Sapo del nje libër nxitojmë të bëjmë një analizë të thelluar të vlerave të librit. Nxjerrim të gjithë citatet e mundshme dhe të gjithë tharmin e analizave të autorëve të shquar duke mos lënë rast pa i perifrazuar. Dhe ndjehemi shumë mirë. Na kapllon pa dashje magjia e letërsisë së madhe. Fillojmë të besojmë se me të vërtetë kjo letërsi ekziston dhe se ekziston në rastin e rradhës në fjalë. Ndjehemi akoma më mirë. Sepse kishim përpara një tekst i cili ishte lakuriq dhe e veshëm, duke mos harruar as kapuçin, as dorezat. E veshim mirë tekstin, të mos ftohet ai. Por duke vepruar në këtë mënyrë vetëm besojmë se e veshim tekstin, sepse në të vërtetë e bëjmë më lakuriq se ç’ishte më parë. Lakuriqësia e një teksti, e një shkrimi, qoftë ky një kritikë, recensë, apo analizë bëhet edhe më e dukshme kur këmbëngulet që nga këto tekste, shkrime, (poezi apo prozë), të nxjerrim atë që pritet aq shumë- gjeniun e rradhës. Dhe pasi e kemi gjetur edhe gjeniun e rradhës atëhere ndjehemi mirë, madje shumë mirë. Do të thosha të lumtur. Dhe i lumtur ndjehet dikush që ka rënë në dashuri. Në këtë rast kemi rënë në dashuri me veten dhe shkrimet tona. Dhe dihet që dashuria na bën euforikë dhe është kjo e fundit që na çon “në maja” të çuditshme vetkënaqësie dhe sigurie se kemi bërë analiza dhe prognoza të mrekullueshme. Kjo është një mënyrë me të cilën ne trajtojmë tekstet e ndryshme letrare. Të shkruara me fjalë të zgjedhura, me superalativë vlerësimesh, me “analiza” lëvduese deri ne ditirambe të pështirë, dhe me nje trafik të çuditshëm fjalësh që qarkullojnë sipas një rruge e stacionesh që vetëm këta shkrues i dinë dhe i ndjekin, zbusim urinë e shtypit të uritur e oreksmadh.Në këtë rast misioni ynë quhet i mbaruar me sukses. Dhe ose nuk kemi sy, ose nuk duam të shohim pikërisht lakuriqësinë bërtitëse të këtyre shkrimeve e ditirambeve .
Ta shohësh dhe të interpretosh letërsinë në këtë mënyrë është një fatkeqësi e vërtetë. Është një fatkeqësi si për autorët, ashtu edhe për “analistët” e “kritikët” në fjalë. Të dyja palët janë të humbur . Për fat të keq në këto vite ndryshimesh të mëdha ideore dhe rrymash letrare kjo mënyrë e të shkruarit gati-gati është kthyer në një modë, në një detyrim të çdo kalemxhiu që merr përsipër të zbulojë gjeni dhe të marrë meritat për vete. Nuk shohim në faqet e shtypit të përditshëm (me ndonjë përjashtim shumë të vogël), asnjë shkrim me të vërtetë shkencor dhe një interpretim të argumentuar. Po të njëjtat klishe, po të njëjtët shkrues që qarkullojnë sipas klaneve nëpër gazeta e revista të ndryshme, po të njëjtët përfundime, pa dallim gjinie letrare, tematike, apo autorësh. Në përfytyrimin e tyre të gjitha tekstet e shkruara janë lakuriq dhe duhen veshur. Dhe sa më bukur dhe mirë të vishen këto tekste, aq më shumë merita i veshin ata vetë, vetes. Në fakt, një mënyrë e tillë të shkrimit të kritikës dhe recensioneve, nuk është se u shpik tani, ajo ka qenë edhe më parë, por e frikshme në këtë rast është përmasa që ajo merr, duke bërë një dëm të pariparueshëm, si për autorin, ashtu edhe për lexuesin. Pa përmendur pastaj brezin e ri të cilin e orienton krejtësisht në një rrugë të gabuar dhe pa krye, duke i dhënë modelin më të keq të mundshëm të të qenit kritik e analist. Duke shkatërruar në këtë mënyrë shijet e tyre dhe duke ngritur antivlerën dhe duke e paraqitur si vlerë.
Janë një sërë faktorësh që e kanë favorizuar një qëndrim të tillë, prej të cilëve po përmend vetëm nja dy. Së pari, është faktori ekonomik. Shumë nga vesh-zhvesësit e teksteve e bëjnë një gjë të tillë thjesht për para. Gazetat paguajnë,( autorët sigurisht që paguajnë nesër ai do të quhet gjeni!),kështu që kjo është mundësi për të bërë para. Së dyti, kjo ndodh për mungesë të kulturës së përgjithshme dhe të të pasurit të shijeve të këqia. Tek pamundësia e tyre për të kuptuar një tekst me të vërtetë me vlerë nga një tjetër i pavlerë. Së treti, nga mungesa e një metodologjie dhe nga mungesa e një informacioni të domosdoshëm. Kjo kategori “analistësh” dhe “kritikësh”ka një veçori: që këtë, informacionin, e mbulon me thashethemet e ndryshme që qarkullojnë nëpër kafene. As që bëhet fjalë për ta të ndjekin të rejat e shkencës së letërsisë nëpër botë. Por edhe kur e bëjnë e keqinterpretojnë, sepse të tjera janë qëllimet e tyre. Së katërti, ka të bëjë me klanet. Që është edhe pjesa më absurde e funksionimit të kësaj kategorie. Letërsia e vërtetë nuk i njeh klanet, ajo ekziston jashtë tyre dhe funksionon po ashtu, jashtë tyre. Nuk ka lidhje fare me klanet. Klanet i duhen pikërisht pseudoletërsisë, ajo në të kundërt ekziston vetëm përmes bazave klanore. Dhe kjo për letrat shqip është mjaft e dukshme. Klani në këtë mënyrë zëvendëson kritikën e specializuar dhe të vërtetë, analizën shkencore dhe përfundimet e argumentuara, sipas të gjitha parimeve të letërsisë. Klani i vesh, klani i zhvesh, dhe këtë e bën në bazë të humorit të tij. Nëse ti bën lojën e tij, pra, pranon të vishesh sipas shijeve dhe interesave të atij vetë, atëhere për ca kohë je shumëmirëivlerësuar, madje mund të shesësh qindra kopje, të bëhesh pjesë e të gjithë emisioneve televizive dhe të zesh faqe të tëra gazetash, apo ç’është më e dhimbshmja të jesh pjesë e botimeve antologjike nëpër tekste shkollore, apo përmbledhjeve të letërsisë shqipe të përkthyer për publikun e huaj. Por nëse ti, padashje prish humorin e klanit menjëherë, automatikisht, me një të rënë të lapsit je i përjashtuar prej tij, duke mbajtur mbi kurriz të gjitha mëkatet e të gjithëve, ti bëhesh delja e zezë e tij, dhe fundosesh. Thjesht një emër i baltosur që nuk ia vlen më. Teksti yt mbetet më lakuriq se lakuriqësia që ai e kishte që më krye të herës. Por dihet që raportet e tekstit qoftë me autorin, qoftë edhe me lexuesin janë shumë më komplekse. Autori nga ana e tij është shumë i lakueshëm, shumë i interpretueshëm. Por gjithësesi, ai mbart me vete një kontekstualizëm të thellë të epokës në të cilën shkruan dhe jeton. Kjo e ka zbërthimin e vet të parapëlqimeve estetike të tij, të autorit, dhe të rrymës letrare dhe artistike që ai ndjek në zbërthimin e ideve të veta, të artit të vet. Pikërisht në të kuptuarit e këtij qëndrimi, qëndron edhe vërtetësia e një analize apo recense, që nga ana e saj do të thotë të zbulosh vlerat dhe të ndash antivlerën e një teksti të caktuar për të cilin pretendohet se është artistik, pra mbart me vete funksione të ndryshme estetike dhe ekziston falë tyre. Jemi kështu përpara një kthese të pabesueshme. Mes kritikës së mirëfilltë dhe pseudokritikës. E para i merr në konsideratë dhe operon me këto mjete që përmendëm duke kaluar nga një rrafsh kuptimor në një tjetër, duke kaluar nga teksti tek psiqika e autorit, duke na dhënë tek e fundit, jo vetëm përsiatjet e tij dhe të vetë lexuesit, por duke treguar arsyet përse ky tekst është shkruar në këtë formë dhe jo në një tjetër. Kurse e dyta, nuk merret fare me këto analiza, ajo mjaftohet të “montojë” parafabrikatet e frazave pa u hyrë kuptimit dhe nëntekstit, dhe pa i interesuar aspak ana individuale e krijuesit, marrëdhëniet e tij me veten dhe me publikun. Kjo e fundit mjaftohet me duartrokitjet e pakuptimta të tij dhe e quan misionin e vet të realizuar. Dhe fillesa e gjithë këtyre përfundimeve padyshim që është në fjalinë e parë, në mendimin e parë të atij që merr përsipër të paraqesë gjeni të letrave, një koncept shkatërrues për të gjitha palët në lojë. Sot kur interneti dhe shpejtësia e informacionit, sot kur bota është bërë më e ndjeshme për të kuptuar vetveten dhe tregu i mendimit është plot me teori të reja, të vërtetuara ose jo, kur vetë arti dhe artistët janë gjithnjë në kërkim të formave të reja të shprehjes, për ngjarje dhe dukuri ndoshta të njohura (Jeta-Vdekja), nuk është e pranueshme që të vazhdohet me këto koncepte që nuk të çojnë askund. Sot nuk tolerohet më lakuriqësia dhe shterpësia e mendimit, për rastin tonë e kritikës dhe analizës letrare. Vetë koha e përjashton tashmë një gjë të tillë, dhe ndodh që nëse e vazhdon një qëndrim, sikur ke bërë edhe 50-60 vjet më parë, je i përjashtuar sigurisht, por kësaj here duke u bërë krejt qesharak.
Comments
Post a Comment