SHTRIGANI



Na ishte njëherë një Burrë. Ky Burri nuk ishte fare i kënaqur nga jeta që bënte. I dukeshin të mërzitshme të gjitha gjërat e bukura që i shihte e i përjetonte çdo ditë. Sidomos nuk duronte dot fëmijët kur luanin e qeshnin me njëri-tjetrin. Tamam atëherë nxihej në fytyrë dhe gjithnjë i dukej sikur para tij kishte vetëm ca monstra që donin ta hanin atë dhe gjithë pasurinë e tij. Sepse ishte shumë i pasur, aq i pasur sa as vetë nuk e dinte. Po ç’e do! Ishte shpirtzi dhe i lig.
Një ditë të bukur plot diell kur fëmijët po luanin e po kënaqeshin me njëri-tjetrin, Burri u ngrit e iku nga Pallati I Mermertë e mori rrugën. I kishin treguar për një Shtrigë që jetonte diku aty dhe ai kishte vendosur ta takonte e ta pyeste për ca gjëra.
Ec e ec e më në fund u duk shtëpia e Shtrigës. Burri s’e bëri të gjatë, por një të trokitur bëri dhe priti. Iu desh të priste shumë, se ai nuk e dinte që e trokitura e tij e kishte çuditur shumë Shtrigën e cila po e studionte mirë e mirë  që nga Globi I saj Magjik. Dhe vetëm kur Shtriga mësoi gjithçka duhej të dinte për të, ia hapi derën. Burri hyri brenda dhe nuk dukej se mund t’i  ishte prishur terezia, përkundrazi dukej i kënaqur. Kjo e çuditi edhe më shumë Shtrigën.
-Përse ke ardhur dhe çfarë kërkon prej meje ? - foli e para Shtriga duke ia ngulur sytë zhbirues që shihnin gjithçka dhe do të turbullonin këdo, por jo Burrin, I cili me qetësinë me të cilën do të kërkonte të hante bukë, iu përgjegj:
-Kam ardhur të të kërkoj një nder, e përndritur!
-Fol, - i tha Shtriga dhe shtoi- po të jetë brenda fuqive të mia do ta realizoj.
-Dua të më bësh edhe mua Shtrigan.
-Çfarëëë?!!!...
-Po, dua të bëhem Shtrigan – përsëriti Burri dhe mori të nxirrte një qese me flori - Ja tek e ke edhe shpërblimin dhe po t’u dukën pak, mund të të jap edhe dhjetë fishin, njëqind fishin e më shumë.
-Nuk shtrohet puna tek paratë, se nga ato unë bëj sa të dua dhe kur të dua. Puna është se një kërkesë të tillë nuk ma kanë zënë veshët për të gjithë 300 vjetët e mi dhe nuk mbaj mend të më ketë folur për këtë as gjyshja ime që ka 1000 vjet që ka vdekur!
-Ti je Shtrigë, ti duhet ta gjesh se si ta realizosh, unë të paguaj.
-Po nuk më thua, përse do të dëshiroje një gjë  të tillë, kur të gjithë të gjallët e të gjithë të vdekurit e kësaj bote e urrejnë dhe duan me çdo kusht të na zhdukin mua dhe gjithë fisin tim të nderuar?
-Është shumë e thjeshtë, nuk i duroj dot fëmijët kur luajnë, pale kur qeshin!... Përnatë shoh ëndrra sikur ata më mbysin, sikur ata më hanë gjithë pasurinë time, të gjitha paratë e mia. Kurse po të jesh Shtrigan, askush nuk guxon të të afrohet, të gjithë bëjnë siç i urdhëron dhe pasuria shtohet përditë. Le që asnjë fëmijë nuk do të guxonte më të luante apo të qeshte. Vetëm atëhere do të rrija rehat.
E ndërsa fliste gaca urrejtjeje dilnin nga sytë e tij të ligj. Shtriga bëri disa hapa para e prapa, mori Globin Magjik dhe po e përkëdhelte me gishtrinjtë e saj të gjatë e të hollë. Sytë e saj po aq të liq sa të Burrit, ishin pulitur përgjysëm dhe dukej sheshit se po mendohej. Ajo lëvizi përsëri. E kishte me të vërtetë të vështirë të vendoste. Ishte kërkesa më e çuditshme që i kishin zënë ndonjëherë veshët dhe me të vërtetë ishte në hall.
Ajo ishte Shtrigë dhe Shtrigë e vërtetë, por tek shihte përmes Globit Magjik fëmijët që luanin e qeshnin me njëri-tjetrin se si i dukej t’i merrte në qafë!... Ata dukeshin aq të lumtur, aq të pafajshëm, aq të dlirtë!...
Kështu ajo ndejti gjatë duke shkuar edhe me një shpresë të vagëllt se Burri do të mërzitej dhe do kërkonte vetë të ikte. Po ai dukej tepër i vendosur në kërkesën e tij. Pasi dha e mori me veten, Shtriga iu drejtua Burrit:
-E shoh që je tepër i vendosur në kërkesën tënde që me të vërtetë është ca e vështirë dhe e pazakontë. Po unë e gjeta mënyrën për ta realizuar.
-E si është ajo? - pyeti me padurim Burri.
-Fare e thjeshtë, - iu përgjigj Shtriga pa e parë në sy. Dhe pa e zgjatur iu afrua. Në dorë kishte Globin Magjik të cilin ia afroi m’u përpara turinjve Burrit.
– I sheh këta? –vazhdoi ajo gjithë duke i treguar fëmijët që po qeshnin në një kopësht të bukur plot lule me ngjyra nga më të ndryshmet.
-A i njeh?
-Po, i njoh, janë fëmijët e mi dhe ky është kopshti i Pallatit tim. Po ç’hyjnë këta këtu?
-Mos u nxito! Me këta e kemi punën që të realizojmë atë që dëshiron ti- iu përgjigj Shtriga duke e bërë tonin e zërit të rëndë dhe vazhdoi- Ti duhet t’i hash fëmijët e tu.
Burri për herë të parë mbeti. Ajo çka po i kërkonte të bënte Shtriga ishte me të vërtetë përtej çdo parashikimi të tij. U përtyp dhe u vonua në përgjigje. Po me sa dukej ishte aq shumë i vendosur sa kjo vendosmëri e mundi çdo gjë tjetër.
Ndërkohë fëmijët që ishin shtatë, po luanin e po qeshnin siç do ditë tjetër pa u shkuar aspak në mendje për planet e mbrapshta të të atit, që megjithëse karshi tyre tregohej gjithnjë i vrazhdë dhe i ashpër. Por atyre u mjaftonte që nëna i deshte dhe i mbulonte me dashuri e përkëdheli dhe sjellja e babait kishte filluar të mos u bënte më përshtypje. Ata çdo ditë rriteshin si pa e kuptuar dhe po njëlloj luanin me njëri-tjetrin, po njëlloj qeshnin, po njëlloj përziheshin edhe me  fëmijë të tjerë të qytetit ku jetonin dhe po njëlloj kënaqeshin, aq më tepër që atyre nuk u mungonte gjë. Shkurt ishin fëmijë të lumtur.
Veçse atë ditë në mëngjes, kur ishin ulur për të ngrënë sillën, më i vogli prej tyre nxitoi të strukej në krahët e nënës dhe t’i pëshpëriste asaj në vesh një ëndërr të tmerrshme që kishte parë:
-“Ishim të gjithë bashkë duke u ngjitur në mal. Një Shtrigë na doli përpara dhe na hëngri një nga një. Nga qielli hëna u bë si një lëmsh i madh prej gjaku dhe filloi të binte si shi mbi ty ma’.”
-Mjaft! - e ndërpreu e jëma e trembur. - Mos e mbaj mendjen aty, se në fund të fundit ëndërr ishte, ja tek jemi të gjithë bashkë dhe askush nuk na hëngri.
Fëmijët e tjerë filluan ta tallnin e ta trembnin edhe më shumë Vogëlushin
-Edhe ju, rrini urtë dhe mos i trembni më të vegjëlit me përralla të frikshme! Mos iu dëgjoj më të flisni kështu! -tha nëna dhe u ngrit e shkoi.
Fëmijët kishin qëlluar të mbarë dhe e dëgjuan. Bile atë ditë më shumë se çdo ditë tjetër luajtën e i bënë qejfin vëllait më të vogël, atij që ishte trembur në gjumë nga ajo ëndërr e keqe. Të harruar pas lojrave të tyre as që e vunë re se babai mungonte. Bile kjo gjë nuk i ra në sy as së shoqes. Vetëm kur erdhi mbrëmja dhe dyert e Pallatit duheshin të mbylleshin, atëherë u kujtuan për të. Gruaja e trembur për fatin e të shoqit nisi menjëherë shërbëtorët për ta kërkuar. Ata u kthyen në të gdhirë pa gjetur makar një shenjë, apo gjurmë të tij. E nga ta dinin fëmijët e shkretë se pikërisht në atë ditë, babai i tyre nursëz, po që gjithësesi babai ishte, po përgatiste plane ogurzeza dhe ishte mysafir nderi i Shtrigës së Njëmijë të Zezave?!
Burri po rrinte në tavolinën që i kishte shtruar Shtriga për ta nderuar dhe ia kishte shtruar muhabetit për shtatë palë qejfe me të. Po e pyeste për ca sekrete dhe po kënaqej së tepërmi kur ajo i tregonte, sepse tashmë ishin të barabartë. Ai kishte vendosur ta plotësonte kushtin e saj dhe mendonte se pasi puna të kishte marrë fund do të ishte Shtrigani më i fuqishëm i të gjitha kohërave!
Punën e kishte lënë për ta bërë të nesërmen kur fëmijët pasi të kishin ngrënë sillën do të dilnin për të luajtur. Me këto mendime e zuri gjumi. Shtriga me ta parë se Burrin e zuri gjumi u vesh si ëndërr dhe i shkoi prapë në gjumë më të voglit. Për tërë natën u përpëlit Vogëlushi. Bile edhe bërtiti në gjumë.
Kur u ngritën në mëngjes, Vogëlushi vrapoi sërish në krahët e nënës dhe sapo u struk mirë foli:
-E pashë prapë atë ëndrrën o ma’, ajo Shtriga na hëngri një nga një të gjithëve.
Nëna e shqetësuar edhe nga zhdukja e papritur e të shoqit nuk u foli fëmijëve, por u përpoq të gjente një fije të vërtete në fjalët e të birit.
Megjithatë, u tha fëmijëve që të dilnin të luanin si përditë.
Fëmijët iu bindën pa dëshirë. Edhe atyre u kishte hyrë shqetësimi i Vogëlushit dhe për herë të parë nuk qeshën më. Kur Vogëlushi bëri sikur doli dhe vajti e u fsheh në një vend të fshehtë të Pallatit të Madh. Ndërkohë nëna edhe më e shqetësuar se dje, i nisi prapë shërbëtorët në kërkim të Burrit. Kësaj here doli edhe vetë në ca vende që ia merrte mendja se mund të ishte. Fëmijët mbetën vetëm në kopshtin me lule të mrekullueshme rreth Pallatit të tyre të mrekullueshëm. Filluan të luajnë në fillim pa qejf dhe pastaj gjithnjë e më tepër duke u harruar pas lojës. E pikërisht, në atë çast njëra prej vajzave ulëriu.Të tjerët shtangën. Një gojë e stërmadhe po vinte e hapur fluturim nga qielli. Ajo ulërimë zgjati vetëm ca sekonda dhe të gjithë fëmijët përfunduan në barkun gjigand të Burrit, që s’ishte tjetër, veç babai i tyre që realizonte qëllimin e vet. Po ata nuk arritën ta mësojnë këtë gjë, nuk patën kohë. Në furinë që e kishte zënë Burri nuk e vuri re mungesën e Vogëlushit. Duke menduar se fëmijët e tij rrinin gjithnjë bashkë, as që i shkoi ndërmend se mund të mungonte ndonjëri.
Vogëlushi, nga ana e tij, kishte parë gjithçka. Bile ai e kishte njohur babain e tij dhe tani ishte strukur edhe më thellë në qoshen e errët pa guxuar të merrte as edhe frymë, e jo më të qante për fatin e motrave e vëllezërve të vet, për fatin e atij vetë.
Burri nga ana e tij ndjehej i lumtur. S’kaloi shumë dhe pranë tij erdhi edhe Shtriga
-Po ti më premtove se nuk do të vije! - i tha Burri
-Ashtu është e vërtetë, po u mendova dhe njëherë për shpërblimin tim, dua më shumë.
-E bëmë njëherë pazarin. Tani ti rri në punën tënde se të miat tani i zgjidh vetë.
-Po ti vetë më the që po të mos isha e kënaqur mund të vija tek ti për ta shtuar masën e shpërblimit…!
-Vetë the, vetë the…-foli i bezdisur e cingun Burri- thashë po nuk them! Tani unë jam më i fuqishëm se ti. Prandaj Shtrigë e dashur ik që këtej para se të më kapë zemërimi, se pastaj ti e di shumë mirë që unë të kthej në hi!
Shtriga nuk e zgjati. Kthehu krahët me zemërim dhe u betua se do ta shkatërronte këtë Burrë cingun, të lig e mendjemadh. Për herë të parë pas 300 vjet rrojtje prej Shtrige, u ndje e fyer dhe e penduar. Po ajo nuk ia kishte treguar të gjitha sekretet Burrit të lig. I kishte edhe ajo ca gjëra.
Me të thënë e me të bërë. Për gjithë natën fluturoi drejt Vendit të Çudirave të Zeza, ku zot i madh ishte një kushëri i saj. Nuk i ishte lutur ndonjëherë më parë, por kësaj here qoftë edhe sikur t’i duhej të paguante për veprimin e vet, do t’i lutej, do t’i përgjërohej dhe do të bënte të pamundërën t’i mbushte mendjen se ai burrë të cilin ajo e kishte kthyer në shtrigan, po ta lije mund të shuante gjithë botën.
Për fatin e saj të mirë e gjeti kushëririn dhe për çudinë e saj kushëriri e dinte se përse kishte ardhur dhe e priti menjëherë për t’i komunikuar vendimin e tij:
-Dëgjo motër, ke bërë një gabim të madh. Ke afat ta shlyesh deri në të gdhirë, pas kësaj fuqia ime mbaron. Në rast se ti nuk do ta realizosh do të kthehesh në hi, por edhe në rast se e realizon do të kthehesh në njeri të zakonshëm, pa asnjë fuqi mbi të tjerët. Tani nxito të kapësh kohën!
Pasi u përshëndosh me të kushëririn, që ia bëri më të lehtë punën, ajo nxitoi drejt Pallatit ku Burri po i gëzohej fuqisë së tij të re duke i kthyer të gjithë shërbëtorët në bretkosa, minj, derra, pula, kuaj e ku e di se çfarë… Për herë të parë në jetën e tij po argëtohej me të vërtetë dhe për herë të parë në jetën e tij po qeshte. Vogëlushi që rrinte i fshehur mundohej të shihte përmes një vrime dhe çuditej se si babai i tij të qeshte dhe se si vepronte ashtu. Atij i vinte për të qarë po nuk mundte. Frika e kishte mbledhur kruspull dhe ia kishte marrë zërin.
Papritur ai vuri re se andej nga mëngjesi, kur në kopshtin e tij të bukur nuk kishte mbetur asgjë përveç një toke të shkretë plot me vemje e krimba, Shtrigani, kështu kishte filluar ta thërriste me veten e tij Vogëlushi, filloi të fryhej e të zmadhohej. Në fillim këmbët, pastaj duart, krahët, pastaj barku, e në fund koka me gjithë veshë që filluan t’i varen si vesh elefanti. Shtrigani u kthye në një gjigand që nuk e nxinte më Pallati, nuk e nxinte më as kopshti dikur i mrekullueshëm. Koka e tij kishte arritur deri në majën më të lartë të pemës më të lartë të pyllit në të dalë të qytetit.
Në fillim Shtrigani u argëtua dhe mendoi se kjo do të ishte ndonjë nga efektet e fshehura të Shtrigës e të të qenurit Shtrigan, por kur përmasat e tij kaluan caqet e njerëzores që njihte ai, filloi të shqetësohej. Trupi i tij nuk deshte t’ia dinte më, ai veç rritej e rritej. Aq shumë ishte rritur sa barku i tij filloi t’i rrinte qytetit si një re gjigande, ndërsa koka filloi të mos i shquhej më. Njerëzit të trembur e të strukur nëpër qilaret e shtëpive të tyre shikonin ç’po ndodhte përjashta dhe nuk po dinin ç’të bënin.
Se nga doli dhe sa nga u mor vesh se ç’kishte ngjarë, nuk u mor vesh, po tani të gjithë në qytet e dinin historinë. Po se si do të përfundonte kjo, asnjë nuk mund ta dinte dhe as ta merrte me mend. Të gjithë ishin tejet të trembur, sepse mendonin, kur ai nuk mendoi për fëmijët e vet, po nuk e zgjati e i hëngri, kushedi çdo bëhej me ta! Provuan ta qëllojnë me topa, po ato predha që mund të shkatërronin pa frikë një qytet të tërë, Shtriganit nuk i bënë asgjë. Ai vazhdoi të rritej, aq sa Oqeani u kthye në një pellg rosash, malet një lojë fëmijësh dhe lumenjtë në currila të hollë uji. Dhe vazhdoi të rritej…
Kur koka e tij sa një fëmije Hëne doli përtej Qiellit, një shpërthim tronditi gjithë globin. Shtrigani kishte plasur. Shtriga që po e ruante këtë çast, nxitoi të kapte fluturimthi gjashtë fëmijët që kishin ndenjur në barkun e Shtriganit . I mori dhe nën shiun e hirit që ra për orë të tëra nga qielli, i çoi në Pallatin e tyre ku i priste Vogëlushi dhe nëna që kishte marrë  vesh gjithçka.
-Oh!...të dashurit e mi, sa frikë kisha! – u tha ai duke i përqafuar të gjithë me rradhë.
-Na fal vëllaçko që u tallëm me ty, po ëndrra jote paskësh qenë e vërtetë!
-Le të mos mendojmë më për të-foli vëllai i madh- ti përvishemi punës dhe t’i kthejmë gjërat ashtu siç ishin më parë.

Marre nga vellimi me perralla "Symbrapshti", Tirane, 1999

Comments

ME TE LEXUARAT

GJINKALLA DHE MILINGONA

KRITIKЁ MBI NJЁ PARATHЁNIE

SONTE HARRUAM TЁ BЁJMЁ DASHURI

Poezi nga vellimi "Paqe pa profet", 2012

AINSHTAJNI , ZGJEDHJET SHQIPTARE DHE MENÇURIA IZRAELITE

BIOGRAPHY

Mimoza Erebara was born on 8th March 1963 in Tirana.

She attended and graduated in the University of Tirana ;the Faculty of History-Filology in the profile of albanian language and literature.

After graduation ,she worked for a long time as a journalist and a redactor in "Zëri i rinisë"and "Republika"journals ,in "Zani i Atdheut"radio and also in tv studios such as"Victoria"-Detroit USA,"Lira","Phoenix"etc.

She has been a collaborator with a lot of albanian medias and abroad.

She has already won many international and national prizes.She is honoured with the name of "Peace Ambassador".

Her relation with literature has started early ,publishing time after time in different periodic magazines of the time.

She is the author of:

To give company to a hope"poetry -1993

"Love cry"poetry-1996

"The adventures of 10×10 and the upside down Munuriro" novel-fairy tale-1996

"Mistakenly in love"stories,-1997

"Torn reason"poetry-1998

"Wrongeyed"original fairy tales-1999

"Hired lock"stories-2010

"Peace without a profet",poetry-2012,

He and She,love messages,poetry-2015

"Shalom my tear"poetry-2017

"Soul in the desert"

Antology of hebraic poetry,-poetry -2019