Kemi dëgjuar shpesh të thuhet se autorë si Xhojs, Kafka dhe Kamy janë autorë “të vështirë” për t’u kuptuar, interpretuar dhe shijuar. Në një farë mase kjo mund të jetë e vërtetë. Por mendoj se një studiues i pasionuar dhe që dëshiron me të vërtetë t’ua afroj vlerat estetike e filozofike që këta autorë mbartin arrin të përçojë pikërisht këto vlera tek lexuesit, që gjithësesi duhen ”edukuar” edhe me një lloj letërsie të panjohur më parë për ta. E këtu qëndron edhe vështirësia që bie në sy që në fillim në shtjellimin dhe interpretimin filozofik e estetik, në qëndrimin konceptual të ketyre autorëve.
Në njëfarë mënyre në këtë rast studiuesi duhet të zhvishet nga pozicioni i një studiuesi të thjeshtë dhe të marrë atë rol që do t’ia lehtësonte punën edhe atij, edhe lexuesve. Dhe ky rol, dashur padashur është shumë kompleks.
Së pari, mendoj, studiuesi duhet të krijojë një marrëdhënie të brendshme me tekstin, e duke e arrirë këtë ai arrin konceptin. Sepse është e tepërt të themi se kemi të bëjmë me një grup autorësh që nga pikëpamja konceptuale, pra qëndrimin që ata mbajnë ndaj realitetit të jashtëm,si edhe ndaj realitetit të brendshëm është krejt ndryshe nga ç’kemi hasur më parë. Duke krijuar deri në fund këtë marrëdhënie, ai arrin lehtësisht të ndërtojë një tekst të tijin, të cilin ua servir nxënësve. Por që ta mbërrish këtë nuk është dhe aq e lehtë, sepse duhet që brenda vetes ta dashurosh këtë tekst dhe të jesh krijues, në një farë mënyre.
Së dyti, analiza duhet të jetë me të vërtetë “e fortë ”, pra, të ketë një lidhje të pakundërshtueshme logjike, sepse vetëm kështu do të arrijmë të kuptojmë atë që përbën vështirësinë e përmendur. Mendoj se do të ishte me vlerë që në këtë rast, meqë kemi të bëjmë me koncepte të mirëfillta filozofike, të cilat edhe sot e kësaj dite janë peng të kuptimit e moskuptimit, të nisesh nga pjesa për të shkuar tek e tëra, do ishte më e thjeshtë për t’u kuptuar. Sigurisht, rrugës së kësaj analize do të ndalemi edhe në elementë më pak të dukshëm, por kurrë të rastësishëm dhe do të shpjegojmë arsyen e një qëndrimi të tillë krijues nga ana e shkrimtarëve.Për të mos rënë në pozicionin jo aq komod “ex catedra”, dua të parashtroj këtu një nga mënyrat e një interpretimi të mundshëm, (sigurisht kjo është krejtësisht personale-M.E).
Nëse i referohemi romanit PROCESI të Kafkës dhe nëse ndalemi pak më gjatë vetëm në fjalinë e parë të tij, le të shohim se ç’na ofron kjo:
Në të thuhet: “Me gjasë, dikush kishte shpifur kundër Jozef K., sepse një mëngjes atë e arrestuan, megjithëse s’kishte bërë gjë”
ME GJASË - që në fillim na jepet një situatë e hamendësuar. Mund të jetë dhe mund të mos jetë; mund të jetë një njeri i njohur ose një i panjohur; mund të jetë zyrtar ose jo; mund të jetë reale ose jo. Pra menjëherë kemi një shtresëzim nënteksti që na çon bindshëm pikërisht tek mënyra e konceptimit të realitetit prej autorit. Prej kësaj fjale mësojmë se për autorin realja edhe ekziston, por mund të mos ekzistojë duke na e vënë personazhin në një situatë të pacaktuar, ku nocionet e Kohës dhe Hapësirës e humbin kuptimin e tyre klasik. Që këtu ne duhet të përgatitemi për vazhdimin e romanit në të cilin ngjarja nuk zhvillohet sipas strukturave të njohura pra: prezantimi i personazhit dhe problemit, arsyet përse ekziston ky problem, zhvillimi dhe zgjidhja e këtij personazhi e problemi, duke na dhënë që në fillim dualitetin mendor të autorit mes reales dhe ireales. Një qëndrim që vjen si pasojë e përçmimit të tij ndaj këtij realiteti, të pushtetit, pasi që nuk e pranon mënyrën se si ky pushtet funksionon. Përmes këtij vëzhgimi vertikal të vetëm kësaj fjale, ne e parapërgatisim nxënësin se duhet të jetë i vëmendshëm që të kuptojë se nuk ka vetëm një linjë të menduari por shumë linja - Kafka është një prej tyre. Dhe ndalemi kështu në filozofinë që karakterizoi mendimin dhe veprën e Kafkës,atë të “përroit psiqik”, një nga teoritë filozofike që në një farë mënyre përmbysën konceptet e deri atëhershme. Kjo për faktin se në këtë lloj të menduari ç’do gjë përcaktohet dhe paracaktohet të ndodhë brenda Unit, është Uni ai që drejton. Realiteti ekziston vetëm si varësi e ekzistencës së Unit, dhe nocionet klasike të Kohës dhe Hapësirës e humbin vlerën e tyre primare
...DIKUSH - një përemër i pacaktuar që menjëherë nënkupton diçka pa formë, pa identitet të spikatur, diçka parëndësi, një i panjohshëm që në konteks merr vlerë metaforike të caktuar. Është sistemi, janë shtyllat e moralit e të ekzistencës mbi të cilat ngrihet ky sistem, që tek e fundit nuk e pengojnë Kafkën të jetë i lirë në mendimin e tij dhe t’i kundërvihet me forcë këtij sistemi pa ngjyrë e pa formë por që të godet pa mëshirë. Nuk është me rëndësi ky identitet, me rëndësi në këtë rast është përfundimi. Është gjithnjë një dikush, me, ose pa, pushtet të dukshëm, që vigjëlon papushim dhe bën listat e plangprishësve, mund të jetë një individ ose një shumësi individësh, vetë sistemi, sepse nëse lexojmë më tej në roman ky dikush merr një trajtë më reale. Më parë, ky dikush dihej që gjithnjë ishte një përfaqësues i pushtetit, qoftë ligjvënësi, qoftë zbatuesi. Kujtojmë Xhelatin dhe Princin në Mesjetë, apo po të shtyhemi në kohë është Perandori, Faraoni, Mbreti, ky dikush. Në kohën moderne ky dikush mund të jetë kushdo që kërkon shpërblim nga jeta. Ky është njëri shikim. Ana tjetër them se është diçka tjetër. Le ta shohim: Kemi thënë dhe kemi pranuar se Ligji është i verbër, se peshorja e drejtësisë mbahet nga një i pasy.Kjo ka disa shpjegime. E para, nuk ka të bëjë vetëm me figurën –simbol që na vjen nga lashtësia dhe që ka të bëjë drejtpërdrejtë me drejtësinë e gjykimit ndaj fajtorëve. Në kontekstin e Kafkës dhe të Procesit kemi një transformim të këtij simboli. Ky simbol plotësohet. Plotësi në këtë rast aq sa e humb identitetin e vet, po aq na e shfaq atë dhe e gjithë kjo ka të bëjë pikërisht me verbërinë e gjykimit të individit, duke anashkaluar me qëllim faktin që ai mund të jetë një i pafajshëm naiv. Kemi një përmbysje të raporteve dhe plotësim të figurës së simbolit edhe me një detaj po aq të rëndësishëm sa vetë simboli. Në këtë rast, së dyti, nuk kemi vetëm një përmbysje të thjeshtë figure, por në rradhë të parë kemi të bëjmë drejtpërdrejtë me përmbysje konceptesh filozofike, dhe së dyti dhe estetike. Kjo mendoj përbën edhe çelësin për të kuptuar rrymën e absurdit, apo të “përroit psiqik”, në të cilën shkroi Kafka. Kjo mendoj , përbën esencën kuptimore të saj, duke na bërë këisoj shumë më praktikë në vlerësimin dhe rivlerësimin e qëndrimeve tona të mëparshme. Kësisoj ne e kuptojmë më mirë rrjedhën logjike të ashpër dhe strikte të këtij absurdi që një lexues të pavëmedshëm e ngatërron dhe huton.Në këtë rast kemi një kundervënie të menjëhershme mes autorit dhe pjesës tjetër. Për të rëndësi merr fakti i ekzistencës së këtij dikushi, dhe nuk është fare me rëndësi në ç’formë shfaqet ai, e rëndësishme është se ai dikush nuk është Kafka.Me këtë rast gjejmë mundësinë t’ë shpjegojmë lexuesve se: në çdo sistem politik e shoqëror funksionon “syri vigjilent”, kontrolli i individëve, por ky sy qëndron në heshtje për aq kohë sa individi nuk cënon interesat e vetë sistemit
...KISHTE SHPIFUR- Vlera emocionale e një foljeje mëse të zakonshme në kontekstin e fjalisë merr një vlerë të posaçme e cila sigurisht që ka të bëjë me idenë kryesore të romanit.Ky është edhe filli ideor i tij. Pasi që në fillim ai mban një pozicion kundërvënës me realitetin(kupto: sistemin),kjo kundërvënie, ky mospranim vjen fuqishëm me këtë folje. Të shpifësh në vetvete përbën çështje penale dhe dënohet nga ligji. Por në rastin tonë është vetë Ligji (sistemi),që kryen një vepër të dënueshme. Personazhi akuzohet prej LIGJIT,personazhi gjendet në një rreth të çuditshëm, të papranueshëm, absurd, gjendet para një akuze, për të, të papranueshme. Vetë semantika e fjalës na tregon se kemi të bëjmë me një kundërvënie të brendshme, është një veprim i bërë enkas dhe ne nënkuptojmë atë që s’është e vërtetë. Shpifja nuk është e vërtetë. Shpifja nuk është e drejtë. Shpifja nuk është etike, morale.Shpifja është e shëmtuar. Shpifja është egër, asgjësuese. Shpifja qesh me viktimën e saj. Tek e fundit, shpifja është një veprim që nuk pranohet nga personazhi, pra autori.Shpifja është e dënueshme dhe po i dënueshëm është edhe mbartësi i saj,qoftë individ apo pushtet.Në fakt i gjithë romani ndërtohet pikërisht rreth kësaj fjale. Jepen me detaje të gjitha alternativat e mundshme, të gjitha mendimet pasqyrohen vërtetësisht, po “vendimi” është marrë. Autori që në fillim na e ka dhënë tepër qartë qëndrimin e tij , në këtë rast të papajtueshëm me pasojën që ndjek këtë veprim.Ne mund të hulumtojmë sëbashku me atë vetë të gjitha përsiatjet e mundshme të personazhit, por tek e fundit duhet të kuptojmë që në fillim që jemi përpara një fakti të kryer. Ne tek e fundit, jemi në gjendje të kuptojmë se si mendon autori dhe se si do ta trajtojë çështjen në fjalë. Nëse ai nuk do të ishte dakort me veten, nuk do përmendtte në asnjë rast fjalën shpifje. Dhe atëhere ne do na lindte e drejta e një analize nga një këndvështrim tjetër, do kishim një tjetër interpretim nisur nga rrethanat dhe sigurisht edhe përfundimet do t’i kishim të tjera. Në këtë rast mund të paramendoj se mund të kishim një PROCES por ky mund të ishte mëse normal dhe i besueshëm, pa asnjë dilemë dhe lëkundje në vetvete dhe asnjë lëkundje e dyshim tonin. Do të kishim besoj një vepër dhe një personazh klasik, ndoshta romantik, ndoshta realist.Si përfundim nuk do të kishim këtë lëndë që kemi, nuk do të kishim këtë KAFKË që po përpiqemi ta njohim, por një autor më të lexueshëm dhe të thjeshtë. Por thjesht qëndrimi emocional që na e vë Kafka me këtë folje na tregon qartazi se kemi punë përpara për të kuptuar deri në fund shpirtin e personazhit tonë, tek e fundit, shpirtin e vetë Kafkës. “E vërteta është bija e vetme e kohës”-është një thënie e Leonardo Da Vinçit. Një mënyrë të thëni, si për analogji mund të jetë që “Procesi mund të jetë biri i vetëm i absurdit të Ligjit”, ku mendja njerëzore kërkon fushë veprimi, kërkon të vërtetën, të vetmen, të plotën , atë që do të qetësonte njëherë e përgjithmonë dhe që do t’i jepte kuptim jetës. Duke e parë nga ky këndvështrim vërejmë gjëra që më parë i kemi anashkaluar me indiferencë. Çështja më e rëndësishme që na del para për zgjidhje bëhet në këtë rast qëndrimi i njeriut ndaj së vërtetës, shtrohet sërish pyetja e lashtë: - Ç’është e vërteta, ç’është e drejta për ta gjetur atë, ç’është lufta për ta pasur. Çështje të mirëfillta sa filozofike aq edhe politike, sa të hershme, aq edhe aktuale. Çështje që kanë ndarë qëndrime, sisteme të ndryshme, çështje që kanë provokuar luftra të egra të gjata dhe të përgjakshme.Çështje që kanë ngritur dhe mbajtur në këmbë art.
...KUNDËR JOZEF K.-Bëhet prezantimi me lexuesin, na thuhet ku ishte adresuar kjo shpifje. Kundër- përforcon edhe njëherë qëndrimin e autorit ndaj këtij veprimi të ndërmarrë kundër tij dhe menjëherë nënkuptojmë edhe atë që vjen pas. Kur një veprim bie ndesh me interesat tona reagimi ynë është i menjëhershëm. Sigurisht që ka një reagim. Se si, kjo është një çështje tjetër, por reagim ka. Ky është edhe veprimi i mundshëm që do të bëjë Jozef K, pasi që përballet me një shpifje të bërë nga dikush. E para, ai nuk e pranon shpifjen, për të ato që thuhen nuk janë të vërteta, përderisa nuk janë të vërtetueshme. E dyta, ai duhet të gjejë këtë dikush që e bën shpifjen dhe t’i kundërverë të vërtetën e tij. E treta,duhet të vërtetojë nëse kjo situatë në të cilën ndodhet është e vërtetë, reale apo jo. A ka një shpifje, apo jo? I gjithë ky është një reagim i menjëhershëm sepse padashje personazhi ndodhet si para një pasqyre ku i duhet të shikojë gjatë vetveten dhe njëkohësisht ta rivlerësojë atë, për shkak të rrethanave. Atij i duhet të përcaktohet për karakterin e tij por që ta bëjë këtë ai duhet të hyjë thellë brenda vetes, “pa dorashka”. Dhe kjo ndodh pikërisht në çastin kur ai evidenton faktin se ka diçka kundër. Është çasti i së vërtetës me veten .Dhe nëse e shikojmë kështu, kjo çështje kthehet në personale dhe ne kuptojmë që të gjithë jemi nën një proces të vazhdueshëm, të pakthyeshëm me veten. Dhe kur kufiri i caktuar po prej nesh kalohet, atëhere kjo çështje kthehet po aq edhe për të tjerët. Por nëse kufiri i caktuar prej të tjerëve për ne kalohet, atëherë kjo kthehet në një çështje që vetëm rritet mes individit dhe sistemit, mes individit dhe shoqërisë, mes individit dhe normave të moralit dhe besimit.Kundër është një fjalë përforcuese. Ajo nuk është vënë pa qëllim, sepse përforcon fjalën tjetër paraardhëse- shpifje, sikur përforcon edhe tjetrën që vjen pas- “atë e arrestuan”.Pra shikojmë pa pengesë që kemi të bëjmë me një fjalë komplekse dhe me fuqi të shumëfishta. Ajo jo vetëm na tregon qëndrimin e drejtpërdrejtë të Kafkës ndaj veprimit që do të pasojë, papajtueshmërinë e tij ndaj këtij veprimi, jo vetëm që na flet qartë për një qëndrim të pastër të ndryshëm nga qëndrimi i deriathershëm estetik, por edhe na parapërgatit për dashurinë që duhet të krijojmë për personazhin e që në të njëjtën kohë na parapërgatit edhe për urrejtjen ndaj pushtetit jo të drejtë.Në rrafshin shpirtëror këto janë dy fushat ku vërtitet shpirti i trazuar i Kafkës e bashkë me të edhe ai i personazhit dhe i yni..Raporti i përjetshëm dashuri\urrejtje.
...SEPSE NJË MËNGJES- një ditë çfarëdo, mund të ishte edhe një pjesë tjetër e ditës, por autori zgjedh mëngjesin , kohën kur Ligji vepron e ndërmerr veprimet e tij ndaj shtetarëve, koha kur nëpunësit e zellshëm kryejnë detyrën e tyre për të cilën edhe paguhen. Zakonisht arrestimet kryhen ndaj të gdhirë, ose natën vonë.Kafka edhe këtu në këtë veprim kaq të thjeshtë gjen rastin të tregojë konceptin e tij të ndryshëm.Ai e vë arrestimin në mëngjes. Përcaktimi “një mëngjes” ka një vlerë emocionale dhe informuese. Nënkuptojmë që arrestimi pritej prej kohësh ishte i organizuar dhe se akuzat kishin kohë që ishin bërë. Kishin kohë që kishin marrë aprovimin e pushtetit, duke i shkuar për shtat po atij. Në të njëjtën ngarkesa emocionale që kemi këtu na tregon se për personazhin në fjalë kjo ishte e papritur, pikërisht në mëngjes kur njeriu përgatitet për ditën dhe është plot energji.
...ATË E ARRESTUAN- jemi përpara faktit.Pavarësisht se si do të rrjedhin ngjarjet personazhi gjendet para këtij fakti prej të cilit do t’i duhet të mbrohet deri në fund, pasi të kuptojë arsyen se pse i erdhi ky arrestim dhe pse pikërisht atij. Rreth këtij fakti sillet e gjithë shtjella e mëtejshme e romanit. A është i drejtë ky arrestim? A duhej të bëhej ky arrestim? Ç’prova duhet të ketë Ligja përpara se të ndërmarrë aktin e fundit? A respektohet Ligji? A respektohet individi? A ruhen të drejtat e tij? Në emër të kujt ndodh ky arrestim? Sepse pak më lart na është thënë se dikush kishte shpifur.A përbën kjo bazë të mjaftueshme ligjore për të akuzuar e arrestuar një individ?Përse sistemi e ushqen këtë interpretim, këtë veprim që tek e fundit nuk është në të mirë të individit. Atëhere ky system e do dhe e mbron individin, apo e lufton? Tek e fundit duhet ky sistem, apo duhet ndryshuar?Ndodhemi përpara faktit të tmerrshëm i cili nga ana e tij përmbys të gjithë filozofinë mendore të personazhit, përmbys të gjithë jetën e tij. Bien shtyllat e besimit, morali zhduket sikur kurë nuk ekzistoi, e drejta shtyhet tutje, e vërteta nuk ka aspak rëndësi, sikur nuk ka rëndësi individi para sistemit Ligjor, i cili sheh armiq edhe atje ku nuk ka.Arrestimi është akti më i rëndë ndaj dinjitetit burrëror që mund t’i ndodhë dikujt.Të jesh i arrestuar do të thotë të jesh i zhytur në mëkate deri në fyt, do të thotë të kesh një karakter të keq të mbushur plot me vese që të shtyjnë të bësh gjëra të ndaluara të normave të moralit dhe t’i shkelësh ato, por jo në emër të një morali më të mirë. Të jesh i arrestuar se ke thyer ligjin duke u bërë pre e instikteve lakmuese për pushtet, para e çdo gjë tjetër, sigurisht që nuk është sikur të dalësh shëtitje ditën e pushimit buzë liqenit ku mjelmat filtrojnë plot naze.Dhe kjo gjendje rëndohet për ata që janë idealistë dhe që arrestohen prej idealit të tyre.Kjo patjetër që është edhe më e rëndë.Kjo të bën të vesh pasqyrën jo drejt vetes, por drejt historisë, drejt vlerave të saj të trashëguara. Është momenti i rivlerësimit të saj, i cili në të tilla raste rezulton i pamëshirshëm. Individi duhet të harrojë të gjitha mësimet e mëparshme, duhet të harrojë sa më parë kush është, nga vjen, çdo, cili është roli i tij në këtë botë. Sa më parë të lirohet ai prej këtyre kornizave me të cilat është rritur, aq më shpejt do të qartësojë pozicionin e vet në këtë shoqëri, vendin e tij në këtë sistem shoqëror, rolin dhe funksionin e tij
…MEGJITHËSE S’KISHTE BËRË GJË.-Këtu kemi një pozicionim të menjëhershëm të personazhit i cili na thotë se është i pafajshëm.Këtu fillon kalvari i provës se ai është me të vërtetë i pafajshëm.Dhe nëse jemi të vëmendshëm pak më parë kemi lexuar “kundër…”,një fjalë të cilën u përpoqëm ta shpjegojmë do shohim se ka një lidhje të fortë mes saj dhe pjesës së fjalisë që kemi para. Të dyja në fakt flasin për të njëjtën gjë-për pafajësinë e tij.Të dyja flasin edhe për qëndrimin e Kafkës ndaj personazhit dhe ngjarjes.Të dyja flasin për dashurinë dhe urrejtjen.Dhe të dyja lidhen pazgjidhshmërisht me pafajësinë e personazhit dhe absurdin e dënimit dhe arrestimit t ëtij, me absurdin e Ligjit, absurdin e sistemit Po a ka rëndësi për sistemin pafajësia e tij? Në këtë rast jo. Ai ishte një individ i shenjuar dhe si i tillë duhet t’i shkojë deri në fund akuzave të pabaza. Më kot rreket të thotë të kundërtën , por Jozef K. e ka kot. Sinusoidët historikë të jetës sociale të njeriut na sjellin me mijëra prova dhe fakte kur një individ është dënuar e ndëshkuar pa faj. Kjo u ka ndodhur edhe njerëzve për shkak të detyrës apo idesë që ata kanë patur, por u ka ndodhur edhe njerëzve të thjeshtë. Kështu sistemi funksionon. Në emër të ruajtjes së shtyllave të tij ai përçon terror sa psikologjik, aq edhe real. Duke pasur Ligjin me vete, duke pasur Xhelatin me vete, atij i duhen viktima të herë pas hershme, thjesht për konsum populist. Është fati i viktimës që të kthehet në një hero, apo t’i treten kockat bashkë me emrin në baltën e butë që thith gjithçka. Kështu funksionon. Jozef K. nuk do të jetë as hero, as baltë, ai thjesht do të jetojë jetën e tij të thjeshtë, pa shumë pretendime. Për të sistemi kishte qenë dashur të ekzistonte për aq sa e mban një shoqëri në këmbë, po ai nuk do të kishte dashur të përballej pikërisht me mekanizmin e mbajtjes së këtyre shtyllave të sistemit, të moralit, etikës, të drejtës. Ai as që dinte gjë për to derisa u gjend i arrestuar. Dhe në filtrin më të imët ku shoshit veten Jozef K., nuk i del vetja fajtor.Por për sistemin kjo pak rëndësi ka. Ai e ka marrë vendimin e vet dhe gjithë të tjerat thjesht janë përpëlitje viktime para humbjes së përjetshme.Ai argëtohet duke përpunuar opinione e duke i hedhur në treg, ku Jozef K. nuk arrin të kuptojë ç’po ndodh me të. Është një situatë që çdo kujt mund t’i ndodhë sepse vetë sistemet shoqërore funksionojnë në këtë lloj mënyre. Absurde? Po! Por e vërtetë!
Botuar ne gazeten "Mesuesi"
Marre nga libri me studime "Filozofi ne Metafore"- se shpejti ne shtyp.
Comments
Post a Comment