E ulur mbi hundën e burrit që po flinte gjumin e drekës përvëluese,
Miza po thoshte:
-“Ja që edhe ne mizat mendojmë, dhe jo keq. Për besë, jo
keq. Sidomos kur në tryezë ka plot gjëra të mira, të cilat njerëzit indiferentë
i lenë të shkojnë kot. Atëherë ne mendojmë se nuk të ndodhë
kjo masakër, kjo braktisje, kur njerëzit të ngopur, vetëm rrinë e vështrojnë. Përnjimend
duam t’i shpëtojmë ushqimet e ngrata të lëna në mëshirën e fatit, dhe atëherë
sulemi që t’i ndihmojmë megjithë dëshirën tonë, megjithë transparencën e
mendimeve tona, megjithë dashurinë tonë, kurajon tonë.
Sillemi e përsillemi rreth tyre, natyrisht për të studiuar
sa më mirë vendin sa nga duhet të fillojmë, dërgojmë korrierë njëri pas
tjetrit, hyjmë e dalim shumë herë nga dritaret e hapura, sepse kështu mendojmë
më mirë.
A nuk bëjnë edhe njerëzit kështu, kur kanë të mendojnë diçka
me rëndësi? Edhe ata hyjnë e dalin njëmijë herë në minutë, ngrihen po të jenë
ulur dhe ulen po të jenë ngritur? Flasin kur nuk ulërijnë dhe ulërijnë kur nuk
flasin? Ç’të thuash? Më mirë të heshtësh për të gjitha këto dhe t’i ndihmosh të
ngratët njerëz dhe të shkretat ushqime… Dhe ne kështu bëjmë, bile, ky është
edhe qëllimi sublim i gjithë racës sonë mizërore që shkrin gjithë jetën e saj për të mirën e racës
njerëzore. Po kujt t’i thuash? Njerëzit nuk na kuptojnë. U dukemi sende pa vlerë,
madje të bezdisshme. Po ne, me fisnikërinë që na karakterizon racë pas race,
vazhdojmë t’i duam njerëzit dhe jemi të bindur se një ditë ata do ta kuptojnë qëllimin
tonë fisnik dhe sakrificën sublime!
Po ne mund të bëjmë më shumë. Ne kemi edhe një mundësi tjetër,
t’i zgjojmë ëmbël njerëzit me zukatjen tonë, që do të zëvëndësonte shumë mirë të
gjitha sinjalet e imitimet e shplara të zgjimit, por tamam atëherë, shumë patriotë të
racës sonë të lëvduar, bien pré e sulmit njerëzor, që nuk kursen as pëllëmbët,
as mjete të tjera për të cilat folëm më lart. Kështu ata na asgjësojnë dhe na
kufizojnë mundësitë e komunikimit, na pengojnë gjuhën tonë. Atëherë, ne jemi të
shtrënguar të marrim masa mbrojtëse, të fluturojmë shkurt e lart për të ruajtur
vetë ekzistencën tonë, edhe kështu të vënë në pikëpyetje.
Gjithësesi, ne nuk tërhiqemi! Ne vërtitemi mbi kokat e tyre
derisa ata, njerëzit, ta kuptojnë thellësisht se kanë gabuar në lidhje me racën
tonë dhe të binden për qëllimet tona të mira dhe t …”
Pëllëmba e burrit që u zgjua u ngjesh pas kokës së saj dhe për
fat të keq ajo nuk arriti të mbaronte dot fjalën e saj…
Marre nga vellimi me perralla "Symbrapshti", Tirane, 1999
Comments
Post a Comment