndonjë atentati të mundshëm
i ishte shtuar shumë që pas vrasjes së kolegut të tij, me të cilin ishte ndarë
vetëm një orë para atentatit që atij i mori jetën..Në fakt deri atëhere nuk e
kishte kërcënuar askush, por ai ruhej shumë . Edhe daljet në publik i kishte
shumë të rralla dhe të shkurtra. Truprojat zunë pozicionet e paracaktuara. Një
pjesë e tyre krijuan një si kordon para turmës. Nuk kishte asnjë shenjë të ndonjë
proteste. Turma ishte aty ku e kishin hedhur, sikur një limon i shtrydhur me
diellin që ia thante edhe atë pak lëng jete që mund të kishte. Ishte gati e përgjumur. Gjithësesi,
masat ishin marrë dhe po respektoheshin.
Makinat po afroheshin. Reja e pluhurit, pa u nxituar filloi të binte drejt e
mbi njerëzit. Kostumet e errta të truprojave filluan të zbardhen nga pluhuri dhe
të bëhen si të pangjyrta.Të pangjyrta filluan të bëhen edhe flokët e tyre. Po
reja e pluhurit ishte e verbër dhe nuk nxitohej. Dukej sikur donte të luante ca,
para se të binte në tokë dhe të shkelej me këmbë. Grimcat e tij po jetonin
lirinë e tyre. Fundi dihej: dhe, baltë.Dhe në atë tokë i gjithë ai pluhur
kthehej në një baltë ngjitëse, që e kishte zor sa të fillonin pikat e para të shiut,
se pastaj nuk largohej për të gjithë
pjesën tjetër të vitit. Dukeshin ende gjurmët e saj të ngurtësuara me
formën e këmbëve, rrotave apo të thundrave të kafshëve, madje edhe këmbët
shtrembaluqe të pulave kishin mbetur në atë baltë ngjitëse që nga sezoni i
kaluar i shirave. Një dëshmi e plotë e sundimit të saj të egër Ca flamurë u përpoqën të valëviten me mundim. Ishte gati e
pamundur. Nuk frynte asgjë dhe ajri rëndonte
e digjte po njëlloj. As njerëzit nuk ngulmuan, dhe ata, flamurët, mbetën të varur, si
perzervativë që nuk hyjnë më në punë. Deputeti ishte afruar tashmë.
Drejtuesit bënë shenjë nga turma që të
duartrokiste dhe të brohoriste. Mezi dolën ca zëra të zvargur. Më shumë dëgjoheshin
thirrjet piskëlluese të fëmijëve, që edhe pa u thënë e kishin merak vetë.
Makinat
ndalën dhe partiaku doli i qeshur, me dorën lart dhe me një shikim që nuk
shihte asgjë. Tek e fundit para tij ishte vetëm një masë amorfe, gri, që nuk
duhej për asnjë gjë, pos kësaj, ditës së sotme. Kameramanët bënë gati kamerat.
Terrenistet me mikrofonë në duar nxituan të bëhen të famshme dhe i harruan për
disa çaste bisedat akademike mbi seksin e lirë. U mbërthyen mirë, rregulluan
flokët, u dhanë edhe nga një shkëlqim buzëve dhe gjithë shpresë iu avitën
deputetit. Patën kujdes të linin pak gjoks jashtë. Dihej një gjoks i pafajshëm
hapte shumë dyer. Dhe Deputeti ishte shumë i ndjeshëm ndaj pafajësisë! Organizatorët
nxituan ta shoqërojnë deputetin drejt stativëve të mikrofonëve që kishin disa
orë që po digjeshin në heshtje nën diellin dhe ajrin përvëlues. Deputeti
gjithnjë duke parë gjithçka dhe duke mos parë asgjë shkoi nga e çuan. I bindur,
si një bebush çerdheje që e marrin përdore kur e shoqërojnë për në tualet. Zilja
e shkollës që ra i gjeti të gjithë krejt
të papërgatitur. Organizatorët dhe truprojat mbetën si të shokuar. Ata i kishin marrë të gjitha masat që i gjithë
vendi pas shpinës se deputetit të ishte i zbrazur, por kjo zile i vuri me të vërtetë
në një siklet të madh. Shefi i arsimit të rrethit, një militant i hershëm i
partisë së Deputetit vrapoi drejt
oborrit ende të zbrazur duke ulërirë:
-Kush është ai hajvan që i
bie ziles? A s’kam urdhëruar që shkollat të mbyllen dhe nxënësit të jenë në
miting, me gjithë mësuesit?
Në atë qetësi prej ajri përvëlues zëri i tij dukej i largët,
sikur vinte prej një bote tjetër. Po në atë çast
u dëgjua edhe uturima e motorëve të njërit prej autobusëve që kishte sjellë
punonjësit. Shoferi po përfitonte nga rasti ta kontrollonte edhe një herë atë gërdallë
lëvizëse, që jo pak herë e kishte lënë në
mes të rrugës. Që gulçonte e ecte gati duke u shkërmoqur. Truprojat vrapuan edhe
drejt tij duke e urdhëruar me zë të lartë që ta fikte. Ndërkohë oborri deri atëhere
i zbrazët i shkollës, gumëzhiu nga zërat
e gëzueshëm të fëmijëve. Kishte qenë një klasë filloreje.Pasi u kaloi vala e parë
e haresë, hare që shoqëron të gjithë fëmijët në mbarë botën kur dalin nga mësimi,
ata u stepën dhe nuk po kuptonin se si ishte e mundur që pikërisht në oborrin e
tyre të kishin ardhur aq shumë njerëz, truproja, policë, kameramanë, makina,
flamurë. Heshtën si të urdhëruar, të gjithë përnjëherësh. Pas tyre u duk mësuesja, një vajzë e brishtë, hollake,
bardhoshe, me syze, por shumë simpatike. Shefi i arsimit të rrethit gati iu vërsul
asaj me një lumë sharjesh dhe kërkese llogarie. Ndërkohë që mësuesja pasi i pa
të gjithë çka ishin rreth e rrotull, dhe pasi për të qindën e sekondës shikimi
i saj u ndesh me atë të Deputetit, me një qetësi gati apostolike dhe krejt të
pakuptueshme për të tjerët i tha:
-A nuk na kanë urdhëruar nga Ministria që fëmijët nuk marrin
pjesë në miting? Unë zbatova vetëm urdhërat.
-Urdhëri jam unë!-ulëriu shefi duke harruar edhe vetë praninë
e Deputetit. Kameramanët u urdhëruan të mbyllin kamerat dhe mikrofonët.
Truprojat u kujdesën që të mos u shpëtonte asnjëri prej tyre. Ishte një
incident që po merrte përmasa të rrezikshme. Shoqëruesi i parë i Deputetit foli
me zë të ulët dhe bëri disa shenja drejt truprojave. Ishte një politikan i ri që
e kishte krijuar imazhin e tij politik me një puro në cep të gojës,dhe që fliste
sikur kishte arra nëpër dhëmbë, pakuptueshëm për të gjithë të tjerët, duke
krijuar kështu bindjen se ishte shumë i mençur ndaj s’e kuptonin. Dhe të gjithë
këtë e bënte duke u përpjekur të imitojë foton e një politikani Perëndimor të
viteve të Luftës së Dytë Botërore. Menjëherë mblodhi rreth vetes disa nga
truprojat dhe shërbëtorët e bindur .
-Merruni pak me atë pispiruqe, sa nuk është vonë- u tha gati nën zë, duke
patur me të vërtetë kujdes që të mos dëgjohej prej të tjerëve, veç shpurës së
tij besnike.
Ata u shpërndanë menjëherë.Në fillim i shkuan afër shefit të
arsimit që ishte nxehur e turbulluar aq shumë sa nuk po kontrollonte më veten,
duke tërhequr kështu gjithë vëmendjen e njerëzve.
-Është e paparanueshme! Është absurde! A nuk e shihni se si i
kundërshtojnë urdhërat e mi? E ç’të bëj unë me këtë? Ta pushoj nga puna? Po, po, ja do t’i them që je e pushuar, le të vijë në zyrë
të marrë shkresën, që nesër…!
Pjestarët
e stafit iu afruan dhe diçka i thanë me zë të ulët. Ai heshti si i goditur me
hu pas koke. Nuk foli më .Vetëm herë pas
here nxirrte shaminë dhe fshinte djersët që nuk po i pushonin. Mësuesja hollake
dhe me syze kishte qëndruar në mes të
oborrit e rrethuar nga vogëlushët e saj. As ajo nuk foli më. Psherëtiu lehtë por
me dhimbje të madhe. E ç’mund të priste nga ai vend dhe nga ata njerëz që
kontrollonin gjithçka? Bij të varfërisë, të dhunimeve e përdhunimeve, të
gjakmarrjes dhe të vrasjeve, bij të mashtrimeve dhe hajdutë që rrëmbenin e
gllabëronin gjithçka u dilte përpara? Llamarina boshe që vetëm të çirrnin veshët, të vetshpallur zotër që pastaj hanin kokat e njëri-tjetrit nëpër tregti të fëlliqta,
hiqnin gjymtyrë, shtonin të tjera, pa shpirt, pa zemër, pa dashuri. Mësuesja nuk
po lëvizte fare. Shefi i arsimit, edhe ai kishte mbetur i gozhduar ca nga fjalët
e truprojave, e ca nga shikimi i heshtur i mësueses. Deputeti nga ana e tij
pasi mori miratimin e stafit iu afrua mikrofonëve gati për ato tangërllëqet pa
bukë.
Ajri vazhdonte të rëndonte dhe dielli të digjte. Njerëzit gati ishin
kapitur ashtu më këmbë, duke pritur që e gjitha kjo të merrte fund. Deputeti u bë
gati. Në mënyrë gati instiktive u kthye nga mësuesja dhe filloi të broçkullisë.
Ajo nuk lëvizi, as qerpikët e gjatë nën sytë e kaltër fshehur pas syzeve. Anëtarët
e stafit u alarmuan, ai nuk po thoshte pjesën e paracaktuar. Kishte dalë nga
tema dhe ç’është më e keqja po fliste pa lidhje. Terrenistet e kishin ndjerë të
parat rrezikun dhe me mendjen e tyre tyryfyçe kishin filluar ta shanin “qorren
që na kishte dalë e veshur deri në grykë, pale!” Cmira ua erri sytë kur menduan
se po u shkonin kot gjokset e fryrë dhe tangat e reja. Deputeti po koketëronte
si një semaforiste e regjur duke përdredhur sëbashku me fjalët pa kuptim edhe
buzët, gati femërore. Në fakt i gjithë trupi i tij, po përdridhej. Stafi tani u
alarmua vërtet. Terrenistet filluan të pëshpërisin. Ato në fakt ishin armike të
përbetuara me njëra-tjetrën. Nuk kishin qenë të rralla rastet kur ishin zënë me
grushta e për flokësh nëpër vende publike, apo rastet kur mblidheshin netëve jashtë kryeqytetit, diku, nëpër ca motele të sigurta, nëpër orgji seksi, droge
e pijesh. Kur brenda natës shalonin të gjithë kryeredaktorët e gazetave e
televizioneve qendrore. Dhe pasi paraqiteshin në publik duke marrë poza prej
gazetaresh profesioniste, u lëshonin një –“Prapa diellit!”- gjithë atyre që u
ishte dashur t’i shalonin më shumë se disa herë. Por sot e ndjenë që Deputeti tek
i cili i kishin varur shpresat, as që i vuri re. Dhe kë, ato…?! Që në fakt ia
njihnin më mirë se gruaja të gjitha qimet e mundshme nëpër trup! Në fakt kishte
disa ditë që po flitej për një projekt për gazetarët që mbi të gjitha ofronte
shumë para, dhe ato i kishin varur shpresat tek Deputeti i tyre. Jo më kot
kishin bërë namin derisa e kishin marrë detyrën e shpifur të pasqyrimit të mitingut. E
dinin, zakonisht pas lodhjes së fjalimit i gjithë stafi shtrohej për drekë dhe
dihej që deputeti pushonte pasdreke, pushim që nganjëherë i shkonte deri të nesërmen
nga mesdita. Ashtu i buhavitur nga pulat, vera, rakia, qepët, hudhrat dhe seksi i
shfrenuar shkonte në mbledhjen e rradhës ku vetëm sa gogësinte dhe mbyste zyrën
me erën e rëndë të hudhrave e rakisë së kumbullës, që ishte dhe pija e parapëlqyer
e tij. Fillonte të gjallërohej nga pak në mes të pushimeve të shkurtra gjatë të
cilave u duhej t’u jepte përgjigje pyetjeve të kolegëve për “aftësitë” e
shtratit të gjokseve me mikrofon. Në fakt kishte bërë aq para se të mund të
rrinte rehat, por vetëm kur mendonte se do t’i duhej t’i kalonte ditët e netët
bashkë, vetëm me gruan, dhe frika se mos vdiste thjesht në shtrat apo në
shezlong, e bënte të vraponte pa u ndalur drejt kësaj lavdie të dhjerë, po
lavdi ama!
Terrenistet vazhdonin të shpupuriteshin si pulat në kotec para
gjelit, truprojat ishin afruar pothuaj të gjithë pranë mësueses në oborrin e shkollës.
Mësuesja nga ana e saj ishte përkulur pak drejt vogëlushëve të saj dhe diç po u
thoshte. Menjëherë doçkëzat e rrethuan drejt përqafimeve të pafajshme. Më pas fëmijët,
në grup u larguan me sy të mpirë drejt truprojave që para tyre dukeshin vërtetë
si ca gorilla të stërmëdha dhe të frikshme.Fëmijët dolën nga oborri i shkollës
dhe filluan të shpërndahen drejt shtëpive të tyre. Mësuesja mbeti vetëm në
oborrin e shkretë të shkollës.Truprojat nuk ishin larguar që andej. Dhe ajo nuk
mund të lëvizte. Ishte aq e brishtë dhe sytë i kishte me të vërtetë të kaltër. Po
fërgëllonte dhe njëkohësisht po mundohej të mos jepte asnjë shenjë. Shefi i arsimit
i hodhi një shikim prej bishe dhe u zgërdhi. Njerëzit rreth e rrotull vazhdonin
të ishin indiferentë. Terrenistet edhe ato u zgërdhinë me ligësi të dukshme dhe
duke u dhënë gjokseve përpjetë. Kameramanët gati të përulur prisnin shenjën
prej tyre për të filluar xhirimet. Deputeti vazhdonte të broçkulliste, por
askush nuk po e dëgjonte dhe fjalët e tij vetëm sa e rëndonin peshën e ajrit, që
edhe ashtu ishte bërë boll i rëndë. Një laraskë pis e zezë krrakiti gati m’u mbi
hundën e tij dhe iku tutje, në perëndim. Një gomar pa samar u duk në mesin e
rrugës së pluhrosur. Disa fshatarë nxituan ta heqin prej andej, duke kërkuar falje.
Gomari u bind lehtë dhe po aq indiferent sa edhe punëdhënësit e vet, vazhdoi
rrugën nga një drejtim tjetër ku nuk shqetësonte kërrkënd. I vetmi njeri i shqetësuar
dhe jo indiferent ishte komandanti i truprojave që po shkonte e vinte në kërkim
të njërit prej tyre, numrit 5, i cili nuk po dukej gjëkundi. Askush nuk dinte të
thoshte ndonjë gjë për të. Sikur e kishte përpirë dheu.
-Ose gomari, -vërejti një prej shokëve të tij por i ngeci e
qeshura në grykë kur shefi iu avit, e qëlloi dhe e rrëzoi shakull në tokë. Askush
nuk reagoi. 5-ën e kishte përpirë vërtetë dheu.
Deputeti e mbylli fjalimin e
tij monoton dhe zbriti nga podiumi i improvizuar. U bashkua me anëtarët e tjerë
të stafit elektoral dhe bashkë me ta dhe me shefat e zonës u drejtua drejt
shiritit të përurimit të ndërtesës së re të shkollës. Po ecnin në mes zotërimeve
të pluhurit. Shiriti ishte lidhur aty në dy anët e derës së hekurt të shkollës.
Në njërën anë një masë amorfe kokash e gjymtyrësh afroheshin drejt atij
shiriti, në anën tjetër në oborrin e shtruar me zift që të ngjiste nën këmbë prej të nxehtit, qëndronte ajo, e brishta,
bardhoshja, me sy të kaltër, me syze, vetëm, mësuesja. Truprojat kishin krijuar
formacionin e tyre taktik duke e lënë bosh vendin e numrit 5. 5-a mungonte. Përtej shiritit sytë e kaltër
heshtnin dhe gozhdonin me këtë heshtje të tjerët përballë saj. Ceremonia mbaroi
shpejt, madje më shpejt se çdo herë, dhe deputeti si i hinotizuar u drejtua tek
mësuesja. Ajo përsëri nuk lëvizi dhe nuk foli. Ai iu afrua dhe i foli i pari.
Pastaj iu drejtua shefit të arsimit duke e lëvduar mësuesen e re dhe të gjithë
mësuesit që shkrinin rininë e tyre, jetën e tyre, dashurinë e tyre për fëmijët.
Shefi u tulat. Për të mesazhi ishte mëse i qartë. Deputeti i zgjati dorën mësueses.
Ajo përsëri nuk lëvizi, madje as qerpikët e syve të kaltër pas syzeve. Deputeti
e mblodhi dorën rreth vetes, nuk i dha rëndësi, indiferent kaloi matanë, drejt
turmës që vazhdonte të ishte po aty nën pluhur dhe diell, e vaposur keq dhe e
palëvizshme. Bëri një përshëndetje të thatë
dhe nxitoi të hypte në makinë. Të gjithë të tjerët pas tij u vunë në lëvizje.
Shoferët e autobusëve ndezën me zhurmë e tym makinat e tyre të vjetra.Turma
filloi të shpërbëhej. Fshatarët pasi ia dhanë një të fshirë djersës pas
pantallonave të pista u nisën me hapa të
ngadaltë në punën e tyre.Kaq ishte. Terrenistet me buzka të varura prej
indiferencës së Deputetit, por me gjokse e funde lart dhe me moral edhe më lart, mbyllën
mikrofonat dhe u shpërndanë tek dora e dytë dhe e tretë, të paktën të mos u shkonte
mundi kot. Truproja numër 5 nuk ishte gjetur ende. Dhe grupi i shoqërimit ishte
në telashe. Shefi i tyre nuk po dinte në duhej të niseshin sipas detyrave
specifike që kishin paracaktuar, apo të qëndronin e të kërkonin 5-ën. Megjithëse
Deputeti kishte kohë që kishte hyrë në makinën e tij gati për të ikur, Shefi i
truprojave nuk po e jepte dot urdhërin e lëvizjes. Edhe kjo ishte shkelje e
rregullores dhe ai ishte vërtet në telash. Shoferi i Deputetit po i afrohej tepër
i shqetësuar. Nuk e la t’i afrohej më shumë, por që aty ku ishte i bëri shenjë
që të kthehej në vendin e tij dhe dha urdhërin për t’u nisur. Karvani aq kishte
pritur. Makinat turfulluan duke ngritur një re pluhuri që zhduku pothuaj çdo gjë.
U deshën minuta të tëra që ky pluhur të fashitej dhe gjërat të fillonin të
dukeshin sërish. U larguan. Dhe patën kujdes që të merrnin me vete edhe mësuesen,
“ sa për t’i komunikuar diçka me rëndësi” - sikur i thanë. Pa numrin 5. Në fakt,
Shefi i tyre e ndau mendjen që pasi të çonin shëndoshë e mirë Deputetin, të
kthehej edhe njëherë për atë, numrin 5. Por kur mbërritën në kryeqytet, Deputeti
i kënaqur nga mitingu frytdhënës e meqë i kishte disa terreniste rreth e
rrotull, mendoi se do ishte më mirë ta
nxirrte mllefin e asaj çupelinkës, mësueskës,
që as dorën nuk i dha me një darkë të bollshme në tavernën ku shkonte
shpesh.
-Do të të shpërblej edhe ty- i tha shefit të truprojave -mos
u vono, ka për të gjithë -dhe i shkeli syrin me kodoshllëk
.-Mos harro as çunat,
se janë lodhur sot dhe e meritojnë.
Shefi e dinte që po të dilnin këto fjalë, deputeti do të bëhej
thumb deri në agim. Çunat do sillnin me vete edhe ca “të bardhë”, sa për të
ardhur në qejf tamam dhe seksi nuk do kishte kufij. Një drithërimë i përshkoi
gjithë trupin. Ajo, vetja e tij e fshehur nën koracën e një njeriu të akullt, të
prerë, dhe indiferent e vigjilient në të njëjtën kohë, fjalëpakë, si pasojë e
profesionit, nuk po e linte të qetë. Ajo, vetja e tij e fshehur thellë brenda
unit e adhuronte një natë të tillë me pije e femra, ku ai mund të merrte cilën
të deshte, mund të merrte dy, tre njëherësh, mund t’u kërkonte atyre të bënin çdo
gjë, çdo fantazi të çmendur seksuale. Atë
natë e kishte në dorë ta bënte realitet. Ato vetëm sa bindeshin, ashtu gjysëm
të ndërgjegjshme, por të ndërgjegjshme
plotësisht kur vinte puna për ndonjë shpërblim ekstra... E sa për Deputetin, ai
zakonisht fliste shumë, pinte shumë, dhe nuk ishte më në gjendje as për njëherë
të vetme.Vajzat e ledhatonin, e merrnin me të mira ndërkohë që bënin seks me “çunat”. Deputeti pastaj ngrihej dhe shkonte sa te njeri, tek tjetri, i pëlqente t’i shihte. Nganjëherë tentonte të bashkohej me ta, por i dilte huq,
nuk kishte me ç’ë. Atëhere Shefi e merrte dhe e shtrinte në divanin në fund të
dhomës, ku ai me të mbështetur kokën ia fillonte me të gërhitura. Ai ishte dhe çasti
kur fillonte orgjia e vërtetë dhe kur ai, Shefi i tyre, tmerri i të gjithëve,
tjetërsohej dhe jepej krejtësisht drejt fantazive të tij të çmendura
seksuale. Kishte nga ato terreniste që edhe nuk e përballonin dot dhe hiqnin dorë
edhe nga karriera e tyre e lakmuar, por kishte edhe nga ato, ambiciozet e
tejskajshme që pranonin çdo gjë, mjaft që “kontrata” të përmbushej. Ato dhe i pëlqenin
atij më shumë dhe tek ato i bënte dhe fantazitë e tij më të çmendura . Por ato
duronin. Ishte çmimi i lavdisë që duhej të paguanin. Edhe pasioni e ka një çmim,
edhe pendesa e ka një çmim, edhe lavdia që ato kërkonin e kishte këtë çmim,
dhe ato ishin përgatitur mirë për ta paguar.
Drithërimat sa vinin e po i
shtoheshin dhe ai e parandjente se kjo e sotmja do të ishte një natë e veçantë,
krejt e veçantë. Sonte e kishte dopio shpërblim! Hajthmëria dhe qëndresa e mësueses
së fillores ia kishte ngjitur fantazinë dhe epshin në një shkallë që nuk e
kishte patur më parë. Vetëm ideja e qëndresës së saj ia miklonte sedrën e tij
epshore.Por nuk mendonte se do të haste ndonjë rezistencë, aq e hajthme sa ç’ishte
ajo, do e kishte shumë kollaj ta mblidhte në grusht. I harroi të gjitha gjërat
e tjera. Edhe numrin 5.Le që kush pyeste më për të! Aq më tepër që edhe nuk e
njihnin, s’kishte më shumë se një javë që kishte filluar punë tek ata dhe as
emrin nuk ia kishin fiksuar. Ama numrin 5 , atë po, ishte numri i dollapit dhe
shtratit përgjatë lëvizjeve që bënin. 5-sa kishte qëlluar i pafjalë, i pashoqërueshëm.
Se ç’kishte një hije ogurzezë tek ai, nuk i kishte qeshur një herë buza. Ajo që
u kishte rënë në sy të gjithëve veç nursëzllëkut, ishte forca e tij. Ishte shumë
i fortë, madje më i forti i gjithë ekipit të mirëstërvitur.
Përtej parashikimit
ajo nuk mbeti vetëm një natë sikur edhe herët e tjera por ishte një orgji që
vazhdoi gati tre net. Dhe çudia ishte se kësaj here deputeti nuk u pi që në
fillim. Kjo i lumturoi terrenistet, të cilat nga ana e tyre bënë çmos që ta kënaqnin
atë dhe të lumtura se kishin shpëtuar në një farë mënyre nga dora e dytë dhe e
tretë. Të shfrenuar deri në dalldi askush nuk i vuri rëndësi kërkesës së mësueses
për në tualet. Nuk e shoqëroi askush. Nuk kishte asnjë mundësi që të
largohej. Dhe ajo u largua e heshtur në kthinën e tualetit prej të cilit nuk
doli më. Vonë shumë vonë, kur edhe Deputeti edhe Shefi u kujtuan që nuk e
kishin shijuar atë, nxituan drejt banjos ku e gjetën të mbytur me çorapen e
saj. Syzet i kishin rrëshqitur në tokë por sytë e kaltër i kishin mbetur të
hapur. Si profesionistë që ishin as që e vranë mendjen, vetëm sa e tërhoqën në
një cep ku nuk binte në sy. Aty nuk e njihte njeri, madje as emrin nuk ia
dinin. Kur të mbaronin e hiqnin që aty.
Tani ishte koha e qejfit.
-Sa keq!-vërejti Deputeti - Ishte ndryshe, jo si këto kurvat
e pista. Ia vlente me të.
-Ashtu është- e mbështeti Shefi- edhe mua më pëlqeu dhe
mendova se do ta mblidhja shumë lehtë në grusht. Kishte sy të bukur. Ishte e
bukur. Shkojmë, e heqim nesër.
U kujdesën që të mbyllnin derën e asaj kthine
dhe u kthyen drejt orgjisë së tyre ku po i prisnin kandidatet për gazetare e
shefe redaksie, të cilat nga ana e tyre i kishin shpallur haptas njëra-tjetrës
rivalitetin kafshëror. Ishte me të vërtetë një origji e paparë. Vetë Deputeti
ishte i paparë. Edhe Shefi gjithashtu. Eksitoheshin më shumë tek shihnin njëri-tjetrin
tek bënin seks dhe uria u shtohej edhe më shumë. Çunat u rrinin rrotull dhe
kujdeseshin sa për ta, aq edhe për vete. Në një çast ishin vetëm, në çastin
tjetër bëheshin dy-tre bashkë. Spermat e tyre përziheshin me njëra-tjetrën dhe
vetëm sa njollosnin muret, dyshemenë, shtresat e mbulesat. Uiski derdhej nga t’i
mundej dhe vera nuk pihej vetëm në shishe apo në gotë. Kishin harruar që ka një
botë atje jashtë. Kur u përmendën kishin kaluar dy netë .Deputeti dhe Shefi hapën
telefonat. Bipi i mesazheve të thirrjeve të humbura nuk pushoi për minuta të tëra.
U bënë esëll përnjëherë. Nxituan të vejnë rregull. Shefi urdhëroi çunat e tij të
merrnin trupin e mësueses e ta çonin “tek vendi”. Terrenistet u morën nëpër
makina dhe u çuan në konviktet ku jetonin duke ua bërë të qartë mirë se ç’i
priste nëse hapnin gojën. Deputeti nxitoi në zyrë. Sekretarja e priti e alarmuar.
Deputeti u shqetësua. Sekretarja e zyrës ishte mësuar me ikjet e tij politike
dhe gjërat i merrte qetë. Diçka e madhe duhej të kishte ndodhur.
-Jo nga shtëpia, andej janë mirë- i tha ajo e para
-Po çfarë… ?-pyeti ai
-Ka ndodhur ….Ka qenë një nga çunat .
-Cili?
-Nuk ia di emrin, ai që filloi tek ne para një jave, ai me numrin 5-ë
-Çfarë ka bërë?
- Dëgjo lajmet- i tha ajo dhe shkoi drejt pultit të
televizorit.
Në ekran u shfaq një fushë gati e
shkretë, gjithë baltë. Shiu që kishte filluar pasditen e mbylljes së mitingut
kishte vazhdur gjatë gjithë kohës që ata kishin qenë të mbyllur në tavernë.
Dukej kamera që ndiqte hapat e gazetarit i cili po shkonte drejt vendit ku
kishte ndodhur gjëma. Se një gjëmë kishte ndodhur. Në baltë dukeshin qartë gjurmë
hapash të vjetra e të reja, që përziheshin butësisht njëra me tjetrën. Deputeti
e njohu zonën, ishte pikërisht zona e tij zgjedhore, pikërisht vendi nga ku ai
kishte folur jo më larg se dy ditë më parë. As që ndjeu Shefin e truprojave që
kishte hyrë në zyrë krejt i zverdhur dhe më shumë se kurrë pa fjalë. Sytë ende
të buhavitur i mbante të ulur. Po priste.
Deputeti u përqëndrua. Kamera fokusoi një çorape të vogël ngjyrë rozë me një
lule të gjelbër në një anë. Ishte një lule e vockël, krejt e gjelbër, e brishtë.
Ai u drodh. Ajo lule e qëndisur në atë çorape të vogël ngjyrë rozë e bëri të
humbiste fare. As e kuptoi përse mendja e tij shkoi menjëher tek mësuesja e
brishtë me sy të kaltër dhe me syze.Edhe ajo lule iu duk e brishtë. Ishte kaq
shumë i zënë me përsiatjen e tij të çuditshme, sa nuk po e dëgjonte fare
spikerin tek po fliste.Pikërisht, ato dy ditë i gjithë shtypi dhe policia ishte
vënë në kërkim të një vogëlusheje të klasës fillore e cila ishte parë të dilte
nga mësimi e të nisej drejt shtëpisë së saj , që kishte qenë në anën tjetër të
atij kanali, dikur vaditës, dhe që kurrë nuk kishte mbërritur atje. Kishte qenë
dita e mitingut. Po atë ditë, në mbrëmje ishte
shpallur e zhdukur edhe mësuesja e fillores, në shkollën ku në mëngjes u pre
shiriti i ndërtesës së re dhe ku të gjithë e panë mësuesen që priti si e ngrirë
dorën e zgjatur të Deputetit. Prindër andej, prindër këndej, me lot në sy, të dëshpëruar, trishtuar si askush. Thirrje opinionit
për të dhënë hollësi për ndonjë
vendndodhje të mundshme të mësueses. E sa për vogëlushen, ajo ishte gjetur jo
shumë larg shtëpisë së vet, e përdhunuar barbarisht dhe më barbarisht e
masakruar. Nga çanta e hedhur pa kujdes brenda në kanal dukeshin flokët e verdhë
të një kukulle. Vogëlushja ishte gjetur e zhveshur, e gjakosur dhe e baltosur.
Flokët e saj nuk shkëlqenin më, e kishin humbur atë ngjyrë të bukur prej gruri
të pjekur. Gazetari nuk po fliste më. Kamera vazhdonte të jepte pamje nga ajo çorape
e vogël ngjyrë rozë me atë lulen krejt të gjelbër në njërën anë. Deputeti
filloi të përqëndrohej që të kuptonte se përse
bëhej fjalë. Ai tashmë nuk e dinte në do ishte në gjendje të përballonte
këtë situatë. Ngjarjet kishin ndodhur në zonën e tij dhe ç’është më e keqja ditën
e mitingut të tij. Dhe ç’është edhe më e rëndë akoma, ai vetë e kishte zhdukur
mësuesen, e përse, për hiç gjë. Kuptohet që për garë elektorale as që bëhej më
fjalë. Zëdhënësi i policisë doli për konferencën për shtyp të rradhës. Me një zë
monoton po rendiste faktet. Emrin e kriminelit, “për arsye hetimi”, nuk e përmendi,
por tregoi se si kishin shkuar deri në vendngjarje. Po thoshte
-“Thjesht nga
gjurma e një çorapeje rozë me një lule krejt të gjelbër në njërën anë, gjurmë që
kishte mbetur në baltën ngjitëse. Lloji i asaj toke ishte i tillë që nuk ishte
e nevojshme të bëje kërkime, sepse gjurmët ngjiteshin vetë aty dhe ruheshin
gjatë. Nga një sezon shirash, në tjetrin. Familjarët kishin përshkruar veshjen e
vogëlushes dhe nuk kishin lënë pa përmendur çorapet e saj të preferuara si dhe
kukullën Barbi që ajo e merrte gjithnjë me vete. Ia kishte sjellë i ati që
punonte si emigrant diku në Perëndim”.
Transmetimi
u ndërpre papritur dhe gazetari ndërhyri për të dhënë lajmin e fundit. Një nga
pastrueset e hotelit më luksoz, që ishte në të dalë të kryeqytetit, rrugës në
ngjitje për në malin e Dajtit, kur kishte shkuar për të hedhur mbeturinat i
kishte bërë përshtypje një qen endacak që po përpiqej të tërhiqte diçka. Ishte
afruar pak dhe ishte lebetitur fare kur
kishte parë një krah të hollë vajze. Nuk kishte zgjatur shumë dhe e kishin
nxjerrë trupin nga ato plehëra. Ishte mësuesja e cila ishte zhdukur papritmas
në rrethana misterioze. Deputeti dhe Shefi i truprojave patën kohë aq sa të
shihen ndër sy edhe njëherë dhe pastaj pa folur fare nxituan të prenotojnë
bileta avioni, të parit që ngrihej nga aeroporti i vetëm i vendit.
Nga vellimi "Dry me qera"
Comments
Post a Comment