MACKA FILOZOFE


Në një kështjellë gjigande të mbretërisë më të fuqishme të botës, jetonte një Zonjë e Mbretit dhe një mackë e vogël. E Zonja e Kështjellës e donte shumë mackën e vogël, aq shumë sa asnjë oborrtari apo shërbëtori të saj nuk denjonte t’u hidhte makar një shikim! Ëndërronin të zinjtë  oborrtarë e fisnikë që një ditë prej ditësh të bëheshin aq të paçmuar për të zonjën e kësaj kështjelle, sa të meritonin shikimet e saj e përkëdheljet e saj njësoj si Macka! Po kjo ditë nuk po vinte. Bile punët kishin shkuar deri aty sa Zonjës na i ishte mbushur mendja se mackë më të zgjuar e më filozofe se macka e saj e adhuruar nuk kishte. Dhe oborrtarët e fisnikët që prisnin shikimin shpëtimtar të Zonjës Mbretëreshë, filluan të thonë me bindje lart e poshtë atë që thoshte dhe sundimtarja e tyre e lakmuar. Mbretëresha e ve e kalonte ditën gjithë kohës duke përkëdhelur Mackën dhe duke ua zgjatur turirin e saj oborrtarëve e fisnikëve për ta puthur. Dhe ata nuk kishin se ç’të bënin, pranonin të bënin një sakrificë të tillë që nesër do të shpërblehej me një mbretëri të tërë! Se vejusha kishte shpallur se do të martohej sërish për hir të punëve të mbretërisë për të cilat ajo as që e kishte vrarë ndonjëherë mendjen dhe as e vriste. I vetmi përkushtim i saj ishte Macka.

Kaq shumë iu përkushtua Mbretëresha Mackës së saj, sa mblodhi në pallat shkencëtarët më të dëgjuar të mbretërisë, filozofët më të shkëlqyer, guzhinierët më të mirë. Të gjithë këta me orë të caktuara merreshin me edukimin e Mackës. Kujdeseshin për ushqimin dhe bukurinë e saj.
Një ditë prej ditësh, në pallat na u paraqit një guzhinier i dëgjuar nga një mbretëri fqinje. Pasi u paraqit tek Mbretëresha shprehu kërkesën e tij:
-Madhëri, do të dëshiroja të gatuaja për të shumë të vyerën tuaj, Mackën Filozofe! Fama juaj dhe bëmat e saj kanë arritur deri në mbretërinë ku unë jetoj. Do të ishte një nder i madh për mua  - tha ai dhe u përkul deri në tokë.
Mbretëreshës i pëlqeu pamja e djaloshit guzhinier. E pranoi nën shërbimin e saj por, njëkohësisht dha udhëzime të rrepta që të vëzhgohej me kujdes gatimi.
Dhe kështu vazhduan ditët njëra pas tjetrës. Të gjithë oborrtarët e fisnikët, pretendentë për fronin e mbretërisë tani nuk bënin gjë tjetër veç se përforconin thëniet e sundimtares së tyre se Macka ishte Filozofe, se ajo rridhte nga një familje e nderuar maçokësh e macesh, sigurisht me traditë familjare, e jo rrugaçë të rëndomtë, se nga soji i tyre kishin dalë figura të shquara të historisë së fisit të ndritur të maceve, se ata denbabaden nuk ishin marrë me gjëra të ulëta e banalitete të ndyra, si për shembull vrapimi e zënja e minjve, se kështjella e shtëpitë ku kishin jetuar kishin mënyra të tjera për të jetuar, por edhe kur ato mungonin fisi krenar i Mackës sonë që tani kishte kapur majat e një sundimi- ishte bërë kanakarja e vetë Mbretëreshës, nuk kishin pranuar dëbimin, por minjtë ama i kishin lënë të hidhnin valle si të deshnin…
Po përkushtimi i Mbretërëshës nuk kishte të sosur. Një mëngjes të bukur ajo urdhëroi të gjithë piktorët të paraqiten në pallat. Piktorët erdhën të trembur dhe kureshtarë të mësonin arsyen e thirrjes.
-Dëgjoni këtu të nderuar piktorë! Nga ju kërkoj që brenda ditës së sotme të bëni portretin e Mackës. E dua të bukur. Secili nga ju do të bëjë 100 portrete të cilat do të shpërndahen në të gjithë pallatin e mbretërinë. Kaq kisha   -  tha ajo dhe u ngrit. Me të shkoi dhe Macka.
-Po si do ta pikturojmë kur ju e merrni me vete Mackën e ndritur, Madhëri? – guxoi e pyeti njëri prej piktorëve.
Mbretëresha e inatosur që e kthyen nga rruga dhe e çuditur me guximin e piktorit iu kthye:
-Prandaj je piktor, kjo është puna jote, - tha dhe iku me kokën lart siç i ka hije një mbretëreshe të vërtetë.
Piktorët s’e zgjatën por nxituan të fillojnë punën, kaq shumë gjë e dinin, po të mos kënaqej Mbretëresha, e paguanin me kokë! Dhe hajt të lije kokën artistike për një mackë spitullaqe!
Macka kishte dhoma të veçanta, tualete të veçanta, një shpurë shërbëtorësh të veçantë të specializuar në Universitetin e Shërbimit Macëror. Të gjitha këto i zilepsnin zonjat e oborrit të rëna nga vakti. Po asnjë nuk guxonte të thoshte ndryshe. Dhe Macka nga ana e saj nuk bënte gjë tjetër veçse rrinte gjithë ditën pranë zonjës dhe ia ngulte sytë pëqisë së saj. Ai vështrim i përhumbur e bënte Mbretëreshën të besonte me të vërtetë se Macka e saj po zbulonte kuptimin e kuptimit më të thellë të të gjitha gjërave që kishte para syve dhe atyre që nuk i kishte, duke ia kaluar kështu edhe dijetarëve më të shquar e të njohur deri më atëherë në faqe të dheut. Le që në Mbretërinë e tyre, qëkur ishte hapur Universiteti i Shërbimeve Macërore, nuk kishte mbetur trutharë që broçkulliste hajvanllëqe, të mos bëhej “doctor honoris causa”…!
Po për hir të së vërtetës duhet thënë se Mbretëresha bëri edhe një punë  me  mend. Dënohej me vdekje çdo nënshtetas i rritur apo fëmijë që vriste macet, që nuk kujdesej për to. Kështu që falë këtij urdhëri, familja me soj e sorollop e maceve zinte një vend të nderuar në Mbretëri dhe erdh’e u shtua shumë. Ato vërtet ishin në vendin e ëndrrave të tyre. Dhe Mbretëria kurrë më pare nuk kishte parë një lulëzim të tillë, rrugë të reja të pagëzuara me emrin e maces, uzina që prodhonin ushqim special për mace, kartolina me portrete  maceje, turizëm që organizohej për të parë macen, shkolla…
Shkurt, banorët ishin të kënaqur, shpenzonin pa hesap pa e vrarë mendjen për asgjë.
Kështu shkonin ditët, mirë e bukur deri më atë ditë kur ndodhi gjëma, siç ndodh gjithmonë ku ka një histori, sepse gjithmonë do ketë një ditë kur ndodh  një gjëmë.
Edhe atë ditë Macka jonë e lumtur, me kordelet e mëndafshit lidhur për merak, e përgjumur, si përherë ishte ulur pranë prehërit të së Zonjës, në sallonin e duhur, ku do të vinin ca vizitorë të një mbretërie shumë të largët. Ata e kishin marrë në sy rrugën tepër të gjatë e të vështirë vetëm e vetëm për të parë me sytë e tyre mrekullinë që do t’u shpalosej para syve. E pra, të gjithë ndodheshin në sallon dhe njëri prej tyre po thoshte:
-E nderuar Madhëri, ju falenderojmë për kënaqësinë që na dhatë, siç morëm edhe një mësim shumë të mirë edhe për vete. Na vjen me të vërtetë keq që nuk kemi patur fatin të dëgjojmë më parë për Ju dhe për mbretërinë tuaj të pasur, të ditur, e sigurisht për këtë Mackë që është mrekullia vetë. Do të dëshironim si fillim, që edhe macet tona të vinin e të shkolloheshin në Universitetin Tuaj dhe ne do të hartojmë ligje njëlloj si Ju, në këtë drejtim. Dhe gjithmonë do t’ju ndihmojmë. Dhe…- fjalimi i tyre nuk kishte fund.
Ndërkohë Macka po rrinte pa lëvizur pranë të zonjës, e mësuar me rutinën  e ditës dhe surretërit e rinj që ndërroheshin parreshtur para turiçkave të saj. Tamam në atë çast, aq të qetë, ndodhi Gjëma: - u shfaq një MI...!
Koka e djaloshit guzhinier u zhduk në çast pas dyerve të sallonit dhe në hutimin e përgjithshëm askush nuk e pati mendjen tek ai. Ai e quajti të përmbushur misionin e tij, sepse si e kuptuat ai kishte ardhur me një mission: të shkatërronte Mbretërinë me të cilën Mbreti i tij kishte armiqësi të vjetër.
O Zot! O tmerr! Si harroi ashtu përnjëherë Macka jonë Filozofe dhe të hidhej në atë farë feje nga prehëri i të zonjës që e kishte mbajtur me pekule që në lindje, ta braktiste atë ashtu, pa mëshirë dhe të hidhej në tokë për të zënë MIUN!!! Armikun e përjetshëm të të gjithë sojit e sorollopit të saj të ndritur, që kurrë nuk do ta pranonin turpin e fatkeqësinë që u pllakosi ashtu përnjëherë.
Po Macka jonë as që i mendoi të gjitha këto, për të  mjaftuan që mustaqet e  bishti i Miut përfunduan në gojën e stomakun e saj të vrarë nga gjithë ato të mira që askush as në ëndërr nuk i kishte parë. Po që asnjëherë nuk kishin qenë prej miu! Ajo ndjehej e lumtur dhe as që shikonte përreth, andej nga ku kishte nisur gjëma e kuja. Magjia kishte mbaruar dhe bashkë me të edhe koha e sundimit të artë të maceve.
Që atë ditë askush nuk do të vinte më për të parë mrekullinë, sepse asnjë mrekulli nuk  ekzistonte më. E gjitha kjo kishte qenë një mashtrim i madh e një gënjeshtër po aq e madhe. Më kot shkonin e vinin emisarët nëpër botë, e më kot vazhdonin të diplomoheshin studentë në Universitetin e Shërbimeve Macërore, vendin e kishte pllakosur heshtja, harrimi dhe vobekësia. Por të gjitha këto nuk kishin asnjë rëndësi për Mackën Filozofe e cila e lumtur ishte bashkuar me gjithë bandat e maçokërve zhulanjosë e vazhdonte të shijonte ushqimin e saj të preferuar: Miun.

Marre nga vellimi me perralla "Symbrapshti", Tirane, 1999


Comments

ME TE LEXUARAT

GJINKALLA DHE MILINGONA

KRITIKЁ MBI NJЁ PARATHЁNIE

SONTE HARRUAM TЁ BЁJMЁ DASHURI

Poezi nga vellimi "Paqe pa profet", 2012

AINSHTAJNI , ZGJEDHJET SHQIPTARE DHE MENÇURIA IZRAELITE

BIOGRAPHY

Mimoza Erebara was born on 8th March 1963 in Tirana.

She attended and graduated in the University of Tirana ;the Faculty of History-Filology in the profile of albanian language and literature.

After graduation ,she worked for a long time as a journalist and a redactor in "Zëri i rinisë"and "Republika"journals ,in "Zani i Atdheut"radio and also in tv studios such as"Victoria"-Detroit USA,"Lira","Phoenix"etc.

She has been a collaborator with a lot of albanian medias and abroad.

She has already won many international and national prizes.She is honoured with the name of "Peace Ambassador".

Her relation with literature has started early ,publishing time after time in different periodic magazines of the time.

She is the author of:

To give company to a hope"poetry -1993

"Love cry"poetry-1996

"The adventures of 10×10 and the upside down Munuriro" novel-fairy tale-1996

"Mistakenly in love"stories,-1997

"Torn reason"poetry-1998

"Wrongeyed"original fairy tales-1999

"Hired lock"stories-2010

"Peace without a profet",poetry-2012,

He and She,love messages,poetry-2015

"Shalom my tear"poetry-2017

"Soul in the desert"

Antology of hebraic poetry,-poetry -2019