Të ndjekësh botimet e të rinjve të poezisë është me të vërtetë
një ndërmarrje e vështirë, por edhe e bukur e mbresëlënëse.Të krijohen përshtypje
se je përpara një zbulimi të madh dhe të thjeshtë. Të madh sepse me të vërtëtë
lënda që ke ndër duar është herë-herë e mrekullueshme dhe surprizuese, dhe e
thjeshtë, sepse ashtu është – e thjeshtë.Vargjet e tyre janë shumë herë tejet
intelektuale, filozofike dhe të mbushura plot me emocion.Forma poetike që përcillet
gjithashtu është e larmishme, ajo anon sa nga klasikja, aq edhe nga
modernia.Individualitete janë të spikatura dhe të mirëdallueshëm nga të tjerët.
Ka përpjekje për të dalë nga historia personale dhe për të kaluar në UNIN
POETIK, në tipizimin e domosdoshëm për një letërsi të mirëfilltë. Poezia e tyre
është e mbushur me metafora, hera-herës
mjaft të “çuditshme”, të papritura në fluturimet e tyre sa të afërta, aq edhe të
largëta.Poezia e tyre të frymëzon dhe të bën të ndjehesh poet edhe kur besimi për
këtë të fundit është zbehur nga ashpërsia e kohës. A nuk është ky edhe misioni
final i artit? Është me rëndësi të theksoj që kjo poezi e gjen rrugën e vet në formën me të cilën na vjen. Sigurisht ne e
kemi një traditë shkrimore e cila gjithashtu luhatet mes vargut klasik dhe atij
modern. Por ka ndodhur jo rrallë që ky varg, moderni, është keqinterpretuar ose
keqshkruar. Por gjithësesi e kemi patur një traditë si dhe përpjekjet për të
ndryshuar edhe këtë formë të shprehuri. Janë
të shumta rastet kur ne jemi ndeshur, ndoshta për të mos shkuar shumë thellë në
kohë, që nga vitet ’90 me poetët të cilët nga kritika e kohës u quajtën “les enfant
terribles”-fëmijët e tmerrshëm! Në asnjë rast, nga ana tjetër nuk anashkalohet fakti
që kjo poezi nuk mund të ishte ekstremisht e përsosur. Do të ishte miopi të
mendoje dhe të deklaroje një gjë të tillë dhe aq më tepër të mbroje një ide të
tillë. Sigurisht që edhe kjo poezi ishte në kërkim sikur është në kërkim sot e
kësaj dite. Është një ligj natyror të cilit as poezia si pjesë e një lënde më të
gjerë nuk mund t’i shpëtojë. Ndryshimi mes “les enfant terribles” të viteve’85-
’90, me poetët që shkruajnë sot, më 2017, është i dukshëm.Poezia e atyre viteve
e shkruar nga adoleshentë 15-20 vjeçarë ishte një poezi që element kryesor të
vargut kishte kërkimin për forma të reja ku dukej qartë kërkimi për të bërë
publik zërin sekret të poetit. Ishte një kapërcim i madh për kohën. Poezia e
deriathershme ia kishte imponuar vetes një qëndrim të tillë ku vetëm mund të nënkuptoje,
por jo të lexoje drejtpërdrejtë. Politika dhe sistemi i kohës nuk të lejonin.
Brezi i atyre viteve tentoi t’i ndryshonte këto marrëdhënie dhe të sillte në
letërsi një qëndrim të ri. Të inspiruar edhe nga letërsitë perëndimore ku
demokracia si sistem politik e vlerash
kulturore kishte një traditë të mirë.
Padashur, poezia e atyre viteve, u bë një poezi rrëfyese, narrative, ku përvojat
vetjake zinin vendin kryesor dhe shërbenin si një bazë e mirë për të bërë përgjithësime
filozofike mbi jetën dhe karakterin njerëzor, për të dhënë ndoshta edhe
orientime të zhvillimit të shpirtit të njeriut dhe të tendencave mentale të
tij. Poezia e atyre viteve ishte sa surrealiste aq edhe e drejpërdrejtë. Figuracioni
ishte i ngjeshur emocionalisht i realizuar.
Ndërsa sot, më 2017, raportet kanë ndryshuar. Poetët e rinj
të poezisë së sotme nuk i shqetëson më
fakti i fshehjes së vetvetes, por ata deklamojnë me të fortë se kush janë, ose
e thënë më saktë, se kush kujtojnë se janë… Është koha kur atyre u duhet të përballen
me një indiferencë studimi skrupuloz të vetive të vargut, të rregullave të
metrikës, të cilat pothuaj nuk i njohin fare.Nuk u interesojnë rrymat dhe drejtimet
letrare. Nuk u intereson roli i figuracionit artistik. Nuk merren pothuaj fare
me teorinë e letërsisë, e quajnë atë diçka të tejkaluar dhe të padobishme. Në
raport me leximin ndahen në dy kategori:
e para, që lexojnë shumë, pa zgjedhur, thjesht, çfarë iu bie në dorë dhe pa një
strategji leximi; dhe e dyta, që nuk lexojnë pothuaj fare dhe u intereson vetëm
ajo çka ata përjetojnë ata vetë sikur
nuk u intereson as mendimi i kritikës për atë që ata shkruajnë. Ata thjesht janë
vetvetja. E kuptuar në terma më shkencorë, kjo do të thotë që ata në mënyrë
instiktive respektuan kapacitetet humane, që janë të njëjta në kohë në raport
me qëndrimin emotiv dhe vizionin figurativ universal. Nga kjo pikëpamje dua të
sjell në vëmendje atë çka ndodhi në
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur poezia u gjend përpara një situate të
ngjashme me këtë që po kalon sot poezia shqipe. Në Amerikë kjo u pasqyrua me një
lëvizje të gjerë poetike, që sikur vëren Gjek Marinaj sollën atë që u quajt
“Poezia e zgjeruar”- (Expansive Poetry).
E parë nga një këndvështrim lokal, pra në Shqipëri a mund të flasim sot për një
Formalizëm të Ri? A mund të flasim
sot për një Albanian Expansive Poetry?
Nëse u referohemi botimeve të kësaj grupmoshe poetike mendoj
që sapo ka filluar të konturohet- gjithnjë duke ruajtur linjën e mendimit që
kjo edhe nëse ndodh, ndodh në mënyrë instiktive! Nuk mund të flasim ende për një
qëndrim teorik të përcaktuar qartë. Poezia është ende në kërkim të një mediumi
shpirtëror e intelektual.Këta poetë më shumë se sa pasojë e leximeve poezinë e
shpërfaqin si një hulumtim në vetvete
dhe për vetveten. Tendenca drejt poezisë lirike nuk barazohet në temat e lirisë
së seksit dhe të zbulimeve të ndjesive që mund të përftosh prej tij. As vdekja
nuk mitizohet, edhe ajo ka vendin e saj natyral. Sikur ky raport real ndjehet
edhe në temat e tjera që shqetësojnë shoqërinë globale, sikur mjedisi dhe roli
i njeriut në të, Lufta, Paqja, Dashuria…E gjithë kjo poezi ndoshta mund të shërbejë
si një parathënie e një qëndrimi drejt një Formalizmi
të Ri.
Për të përmbyllur këto shënime dua të polemizoj me qëndrimin
që mbahet hera-herës për këtë poezi. Është një qëndrim që përjashton tendencat
e reja dhe vlerat e kësaj poezie. Është një qëndrim që e konsideron këtë prurje
thjesht si një poezi si pasojë e leximeve të ndryshme dhe jo si eksperienca
personale mendore dhe jetësore, ku padyshim kreun e vendit e zene temat e
dashurisë dhe hulumtimet shpirtërore në kërkim të saj dhe të vërtetave që ajo
mbart. Të etiketosh në këtë mënyrë një letërsi të një brezi,kjo do të thotë që
nuk ke njohuritë e duhura për zhvillimin e kësaj poezie, të rrethanave dhe
kushteve që e kushtëzojnë një poezi të jetë e tillë-antikonfromiste.
Gjithashtu, një qëndrim i tillë tregon se ke mbetur “rob” i teorive e shkollëzave
të tejkaluara nga koha dhe nuk je më në gjendje të kërkosh e të shpërfaqësh
tendencat e reja, limitet ende të patejkalura, por të pritshme: një herë në
formën e një reagimi instiktiv, e herën tjetër në formën e një mendimi të
pjekur e të mirëpërcaktuar. Eksperienca ime në lidhje me zhvillimet e poezisë bashkëkohore
si dhe njohja e kësaj grupmoshe, e tendencave filozofike, emotive dhe
perspektivave të mendimit më bën ndoshta të theksoj dhe të them me bindje se
kemi përpara një rrugë të re. Bazat janë hedhur, mbetet të përpunohet qëndrimi
ideoestetik dhe të përcaktohen linjat. Thjesht është një çështje kohe, kur edhe
për letërsinë, poezinë shqipe, do të mund të konstatojmë me kënaqësi se jemi në
mesin e një Albanian Expansive Poetry-(Poezia e Zgjeruar Shqipe).
Comments
Post a Comment