Na ishte njëherë një Diell i madh, i zjarrtë, i kuq, i
bukur. Ky Dielli gjatë gjithë kohës vallëzonte nëpër hapësira të pamata,
takonte yje, planete, kometa…Dhe sërish ikte, ikte larg tepër larg për të kërkuar
yje të rinj, planete të rinj, kometa të reja. Kur i takonte rrinte një copë herë
me to, i pyeste se si jetonin e çfarë bënin dhe ç’plane kishin për të bërë në të
ardhmen. I pyeste nga e kishin rrugën dhe kur rrugët e tyre përputheshin ecnin
një copë herë bashkë. Kështu që Dielli na kishte zënë shumë miq e shokë, e herë
shkonte e takonte njërin, e herë shkonte e takonte tjetrin. Kështu shtynte ditët
e tij dhe nuk ishte fare i mërzitur por nga kënaqesia që ndjente më të nxehta i
dërgonte rrezet, e më tepër skuqej e krekosej. Ai thoshte se kishte të drejtë,
pasi asnjë banor tjetër i Qiellit nuk kishte kaq shumë miq e shokë sa ai, dhe
asnjë tjetër nuk dinte me hollësi se çfarë i kishte ngjarë njërit e tjetrit… Po,
ai ishte i lumtur sepse të gjithë e donin.
Kur ndonjëri kishte ndonjë hall, tek Dielli shkonte e gjente
rrugëzgjidhje apo ngushëllim. Se edhe banorët e Hapësirës kishin hallet e tyre.
Një ditë, në një nga këto ngarendjet e tij të pafundta nëpër
Hapësirë, ai dalloi një planet jo shumë të madh që nuk e kishte parë më parë.
Filloi të afrohej me kujdes dhe kur rrezet e tij të para ranë mbi të, atij i pëlqeu
shumë. Atëherë iu afrua edhe më:
-Kush je ti ?- gjëmoi zëri i tij
Planeti u drodh nga kumbimi i zërit të fortë, e pa drejt në
sy lëmshin e zjarrtë dhe me zë të ulët e plot kujdes iu përgjegj:
-Jam Toka.
-Po përse rri kështu mënjanë, pse nuk vjen edhe ti në vallen
tonë të gëzueshme, pse je kaq e mërzitur?
-E si të mos jem?,- filloi të qante hallin e saj Toka, -
jeta nga unë u largua, isha e bukur, shumë e bukur sa shumë nga kometat, e shumë
nga planetet e yjet vinin drejt meje dhe kërkonin që unë të lidhja miqësi me
ta. Kisha gjelbërim, kisha oqeane, kisha male, lumenj, kisha gjallesa të
mrekullueshme. Çdo gjë ishte në harmoni, askush nuk i binte në qafë tjetrit.
Dhe unë e mbaja mantelin tim të kaltër gjithë merak. Vallëzoja edhe unë me miqtë
dhe shokët e mi. Dhe gjallesat brenda meje, njerëzit, kafshët, shpendët,
insektet, bimët, të gjitha ishin me të vërtetë të lumtura. Po tani, çdo gjë u
shua. Oqeanet e lumenjtë u thanë, malet u ronitën, gjelbërimi u zhduk, siç u
zhdukën edhe gjallesat e gëzueshme… Dielli i Zi nuk e duroi dot bukurinë
time dhe dogji e shkatërroi gjithçka dhe mua nuk më lë të afrohem në vallen e
miqve të mi. Ndaj rri këtu vetëm, pa jetë dhe pa mantelin tim të kaltër.
Dielli heshti pas këtij rrëfimi të dhimbshëm. Një lot i madh
i zjarrtë rrëshqiti nga syri i tij duke ndriçuar Hapësirën me një dritë
vezulluese që ra mbi Tokën. Ishe Loti i Artë! Nuk kaloi shumë kohë dhe Toka
filloi të ngrohej. Oqeanet filluan të shkrijnë, lumenjtë filluan rendjen e
tyre, malet u ringritën dhe gjelbërimi mbuloi krejt Tokën. Oh, sa e bukur dukej
tani! Paskësh pasur të drejtë, ishte Planeti më i bukur që mund të të kishin zënë
sytë ndonjëherë. Edhe Dielli që kishte shëtitur e s’kishte lënë cep të Hapësirës
pa shkelur u mahnit prej asaj bukurie. Aq shumë na i pëlqeu sa vendosi të qëndronte
përgjithmonë pranë Tokës që ta ngrohte me rrezet e tij. E kështu u bë.
Kaluan shumë e shumë shekuj ku të gjithë ishin të kënaqur.
Toka vazhdonte të bënte jetën e saj si e kishte jetuar që në Zanafillë. Blerim i
pamatë, pasuri e begati për njerëzit. Vetëm se Dielli që vazhdonte të ngrohte
me dashuri Tokën nuk po kuptonte një gjë. Përse njerëzit nuk bënin asnjë përpjekje
për të ndryshuar jetesën e tyre, për të parë më tej, për të menduar edhe për
shumë shekuj e shekuj që do të vinin? Përse ata ishin aq të kënaqur aty ku
ishin kur mund të kishin në zotërim gjëra me të vërtetë të mrekullueshme?
Pasi e vrau e vrau mendjen e tij, ai gjeti përgjigjen dhe aq
shumë u gëzua për të, sa hodhi në Hapësirë vrunduj të tjerë lëmshesh të
zjarrta. Kishte ardhur koha që të takonte Tokën dhe ti tregonte asaj
mendimet e tij. Si praktik që ishte nuk e zgjati por u nis për rrugë.
Nuk iu desh shumë që të arrinte. Toka u lumturua nga vizita e papritur dhe nuk dinte ç’të
bënte për të kënaqur mysafirin.
-E dashur Tokë, e shoh që je mirë dhe e kënaqur dhe e gëzuar-
e mori fjalën Dielli- por problemi im është gjetkë. Më ka bërë përshtypje se
kaloi një kohë tepër e gjatë dhe ti nuk ke ndryshuar fare! Banorët e tu më
duket se janë mësuar pak dembelë dhe nuk përpiqen fare! U mjafton që
ti u siguron gjithçka dhe nuk bëjnë asnjë çap më tej. Kjo nuk më pëlqen ndaj
kam ardhur të nxjerr Rrezen e Artë dhe ta sjell tek ti. Ti do digjesh pak,
sepse ajo është tepër e nxehtë, do të verbohesh se ajo është shumë e ndritshme,
por pas kësaj banorët e tu do të fillojnë të mendojnë dhe të kërkojnë.
-Ke të drejtë Dielli im, nuk kam kundërshtim, jam gati, - iu
përgjigj Toka me të vërtetë e lumtur për ditët që do të vinin për banorët e saj
për
të cilët ajo dëshironte me gjithë fuqinë e shpirtiti të saj të mirë të ishin më
të mirët e Hapësirës!
Dielli ndejti dhe pak dhe u largua për në drejtimin e vet.
Me të arritur ai urdhëroi Rrezen e Artë, atë që dilte në Hapësirë një herë në
100 milion vjet dhe e urdhëroi të zbriste në Tokë.
Po ç’ndodhi?
Rrezja e Artë sapo u fut nën mantelin e kaltër, u shpërbë në
mijëra rreze të vogla gjithë aq të zjarrta e të ndritshme. Toka nuk u verbua
dhe as u dogj dhe Rrezet e Arta ranë mbi fletët e pemëve të cilat u përkundën,
ranë mbi petalet e luleve që u përkulën e u nisën nëpër botë. Ranë mbi njerëzit,
u përkëdhelën fytyrën dhe ata nuk i mbante më vendi, por kërkonin të niseshin
menjëherë nëpër botë, të kërkonin e të zbulonin ato që nuk dinin, gjithnjë e më
larg, gjithnjë e më larg…
Që atëherë, brezat njerëzorë u ndërruan shumë, por Rrezet e
Arta mbetën përjetësisht brenda, thellë zemrës së njeriut.
Nga libri me perralla "Symbrapshti"-Tirane,1999,
Me pare publikuar ne revisten "Flatra per femije", 1993 dhe para ketij viti refuzuar me motivacionin-"...shume alegorike, per ke e ke fjalen?!...(1990)
Comments
Post a Comment