Të mendosh sipas paqes dhe të jetosh sipas luftës,dhe në të njëjtën kohë të paraqitesh se mendon sipas luftës dhe jeton sipas paqes, kjo padyshim që është një akrobaci e vërtetë politike që mbart me vete kompromise që kurrë nuk çohen deri në fund. Në këtë mënyrë janë justifikuar të gjitha vendimet politike, në këtë mënyrë janë marë me të mirë palët, si turmat që kurrë nuk kuptojnë se ç'bëhet me to, ashtu edhe politikanët e mirëfilltë. Paqe është një fjalë gati-gati magjike e cila dëshirohet prej të gjithëve, Paqe është fjala kyç me të cilën politika luan në lojën e gjatë e të vështirë të gjuhës të cilën duam të dëgjojmë. Paqe – mbart me vete detyrimisht kompromisin. Po a kemi një kompromis në jetën tonë? A kemi një kompromis në politikën tonë? Flitet shumë për një lloj kompromisi, për një lloj marrëveshje ku palët bien dakort për interesa të caktuara. Dhe deri këtu punët duken krejt në rregull, jemi në paqe dhe mendojmë e punojmë sipas rregullave që ajo na ofron. Por a është e vërtetë një dukje e tillë? Çfarë fshihet në të vërtetë pas atyre shtrëngimesh duarsh, pas atyre buzëqeshjeve të stampuara si vulë cilësie prodhimi? Në gjuhën e një loje krejt teorike, kompromisi merr një dimension tjetër dhe ja tek jemi në mesin e një konflikti ekstrem e kompleks që na çon drejt një zero-sum situate, ku e para që harrohet e hedhur tutje në një cep është Paqja. Dhe kur harrohet Paqja nuk kemi gjë tjetër veçse Luftë, ku çdo konsecion për njërën palë, është padyshim fitore për tjetrën. Në këtë mënyrë vetë kompromiset vështirësohen dhe hyjnë kështu në një rrugicë qorre. Në këtë mënyrë vetë kompromisi bëhet kaq shumë i vështirë sa kthehet në një pamundësi reale për t'u mbërritur. (Kur flasim për kompromise , kemi parasysh kompromiset e vërteta, ato që me të vërtetë ndihmojnë politikën të zgjidhë problemet e veta pa i prishur ekuilibret e brishta të paqes.) Me pak fjalë duke e pranuar paqen dhe luftën për aq sa ato nuk shkojnë ekstremisht në konflikte të ashpra dhe shkatërruese.Në një zero-sum world sigurisht që nuk ka zëra të ndryshëm, sikur nuk ka as opinione të ndryshme ku kompromisi bazohet vetëm në pranimin e diferencave të perspektivave të pamundura. Kompromisi e përjashton perspektivën, dhe kjo s'do të thotë gjë tjetër veçse prishje e atyre ekuilibrave që mezi duken e mezi vendosen, ku interesat përplasen kaq shumë, duke ngushtuar rrethin e të menduarit prespektiv aq shumë sa e mbysin fare. Gjë që padyshim na çon në Luftë, paçka se bertasim me të madhe se jemi në Paqe!
Në këtë kontekst është e qartë se nuk ka kompromise të mirëfillta, se dhe ato që ekzistojnë janë thjesht iluzione që njëra palë i mbart për t'ia lehtësuar punën vetes, kurse pala tjetër i ushqen për hir të fitores së vet. Në një zero-sum cycle gjendemi përpara përgjegjësish ku arsyeja e bindjes dhe kompromiseve të mundshme humbet terren dhe nuk bëhet më fjalë për kompromise afatgjata. Dhe kështu nuk ndodh gjë tjetër veçse një tranzicion i gjatë pasojat e të cilit më mirë se sa shqiptarët nuk i njeh kush, ku çdo gjë qëndron në ajër dhe si reja ndërron formë e ngjyrë sipas erës që i shtyn, duke na lëshuar mbi kurriz herë shi e herë breshër prej të cilëve nuk ikim dot.
Nga kjo pikëpamje, jemi në nivelin e të kuptuarit minimal të ngjarjeve, pra heshtim, ndërkohë që ky tranzicion nga një qëndrim bardh e zi ndaj sistemit që siç dihet shkon majë më majë me vetveten, shkon drejt vetasgjësimit të sigurt e ndërsa ne, drejt qartësisë të vetëekzistencës sonë, të barazisë, pavarësisht diferencave themelore ideore e ideologjike.
Historia për fat të keq na e ka përplasur derën në fytyrë, duke pritur një zgjidhje prej politikës e cila nga ana e saj e hedh tutje historinë, atje ku le të ngryset dhe Paqja, por kur nga fusha e betejës kërkëllijnë eshtra ngrihemi, pavarësisht kompromiseve dhe duke mos patur rrugë tjetër veç të mbrohemi e bëjmë vetë Paqen sepse duam të jetojmë sipas saj, e jo sipas Luftës.
Comments
Post a Comment