Na ishte njëherë një Mbret. Ky Mbreti na ishte tepër i mërzitur
se nuk dinte se si t’i shtynte ditët e tij të mbushura plot monotoni pa
ngjarje. Këtij Mbreti na i ishte mbushur mendja top, se në këtë botë nuk kishte
njerëz të ndershëm, se nuk mund të gjeje
asnjë që të mos ishte përlyer në diçka jo të ndershme. Dhe që të mos lakmonte
pasurinë e paratë. Në fakt ai duhej të ndjehej i lumtur në mbretërinë e tij që
nuk e kishte askush dhe që i zilepse të gjithë banorët, pale mbretërit e tjerë!...
Po ja, që nuk ishte…! Kërkoi e kërkoi nëpër të gjitha udhëtimet
një njeri të tillë por nuk e gjeti, le që ai nuk mund t’i kuptonte njerëzit!
Sepse jo rrallë i kishte ndodhur që dikush t’i ishte dukur njeri i mirë por
pastaj as ai nuk kishte mundur t’i bënte ballë tundimit të pasurisë e parasë.
Më në fund i dëshpëruar Mbreti u kthye në Pallat. Kishte
shumë dëshirë që para se të vdiste, sepse e dinte që së shpejti do të vdiste, të
takonte një njeri të vërtetë. Ditë e javë të tëra i kalonte pa ngrënë e pa pirë
gjë. Trishtimi pak nga pak po e gërryente.
Një ditë prej ditësh kur po ecte buzë detit më i dëshpëruar
se kurrë, kllouni i tij doli nga xhepi dhe i thotë:
-Madhëri, t’ju them diçka? Ju nuk duhet të dëshpëroheni, kjo
është sëmundja e tmerrshme që ka kapur racën njerëzore siç e kishte parashikuar
edhe orakulli ynë dhe zor që tani, kur kjo sëmundje është kaq agresive dhe e
fortë të mund të gjesh ndonjë ilaç që të shërojë. Po ju mund të shfrytëzoni edhe një mundësi tjetër. Është
një njeri me të vërtetë i ndershëm, i cili në tërë jetën e tij nuk mundi të bëhej
dot peshkatar i zoti dhe që kurrë nuk vodhi shokun që pati fat më shumë se ai,
siç ndodh rëndom mes peshkatarësh. Dhe ju më kot keni kërkuar lart e poshtë nëpër
botë sepse nuk është larg që këtu. E quajnë Humbameno. Shkoni takojeni dhe jam i
bindur se do të mbeteni më në fund i kënaqur.
Mbreti pa një pa dy, nuk e zgjati por e futi Kllounin në
xhep dhe shkoi andej nga i tregoi ai. Shpura e ndoqi nga pas. Pas pak ishin përpara
një kasolleje që mezi mbahej më këmbë.
-Humbameno! – thirri Mbreti
Një burrë i vogël, i thatë me krahë e turinj të varur, i
bezdisur nga e thirrura prej të cilave ishte mësuar të dëgjonte vetëm të
tallura, u duk para shpurës vezulluese. Mori të përgjigjej por nuk mundi kur pa
para tij shpurën e e Mbretit dhe atë vetë.
-Dëgjo këtu!- s’e zgjati po i ra shkurt Mbreti - Do të
shkosh për peshk dhe çdo peshk që të zësh do të ta peshoj me flori, meqë deri
tani je treguar i ndershëm, por jo i zoti. Më kuptove mirë?... Nisu tani e në të
perënduar të diellit të vish me gjithë ç’ke zënë.
Humbamenoja i shkretë nuk pati kohë as të mendohej, por menjëherë
u gjend në varkën e tij të vjetër në det duke pritur fatin e madh që i kishte zënë
derën dhe që nuk vinte më. Ishte shansi i parë dhe i fundit për të.
Mbreti u ul diku buzë valëzave të detit dhe priti perëndimin
e diellit i cili nuk vonoi të vinte. Të gjithë prisnin kthimin e Humbamenos.
Plazhi ishte mbushur plot me pothuaj të gjithë banorët e mbretërisë të cilët
kishin dëgjuar për kërkesën e mbretit të tyre dhe kishin ardhur të shihnin se ç’do
bëhej.
Varka e vjetër u duk tek po vinte. Humbamenoja u jepte
lopatave dhe kokën nuk e ngrinte fare. Me sa dukej nuk kishte zënë gjë. Mbreti
u ngrit më këmbë dhe po priste me padurim. Po ishte vetëm varka bosh. As edhe
një cironkë nuk pluskonte në rrjetë, asgjë, me të vërtetë asgjë! Të gjithë
banorët dhe shpura u bënë gati të qeshnin e të tallen si edhe kishin bërë
gjithmonë me Humbamenon, po asnjë nuk guxoi ta bënte një gjë të tillë kur panë
fytyrën e myrrëtyer Mbretit. Humbamenoja
i dëshpëruar u afrua tek Mbreti
-Madhëri, - foli ai- unë u përpoqa por nuk munda të zë dot
gjë. Nuk është faji im Madhëri…Po…unë munda të marr vetëm këtë- dhe zgjati dorën
drejt Mbretit. Ky u afrua dhe pa në pëllëmbën e Humbamenos një sy peshku.
-Le të zbatohet marrëveshja, merreni dhe peshojeni
Syrin E Peshkut që zuri për tërë ditën
Humbamenoja ynë i dashur…hahahahhahaha…. –ushtoi në plazh e qeshura e Mbretit që
u pasua menjëherë nga të gjithë të tjerët që mezi e kishin mbajtur deri më atëherë.
Humbamenoja u tërhoq menjanë dhe priti. Oborrtarët e morën
Syrin e Peshkut dhe e vendosën ne peshore. Peshorja nuk lëvizi. Oborrtarët u çuditën
por shtuan peshën e floririt në anën tjetër të peshores duke menduar se ajo do
të balancohej me peshën e Syrit të Peshkut. Prapë jo! Çudi! 1000 herë çudi!
Peshorja nuk lëvizte nga vendi. Të gjithë i krojtën xhepat dhe ajo prapë nuk lëvizi.
-Sillni thesarin e mbretërisë! – urdhëroi Mbreti.
Të gjithë u nemitën. E dinin që ishte një thesar i paçmueshëm,
po askush nuk e dinte vlerën e vërtetë të tij dhe aq më tepër të kishte parë
apo të dinte se ku ishte fshehur. Ajo ishte lënë trashëgim brez pas brezi vetëm
për mbretërit. Atë çast të gjithë besuan se Mbreti i tyre ishte çmendur përderisa
po ndërmerrte një veprim që asnjë nga paraardhësit e tij nuk e kishte bërë, dhe
për çfarë?!...për një kapriço!
Mbreti gjithë i murrëtyer në fytyrë nuk lëvizi nga vendi por
vetëm ia nguli sytë e tij të lodhur Humbamenos së shkretë që në atë gjëndje të
mirte të qarët ta shihje, sikur të deshte të gjente përgjigjen për mundimet që
e kishin bërë të vuante prej kohësh.
Nuk vonoi dhe thesari i mbretërisë filloi të vinte në
plazhin që e kishte mbuluar nata. E rradhitën dhe e rreshtuan në peshoren më të
madhe që kishte mbretëria dhe në anën tjetër vunë Syrin e Peshkut. Të gjithë
menduan se tani kjo lajthitje do të merrte fund, por s’ishte e thënë. Peshorja
prapë nuk lëvizi.
Mbreti u çmend nga hidhërimi. Tani ishte i bindur se fjalët
e orakullit të mbretërisë së tij disa qindra vjeçare ishin të vërteta dhe se ai
me të vërtetë ishte i pafuqishëm të gjente atë që donte prej kaq kohësh.
Se mbi të gjitha hallet që kishte patur ishte dhe ky: Mbreti nuk kishte trashëgimtarë…
Hoqi kurorën e artë nga koka dhe u drejtua për nga
Humbamenoja. I bëri shenjë të ulej në gjunjë dhe kurorën e lakmueshme nga të
gjithë ia vuri atij në kokë. Pastaj u drejtua nga turma e nemitur më shumë nga çdo
herë tjetër me ç’po i shihnin sytë dhe tha:
-Që sot e tutje mbreti juaj të cilit do t’i bindeni do të jetë Humbameno. Vetë fati e zgjodhi atë -tha këto
fjalë dhe u shua.
E çuditshme, por ja që ndodh në këtë botë!
Marre nga vellimi me perralla "Symbrapshti", Tirane 1999
Comments
Post a Comment