Na ishte njëherë një Burrrë që e kishte për zakon të
mburrej. Aq shumë i pëlqente të mburrej sa tha njëherë se “ai dhe vetëm ai do të
ishte zoti i padiskutueshëm i çdo gjëje
që syri i tjerëve shikon”. Arriti dhe tha, por pastaj nuk gjente rehat, se njerëzit
që e kishin dëgjuar ishin ata që s’e linin të qetë, por e nxisnin dhe i kërkonin
çdo çast që ai të realizonte atë çka vetë kishte premtuar e ishte mburrur. Se
fjala aq e ka keq, sa të dalë përmes dhëmbëve e gjuhës, se pastaj di vetë ajo të spërdridhet në 1000 trajta e forma.
Nuk gjente rehat. E keqja ishte se edhe gruan që kishte në
shtëpi s’e kishte për gjë. Dëgjoi se diku në fshatin ku jetonte ai, na ishte një
Grua tek e cila shumë vetë shkonin e mernin kuvend për problemet e hallet që u
zinin derën dhe iknin prej saj tepër të kënaqur nga këshillat e mira.
-Pse të mos shkoj edhe unë?- tha me vete Burri. Një të thënë
e një të bërë. U nis drejt e në shtëpinë e Gruas. Pa e zgjatur shumë i tregoi
se përse kishte vajtur dhe me zemrën që i dridhej po priste se ç’do dëgjonte
prej saj. Gruaja e dëgjoi me vëmendje deri në fund dhe i tha:
-Fajin e ka gjuha jote që del para mendjes, por tani ajo që
u bë, nuk çbëhet më, puna është se ç’mund të bëjmë që ti të mos humbasësh asgjë.
-Dil përpara njerëzve dhe thuaju se ti je zoti i vërtetë i çdo
gjëje që syri i tyre sheh. Kush beson tek ty, le t’u besojë syve të tij.
U tha, u bë. Burri që të nesërmen doli përpara njerëzve dhe
përsëriti fjalët e gruas. Njerëzit nuk e prisnin një thënie të tillë. E kur?...
tamam atëherë, kur pothuaj të gjithë ia kishin hequr fillin Burrit dhe nuk e përfillnin
më. Askush nuk desh të dilte më qorr se tjetri, ndaj njerëzit heshtën dhe përpiqeshin
në heshtje të shihnin sa më larg të ishte e mundur, sepse kështu kujtonin se
shtohej me të vërtetë pasuria e Burrit.
Në të vërtetë, fushat që shtriheshin para tyre ishin të
pafundme dhe vetëm tutje, tepër larg, dukeshin majat e kaltra të maleve dhe
brezi i një deti të madh. Fushat ishin të gjitha të punuara dhe vërtet që të kënaqej
syri kur shihje gjithë atë bukuri e begati me të cilën mbaheshin të gjithë
banorët e atij vendi.
Po në fakt, pronari i vërtetë i kësaj pasurie asnjëherë nuk
kishte dalë dhe askush nuk e kishte parë, qoftë edhe ata më të vjetrit, njësoj
si puna e Zotit, të cilin e besojmë të gjithë po askush nuk e ka parë në një
trajtë a formë të caktuar, qoftë kjo edhe formë njerëzore. Banorët ishin mjaftuar
gjithnjë vetëm me idenë se pronari ekzistonte dhe kjo u kishte mjaftuar të
rregullonin të gjithë jetën e tyre, të gjithë pasuritë e tyre.
Kështu që, thënia e Burrit sa i çuditi njerëzit, aq edhe u
pranua si e vërtetë, mbi të gjitha sepse asnjëri prej tyre nuk donte të dilte
budalla dhe qorr.
Burri u bë pronar e zot i padiskutueshëm i gjithë asaj
pasurie e begatie.
Shumë vite shkuan dhe po njëlloj njerëzit mendonin e besonin
në atë që u kishin nxjerrë përpara dhe e
respektonin me të gjitha ritet e nevojshme, Burrin që edhe ashtu, ishte bërë i famshëm!
I faleshin njëlloj si perëndisë dhe nuk e vrisnin më mendjen
po hanin, pinin, shëtisnin në vende të panjohura dhe kësisoj jetonin e gëzoheshin.
Ishin aq të lumtur sa nuk kujtohej njeri për fillesën, bile, edhe kur ndodhte që
ndokush të merrte mundimin e të mendonte për ato gjëra ia shkurtonin gjuhën e
mendjen tak-fak. Askush nuk kishte dëshirë të humbiste atë që u kishte sjellë
Zoti dhe padyshim që dëshironin që kjo parajsë të mos mbaronte kurrë.
…Dhe përralla vazhdon…
Marre nga vellimi me perralla "Symbrapshti", Tirane, 1999
Comments
Post a Comment