Të gjithëve na kujtohet loja e fëminisë “grurë-grurë, misër-misër”, ku “grurë” thuhej kur dikush nga lojtarët që kërkonte të tjerët e fshehur afrohej dhe “misër” kur po ky lojtar largohej. Kështu shfaqen dhe zhduken edhe lojtarët e politikës shqiptare. Njëlloj si fëmija, këta lojtarë sillen rreth një qarku të mbyllur që në themel ka empirizmin politik. Boll të përmendim faktin që e gjithë politika e çastit ndërtohet dhe ekziston vetëm përmes faktit, Është fakti që udhëheq, është fakti që përcakton është fakti që përmbyll procese, ide, sisteme apo rryma të “ndryshme” politike. Në historinë tonë si komb kemi plot etapa të dështuara si pasojë e rendjes pas faktit dhe të ndërtimit të të gjithë politikës e ekonomisë në bazë të tij, në baza empirike. Gati-gati kjo përbën një traditë. Nga ky këndvështrim, të thuash se një lojtar kryesor i kësaj politike në themel të veprimtarisë së tij dhe të idesë së tij është empirik, kjo me të vërtetë që përbën një nga fatkeqësitë e këtij kombi, por nuk përbën çudi, megjithëse është vdekje e garantuar. Në këtë rast nuk kemi gjë tjetër veçse një tutorizëm vulgar shtetar, që vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e këtij infatiliteti politik. Lojtarët të cilëve u ka mbetur varë në qafë drejtimi i këtij kombi: ikin, vijnë, ikin prapë, e prapë vijnë. Nën stres, i cili nga ana e tij u nxit një ujvarë biologjike - thjesht biologjike, duke i zhveshur kësisoj nga të gjitha funksionet shoqërore që vetë pozicioni i tyre i mbart. Kjo padyshim që çon nga ana e saj në një shterpëzim idesh dhe në këtë moment atyre s’u mbetet gjë tjetër veçse seksizimi trupor me politikën. Dhe kjo e përkthyer, si një subjekt i mirëfilltë i një vetekzistence që nuk varet prej syve apo gjykimit të të tjerëve. Ky mekanizëm funksionon në këtë rast më tepër si një dëshirë që nuk mund të realizohet, e pikëtrisht për këtë lojtarët e saj, (politikës), herë janë, e herë s’janë. Por edhe kur janë, nxitojnë të paketojnë premtimet elektorale ku vendin kryesor e zë shpifja, si e reja, ashtu edhe e vjetra. Sipas parimit të të akuzuarit të “fqinjit” për të mbrojtur vetveten. Në këtë mënyrë kjo politikë kthehet në një propagandë e cila nga ana e saj kthehet në utopi. E mu’ në këtë çast për ne vjen vdekja, se të kapesh e të veprosh pas një utopie nuk ka përfundim tjetër. Dhe ne megjithëse e dimë, kapemi fort pas kësaj si i mbyturi pas fijes së kashtës me shpresën se mund të shpëtojmë diçka, në mos po veten tonë. Nuk kemi më turp, afëria e vdekjes e zhduk përgjithmonë këtë atavizëm morali. Afëria e vdekjes na heq edhe dëshirën më të fundit për t’u bërë racionalë dhe brenda këtij racionaliteti të hartojmë strategjitë tona ideore, politike, strategjitë e një zhvillimi kaq shumë të pritshëm. Po falë drejtimit ne mbetemi përsëri në suazën e empirizmit shkatërrues. E meqë logjika e kontradiktave na mungon, na mungon dialektika, na mungon zhvillimi. Dhe në këtë mënyrë në formën më arrogante të mundshme ne mohojmë pikërisht atë që përbën në të vërtetë thelbin e zhvillimit shoqëror- ndërvarësinë reciproke e të përgjithshme të fenomeneve. Duke mohuar këtë, ne, në të njëjtën kohë, kemi mbetur po aq empirik në dijet e veprimet tona, sa në krye të herës. Duke mbetur kësisoj brenda një qerthulli nocionesh të palëvizshme, larg shumë larg zhvillimit të vërtetë. E që në fakt, në rastin më të keq krijojmë ide të gabuara për ekzistencën dhe funksionin tonë njerëzor, dhe po aq trë gabuara edhe për funksionin politikës së këtyre lojtarëve-xhonglerë fatesh njerzore, e në rastin më të mirë rrimë dhe ruajmë sa herë hyjnë e dalin lojtarët nga loja e madhe e politikës duke njoftuar njeri-tjetrin, njëlloj si në lojën e hershme, “grurë-grurë, misër-misër”, si fëmijë “të mbarë”. Po a mund të ekzistojmë vërtet gjithnjë vetëm si “fëmijë të mbarë”, me lodra fëminie ende nëpër duar, pa bërë asgjë ndërsa fatet tona hidhen e priten ?
Comments
Post a Comment